BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

Sondazhet si shantazhe e frikë e magjistarëve politikë

Sondazhet si shantazhe e frikë e magjistarëve politikë

Sondazhet, janë tabloja e gjykimit të opinionit të një grupi të caktuar shoqëror, në një zonë, bashki, fshat, krahinë, trevë apo në shkallë kombëtare e ndërkombëtare. Leximi i opinionit publik nuk mund të bëhet apriori, vetëm nga ato që dëgjon nëpër tavolina, biseda miqsh aq më pak nga fjalët e militantëve dhe mbështetësve të politikës që i thonë problemet siç dëshirojnë, i deformojnë apo i sakatojnë për t`i transmetuar te vendimmarrësit ashtu siç u pëlqejnë atyre. Në vendet e qytetëruara, sondazhet janë indikatori më i ndjeshëm dhe i besueshëm, si lakmuesit në proceset kimike për evidentimin e llojit të tretësirës, është bazike, acide, me shumë kripëra, të ëmbla, helmuese apo neutrale. Në traditën e shteteve me demokraci të zhvilluar, intervistimi i qytetarëve, pyetja e tyre, dëgjimi i zërit dhe njohja e mendimit, kalon përmes një procesi rigoroz, të mirëorganizuar e mirëstudiuar. Zhvillohen mbi baza të programeve të hartuara shkencërisht, analitike, matematikore e statistikore. Pa anësi apo subjektivizëm. Prej vitesh përfundimet shërbejnë si bazë për politikat, programet që rrjedhin nga leximi i tyre në demokracitë progresive, nxirren konkluzione objektive dhe merren vendime të bazuara mbi realitete të verifikuara objektivisht drejt dhe nga populli. Shkurt në to pasqyrohet opinioni i pjesës dërmuese të shoqërisë. Të tilla studime, kryhen për probleme me peshë kombëtare, po edhe për çështje që janë në dukje të dorës së fundit, po që kanë interesimin e shtresave qytetare të një krahine apo zone, për problematika të tilla në dukje pa rëndësi, si rrugë, ngjyra e pallateve, sinjalistika, ndërtimi i heceve, paneleve diellore, deri edhe vendosja e një tabele të qarkullimit rrugor, e cila nëse kundërshtohet për vendndodhjen, hiqet dhe vendoset në një pozicion më të përshtatshëm. Në mendësinë shqiptare, sondazhet për çështje kaq të vogla, po sensitive, duken qesharake pasi ne nuk pyetemi edhe për probleme të rëndësisë kombëtare që kanë të bëjnë më jetën dhe të ardhmen e vendit dhe ekonomisë kombëtare. Nëse do kishim sondazhe objektive për problematika të rëndësishme, nëse do pyeteshim, para vendosjes së tarifave të kalimit në “Rrugën e Kombit” për zonat përreth nuk do ndodhte shkatërrimi i pajisjeve të vendosura në hyrje të rrugës dhe nuk do bëhej zhurmë aq e madhe sa tronditi tërë vendin dhe u shoqërua me çarje sociale dhe burgosje të protestuesve të dhunshëm në një kohë kur qytetarët u pyetën, u dakordësuan,u gjetën zgjidhje të pranueshme të arsyeshme për të gjithë. Taksat në rrugë paguhen nga përdoruesit në tërë botën dhe kapitalizmi shqiptar nuk mund të bëjë përjashtim. Vendimmarrje të pakonsultuara ka edhe për mijëra problematika të tjera. Po nëse për shqetësime të tjera, të karakterit ekonomik, shërbime etj. në Shqipëri mungojnë sondazhet dhe leximi i opinionit, gjykimi qytetar lihet mënjanë, në politikë puna qëndron ndryshe njëqind për qind. Sondazhe politike porositen përditë. Në prag fushatash edhe dy herë në ditë. Ndryshe nga të ngjashmit në vendet e tjera të globit, në vendin tonë, sondazhet vuajnë nga subjektivizmi ekstrem, mungesa e realitetit, faktet dhe opinionet qytetare. Nëse