BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Stigmatizimi i figurave groteske të politikës shqiptare nëpërmjet shprehjeve latine

Stigmatizimi i figurave groteske të politikës shqiptare

Shprehjet, që përbëjnë thesarin kulturor të përvojës së latinëve, janë përshkruar nga dijetarë të ndryshëm që jetuan në Perandorinë e Romës, të tillë si Ciceroni, Horaci, Ovidi etj. Shprehjet dhe proverbat latine edhe sot përdoren gjatë të folmes, fjalimeve e shkrimeve... Sepse këto shprehje e fjalë të urta stigmatizojnë më mirë mendimin se sa me përdorimin e disa fjalive. Prandaj do përpiqem që nëpërmjet këtyre shprehjeve të stigmatizoj tiparin më karakterologjik të disa figurave groteske të politikës sonë, që janë bërë kaq të mërzitshëm gjatë këtij 30-vjeçari duke përsëritur të njëjtat sjellje, veprime e qëndrime, sa që latinisht mund t'i cilësojmë me shprehjen "Claudite lam rivos, pueri; sat prata biberunt" -- "Mbyllni përrenjtë o fëmijë, livadhet kanë pirë mjaft ujë", që në mënyrë të sintetizuar i përgjigjet shprehjes- Mjaft më! Boll, tani mbylleni gojën! Po po të mbyllin gojën se nuk e kanë moralin të na bëjnë moral për drejtësi, barazi e ndershmëri!

Pikërisht nëpërmjet këtij stigmatizimi do të tregoj se çfarë morali kanë këto figura groteske, karagjoze e kusare të politikës 30vjeçare dhe a kanë skrupuj e dinjitet të kërkojnë përsëri fuqinë e pushtetit me të njëjtat rrugë e pazare si gjatë këtij tranzicioni të gjatë. A duhet t'u besojmë përsëri?

Fillojmë me të parin e tyre, të ish-komunistëve socialistë të konvertuar në " rilindas" dhe të ish-komunistëve antikomunistë, të konvertuar në "demokratë". Fillojmë pra me Sali-- UI-në...

 "Monstrum horrendum, informe, ingenis"-- Përbindësh i tmerrshëm, i deformuar - thuhet për ciklopin Polifem, por që i shkon për shtat edhe Sali-- UI- së!

I pandëshkuari i madh, përbindëshi Sali-- UI, që i bëri gjëmën Shqipërisë me vrasje, djegie, plaçkitje, shkatërrime, vjedhje, anarki e mashtrime... "Mallkimi më biblik i Shqipërisë ", ende vazhdon të cicërojë kur duhet të vuante burgimin e përjetshëm, ende bën thirrje për revolucion sepse nuk është ngopur as me gjak, as me pasuri as me mllef e zemërim... Sepse Edi Rama e la të lirë! Sepse ndërkombëtarët u treguan tolerantë për shërbimet që u ka bërë! Ku e gjen forcën ky nekrofil të bëjë moral për demokraci, drejtësi e ndershmëri me atë gjëmë që i ka bërë Shqipërisë? A ka moral ky "Hostis humani generis"-- Armik i gjinisë njerëzore, ish-president e kryeministër mizantrop që shfaq vese shtazore urren për gjithçka, veç familjes së tij?

Për presidentin Ilir Meta. "Timeo himenum unius libri"- "Ruhu nga njeriu që ka lexuar një libër"!

U shfaq si " kingmaker", që megjithëse u kap me zë e figurë për korrupsion, shpëtoi me procedurë në dalje të "dashurisë dhe qetësisë" me "monstrumin" Sali-- Ui. Nuk u ndëshkua. Jo vetëm për këtë, por edhe për shumë afera që përfliten deri tek 11 haletë në vilën e "Lalzit", njëra prej të cilave ishte për macet. Pa llogaritur shpenzimet për studimet e fëmijëve në kolegjet më të mira angleze etj. Vazhdoi me "qetësi e dashuri" edhe me Edi Ramën, mandatin e parë, por humbi "qetësinë e dashurinë" mandatin e dytë kur u degdis si president. Këtu po shfaqet tashmë një "kingmaker" i Kushtetutës, mbrojtës i flaktë i demokracisë saqë tregohet i vendosur deri në abnegacion për ta shpëtuar atë si Allende. A ka moral ky president i pandëshkuar të bëjë moral e të apelojë popullin në revolucion për "mbrojtjen" e demokracisë e cila është përçudnuar nga Edi Rama dhe klani i tij?

