BREAKING NEWS

Shteti i tij për tu marrë shembull, mjeku suedez hedh dritë mbi të vërtetat e pandemisë dhe skandalin e numrit të vdekjeve: E kuptuam situatën menjëherë, jam i gatshëm të vë bast se vendet që janë mbyllur ...

Shteti i tij për tu marrë shembull, mjeku suedez hedh dritë mbi
x

Opinion / Editorial

SPAK-u  bëhet  “KAPS”!

SPAK-u  bëhet  “KAPS”!

Për të dytën herë, i famshmi SPAK bëhet “KAPS”. Shkaku, dy dosje me numra të ndryshëm, por me përmbajtje të njëjtë. 339–ta dhe 188-ta, ku flenë regjistrimet e tragjikomedisë së zgjedhjeve të 2017-tës, përkatësisht në Durrës dhe në Dibër.

Herën e parë, kur kjo ndodhi me Dosjen 188 të Dibrës, kapsllëkun e SPAK, e përcollëm si një trazim të lehtë “zorrësh”, shkaktuar nga ndonjë ftohje e lehtë, që ky institucion kishte marrë në zyrat e sapo hapura të tij. Nga ana tjetër, gjykuam ne qytetarët, duke qenë në fillimet e “ecjes” së parë në këmbët e veta, dhe pa një dado që ta ndihmonte, SPAK-u nuk e kishte të lehtë mbajtjen e drejtpeshimit. Por trazimi i zorrëve ndodhi përsëri, edhe tani që personazhi ynë është kompletuar mjaftueshëm me resurse njerëzore, madje ka nis në rrogë edhe Kreu i Drejtorisë Kombëtare të Hetimit, që shënon kompletimin përfundimtar të Reformës tashmë Legjendare të Drejtësisë.

Jo më larg se me datën 28 korrik 2020, SPAK-u njoftoi se, bazuar mbi hetimin e Dosjes numër 339, ku janë stivuar regjistrimet e kontrabandës së votave në zgjedhjet e vitit 2017 në Qarkun e Durrësit, ka lëshuar plot 22 urdhër arrestesh për anëtarët e komisioneve të disa qendrave të votimit, të cilët, duke parë se pesha e votave në kutitë e votimit ishte poshtë gramaturës së caktuar nga eprorët e lartë të partive përkatëse, futën nëpër kuti edhe nga një, dy, apo tre “shuka” me fletë votimi, në emrin e emigrantëve që ndodheshin si refugjatë në vendet e Bashkimit Europian.  Ky veprim gëzoi pothuaj gjithë shqiptarët, të cilët po e presin SPAK-un, si ujët e pakët në mesin e gushtit. Por njëherësh gazmoi edhe Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, e cila nuk vonoi të lëshonte mesazhin optimist: “Puna e SPAK  fillon të zbulojë lidhjet midis krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma e Drejtësisë vazhdon të ecë përpara dhe nuk mund të ndalet. Edhe një gur!” – përfundon ambasadorja, e sigurt se “gur, gur”, do të bëhet muri i drejtësisë dhe do të shkatërrohen “kasollet” e krimit dhe të korrupsionit.

Por vetëm njëzet e katër orë pas arrestimeve me bujë, dy nga të akuzuarit për kontrabandë votash, dolën se ishin ndarë nga jeta dy vjet më parë, çka e bëri SPAK-un të skuqej gjer tek veshët, pa e nisur ende punën. Sikur të mos mjaftonte kjo gafë, e denjë për shtetin mesjetar e anadollak të Ahmet Zogut, dy ditë pas arrestimeve, “kamardarja” e re e SPAK-ut u shfry gjer në fund.  Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, me kërkesë të vetë SPAK-ut, në një seancë me dyer të mbyllura, shpalli moskompetencë gjykimi për mungesë të veprës penale në dosjen përkatëse ndaj 22 të akuzuarve, dhe për pasojë ia transferoi dosjen në fjalë Prokurorisë së Durrësit. “Tëpkë” si në rastin e dosjes 188 në Dibër.

