Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

SPAK, BKH, lindje e vështirë!

Postuar: 18/09/2019 - 07:22

Struktura Speciale Kundër Korrupsionit, Byroja Kombëtare e Hetimit, janë kthyer gati tunduese për drejtësinë shqiptare. Të gjithë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, ata që punojnë e jetojnë nëpër botë, madje dhe ndërkombëtarët i kanë sytë tek SPAK, BKH, tek këto struktura me superfuqi hipnotizuese dhe po priten të vijnë si Skënderbeu në beteja luftërash trup më trup me pushtuesit e trojeve tona. Janë bërë disa muaj edhe vite që SPAK-u dhe BKH kërkohen në Shqipëri për të çliruar drejtësinë dhe strukturat e shtetit, politikanë e peshqit e mëdhenj nga tentakulat e korrupsionit, i cili ka hyrë thellë në jetën e shoqërisë shqiptare, si një e keqe e pashërueshme. Në fakt, fuqinë e SPAK, BKH na e kanë futur në mend, si një shpresë, si një mundësi për të shkulur nga rrënjët dhe shkatërruar botën e krimit, Amerika dhe BE. Ndërsa ne shqiptarëve nuk na e vret shumë veshin sepse jemi mësuar me histori të tilla. Korrupsioni na ka shoqëruar vazhdimisht në jetën tonë dhe kemi hequr dorë nga kjo luftë sepse mundësitë kanë qenë të pakta për ta fituar. Pasuritë e jashtëligjshme kanë hyrë normalisht sipas parimit: kush ka fuqi mund të vjedhë sa të dojë e ku të dojë, ndërsa të pamundurit, ata që nuk kanë mbrojtje ligjore ngushëllojnë veten duke thënë se janë të pafat. Në një farë mënyre vjedhjet, grabitjet, vrasjet, protestat, sharjet, fyerjet, zënkat, shkatërrimet kanë gjetur shtrat të ngrohtë tek korrupsioni. Në rast se ndërkombëtarët e çmojnë fuqinë e SPAK, BKH si tërmet apokaliptik, bëjnë mirë që i japin gjithë mbështetjen e duhur për të shembur këtë sistem të qelbur, që ua ka nxirë jetën njerëzve. Është e vërtetë se kjo strukturë speciale antikorrupsion kërkon kohën e duhur për t`u maturuar, por janë bërë shumë kohë dhe premtimeve se SPAK e BKH janë gati sot e nesër, sikur u ka dalë boja. Vonesat janë përherë të dëmshme, janë në favor të atyre që kanë vënë pasuri pa derdhur djersë. Sado të jetë e specializuar kjo strukturë antikorrupsion, ata që kanë bërë zullume gjejnë rrugë të nëndheshme për të mbuluar veprat penale. Ata që kanë vënë kapital pa derdhur djersë përdorin makinacione, për ti shpëtuar rrjetës së ngritur nga ekspertët që do shqyrtojnë dosjet e krimit. Koha që kalon është faktor pozitiv dhe zbeh kërkesën për të ndëshkuar flakë për flakë vjedhësit e pronave, manipulatorët dhe aparatçikë, që e kanë tepër të vështirë të heqin dorë nga zanati i vjetër. Aftësimi profesional i prokurorëve që do marrin përgjegjësinë për të ndëshkuar krimet e rënda që kanë ndodhur në Shqipëri, këto tridhjetë vjet, është i domosdoshëm, në mënyrë që kjo strukturë e posaçme të mos ndihet keq përballë