Për Fatmir Mediun... “Quosque tandem”? Kjo pyetje përdoret kur kërkohet t'i hiqet maska një personi smirëzi e hipokrit ose përdoret në formë tallëse për një njeri pa vlerë, por që bën të vlerësueshmin, siç është ky person "supremum vale"- "që nuk dëshiron t'ia shohësh fytyrën asnjëherë"! Më i ziu i politikanëve pas Sali-- UI, që shfarosi një fshat të tërë duke vrarë mbi 26 njerëz, midis tyre edhe fëmijë. Me paturpësinë më të madhe, i ngrefosur e me pamje kapadaiu del e bën moral për drejtësi, barazi e ndershmëri. Akuzon Edi Ramën për plane të fshehta për zgjedhjet, akuzon opozitën e re që me të drejtë kërkon ndryshimin e sistemit, kërkon qeveri kujdestare ky "zorzop" që tani duhet të vuante burgim të përjetshëm, del edhe na jep mendje si opozitar rrugaç e kryetar pa elektorat, kërkon lista të mbyllura që të sigurojë vend në Parlament, se me lista të hapura me prag 5% dhe pa koalicione mbetet si "peshku pa ujë". Edhe ky i pandëshkuar i madh vazhdon t'i bëjë karshillëk popullit që e ka vrarë dhe frustruar flet edhe në emër të popullit.

Për "Luli Basha" 7×7=42... Lul - "Tace atque abi"- "Mbylle gojën dhe ik"! "Semper idem"- Gjithnjë të njëjtën gjë! Bëhesh i mërzitshëm për shoqërinë!

A ka moral të flasë për zgjedhje të lira dhe të ndershme kur brenda partisë së tij i ka manipuluar ato apo kur i vodhi live ato në zgjedhjet bashkiake? A ka moral t'i kërkojë votën popullit për të qeverisur, kur si kryetar bashkie për katër vjet ja ka futur gjumit, për "7 palë qejfe" madje edhe me të gërhitura? A mund t'i besohet një "kryeministri" të tillë kur nuk ishte i aftë të menaxhonte një bashki? A mund të jetë i besueshëm ky "kiç Luli Basha", kur nuk ka treguar asnjë aftësi edhe si ministër i Brendshëm (vrau 4 veta më 21 janar), edhe si ministër i Jashtëm (shiti detin), edhe si ministër i Transportit (vodhi Rrugën e Kombit), edhe si kryetar partie (tri herë humbës i madh). Si mundet t'i besosh këtij dështaku të madh "çelësat" e qeverisjes?

Për kryeministrin... "Quo vadis Domine”?- "Ku shkon, o Zot"?- pyetet për një njeri "Moto proprio"- që vendos me kokën e tij - "Hoc volo, sic lubeo, sit pro ratione voluntas"- që krenarinë dhe arrogancën nuk e sundon dot, ato do ta sundojnë atë". "Felix qui potuit rerum cognoscere causas"- I lumtur është ai që ka mundur të kuptojë thelbin e gjërave", thënie e Virgjilit - Njerëzit që dinë kanë një forcë më të madhe se forca e pushtetit dhe e parasë! Vath në vesh Edi Rama nga Virgjili ynë i dashur, siç i drejtohej vazhdimisht Seneka.

Shpresuan shqiptarët për një realitet të ri qytetërues nëpërmjet Rilindjes shpirtërore të tyre me reforma e jo me "mballoma e kozmetikë " në administratë, në shëndetësi, në bujqësi e sidomos në arsim për një edukim të ri. Shpresuan shqiptarët në një drejtësi për ndëshkimin e Sali-Ui, Luli Bashës, Fatmir Mediut e shumë të tjerëve që kishin abuzuar e nuk ishin ndëshkuar... Shpresuan shqiptarët për një mirëqenie e për një dinjitet më njerëzor nga Rilindja e Edi Ramës, prandaj i dhanë edhe një milion vota, të cilat ja kërkoi popullit për ta pasur timonin i vetëm, por më kot. Përpos rilindjes urbane e disa reformave gjysmake asgjë tjetër nuk realizoi nga premtimet e bëra. Administratën e la pothuajse siç ishte - pa karrierë, me përkohshmëri, me militantë e pandëshkueshmëri për abuzimet. Arsimin në ditën më të keqe të tij, nga "emergjencë kombëtare" kur ishte në opozitë në një "vrimë të zezë" të dijes e qytetarisë me "reformat" “mballoma”, me tekstet oksfordianë të kuzhinierëve dhe kamarierëve për maturantët shqiptarë. Bëri sikur mbylli disa universitete private edhe ata në mënyrë selektive. Mbylli 8 dhe la 38 të tjerë të shisnin diploma siç edhe bëjnë sepse fitimi dhe jo edukimi është misioni i tyre. Produktet e tyre kanë mbushur administratën e institucionet e Shqipërisë me diploma të blera që vazhdojnë ende edhe sot e kësaj dite të shiten. Maturantët i la të "kllaposur" në formularët e Berishës. Universitetet publike në njollën më të zezë të dijes e qytetërimit – “pashallëqe të rektorëve vezirë”, me studentë analfabetë funksionalë, me trafik të punës shkencore... e me borde "agallarësh" pa kurrfarë lidhje me arsimin e lartë, thjesht militantë të përkëdhelur. Një farsitet, mediokritet e vulgaritet që prodhojnë sharlatanë me diplomë. Të korruptuarit, vrasësit, kusarët e pushtetit i la të pandëshkuar që livadhisin ende në kopshtin e Sali-UI.

