Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Strategjia e forcave kombëtariste në Luftën e Vlorës 1920

Strategjia e forcave kombëtariste në Luftën e Vlorës 1920

Detyrat strategjike

Komiteti Mbrojtja Kombëtare, i krijuar në mars të vitit 1920, i mbledhur në fshehtësi, u mor me zgjidhjen e detyrave themelore strategjike. Ndër detyrat strategjike me përparësi ishin vlerësuar organizimi ushtarak, hartimi i planit të përgatitjes dhe zhvillimit të Luftës për çlirimin e Vlorës dhe bashkimin e saj me pjesën tjetër të Shqipërisë, si dhe zgjidhja e çështjes së drejtimit të forcave dhe të veprimeve luftarake. Në këtë plan, përveç masave për ruajtjen gjatë afrimit, grumbullimit dhe përgatitjes së forcave vullnetare luftarake për në vendet e grumbullimit dhe të përgatitjes, në mënyrë skrupuloze dhe me fanatizëm, tërheqin vëmendjen disa veçori të pazakonta në përqasje me ato më parë. Ruajtja e fshehtësisë kishte për synim dhe në të vërtetë ia doli që të vinte, si të thuash “në gjumë”, kultivoi mosbesimin, indiferencën dhe avashllëkun tek Komanda e Forcave Pushtuese në Vlorë, e cila nuk besonte në mundësitë luftarake dhe në guximin e shqiptarëve. Kështu, kryengritësit i zunë gati-gati në befasi të plotë pushtuesit, me shpërthimin e sulmit, veçanërisht në Fazën e Parë të Luftës. Kjo masë bëri që njëherësh, të ruhej fshehtësia strategjike, si dhe të sigurohej suksesi prej luftëtarëve vendas. Në organizimin e forcave luftarake të grumbulluara për kryengritje, u mbajtën parasysh disa faktorë, që ishin të rëndësishëm dhe përcaktues, si koha, rrethanat, trashëgimia organizative dhe luftarake, resurset njerëzore të krahinës, sasia dhe cilësia e armatimeve dhe municioneve, mjeteve luftarake etj. Në këto rrethana, u gjetën dhe u përzgjodhën forma të thjeshta dhe të shpejta organizative tradicionale luftarake, që vinin në përputhje me armatimet, mjetet, pajisjet e tjera dhe mundësonin kompaktësinë, komandimin gjatë lëvizjeve dhe manovrave të shpejta, shfrytëzimin e terrenit, si dhe përdorimin e taktikës tradicionale partizane, por dhe atë frontale.

Parimi i mobilizimit të forcave kryengritëse mbeti vullnetarizmi, ndërsa si formë organizative u përzgjodhën çetat e fshatrave dhe ato të krahinave. Për rrjedhojë, në një kohë relativisht të shkurtër u organizuan 7 çeta krahinore, secila me disa çeta fshatrash, që përmblidhte krahina përkatëse. Të gjitha çetat së bashku kapnin shifrën 4.000 luftëtarë. Përzgjedhja e çetës si formacioni organizativ dhe luftarak bazë i veprimit në fushën e luftimit nuk u bë sepse nuk ishin mundësitë dhe aftësitë ushtarake për të aplikuar një formë tjetër alternative ushtarake bashkëkohore. Arsyet e vërteta qëndronin në mungesën e kohës së nevojshme për të organizuar dhe kryer këtë proces special, si dhe për stërvitjen dhe kompaktësimin e tyre për të vepruar në fushën e luftës sipas taktikave që përdorin ushtritë e rregullta, profesioniste. Por ishin edhe faktorë të tjerë, që lidheshin me armatosjen, pajisjen, vendqëndrimet, ushqimin etj. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare e Tiranës nuk kishte ende një ushtri të rregullt të organizuar, për të mbështetur ushtarakisht kryengritësit vlonjatë.

