BREAKING NEWS

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos heqjen e koalicioneve, Basha dhe amerikanët lënë në baltë presidentin

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos
x

Opinion / Editorial

Stimuli trefish anti-Covid 19 për ekonominë

Stimuli trefish anti-Covid 19 për ekonominë

Ekonomisë sonë i nevojitet si oksigjeni mbështetja me masa lehtësuese tatimore (fiskale), financiare dhe monetare (të parasë). Qeveria ka dhënë ndihmesë me disa lehtësira tatimore, por me pikatore. Në një takim nëpërmjet internetit me zj. Yan Sun, drejtuese e Misionit të FMN-së për Shqipërinë banka jonë qendrore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dakordësuan se stimuli i koordinuar fiskal, monetar dhe financiar ka qenë dhe mbetet element vendimtar në zbutjen e pasojave negative të krizës nga Covid 19. Banka e Shqipërisë ka rritur nxitësin monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit të parasë dhe rritjes së injektimeve të parasë letër (likuiditetit) në bankat tregtare dhe në sistem. Kjo ka bërë që të ulen kostot e financimit dhe të rritet masa monetare(sasia e parasë) në ekonomi. Pandemia e gjeti sektorin financiar dhe atë bankar shqiptar të mirëkapitalizuar dhe të shëndetshëm. Askush që pati nevojë edhe në momentet më të rënda të krizës në mbylljen totale në muajt mars-prill, nuk pati probleme të siguronte sasinë e duhur të parave nga depozitat e tij nëpër banka, në çdo filial banke ku ka aplikuar. Në bashkëpunim me industrinë bankare, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë ndryshime të kuadrit rregullator, të cilat kanë lehtësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi. Sigurimi i kohës ishte thelbësor në ditët më të vështira. Kohë për të mos paguar këstet dhe për të mundësuar përballjen me dallgën e parë të cunamit. Asaj më shkatërruese. Kjo ndodhi me sistemin tonë bankar. Pavarësisht vështirësive të momentit të shumë degëve të ekonomisë sonë dhe ndjenjës së pasigurisë nga ana e sipërmarrësve dhe qytetarëve, lehtësimi i masave të distancimit social gjatë fundit të tremujorit të dytë dhe gjatë gjithë tremujorit të tretë, si dhe qëndrueshmëria monetare dhe financiare e vendit, kanë krijuar premisa që pasojat e pandemisë në ekonomi të vijnë progresivisht drejt pakësimit, duke u shoqëruar me një rimëkëmbje graduale të aktivitetit ekonomik në periudhën në vijim. Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 dhe në dy muajt e parë të gjashtëmujorit të dytë korrik-gusht 2020, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht sfidave që paraqiti situata e pandemisë. Masat e marra nga banka qendrore dhe nga vetë bankat e nivelit të dytë për sigurimin e vijueshmërisë së funksioneve kritike dhe marrëdhënieve me klientët, si dhe masat e marra nga autoritetet publike për zbutjen e goditjes së pandemisë, mundësuan që veprimtaria të vijojë në mënyrë të përshtatshme dhe treguesit financiarë të sektorit bankar të mbeten në nivele të mira. Megjithatë, pasiguria për zhvillimet ekonomike në kushtet e pranisë së pandemisë është e lartë. Kështu që, sipas bankës sonë qendrore edhe sfidat për veprimtarinë bankare e financiare janë të forta. Megjithatë, vlerësimet e industrisë bankare dhe ushtrimet e provës së rezistencës ndër bankat tregtare, kanë dëshmuar se kapacitetet e sektorit bankar për t’u përballuar me këto sfida janë aktualisht të mjaftueshme. Edhe pse natyrshëm ka rritje të vëllimit të huamarrjes nga ana e qeverisë jo vetëm në lekë, por edhe në valutë, norma mesatare e interesit të titujve të borxhit nuk shfaqi ndryshime gjatë muajve mars-gusht 2020. Po ashtu, në tregun ndërbankar, vëllimet e tregtimit u rritën, por normat e interesit mbetën pranë nivelit të normës bazë të interesit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë. Leku u nënçmua ndaj valutave kryesore në fund të tremujorit të parë të vitit, por rikuperoi pjesën më të madhe të vlerës në tremujorin e dytë prill-qershor 2020. Pritshmëritë e sipërmarrjes për tre muajt e fundit të vitit shfaqen më optimiste në drejtim të rritjes së financimit, rritjes së investimeve dhe përmirësimit të performancës financiare. Megjithatë, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar. Në fund të takimit online, Drejtuesja e Misionit te Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.