Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Starët” e shumtë që lanë në hije dhe vetë “Starin” grek

Postuar: 09/11/2018 - 07:15

Përcjellja e cilitdo për në banesën e fundit është një moment dhimbjeje. Dhe në kuptimin njerëzor, kjo vlen edhe për Kostandin Kacifas, i vrarë në 28 tetor në Bularat me armë në dorë, duke qëlluar kundër forcave të rendit dhe terrorizuar popullsinë vendase. Kjo ngjarje u shoqërua me debate të shumta nga të dyja anët e kufirit. Nota diplomatike. Deklarata pa fund. Shtetërore e qarqe të caktuara. Për hir të së vërtetës ka një ndarje të qartë mes fjalëve pasionante të qarqeve dhe qëndrimit të qeverive të dyja vendeve. Zyrtarisht u cilësua si një rast i izoluar, i cili nuk ka asnjë motiv e paramendim. Pjesa ekstremiste, veçanërisht ata që kanë për motiv politikën e Vorio-Epirit, një atavizëm i hershëm, i cili ka brenda edhe aneksimin e tokave shqiptare, po që politika shtetërore greke është e distancuar nga qëndrime të tilla ekstremiste e irredentiste, ka ditë që bën gjithë përpjekjet për ta shndërruar Kacifan në një legjendë dhe simbol të politikave që vetëm miqësinë e harmoninë mes popujve nuk duan. Përkundrazi u fryjnë ndasive dhe ngrenë në qiell veprime që në çdo shtet të botës të ndodhin, janë të dënueshme. Fatkeqësisht në Greqi, ekstremistët që kanë edhe parti të tyre dhe jo pak zëra këtu në Shqipëri i fryjnë zjarrit dhe nxisin urrejtjen, e cila është e papranueshme në vende që aspirojnë lirinë e fqinjësinë e mirë, që janë anëtarë në NATO dhe kërkojnë të jetojnë në paqe e qetësi, pasi popujt asnjëherë nuk e duan rrëmujën, aq më pak luftërat që sjellin veç shkatërrim. Pjesa më e shëndoshë e opinionit grek dhe shqiptar mbajti qëndrime të admirueshme dhe nuk mbështeti thirrjet për hakmarrje, aq më pak nuk shprehu pëlqimin me qëndrimet e ekstremistëve që gjatë këtyre ditëve kanë folur sikur këtu në vendin tonë në Bularat u vra një person, pa asnjë faj, në shtëpinë e vet, në qetësi, një njeri që nuk i kishte rënë në qafë askujt, një qytetar model, paqedashës që në dorë kishte një libër, një stilolaps apo një aparat fotografik për të fotografuar bukuritë përrallore të Luginës së Drinos, apo fshatrat model të Dropullit. Janë të shumtë intelektualët grekë, ish ministra e burra shteti që dënuan frymën ekstremiste dhe urrejtjen që ushqehet nga qarqe që duan vetëm ti hedhin benzinë zjarrit që mes popujve tanë fqinjë të ketë një betejë të përjetshme për arsye që vetëm mendjet e sëmura mund ta kërkojnë një situatë të tillë. Ishte Pangallos dhe ish ministri i Arsimit, të cilët në vijim të qëndrimit të ministres së Kulturës dhe profesorit të historisë që i dhanë një leksion të shkëlqyer tërë atyre që nuk dinë të pushojnë së akuzuari dhe që kërkojnë të prodhojnë heronj të rremë. Unë, ditën që ngjau ngjarja në Bularat u ndjeva keq, pasi nuk do doja kurrë që një djali, vetëm 32 vjeç, ti ndërpritej jeta në një kohë kur ishte kaq i ri, që ka familje, ka një vajzë, kishte një jetë të tërë përpara. Dhe në gjykimin tim justifikova edhe mallkimet e një nëne, e cila nuk vendos asgjë mbi dhimbjen e djalit të saj. Po nuk mund të tolerohet që një deputet i Shqipërisë, edhe pse në siglën e PD-së, i pavotuar nga simpatizantët e PBDNJ-së në siglën e saj të mbajë qëndrime që janë shumë më larg se vetë ato të deputetëve të “SIRIZAS” të cilët, jo vetëm nuk pranuan të mbajnë zi për Kacifan, por edhe e dënuan veprimin e tij.

