BREAKING NEWS

Bashkimi Europian nuk e futi Shqipërinë në listën e vendeve për lëvizjen e lirë, mjeku Alimehmeti tregon ‘provat’ pse kjo nuk duhet të ndodhte

Bashkimi Europian nuk e futi Shqipërinë në listën e vendeve
x

Opinion / Editorial

SPAKU, në “kërkim, derisa t’i gjendet “kapaku”...

SPAKU, në “kërkim, derisa t’i gjendet

…. Jo se nuk ka provuar disa “kapakë”, por të gjejë një të tillë që të mos dali fare “era” e drejtësisë e të marrë “përroin”! Ka disa muaj që SPAKU, aq shumë i mirëpritur nga të gjithë si shpresë për të vendosur drejtësinë, diku ka ngecur. Faktet e deritanishme tregojnë që kjo “pengesë e vogël” është gjetja e një “kapaku” sa më të përshtatshëm. Siç e thamë, jo se nuk ka “kapak”, por të gjendet ai që është më i përshtatshëm që kur t’i vendoset kësaj “tenxhereje”, sikur edhe nëpër “shkëmbinjtë” të përplaset, të mos pësojë asnjë gërvishtje! SPAKU, apo Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka disa muaj që “dremit”! Entuziazmi dhe “zjarrmi i padurimit” për shumë çështje që qëndrojnë varur, SPAKU, nuk po i jep dum. Edhe kjo strukturë e posaçme, nuk mundi të dali nga radha e këtyre gjykatave, por të hyjë në radhën e tyre e të vazhdojnë avazin e njëjtë, atë të mungesës së drejtësisë. Drejtësia, është pushteti i tretë për nga renditja, por është i pari për nga rëndësia, sepse po nuk ka drejtësi, as kjo “ngrehinë” sistem demokratik siç na pëlqen ta quajmë, nuk funksionon. Ky sistem tek ne, as më pak e as më shumë, i ngjan një ngrehine që të katër kolonat (pushtetet) që e mbajnë në këmbë i janë shtrembëruar dhe qëndron havadan si ato ndërtesat që i ka bërë gati tërmeti i 26 nëntorit dhe presin IKMT-në që t’i shembi. Megjithëse kam shumë arsye për të pretenduar që në këtë vend asnjëherë nuk ka për të patur drejtësi, përsëri nuk i qëndroj kësaj bindjeje. Ja po e ilustroj me një shembull të thjeshtë. Çështja “Babale” tani ka marrë “pasaportën diplomatike” dhe ka “udhëtuar” në të gjitha kontinentet, me zë e me figurë. Nga organet e drejtësisë u akuzua një farë Salianji, një ish-deputet nga ata të listës “me shumicë” të Bashës, siç edhe u vërtetua nga këto organe, prokuroria dhe gjykata, u mor edhe masa e dënimit të tij pavarësisht se në ç’masë. Nëqoftëse u vërtetua mashtrimi i tij duke shkaktuar jo pak shqetësim, pse ai vazhdon të livadhisi akoma? Në të kundërtën, nëqoftëse nuk është fajtor, pse nuk ndëshkohet trupi gjykues apo prokurorët që e kanë sajuar këtë çështje dhe shkaktarët të bëjnë autokritikë përpara Salianjit? Mënyra se si po veprohet deri tani, pavarësisht që Salianji është fajtor, ai bredh e bën mitingje në Myzeqe, ndoshta për të sajuar ndonjë “babale” tjetër. Këtë radhë për të vënë në shënjestër ndonjë tjetër ministër, gjykatës apo prokuror! Dhe këtë, ka të drejtë ta bëjë nëqoftëse, nuk është fajtor. Ja ky është “serioziteti” i organeve të drejtësisë dhe që njerëzit kanë të drejtë që t’ia “pinë lëngun”! Ky “seriozitet” nuk është vetëm i organeve të drejtësisë, por edhe i vet shtetit. Edhe në këtë kohë epidemie, u morën masa ndëshkuese ndaj atyre që shkelnin rregullat e karantinës, veç të tjerave edhe me gjobë. U vendosën gjoba me bollëk dhe më në fund u falën! Çfarë është ky? Vetëm