sondazhi porositet nga PD, apo LSI si dhe PS, atëherë treguesit, përfundimet rezultojnë të pëlqyeshme, joshëse për liderët e këtyre partive. Ndryshe nuk merret parasysh, hidhen në kosh të plehrave si të padenjë të gënjeshtërt. Këto ditë, si para çdo fushate elektorale, po në ndryshim nga tërë fushatat pararendëse, ka nisur loja e sondazheve. Ngutje dhe padurim i jashtëzakonshëm për t`u shpallur fitues dhe për t`u thënë shqiptarëve se, fitorja është e sigurtë, e kemi në kupë, pasi është e vërtetuar nga sondazhet. Është vit elektoral dhe nuk pritet sa të shpallen zgjedhjet dhe të nisi matja e opinionit për mbështetjen e forcave politike. Së paku të motivohet propaganda në emër të fushatës elektorale. Këtë vit po kapen kulme të panjohura më parë për dendësinë dhe zhurmën mbi sondazhet nga padurimi për t’u kthyer në pushtet pas tetë vitesh opozita jonë. Për t`i vendosur baza solide leximit të shifrave dhe treguesve që rezultojnë nga intervistimi i të përzgjedhurve, të cilët duket se janë të seleksionuar, të zgjedhur me dorë, jepet sihariqi i madh se përfundimet janë shumë shpresëdhënëse dhe të besueshme. I pari që bën të njohur sihariqin e fitores, do ishte çudi në se nuk do të ishte ati shpirtëror i PD-ës, Sali Berisha. Ai dhe binjakët e tij janë politikanët magjistarë që lexojnë votën ende pa e hedhur në kuti. Ai edhe pse burrë i fortë me karakter malësori, që ka mbajtur mbi supe gëzime dhe hidhërime nga fitoret e humbjet pa fund, nuk mund të ruajë tërë këtë gëzim brenda vetes. Nxiton ta shpërndajë kudo, ta ndajë fitoren e sondazheve me tërë ndjekësit e tij përmes qytetarit dixhital. Ky maratonomak i kohëve moderne nxiton të ndajë gëzimin e fitores imagjinare, me shpejtësinë e dritës, me shqiptarët kudo këtu në atdhe dhe dhera të huaj. Militantët kaq duan. Nisin komentet, brohoritjet, deklarojnë me sa fuqi kanë, se jemi në pushtet. Se tani, Rama ka mbaruar, nuk ka vrimë të futet nga tmerri që e ka mbërthyer nga frika e humbjes. Elita e së djeshmes sot opozitë e retushuar shpall fitoren, sikur zgjedhjet të kenë përfunduar. E gjithë kjo vetëm me përfundimet e një sondazhi, i cili nuk dihet se ç`pjesë të shoqërisë ka marrë si porcion studimi, kush e ka organizuar, sa profesionistë janë, cila është përvoja e tyre në këtë fushë jo të lehtë. Pasi jep lajmin për sondazhin në shkallë kombëtare, e fitoren e PD-së dhe opozitës, mbështetur në përfundimet e sondazhit që lexon Berisha e Basha, një tjetër i ngjashëm këtë herë lokal, zhvilluar në një nga zonat që përgjithësisht ka rezultuar me tregues ndryshe për të majtën. Është fjala për sondazhin e organizuar në Gjirokastër, ku Berisha u referohet përfundimeve dhe treguesve të lartë, numrit të votave në interes dhe mbështetje të partisë së tij, liderit de jure Basha. I ngazëllyer nga këto rezultate nuk kursen as deputetët e rilindjes, të cilët sipas tij kanë tradhëtuar e kanë lënë në baltë Ramën duke i dhënë mbështetje Bashës. Ky është përfundimi më i çuditshëm e qesharak që flet jo për subjektivizëm ekstrem, po edhe për eufori të shtyrë, nxitim për të thënë atë që është e pabesueshme dhe e papërfytyrueshme për çdo qytetar të këtij vendi. Mund të justifikohet lideri faktik kur i referohet mbështetësve të PD-së për ndonjë të zhgënjyer nga radhët e socialistëve, votuesve gri, të lëkundur, po të thuash se