presioneve të autorëve që kanë krime, që nuk kanë lejuar Shqipërinë të integrohet në Bashkimin Evropian. Shoqëria shqiptare, votuesit, ata që e shohin SPAK-un dhe Byronë Kombëtare të Hetimit si shpëtimtar, mezi shtyjnë ditën për të parë e provuar se një ditë do rilindë drejtësia e munguar, e cila nuk ka qenë asnjëherë drejtësi, por një sistem që ka spekuluar me ligjin për t`u pasuruar prokurorë e gjyqtarë. Po çfarë janë duke pritur të ndodh me SPAK, BKH në Shqipëri? Pritet të thirren nga kjo strukturë e posaçme të gjithë ata që i vunë flakën këtij vendi, që kur erdhi demokracia. Shqiptarët, por edhe bota e di shumë mirë se kush vodhi në emër të ligjit pasurinë kombëtare të këtij vendi, të vënë në pesëdhjetë vjetë komunizmit. Kush i vrau shqiptarët në vitin e zi 1998. Kush i hapi dyert e depove të armatimit, kush e vodhi thesarin e shtetit. Sa shumë ngjarje tragjike që kanë ndodhur në këtë tranzicion të qelbur dhe askujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Besojmë se SPAK e BKH do merren me këto histori të dhimbshme, plagët e të cilave i kanë shqiptarët në gjithë jetën e tyre. Kanë gojë e thonë se shqiptarët ikën jashtë shtetit sepse janë qeveritë e këqija. Edhe kështu është. Ka patur dhe ka qeverisje populiste, ka patur qeverisje të sforcuara, ka patur dhe ka qeveritarë që emrin kanë të tillë, ka parlamentarë qe në katër vjet kanë thënë vetëm një fjalë: Betohem! Qeveritë i mbytën shqiptarët në Otranto, qeveritë i kanë harruar shqiptarët e tyre që jetojnë në botë, paçka se ata kanë të drejta dhe pakkush është kujtuar për këta njerëz të degdisur përtej deteve, oqeaneve. SPAK-u dhe BKH e kanë shumë të lehtë të gjejnë dosjet e ish drejtuesve të shtetit dhe qeverive, të ish ministrave, ministrave që krekosen sot sikur i kanë dhënë këtij vendi demokracinë. Për çfarë demokracie bëhet fjalë? Për shpërdorimin e pasurisë kombëtare, e cila iu dha sekserëve dhe shkoi në xhepat e politikanëve! Askush nuk mund të nxjerrë një argument të kundërshtojë, sepse “çfarë ha goja, tregon boja”, thotë populli. Të gjithë janë kompletuar me vila, resorte, kapitale bankare, kanë bërë jetë mondane nëpër botë, kanë shijuar bukuritë natyrore e ekzotike, pa fund. Ndërkohë që drejtësia dhe ligji kanë dënuar me burg një fukara që vodhi një kokërr domate në treg, për shkak të urisë ekstreme. Ka argumente pa fund, që tregojnë se në Shqipëri kanë ndodhur krime të tmerrshme, kanë ndodhur vepra të rënda penale, jo nga njerëzit që flenë pa darkë, por nga ata që e kanë shqyer këtë vend, ka nga ata që kanë aq kapital, njëlloj sikur të jetonin në parajsë. Këta syresh nuk duan të largohen nga ky vend sepse asgjë nuk u mungon. Politika shqiptare e ka devijuar drejtësinë nga zbatimi i ligjit. Ka ndodhur kështu sepse midis politikës dhe drejtësisë nuk ka patur kurrë ndershmëri. Ato kanë flirtuar dukshëm dhe kjo lidhje i ka favorizuar të dy bashkë në këtë sipërmarrje. Ata që janë të pasur dhe e dinë që kanë mizë në kësulë, mendojnë si ti mbijetojnë drejtësisë së re, ndërsa të varfrit mendojnë të nxjerrin një kafshatë, që të mos flenë të uritur. Ky konflikt i dukshëm nuk mund të mos shihet si një përpjekje për ti shpëtuar SPAK-ut dhe BKH-së. Është pikërisht ky komunitet misterioz, i cili gëzohet dhe fërkon duart kur shikon e dëgjon që SPAK dhe BKH vonohen. Madje ky kontingjent, tashmë i futur në rreth si Zapata, turbullon ujëra dhe ndërton prita për ti prishur punë formatimit të drejtësisë së re. Kështu i do mushka drutë, sepse të tilla janë edhe leksionet që marrin nga lektorët e tyre me përvojë ndërkombëtare. A do t`i shpëtojnë këta talebanë forcës së ligjit, që po përgatitet për një betejë të re, ku do provohet se kush është me të drejtën? SPAK dhe BKH kanë marrë përsipër një detyrë të vështirë. Gjasat janë që këto struktura ta fitojë betejën, sepse këtë e ka treguar përvoja edhe në vendet e tjera me luftën kundër korrupsionit, kësaj sëmundjeje që kërkon terapi të stërzgjatur për të arritur suksesin. Shqiptarët thonë se SPAK-u dhe BKH do e kapin lepurin me qerre. Qoftë kështu, ne këtë urojmë!

Nga Sokrat Ndreçka

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2019 - 07:20

Për opozitën tonë jashtëparlamentare si në tërë këto vite, gjithçka që ndodh në këtë vend individualizohet e pykëzohet në një emër të vetëm.

Postuar: 23/10/2019 - 07:18

Në raportin e zbatimit të buxhetit faktik të shtetit për vitin 2018, institucioni i auditimit më

Postuar: 23/10/2019 - 07:16

Me siguri na erdhi shumë keq të gjithëve për lojën që luhet si përherë në kurrizin e ne shqiptarë

Postuar: 23/10/2019 - 07:14

Marrëzia jonë, ka shkuar deri aty sa shumë kush të "zemërohet" me Francën!

Postuar: 22/10/2019 - 07:21

Ka tronditje të madhe në politikë për fundin e formimit të SPAK apo fillimin e punës së tij!

Postuar: 22/10/2019 - 07:14

Dihet që Këshilli Europian nuk arriti të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave me Shq

Postuar: 22/10/2019 - 07:13

Të trishtuar dhe humbës real nga vetoja e francezëve në Këshillin e Europës, ku presidenti Macron