Konstandini nuk jeton më dhe ai nuk mund të gjykohet pas vdekjes. Po ata që e përcollën, jo për respekt të traditës e dhimbjes po si demostrim po. Vangjel Dulja po. Ky “STAR” deputet i Kuvendit të Shqipërisë të habit, ky deputeti, politikani 28 vjet aktiv në politikë, që pa asnjë hezitim deklaron se: -E vërteta do zbardhet patjetër se asgjë nuk mund të harrohet. Dhe cila është kjo e vërtetë? Cili do ta zbardhë, ai apo ata që ka në krah? Organet kompetente shqiptare janë ato që i ngarkon kushtetuta me hetimin dhe ekspertizën e personave që vriten në betejë me policinë dhe ato e kanë thënë fjalën e tyre. E vërteta është një. Është ajo e institucioneve shqiptare dhe vetë atyre greke. Po cilën të vërtetë kërkon zoti Dule dhe si e mendon ai ta gjejë këtë të vërtetë? E gjykon sipas mendjes së vet apo kërkon ta shesi ngjarjen si një akt të qëllimshëm në kushte të zakonshme? Askush nuk do të vrasi askënd zoti Dule! Nuk kanë dashur të vrasin edhe policët grekë, kur kanë ndjekur shqiptarët e arratisur nga burgu, apo se kanë festuar në qendër të Athinës pas një ndeshje futbolli! Dhe të parët që nuk duan ta bëjnë këtë janë forcat elitë, të cilat nuk qëndrojnë me gishtin në këmbëz të pushkës, po janë të përgatitur psikologjikisht, intelektualisht dhe veprojnë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. Dhe rasti i Bularatit ishte i tillë. Dhe nuk është as i pari, as do jetë i fundit. Jemi dëshmitarë se edhe në aksione të tjera, “RENEA” ka bërë detyrën. Dhe askush nuk doli në rrugë, as me flamuj, as me pankarta. Edhe ata njerëz kanë qenë, po fatkeqësisht qytetarë që i janë kundërvënë policisë. Atëherë, për ç`të vërtetë flet Dulja dhe tërë Dulet e tjerë? A është vendi këtu për të parë shkurt se nga fjalët e thëna në një ditë morti mund të rrisësh kredibilitetin, simpatinë e mbështetjen atje ku e ke provuar sa të mbështesin? Po varrimi i Kacifas në Bularat, edhe pse Hirësia e Tij Janullatos kërkoi të bëhet sipas traditës fetare, e cila nënkupton rite të njohura dhe respekt për të vdekurin, u shoqërua me qindra thirrje të cilat tregojnë për urrejtje dhe cënim të marrëdhënieve mes dy popujve. Kush i do shqiptarët të pjekur në hell? A mund t’u drejtohesh shqiptarëve me fjalët më ofenduese “qen” dhe “do iu pjekim e do ju djegim” siç trumbetuan “Starët” e ardhur nga shteti fqinj? Çfarë iu kanë bërë shqiptarët që të meritojnë djegie, vrasje këtu në shtetin e tyre? Me ç `të drejtë ti që vjen nga skajet e shtetit fqinj, shan e ulëret sikur je në oborrin e shtëpisë tënde dhe ke të drejtën që të fyesh e të anatemosh pa pyetur për ndjenjat e një populli të tërë? Përse duhet të ulërasësh në një ceremoni mortore, kur tradita e do të heshtësh? Përse duhet të bësh miting kur duhet të respektosh së paku me heshtje siç e do edhe tradita e varrimit në të gjithë popujt e botës? Në Bularat, shumë prej pjesëmarrësve nuk kishin hallin e të vdekurit as të dhimbjes, po të demostrimit ekstrem. Janë të panumërta parullat që u hodhën kundër vendit tonë. U shamë si popull. U anatemuam si komb? Ku ndodh kështu?! Dhe jo vetëm. Po edhe Maqedonisë i erdhi radha të shahet nga Bularati. Tërë trojet e pretenduara nga “Agimi i Artë” që janë në projektet e tyre dhe i mendojnë si troje të shtetit amë.