deputeti i narkotrafikut Rama mbështet Bashën dhe lë Ramën në baltë, kjo është për të qeshur e për të vënë kujën, se si një lider karizmatik e historik mundet të manipulojë treguesit deri në këtë farë feje, sa ti bëjë të pabesueshme totalisht pasi nuk ka shqiptar që t’i marrë seriozisht. Po Berisha nuk është se nuk i kupton ato që thotë. Nuk është se nuk i di të vërtetat dhe i lexon me emocion përfundimet. Ai qëllimisht, sondazhet i trajton si shantazh, kobure, kamxhik për të qëlluar mbi kundërshtarët politikë. I përdor si presion dhe për të ngjallur frikë, për t`u thënë votuesve se kot e keni, jeni të humbur, të mbaruem nëse mbështetni qeverinë e narkotrafikantëve, ata që e kanë mbushur Shqipërinë me krim. Në këtë lexim dhe interpretim kërkon që në sondazhet rutinë, të pasaktë, subjektivë, të porositur, pa themele, t’i shesë si shantazh të pastër, si kopaçe e dajak, jo vetëm mbi votuesit e majtë, po edhe si adrenalinë për votuesit e opozitës, për t’i vënë në rresht duke i ushqyer me iluzione false së pari njerëzit e PD-së. Filozofia makiaveliste, qëllimi justifikon mjetin, është tipike në këtë interpretim të përfundimeve të sondazheve të shkruara, lexuara, intervistuara nga Berisha dhe Basha, pa lënë mënjanë Monikën dhe eminencën gri, doktor Petrit Vasili, që deklarojnë orë e minutë se mazhoranca është e mbytur, e humbur dhe i referohet përfundimeve të Berishës përmes treguesve të të intervistuarve të qytetarëve nga Vermoshi në Konispol, Durrës deri në Korçë. Aq të mërzitshme dhe pabesueshme, të bezdisura janë bërë sondazhet e paguara dhe orientuara që në fillim për përfundimet që duhen arritur, sa duket sikur opozita jonë është mbytur në dallgët e entuziazmit dhe euforisë së shifrave pa hyrë ende në betejë, duke qenë jashtë fushës së luftës elektorale, pa provuar realisht peshën e votës dhe mbështetjen reale. Fitorja me sondazhe është fitore imagjinare. Referimi i tyre, si bazë për ardhjen doemos në pushtet, vetëm referuar treguesve të lexuar, është si të zgjohesh në shtratin e sondazheve, të hash pjatën e parë shifrat e tyre, të flesh mbi sondazhe, të thithësh ajër sipas tyre, të marrësh frymë prej tyre. Të entuziazmohesh me atë që të pëlqen të gënjehesh e zbukurosh edhe pse e di shumë mirë se janë jashtë realitetit, pa asnjë bazë të vërtetë. Në ditët që vijnë do njihemi me përfundime të tjera. Ka shumë mundësi që përditë të bombardohemi me tregues hipotetikë, pa bazë, subjektivë, të pavërtetë. Për liderët e opozitës pak rëndësi ka. Për të gjithë ata, vlera qëndron, të na thonë atë që dëshirojnë dhe ëndërrojnë. Të bombardojnë shqiptarët me përfundime të pabaza. T`i shndërrojnë sondazhet në shantazhe të hapura. Të ngjallin panik e frikë tek kundërshtarët politikë, të nxisin entuziazmin dhe besimin te militantët. Është koha e sondazheve. Bie shi sondazhesh mbi ne. Era fryn me sondazhe. Qielli është i mbushur me sondazhe. Është koha e joshjeve me fitore imagjinare me të cilën ushqehemi verës, ngrohemi dimrit, zverdhemi vjeshtës. E rëndësishme nuk janë këto që themi ne. Vlerë është të besohet se opozita vjen shpejt në pushtet dhe këtë e thotë sondazhi vetë. Të gjithë duhet ta besoni. E thotë sondazh gramafoni. Shifrat e tregojnë me saktësi pushteti është yni dhe kjo nuk është lojë e sondazh- shantazheve në Shqipëri, po histori opozitare suksesi!