A ka moral ky kontravers të kërkojë përsëri votën, kur për 8 vjet me radhë iu dha mundësia të ngjallte shpresën e shqiptarëve, të hidhte themelet, vetëm themelet përmes reformave radikale për një mentalitet të ri të shqiptarëve duke filluar me arsimin, kulturën dhe shkencën, trinia që ka zhvilluar qytetërimin europian. "Arka e Noes" e shoqërisë moderne. A ka moral ky dhe Rilindasit e tij t'u kërkojnë votën shqiptarëve, në një kohë që i vranë shpresën?

Për ish socialistët... "Quod fuimus lauda, si lam domnas, quod sumus"- "Lëvdo atë që ishim, nëse nuk të pëlqen kjo që jemi". Morali i kësaj fjale të urtë latine, të nderuar zotërinj socialistë ka kuptim më të gjerë: Kërkon t'u jemi mirënjohës të parëve tanë për të mirat që kanë bërë në të kaluarën, por që sot janë të pamundur, por që edhe ju jeni të pamundur se jeni konvertuar nga "shokë" në "zotërinj"!

Me krijimin e Rilindjes, Partia socialiste"vdiq", por Edi Rama i ruajti "lëkurën"për ta mbajtur si flamurin e PS, në emër të të cilit të merrte vota. Dhe kështu ndodh. Socialistët, të varfrit, veteranët e pensionistët për Rilindjen dhe Edi Ramën janë thjesht numra. Këtu qëndron poshtërimi dhe hipokrizia e Rilindjes së Edit. I përdorin për të marrë pushtetin duke i numëruar si "kokë". Paskëtaj, mbaron çdo lidhje me ta, çdo komunikim me ta. "Paria" dhe deputetët njohin Ramën si "padronin" e tyre. Se ai e ka listën. Kësisoj, Rama bëhet tashmë ndërgjegje e tyre. Kush të bëzajë? Rama kundër Ramës? Si mund të bëzajnë "ata" për rehabilitimin e Mit'hatit, botimet e listës së luftëtarëve dhe komandantëve të luftës të shpallur kriminelë nga instituti antikomunist, i financuar nga qeveria e Rilindjes? Apo deputetët që në shumicën dërmuese të tyre nuk kanë asgjë të përbashkët me idealin socialist? Edhe ata të paktë socialistë "fosile", që kanë mbetur i ka bërë "zap" Edi. Madje për çudinë e të gjithëve edhe "shokun-zotin" Gramoz! Prandaj në Partinë Socialiste, që na ishte njëherë, mbretëron heshtje varri. Asnjë nuk "bëzan". Po për koncesionet e PPP, propozimet për kryetarët e bashkive dhe deputetëve, madje ndonjëri edhe me rekorde kriminale, emërimet e çemërimet e ministrave dhe zyrtarëve të lartë, favorizimet skandaloze të oligarkëve financiarë, shpenzimet e pajustifikuara, shpesh për konflikte personale të tij, mosndëshkimin e "fatkeqësisjellësit" dhe bandës së tij, pandëshkueshmërinë ndaj zyrtarëve të korruptuar, tolerimin ndaj nepotizmit galopant në institucionet shtetërore, diplomatike e akademike, pra për të gjitha këto bëzani gja Partia Socialiste?

Çfarë pyetjesh bën edhe ti? Po ende beson se ka Parti Socialiste, që të bëzajë? Hë pra o socialistë, veteranë, pensionistë, të varfër ku i keni drejtuesit tuaj, pse nuk flasin? Të paktën një fjalë nga"shoku-zoti" Gramoz, si "nuni" politik i Ramës. Nëse edhe “shoku-zoti” Gramoz hesht, (se ndoshta ja kanë zënë "kokën me derë"), nga kush prisni reagime? Nga Tao-l-anti, që deshi t'u hiqte dekoratat e luftës veteranëve me propozim të Pëto Idrizit dhe Mesila Demit (Dodës)? Nga Pandi, që del pa dashje nga rreshti dhe me shpejtësi merr qëndrim gatitu, nga Braçja që flet e nuk e dëgjon njeri, (që i ka varur këmborën e zëvendësit) si dikur kryetarin e bashkimeve profesionale? Kush ngelet? Ka të tjerë? Po po. Janë edhe Fatmiri, Baçi, Caci, Musai, "socialistë" të vjetër, madje edhe personazhe të KPD-së së famshme. Nuk e di pse edhe këta nuk flasin. (Të gjithë të tjerët janë anonimë e palidhje me PS e vlerat e figurat e saj deri në ‘98). Me siguri do t'i ketë "zënë" ajo "sëmundja e murtajës", korrupsioni, abuzivizmi, nepotizmi që u ka mbyllur gojën.

