Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Sot faji është i atij (asaj) që pranon karrigen e pamerituar!

Sot faji është i atij (asaj) që pranon karrigen e pamerituar!

Çfarë ishte për t’iu thënë Besës, kur e mori postin e ministres së Arsimit iu tha nga njerëz të normales si politike dhe kombëtare. Besa, nuk ka bërë keq kur sot (dje) ka dorëzuar një post të lartë ministror të Shqipërisë, por ka kryer një akt shumë të mirë kur e ka dorëzuar atë. Sigurisht ajo ishte një nga gratë e reja me serioze si ministre dhe ato që i thoshin për dialektin apo dhe për qenien kosovare janë idiotë patologjikë, por... Por Besa Shahini, kur ka pranuar të bëhet ministre e Arsimit në Shqipëri nuk ka pasur parasysh trashëgiminë arsimore të këtij vendi. Ka bërë gabim me historinë. Me moshën dhe të kaluarën. Besa u është bashkuar levendëve të "demokracisë" së sotme në politikën e Shqipërisë, që nuk respektojnë as trashëgimi, as moshën as kontributet në arsimin shqiptar. Besa nuk do të bëhej kurrë (askush nuk do ta propozonte) ministre e Arsimit në Kosovë dhe padyshim duhet të refuzonte të bëhej ministre Arsimit në Shqipëri. Pavarësisht se Rama me sa duket nga propozimet e Spiropales (kështu thotë ajo) ja bëri këtë nder. Në fakt nuk ishte thjesht një nder, ishte thjesht qëllim i tij i zakonshëm të ulë deri ku nuk shkon më, trashëgiminë dhe moshën, sëbashku me kontributet që sigurisht Besa nuk i ka dhe sot e kësaj dite në arsimin shqiptar. Besa, vetëm po të kishte parasysh që ministra të Arsimit në Shqipërinë e formimit të arsimit kombëtar kanë qenë Luigj Gurakuqi, Rexhep Mitrovica, Hil Mosi dhe Mirash Ivanaj, nuk duhet kurrë të pranonte të bëhej pa dhënë kontribute dhe pa i plotësuar këto kontribute me partinë qoftë të Ramës apo kujtdo tjetër. Zonja Shahini duhet të kuptonte se në Kosovë ka kapacitete të larta, fantastike arsimore që Rama i ka zëvendësuar me Besën dhe kjo mjafton të mos pranonte. Besa as kontributin e Tefta Camit kurrën e kurrës nuk i kishte si kontribute. Besa Shahini sigurisht mbetet një shembull i një gruaje që është serioze, por që pranoi të katapultohej politikisht dhe personalisht pa qenë në gjendje të kishte peshën e rëndë të rekordeve dhe rolit në gjatësi jete në arsim. As peshën në PS, sigurisht nuk e kishte. Mirëpo kjo gjë po i shkakton ulje të pandreqshme të përfaqësimit dhe sigurisë së mbajtjes përgjegjësi nga titullarët e rritur pa merita në postet shumë të rëndësishme të shtetit shqiptar për kapriçot "kreative" të Ramës dhe pothuaj gjatë gjithë kohës në demokraci. Akoma më keq është plotësuesi i detyrës së Ministrit të Jashtëm Gent Cakaj. Ai erdhi (e zëvendësoi) sigurisht mbas një kontribuenti në PS dhe me një mbiemër të njohur politikisht dhe qytetarisht, por dhe me moshë të pabarazueshme me Cakajn. Erdhi vetëm se kishte lexuar shumë libra. I ri sigurisht ishte Bushati, por padyshim kishte peshën e madhe të qytetit nga vinte dhe emrit e mbiemrit që mbarte në rrethet politike e qytetare në Shqipëri. Tashmë nuk shkon kjo marrëzi dhe është një sëmundje jo thjesht e kryetarit të qeverisë për kabinetin, por e atyre që pranojnë pa merita të bëhen zyrtarë të lartë të vendit pse kështu i del llogaria politike më mirë kryetarit. Po ashtu dhe vendimi i një ish-gjenerali të ushtrisë të bëhet ministër i Brendshëm është një gabim. Në vendet me demokraci të vërtetë nuk ka shanse një gjeneral qoftë në pension dhe me grada të mëdha të bëhet një ministër i Brendshëm. Nuk do ai vetë t’i përziejë të tilla gjëra bashkë. Nuk shkon dhe nuk duhet që modeli ushtarak të bëhet post politik në rend, sepse roli i ushtrisë është tjetër, praktikat, kontrolli, kodet dhe format janë ndryshe dhe eksperiencat po ashtu. Kontributi dhe dijenitë juridike sigurisht ndryshe dhe civile, shkollimi padyshim duket i afërt, por policia dhe rendi janë detyra të civilëve dhe jo ushtarakëve në postin e ministrit të Rendit apo Brendshëm. Kanë dëshirën dhe ambicien, por nuk kanë kontributet dhe profesionin që normalisht të bëjnë të thuash një jo të prerë dhe një faleminderit për respektin atij që të thotë - eja në skuadrën tonë.