Ajo që të çudit në tërë këtë ceremoni nuk është pjesëmarrja, as ardhja e përcjellësve nga qytetet e Greqisë. Dyert për mort janë të hapura. As veshja, as flamujt. Flamujt grekë le të valëviten sa të duan sepse ne e respektojmë simbolin e çdo shteti. Edhe pse dikush mund të mbante ndonjë një flamur shqiptar?! As nuk na vjen keq, që në kufi nuk u penguan edhe ekstremistët që vijnë këtu me urën e urrejtjes në duar. Kjo është forca e qytetarëve tanë. Është respekti ynë për vdekjen dhe qytetarët që marrin pjesë në të. Po çdo mort ka rregullat e veta. Çdo shtëpi ka rregulla e tradita dhe ti miku im je i detyruar t’i respektosh. Ti qytetari i zakonshëm dhe ti deputet i kujtdo populli edhe ju zonja eurodeputete që nuk e dimë pse jeni kaq e revoltuar sa të humbisni logjikën e të deklaroni se BE nuk pranon shtete që vrasin. Po pse, kaq e paditur është eurodeputetja që nuk e ka të qartë se nuk u vra dikush se ishte thjeshtë një minoritar grek, se po të jetë për këtë historia jonë është brilante në këto marrëdhënie, po një njeri me armë në dorë? A e dëgjoi ajo së paku zotin Pangallos kur tha se: Çdo individ me armë në dorë, që qëllon policinë në çdo vend vritet? Nëse BE ka standartin e eurodeputetes që lë në hije edhe “STAR-in” atëherë nuk mund të pranojmë të jemi në një organizëm sipas standartit të kësaj eurodeputeteje, e cila nuk është jo vetëm e drejtë po edhe korrekte në ato që thotë. Mospengimi i qytetarëve grekë për të marrë pjesë në funeralin e Kacifas tregon jo dobësinë e shtetit tonë, po fuqinë dhe respektin për një ngjarje të tillë. Edhe pse ata nuk erdhën për të ndarë dhimbjen, po për të ndezur urrejtjen dhe përçarjen, për t’i bërë karshillëk shtetit dhe shqiptarëve. Po nëse pjesëmarrësit në përcjelljen e Kacifas të këtushmit dhe të ardhurit e konsideruan rastin si demostrim dhe deshën ta shndërrojnë në hero e simbol Kostandinin dhe të tillë le ta vlerësojnë, ajo që të habit është papërgjegjshmëria dhe mungesa e profesionalizmit, etika dhe pakujdesi i disa televizioneve shqiptare që e lanë në hije dhe tejkaluan “STAR-in” grek, të cilin për disinformim 12 deputetë grekë e hodhën në gjyq dhe kërkuan të mbahet qëndrim ligjor. Natyrisht, televizionet tona nuk shpifën, as dhanë lajme të rreme. Po u ekzaltuan dhe u shfaqën aq të disponueshëm për të pasqyruar tërë ceremoninë që nga hyrja e fshatit deri në kishë në hyrje të kufirit shqiptar, në kortezhin drejt varrezave, kudo deri në detaje. Pa dashur të fyej askënd edhe pse ndoshta nga redaksitë e këtyre televizioneve synohet të bëhet transparencë, minimalja mund të ishte përdorur diku pulla e kuqe për të mos u trembur e skandalizuar fëmijët tanë, për të mos dëgjuar të rinjtë thirrjet raciste për të mos injektuar urrejtje. Mund të kursehej pasqyrimi pa fund i sharjeve live në ekranet e televizioneve, britmat e parullat deri tek himni i Vorio-Epirit, pa folur për parullat e frikshme me përmbajtje përçarëse. Asnjë qytetar nuk do t’i donte këto kronika pa fund në emër të transparencës. Se teprimi bën të kundërtën e vet. Mund të thuhet se jemi transparentë, bëhet për kronikë se jemi lajmi i parë për ngjarjen e fundit, se është detyrë e medias të japi detaje e të tregojë tërë historinë e një varrimi që tek e fundit nuk është në emër të dhimbjes, po sforcos për të shpallur një hero dhe simbol në emër të politikave, që u ka kaluar koha dhe që i përkasin fillim shekullit të njëzetë. Ceremonia mortore e Kacifas në Bularat, veç “Starit” grek i paditur nga deputetët e parlamentit fqinj u shumëfishua nga dhjetra “STAR-ë” të tjerë nga Greqia e Shqipëria. Televizione, individë, deputetë, ish ministra zgjodhën të bëhen “Starë”. Dhe të gjithë jo në emër të dhimbjes, po të prodhimit të heronjve dhe simboleve të rremë!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 4

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2018 - 07:12

Edhe pse çështja e përkatësisë fetare të një Heroi Kombëtar, në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi, në këtë vit jubilar të Gjergj Kastriotit, kjo çështje ka qenë ndër më të debatuarat në mesin e studiuesve dhe të histo

Postuar: 15/11/2018 - 07:11

Është e sigurtë se diktaturat krijojnë siguri dhe rend publik!

Postuar: 15/11/2018 - 07:09

Teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si punojmë dhe mendojmë në shumë drejtime përfshirë dhe audit

Postuar: 14/11/2018 - 12:25

Prishja e shtepive te banoreve te Unazes se Madhe eshte antikushtetuese, jo thjesht e paligjeshme

Postuar: 14/11/2018 - 07:06

 Protestat e opozitës tonë ngjajnë shumë me informacionet që jepeshin përditë në seksio

Postuar: 14/11/2018 - 07:05

 Shteti, duket se është e kundërta e asaj që thotë kënga për të dashurën.

Postuar: 14/11/2018 - 07:03

 Më thanë se edhe tre njerëz të kulturës, intelektualizmit kishin aplikuar për llotarinë ame