BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Sot mbush 112 vjeç, por duket sa mosha e "njeriut të ri" që e zëvendësoi!

Sot mbush 112 vjeç, por duket sa mosha e "njeriut të ri"

Dje mbushi 76 vjeç, njeriu që nuk zëvendësoi thjesht Ramiz Alinë që e ka ditëlindjen po në tetor, por njeriu që zëvendësoi Enver Hoxhën - si sekretar partie dikur në partinë e tij. Partia Demokratike në vitin 2021 do të kandidojë komunistin e fundit president dhe kryeministër në Europë. Sali Berisha dhe Gramoz Ruçi, do të jenë (në qoftë se Ruçi do vazhdojë) komunistët e demokracisë shqiptare edhe mbas viteve 2021. Dy bijat e PPSH-së ose vajza ilegjitime, por që i ka ngjarë më shumë ose PD dhe vajza legjitime që bën sikur nuk i ka ngjarë ose PS do kenë komunistët e fundit. Por sot, mbush 112 vjeç babai i tyre politik. Ai që sigurisht doli nga ky popull. E që sigurisht e internoi, e burgosi, persekutoi, vrau, por dhe i ndërtoi shkollat, hidrocentralet dhe brezaret, sëbashku me hekurudhat dhe bunkerët, duke e shfrytëzuar dhe mos e paguar. Ai që e ndau nga bota mbarë, që e izoloi brenda klonit me tela, që e armatosi që të shtinte dhe vriste ata që iknin nga ky vend dhe që e ideologjizoi, duke e detyruar jo vetëm të ishte i veshur keq dhe barkthatë, por dhe që të luftonte në saj të luftës së klasave vëlla me vëlla. Por megjithëse ai mbush 112 vjeç, ngjan ose duket apo është më i ri se mesatarja e moshës që kanë Berisha, Rama, Meta dhe Basha. Ai është po kaq i ri sa Majko dhe Kryemadhi, sa Mediu dhe të gjithë të tjerët rreth e përqark, në politikën shqiptare që morën përsipër "demeko demokracinë" shqiptare. Enver Hoxha ngjan sot edhe i vdekur, sa "njeriu ynë i ri vepra më e shkëlqyer e partisë" si shprehja lapidare e tij. Ai e projektoi dhe ndërtoi këtë njeri që asnjëherë në këtë vend të mos vinte demokracia. Të mos vinte sundimi i ligjit dhe që veset e diktaturës të përziheshin (përdhunonin) me veset e demokracisë mbështetur jo në ligj, por në urdhëra. Enver Hoxha ka moshën e Ramës sot dhe Berishës dje. Kishte moshën e Berishës për degradimin e partisë demokratike si PPSH-ja e Hoxhës, nën urdhëra të individit dhe luftë klasash e biografike brenda partisë dhe jashtë saj. Kishte moshën e Berishës për shkatërrimin që Berisha i bëri të dikurshmes si Enveri të dikurshmes përpara tij. Të çdo gjëje, përfshi dhe asaj të mirës, asaj që trashëgonte vlera shqiptare. Ishte pikërisht "njeriu i ri Berisha" që po vazhdonte me këmbëngulje fanatike mënyrën dhe pothuaj formën e Enverit, në drejtimin e partisë dhe ideologjisë kriminale për të mos lejuar kurrë lirinë e fjalës dhe barazinë e njerëzve përpara ligjit në përdorim të një drejtësie politike. Kishte moshën dikur të Berishës dhe pse kishte vite që kishte vdekur fizikisht, por që jetonte politikisht duke u hakmarrë me shokët, duke persekutuar kundërshtarët politikë dhe duke futur në llogore politike partinë dhe njerëzit e saj. Enver Hoxha kishte moshën e Berishës, kur ky bënte "antikomunistin" si dikur "komunistin" Enveri mbi bazën e së cilit, vrau pothuaj të gjithë komunistët idealistë në Shqipëri. Po dhe atë moshë, kur pas ardhësi i tij përdori korrupsionin për të mbajtur partinë e tij në pushtet. Sot Enver Hoxha nuk është 112 vjeç, por ka moshën e Edi Ramës ose njeriu të ri post komunist që realisht e urren Enverin. E urren kaq shumë sa i ngjan si dy pika uji në arrogancën politike që përdor, duke besuar se "Rilindja e tij" është sikundër besonte Enveri të ishte PKSH, PPSH e tij. "Njeriu i Ri" ose "Rilindja" janë plotësisht trashëgimia arrogante, korruptuar dhe faqezezë e fundit të diktaturës së Enverit. Janë pa skrupuj, pa nder dhe pa moral. Pa ndjenjë kombëtare dhe pa mëshirë për njerëzit. Njësoj si fundi i diktaturës, me Enverin e marrë dhe sharlatanët pasues të tij në byro dhe pushtet. Sot Enver Hoxha mbush 112 vjeç, por praktikisht ka moshën e pasuesve të qartë dhe besnikë të tij. Jo si komunistë (sepse as Enveri nuk ishte komunist), por si maskarenj (dhe me maska) të popullit të tyre. Si levendë të mashtrimit pikërisht si në kohë të Enverit për arritje të mëdha dhe suksese si fanar i socializmit në botë. Mashtrojnë si atëherë me realizim premtimesh dhe planesh pesëvjeçare, ndërkohë që populli i tyre ikën nga sytë këmbët. Enveri atëherë nuk i lejonte të iknin se Shqipëria nuk do të kishte më as 1 milion njerëz. Këta sot janë akoma më mashtrues se "Mjeshtri i tyre", sepse ai i çonte shqiptarët të punonin në fermë apo minierë apo kooperativë, kurse këta të sotmit, të lejnë pa bukë, pa punë, pa ndihmë, pa shëndetësi, pa arsim. Akoma më keq se Enveri i tyre, të sotmit kanë fyer dhe mashtruar shqiptarët për tokën dhe pronën. I kanë mashtruar për integrimin dhe drejtësinë. Si Enveri i tyre 112 vjeçar, por i ri sa Rama dhe Meta, të cilët kanë fyer dhe mashtruar shqiptarët për shtetin e së drejtës. "Njeriu i ri i Enverit" është ai që sot ka bërë që pikërisht Enveri të duket në moshë të re. Të duket gati gati më i mirë se lëtyrat e tij pasardhës. Sepse sigurisht kanë tridhjetë vjet që i kanë vrarë shqiptarët në arratisjet në ujëra dhe male, për pronën, për gjak, për drejtësinë politike që ndërtuan dhe vazhdojnë të projektojnë. Po ti mbledhësh viktimat e tridhjetë viteve në demokracinë e përdhunuar të tyre, ato janë më shumë se në kohën e babait të tyre politik dhe ideologjik. Po pra babait politik të Berishës, Tritan Shehut, Ruçit, Nanos, si komunistë, por dhe Ramës e Metës që bëjnë sikur nuk kanë lidhje me të.

Sot Enveri mbush 112 vjeç, por ai është i ri sa mosha e "njeriut të ri" që e zëvendësoi. E faji është plotësisht i joni. I askujt tjetër. Drejtësisht dhe moralisht, pasoja e këtij faji historik dhe politik do të jetë mbi ne.