Në këtë mënyrë, janë mbushur drejtoritë me emra të panjohur, bashkitë me kryetarë "no name no face", zyrat e shtetit me vajza dhe djem që nuk kanë qoftë dhe kontributin më të vogël në drejtim dhe aftësi të shprehura në punë. Kanë vetëm miqësinë (letra shkollimi kot dhe të rrejshme) dhe katapultimin absurd të kryetarit, miqve të tij dhe deviacionit politik për të bërë zullume me pa aftësinë për punë, por me aftësinë për të thënë po atij që të ka katapultuar. Kështu mbushen borde dhe në Shqipëri kështu janë mbushur televizione dhe media, por dhe drejtime të rëndësishme kombëtare në kulturë dhe art apo dhe ekonomi e financa. Të tillë njerëz të pamerituar dhe pa moshën e kontribute, pa eksperiencën dhe vitet mbi shpinë bëjnë dhe politikat e mëdha të arsimit, kulturës, trashëgimisë e financave, kur mjafton të jesh i zoti për tendera dhe fitim dhe ky është kushti i vetëm për të ndërtuar dhe mbajtur shtetin. Por ky nuk është shtet më. Është një pikturë e shëmtuar, e ndryshkur, kalbur filozofikisht pa nisur lulëzimi, e paqartë dhe korruptive që në pamje të parë. Tashmë kush pranon të katapultohet është po aq fajtor dhe po aq bashkëpunëtor në krim ekonomik dhe kombëtar sa dhe ai që katapulton. Asnjë respekt dhe asnjë dedikim prekës për të tillë të katapultuar që vijnë, përfitojnë dhe ikin duke bërë dëm. Djem dhe vajza, por dhe më në moshë që vetëm i kanë marrë këtij vendi pa i dhënë asgjë. Përkundrazi duke i bërë keq. Po pra me pa aftësinë e tyre dhe ma fajet e mëdha rrugës së pushtetit dhe postit të lartë. Ky shtet po turpërohet përpara të huajve me të tillë ministra dhe postet e mbajtura nga të paaftë dhe të panjohur për asgjë, pa kontribute dhe pa asgjë të qartë në karrierën e tyre të deri atëhershme. Te ne kanë filluar punë për herë të parë si "hapje libreze" si kryeministra dy persona dhe kjo mjafton të bëhet e qartë situata, por tani është kthyer në biznes kjo gjë, në një teatër absurd politik që të largon dhe shpresën më të vogël se mund të kemi një shtet të drejtuar normalisht. Shkurt është një turp i madh. E ideatorët e kësaj maskarade janë të plotfuqishëm që kujtojnë se sa janë në pushtet shteti dhe Shqipëria është pronë e tyre. Kështu janë pothuaj të gjithë ata që kanë tre dekada që bëjnë marrëzi të tilla pa kuptim, ose me kuptimin e krijimit të një shteti personal. Mjaft më me fajin e pranimit të postit të lartë kur e di veten qartësisht se nuk ke asnjë meritë dhe asnjë kontribut. Mjaft se na turpëruat.