Këtë rezultat, jam i sigurt që e ka marrë vesh edhe ambasadorja amerikane. Mbase gjen mundësinë e lexon edhe këtë shkrimin tim modest. E, duke menduar këtë të fundit, do t’i lutesha shqiptarëve që i rrinë afër, t’ia përkthejnë si duhet titullin e shkrimit, ku unë kam thënë “SPAK” bëhet “KAPS”. Unë nuk e di anglishten, ndaj nuk di si ta shkruaj ndryshe titullin, përveçse me fjalën që përdorim ne në shqip “Kaps”, emërtim që më doli kur lexova inversin e emërtimit “SPAK”.

Ndokush mund të thotë se “Nuk shitet kali me të një qorollisur”. SPAK-u, sapo ka nisur nga puna dhe i lejohet të bëjë edhe gabime. Po, bëhen gabime, por jo gafa. Të nisësh fletë arresti për njerëz që nuk e din se ku janë e ku banojnë, është më tepër se gafë, të cilën nuk mund ta anashkalojë edhe një jurist i vitit të parë tw Fakultetit tw Drejtwsisw. Aq më keq kur, pasi ke arrestuar 22 qytetarë, gjykata speciale (kolegu i SPAK), të arrestuarit i përjashton nga vepra penale, dhe i transferon në një gjykatë më poshtë, që t’i dënojë me “ndalim kazerme”, “ndalim liridalje”, etj, siç është vepruar gjatë tri dekadave me të arrestuar që kanë pasur lidhje pune apo fisnore me bosët e mëdhenj të politikës dhe të pushtetit.

Megjithatë, ne qytetarët do t’ia falnim SPAK-ut jo vetëm “qorollisjen” e parë”, por edhe të dytën, nëse do të kishim një gram besim se “qorollisjen” nuk do të kthente në “profesion” të detyruar.

Nuk ka asnjë shans që SPAK-u të arrijë kuotat për të cilat është ngritur. Dhe jo vetëm SPAK-u, por edhe organet e tjera si Gjykata Speciale, Byroja Kombëtare e Hetimit, etj, që kanë dalë e do të dalin nga “shtërzimi” i Reformës së Drejtësisë, nuk do ta arrijnë të barazojnë rrogat e tyre të majme, me rezultatet që pretendon ky trajtim ekstra.

Shkaku?  Po rendis disa argumente:

Së pari: - Korpusi i ligjeve të hartuar në këtë tridhjetë vjeçar, duke filluar nga Kushtetuta dhe gjer tek ligjet dhe aktet nënligjore, të arnuara disa herë, janë kaq të ngatërruara, sa nuk ka SPAK, Byro Hetimi, apo Gjykatë Speciale, ti kthejë për së mbari, e t’i përdorë me efikasitet kundër krimit të organizuar, i cili ka për kapobandë peshqit e mëdhenj të politikës e të pushtetit. Hartuesit e këtyre ligjeve, janë pikërisht “peshqit e mëdhenj” të politikës e të pushtetit, dhe këta janë kujdesur që këto ligje t’i hartojnë me kthesa e gjalma, të cilat vidhisin çdo prokuror e gjykatës, sapo të tentojë të kërcënojë “grupin e strukturuar” të krimit e të korrupsionit. Së dyti: Dosjet e krimit të organizuar e të korrupsionit gjatë këtyre tri dekadave, duke mos u hetuar e zbardhur asnjëherë gjer në fund, kanë bërë një nyje më të madhe e më të fortë se nyja e Gordonit, sa nuk ka shpatë drejtësie, e madje as shpatë Aleksandri që të mund t’i ndajë. Së treti: Nuk mund të ketë prokuror apo gjykatës në Shqipëri, qoftë ky dhe i SPAK-ut e i Gjykatës Speciale, që nuk ka lidhje fisnore, njohje shoqërore, apo simpati ideore më drejtuesit e politikës që alternohen në pushtet. Për pasojë, sentimentalizmat për “X” apo “Y” peshk të madh të politikës apo pushtetit, do ta detyrojnë ta mbylli njërin sy, dhe duke nxjerrë pretekst “kthesat” e “gjalmat” e ligjeve, të mjaftohet me dënimin e cironkave, por kurrsesi të peshkaqenëve. Së katërti, dhe që unë e konsideroj edhe më kryesoren, asnjë prokuror apo gjykatës, nuk besoj se do të pranojë vullnetarisht rolin e Falkones së komshiut të përtej detit. Nuk ka pagë, sado e majme qoftë, që mund të zëvendësojë jetën fizike të prokurorit apo gjykatësit. Ky rrezik nuk është hipotetik, por real dhe i pranishëm. Mjafton të kujtojmë vrasjen e shoferit të ish Prokurorit të Përgjithshëm, në mes të Tiranës, në timonin e makinës dhe në prani të bashkëshortes së Prokurorit. Sigurisht, vrasjes së shoferit në fjalë, i është gjetur njëfarë “verige”, por aspak e vërteta. Shumica e qytetarëve tashmë e dinë mirëfilli, se shoferi i ndjerë u vra nga mafia e krimit të organizuar, si paralajmërim për prokurorin, i cili kishte filluar të “ngacmonte” një aventurë të një bosi të politikës. Duke pasur këtë shembull të kaluar, por jo të harruar, prokurorët aktualë, qoftë edhe ata të SPAK-ut, e dinë fort mirë se shteti aktual, që kurrë nuk u bë shtet, nuk ka asnjë mundësi të sigurojë jetën e prokurorëve e gjykatësve dhe familjeve të tyre. Aq më pak kjo, kur “bosi” apo “peshku i madh”, që planifikohet për arrestim, gjendet në shkallët më të larta të politikës dhe pushtetit, siç është aktualisht piramida jonë e krimit të organizuar. Së pesti:  Jo, nuk do të vijoj më tej, sepse nuk është e nevojshme, ndonëse ka edhe plot argumente të tjerë. Do ta mbyll me dialogun e zhvilluar dikur midis popullit të një fshati në malësi dhe priftit të Kishës së tyre:

-Populli: Uratë, kemi disa muaj që nuk bien këmborët e Kishës. Pse ndodh kjo?

-Prifti: Ka disa arsye, të bekuemit e mi. Na është prishur shkalla e këmbanares, roja i Kishës që merret me këtë punë ka qene i sëmurë . . . – dhe pasi rreshtoi nja 15 arsye të ndryshme, e mbylli me arsyen e gjashtëmbëdhjetë: - dhe . . . mungon këmbora!

Fshatarët shpërthyen njëherësh: Po këtë të fundit të na kishe thënë, uratë, pse na lodhe me gjithë ato arsye?!!

 “Këmbora” e  historisë së SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjykatës Speciale Antikorrupsin, etj., dhe të vetë Reformes së Drejtësisë është sistemi aktual, të cilit i mungon objektivisht qëllimi për drejtësi të vërtetë. Sistemi borgjez kapitalist është ngritur dhe mbahet mbi padrejtësinë, dhe për pasojë nuk mund të prodhojë drejtësi të barabartë dhe të drejtë për të gjithë. Ligjet e këtij sistemi, janë hartuar në interes të klasës borgjeze në fuqi, dhe këtu nuk mund të ketë drejtësi për popullin e thjeshtë. Aq më pak mund të ndodhë kjo në një sistem borgjez hibrid, si ky që është ngritur në vendin tonë, ku drejtimin e punëve të shtetit e kanë në dorë krerët e krimit të organizuar, kaluar tashmë plotësisht në nivelin e mafies kombëtare e rajonale.