seriozitet nuk është. Dinjiteti i një shteti e deri tek dinjiteti i një qytetari të thjeshtë është serioziteti me të cilin punon apo merr vendime. Serioziteti i vendimeve të organeve shtetërore apo i atyre të drejtësisë është marrja e një vendimi sa më të saktë e të drejtë dhe së dyti është serioziteti me të cilin zbatohen vendimet që merr. Vendimin që merr zbatoje me seriozitet deri në fund nëqoftëse kërkon të mos të të dali “boja”, ose, në të kundërt mos e merr fare! Tërë ish-ët deputetë të opozitës në korr akuzojnë kryeministrin, ministrat për vjedhje me rrugët, me tenderat për abuzime, shkelje, grabitje. Të gjithë flasin, por janë apo nuk janë të vërteta, kush i ka vërtetuar? Askush! Po të jenë të vërteta, mazhoranca do të vazhdojë të vjedhë, po të mos jenë të vërteta opozitarët do të vazhdojnë t’i bien edhe më shumë “karadyzenit”! Po marr një shembull tjetër. Në këtë kohë epidemie, nuk ka ditë që të mos dalin në foltoren e PD-së, deputetët e rënë nga froni e të akuzojnë për tenderat që ka bërë mazhoranca qeverisëse në fushën e shëndetësisë duke patur si synim pasurimin e oligarkëve. Opozitarë i “faktojnë”, qeveritarët i mohojnë! Kush ka të drejtë? Kush i vërteton përderisa të dy palët qëndrojnë në “istikamet” e tyre? Çfarë bën SPAK-u? Pse lejon që të tirren e të tirren akuza e kundërakuza aq sa bëhen më shumë se të neveritshëm të dy palët dhe askush nuk i jep drejtim? Kështu kemi tridhjetë vite që i biem “fyellit” në të njëjtën “vrimë” sikur të mos ketë një drejtësi që t’i vendosi gjërat atje ku duhen. Ende pa ardhur SPAK, të gjithë shpreheshin: “Të shohim kur të vijë SPAK-u, nga do të futen shkaktarët e shumtë që kanë livadhisur e kanë bërë si u ka dashur qejfi me paratë e pronat e vjedhura, me allishverishet e shumta që kanë bërë me tenderat, me vjedhjet e abuzimet e pafund që nga organet shtetërore e deri tek biznesmenë apo individë të veçantë”. Kemi të paktën afro tre vjet që dëgjojmë: “Këtë muaj apo muajin tjetër, në fund të vitit apo me fillimin e vitit tjetër do të shihni “peshqit e mëdhenj” se si do “përpëliten” në “tiganin” tuaj. Prit e prit, por asgjë për “mejdan. As “peshq” nuk po vendosen në “tiganin” e zhuritur në zjarr, por as ndonjë “cironkë” sa për të shuar kureshtjen nuk po duket e jo më t’i ndiejnë “shijen”. Që nga “vrasja e shekullit” siç është quajtur ajo e Azem Hajdarit në shekullin e kaluar e deri tek çështjet më të fundit siç janë ato të tenderave për pajisjet shëndetësore që pretendon opozita tani në kohët e epidemisë, janë bërë me dhjetra e qindra dosje që presin SPAK-un të fillojë nga puna e t’i nxjerri “ujë të zi”, por atyre u është vënë “kapaku”! Edhe vrasjeve në bulevard ju vendos “kapaku” edhe “Gërdecit” ju vendos “kapaku”! Midis shumë çështjeve, është edhe ajo e CEZ-it ku siç pretendohet janë më shumë se katërqind e pesëdhjetë milionë euro abuzime që janë futur në xhepat e pushtetarëve, pavarësisht të kujt janë këta mjeshtra. Edhe për këtë, si edhe për shumë të tjera, thuhet që është e mbyllur, për të vazhduar me të tjerat që edhe atyre, t’u vendoset “kapaku” e të mos zihen më në gojë. Kështu edhe “serioziteti” i gjyqit të një ish-Kryeprokurori me katër klasë “me kandil”, që megjithëse