Zhvillimi i luftimeve

Në ecurinë e Luftës së Vlorës zhvillimi i luftimeve vërtetoi saktësinë e shumë prej pikave të këtij plani. Ndër detyrat e para strategjike, që zgjidhi Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare ishte çështja e drejtimit të Luftës së Vlorës, në të cilin përfshihej gjithë zinxhiri i drejtimit, nga strategjik deri në nivelin taktik. Organi më i lartë, i sferës politiko-ushtarake, i cili bënte drejtimin strategjik, ishte Komisioni i Mbrojtjes Kombëtare, ose ndryshe Këshilli i Luftës me përbërje prej 12 vetë, me në krye intelektualin e njohur atdhetar vlonjat, Osman Haxhiun. Pranë këtij organi u krijua një organizëm tjetër, Komisioni Ushtarak, apo Shtabi Ushtarak, i cili nuk ishte gjë tjetër përveçse një lloj organizmi ushtarak i specializuar, që merrej pikërisht me përgatitjen e planeve të luftës dhe drejtimin e tyre në fushën e luftimeve. Në përbërje të këtij organizmi special me porosinë e Qeverisë së Tiranës ishte futur një grup i vogël oficerë shqiptarë të karrierës, i cili do të jepte ekspertizë për çështjet ushtarake në hartimin e planit, si dhe gjatë zhvillimit të luftimeve. Ky grup, bashkë me Komandantin e Përgjithshëm, ndikuan në përpilimin e një plani lufte sa më objektiv dhe të bazuar në pikëpamje ushtarake, por dhe në plotësimin e realizimin e tij në ecurinë e luftës. Zinxhiri i Drejtimit dhe i Komandimit përmbyllej me bllokun e komandantëve të çetave. Në mungesë të mjeteve të drejtimit modern, drejtimi u bazua tek ndërlidhja tradicionale, me korrierë dhe me sinjale. Megjithatë, drejtimi bëhej edhe drejtpërdrejt, duke dërguar pranë reparteve kryengritëse përfaqësuesit e Komitetit të Mbrojtjes.

Më së pari, operacioni i zhvilluar në Luftën e Vlorës, rikonfirmoi praninë dhe rëndësinë e një parimi tejet të rëndësishëm, me peshë dhe vlera vendimtare për fatet e veprimeve luftarake si dhe të vet kryengritjes, faktorin moralo-psikologjik dhe rolin e tij përcaktues në luftë. Rëndësia dhe roli i këtij parimi themelor shfaqen dhe bëhen përcaktues pikërisht atëherë kur epërsia në forca njerëzore, në armatime, mjete dhe teknikë luftarake, nuk është në anën e atij që lufton për një çështje dhe ideal të drejtë, në mbrojtje apo në kërkim të lirisë, identitetit dhe integritetit kombëtar. Dhe megjithatë, edhe në këto rrethana, ja del të fitojë! Vërtetësinë e rëndësisë përcaktuese të këtij parimi e dëshmoi dhe njëherë shumë qartë Lufta e lavdishme e Vlorës kur, në veprimet luftarake, ndonëse me forca dhe armatime disa herë më të pakta në numër, duke thyer klishetë dhe skemat tabu të artit ushtarak që zbatonte kundërshtari përballë, kryengritësit popullorë arritën tek fitorja! E gjithë kjo ndodhi për arsye të motivimit dhe gjendjes moralo-psikologjike të lartë të tyre, e cila nxitej dhe ushqehej nga qëllimi i luftës, çlirimi i krahinës dhe ribashkimi i saj me pjesën tjetër të atdheut të pavarur e sovran. Ndërkohë, ekzistenca dhe roli i veçantë e me peshë i këtij parimi, që në këtë rast ishte në anën e forcave vendase, megjithëse në dukje teorik dhe ca patetik, ndikoi ndjeshëm në zbutjen dhe ekuilibrimin e disproporcioneve të theksuara, sidomos në pikëpamje të raportit të forcave dhe mungesave të mëdha në armatimet dhe municionet, si dhe në treguesit e tjerë të natyrës ushtarake në këtë luftë të pabarabartë.