Në këtë gjendje ku është katandisur Partia Socialiste, e transformuar në "sektin" e Rilindjes, a e ka moralin t'u kërkojë përsëri votën "të tradhtuarve" të saj?

Për mandatlënët... "Res magnae gestae sung"-- “Gjëra të mëdha do të ishin bërë", thuhet me tallje për ata që thonë e duan të bëjnë gjëra të mëdha, por që nuk arrijnë asnjëherë t'i bëjnë duke ardhur vërdallë si " kali në lëmë!

"Mandatlënët" dhe "trushkulurit" e opozitës që e lanë elektoratin e tyre dhe popullin opozitar pa përfaqësim në Parlament, për popullin "sakrifikuan" që të ishin në rrugë bashkë me popullin, pranë "halleve" të popullit, duke protestuar, denoncuar, alibuar, sharë, ofenduar për të " mirën" e qytetarëve, në emër të qytetarëve për t'u sjellë atyre "Republikën e Re" dhe "parajsën", por në fakt janë përdorur nga një budalla që sheh "ëndrra në sirtar" që në tavolinë t'i vijë dekreti për kryeministër. Çfarë komedie me këta rrugaçë politikë të kryesuara nga " parvenyja" "7×7=42- shi, Luli Basha", mjeshtër i përdorimit të fanatikëve dhe të zgjedhurve të listës së vet. Prandaj duan lista të mbyllura "për popullin", "me popullin". “Nuk i zë gjumi natën” sepse "sakrifikojnë" për "popullin", mendojnë për popullin jo në Parlament, por rrugëve duke u kthyer në një "opozitë rrugaçe" dhe paguhet nga taksat e popullit. I shkreti popull kë të paguajë më parë, një Parlament me 200 deputetë, punonjës të pushuar nga puna për qejf të drejtorëve dhe fituar gjyqet apo mbi 10000 "ekzistenca të falsifikuara "- doktor shkencash leshi, profesorë preshi, masteraxhinj, ish të persekutuarit e paraardhësit e tyre apo ish-pronarët; këstet e PPP-ve apo të koncensioneve, administratën e fryrë apo subvencionet në bujqësi etj., studimet e fëmijëve të politikanëve apo luksokracinë e grave e farë e fisit të tyre. E atëherë çfarë ngelet për të varfrit, shtresat vunerable, pensionistët? Kuptohet ndonjë kockë që mund të hedhin të pasurit mbasi janë nginjur me mish njeriu dhe me eshtrat e gjakun e të varfërve, duke i çuar këta të fundit drejt vdekjes së ngadalshme siç po ndodh gjatë këtij tranzicioni të pambarim.

Të gjithë sëbashku, politikanë, oligarkë, bankierë, pushtetarë, kryetarë bashkish, biznesmenë, etj. të këtyre rangjeve nuk janë veçse një "Servum pekus" -- një kope servile, një "çetë" banditësh e kusarësh politikë, akademikë, gjyqtarësh, prokurorësh, etj., njerëz që kanë veti të lëpihen, të nënshtrohen, të skllavërohen, pa sedër, sahanlëpirës, pa dinjitet e të pashpirt që nuk ndjejnë dhimbje, që kanë humbur çdo gjë humane e fisnike nga lakmia, epshi e babëzia për pushtet, para, famë e lavdi...

A nuk është bërë i urryer për popullin kjo kope ujqish të uritur për "mish njeriu", ky "servum pecus", për kanibalizmin e tyre, për pashpirtësinë e tyre, për ashpërsinë e tyre, për kusarinë e tyre, për meskinitetin dhe të gjitha veset e tyre?.

Zotërinj "Asinus asinum frutat"!-- "Gomari gomarin përkëdhel", në kuptimin që ja dinë gjuhën njëri-tjetrit dhe merren vesh mirë për pazare, përkrahin njëri-tjetrin se qëllimin e kanë të përbashkët.

“Frytet e Tokës na takojnë të gjithëve, ndërsa Toka nuk i përket askujt”. (Zh. Zh. Russo)

Mos harroni se ne “jemi pulsi i jetës” mjafton të bashkohemi dhe ua bëjmë pluhur e hi kusarokracinë tuaj, ua rrëmbejmë të gjitha ato që na keni vjedhur dhe t'ju detyrojmë të punoni që të keni të drejtë të hani...

“Sikur shqiptarët të jenë pak më të mënçëm do të mund të dalin nga dita e zezë ku ndodhen” (Konica).