nuk kishte “haber” nga punët e drejtësisë për të zbatuar ligjet e për të rritur seriozitetin e drejtësisë, i përdorte ligjet vetëm për të abuzuar për veten e vet, për të vënë pasuri. Edhe një titullar institucioni kur nën hundën e tij shpërdorohen apo vidhen me dhjetëra e qindra miliona, jo vetëm që nuk ndëshkohen, por shpërblehen me po aq shuma sa janë vjedhur e shpërdoruar në institucionin e tij. Ky është serioziteti i drejtësisë? Detyrohet shteti të paguajë shuma marramendëse për ato vendime shkel e shko që merr për largimet nga puna të punonjësve apo bizneseve të ndryshme, nga gjykatat ndërkombëtare apo vendase. Këto gjykatat apo SPAK-ët tona, a kanë marrë ndonjë vendim që të ndëshkohen e të paguajnë përgjegjësit për vendimet e padrejta? Askush! Pse të paguajnë ata kur ka “balashi dhjamë”, kur mban kurrizi i fukarait me atë asistencë për mbijetesë që merr? Vetëm në këtë vend, deri më sot, nuk ka as edhe një tregues të vetëm që të funksionojë institucioni i dorëheqjes. Jo vetëm kaq, por edhe sikur organet e drejtësisë të marrin ndonjë vendim të formës së prerë për persona të veçantë që kanë shpërdoruar detyrën apo kanë favorizuar vjedhësit dhe të korruptuarit, vendimi do të zvarritet e do të zvarritet deri sa të harrohet fare. Dëgjojmë këto ditë që ministri i Mbrojtjes kroat dha dorëheqjen e menjëhershme sepse një avion luftarak u rrëzua pak minuta mbas ngritjes së tij. Ngjarje e rëndë është dhe nuk vlen fare dorëheqja e ministrit përpara asaj tragjedie që ndodhi. Një ministër në Britani dha dorëheqjen e menjëhershme sepse kishte favorizuar biznesin e babait të tij apo diçka e tillë. Po sikur të tilla ndodhi, mos e dhëntë Zoti të ndodhin tek ne a jep ndokush dorëheqjen? Këtu, gjithmonë faji mbetet “jetim” apo fajësohet ndonjë kapter, por edhe ky me vërejtje. Drejtësinë, ta harrojnë qytetarët se një ditë do të bëhet. Drejtësia këtu, ka qenë e do të mbetet në vartësi të politikës, të krerëve të saj. Është politika, janë politikanët ata që nuk duan drejtësi, por duan ta mbajnë atë varur që të mos ndëshkohen, që të livadhisin në këtë periudhë tranzicioni që nuk dihet se ku e ka fundin. Politikanët e kanë përdorur drejtësinë jo për të shpëtuar drejtësinë, por për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarit. Edhe presidentit, që i “dhëmb” aq shumë drejtësia, nuk e ka hallin se shkelet Kushtetuta, por halli është që të ndëshkojë Dvoranin, e të hakmerret ndaj tij sepse ky, i ka dalë kundër dhe ka qenë për dënimin e tij. Për gjyqtarët e tjerë, nuk flet që e gjykuan me “drejtësi” çështjen e tij. Çështje pazaresh midis tyre është edhe Gjykata Kushtetuese dhe jo se ajo po pengon përparimin e demokracisë. Ah moj drejtësi ku je katandisur! Spekulimet janë nga më të shumtat, si nga ana e mazhorancës, ashtu edhe nga opozita. Njëri pas tjetrit dalin në foltoret partiake duke akuzuar kundërshtarin në shuma marramendëse abuzime dhe vjedhje nga më të paimagjinueshmet. Përfundimi? Llafe imzot! Po pse? Sepse drejtësia, nuk funksionon, nuk funksionon kjo sepse nuk funksionon shteti pavarësisht nga ligjet e shumta. Nuk thoshte kot Tarciti, historian në Perandorinë Romake që: “Shtetet më të korruptuara, kanë ligje të shumta”!