Raporti klasik i forcave

E parë nga një këndvështrimi tjetër, duke gjykuar për nga numri dhe raporti klasik i forcave, armatimeve dhe i mjeteve të tjera luftarake, si dhe i masave paraprake të shumta të përdorura nga të dy palët në këtë luftë, sidomos nga ana e pushtuesve, mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se forcat kryengritëse shqiptare i bënë një sfidë të dytë, në thelb më kryesore, armikut përballë. Nëse u besojmë dhe u referohemi statistikave historiko-ushtarake të kohës, kur po përgatitej Lufta e Vlorës, ato tregojnë se pushtuesit italianë edhe pse Lufta e Parë Botërore kishte kohë që ishte përmbyllur, mbanin ende në Vlorë dhe në zonat përreth, forcat e Korpusit të Trupave të Shqipërisë, nën komandën e gjeneralit Settimo Piaçentini, i cili numëronte afro 20.000 ushtarakë. Prej tyre 14.000 vetë ishin përqëndruar në trekëndëshin strategjik Vlorë-Sarandë-Tepelenë, që ishin efektivë të Div. 36 K, si dhe disa reparte speciale të Korpusit. Divizioni tjetër i këtij Korpusi, me 6.000 ushtarakë ishte vendosur në Durrës. Për të mbrojtur Vlorën ata kishin në përdorim dhe armë të rënda, si mitraloza, topa të kalibrave të ndryshëm, teknikë dhe mjete të shumta luftarake. Në mbështetje të tyre kishin dhe një skuadër tankiste dhe një tjetër ajrore, si dhe artilerinë e anijeve luftarake. Këto forca ishin shpërndarë në mbrojtje në tri vija dhe në disa garnizone të fortifikuara, të fuqishme.

Përballë këtyre forcave dhe masave mbrojtëse të armikut, u vendosën për një përballje luftarake për jetë a vdekje forcat kryengritëse vlonjate, me vetëm 4.000 luftëtarë. Në pikëpamjen numerike formale, në prag të fillimit të fazës së parë, raporti real i forcave paraqitej me shifrat 14.000:6.000 ose 2.3:1 në dobi të pushtuesit. Përsa i përket raporteve në armatime dhe teknikë luftarake epërsia ishte absolute për ta. Por, koha dhe fusha e luftës vërtetoi se përgjigja iu kthye në bumerang gjeneralit! Veprimet luftarake, të shpejta dhe të befasishme të luftëtarëve kryengritës, bënë që të heshtnin topat në Vlorë dhe në garnizonet përreth saj. Në rrjedhën e luftës, raporti i forcave, armatimeve dhe municioneve të vullnetarëve shqiptarë erdhi në rritje për shkak të forcave vullnetare që mbërritën nga krahinat e tjera të vendit si dhe armëve e mjeteve luftarake të kapura armikut. Ndërsa në fazën e parë të luftës, KMK-ja kishte në gatishmëri dhe përdori vetëm 4.000 mijë luftëtarë, në fazën e dytë ky numër u rrit deri në 6.000 luftëtarë. Megjithëkëtë raporti i forcave asnjëherë nuk shkoi përtej përpjesëtimit 2:1 për armikun. Kryengritësit u përpoqën dhe shpesh ia dolën mbanë që ta kompensonin këtë diferencë me gjendjen e lartë moralo-psikologjike dhe nivelin e motivimit, me shpirtin sulmues, veprimet e shpejta dhe të fshehta, shfrytëzimin e natës dhe të terrenit të njohur, si dhe manovrës së lartë etj. Kështu, ata ia dolën mbanë të detyronin kundërshtarin të tërhiqej nga Vlora përfundimisht.

Taktikat e përdorura

E parë në një vështrim që shkon përtej euforisë, frymës së miteve dhe legjendave, ajo luftë solli vërtet disa të veçanta në zbatimin e treguesve të artit ushtarak të kohës. Tërheqin vëmendjen sidomos taktikat e përdorura me sukses prej luftëtarëve vlonjatë për shpërthimin dhe kapjen e garnizoneve të fortifikuara, të ngritura prej armikut në vijat e mbrojtjes, si në Kotë, Gjorm, Drashovicë, Matohasanaj, Llogora, Himarë dhe Tepelenë. Kryengritësit, megjithëse me forca dhe sidomos me armatime dhe mjete luftarake shumë më të pakta dhe të vjetërsuara, ia dolën që t’i kapnin ato dhe efektivët e tyre, duke e vënë nën kërcënim serioz qëndresën e pushtuesve brenda Vlorës dhe në rrethinat e saja. Taktika e përdorur kundër këtyre garnizoneve, me afrimin në mënyrë të fshehtë dhe natën, duke i rrethuar ato veç e veç dhe duke krijuar raporte forcash me epërsi minimale për sulmuesit, si 1.7:1 në Kotë, e cila pas një sulmi të fuqishëm ra në duart e sulmuesve shqiptarë, qe mjaft racionale dhe rezultative. Kështu u morën shumica e këtyre garnizoneve, përveç atij të Tepelenës, i cili u mbajt i bllokuar në një rrethim të plotë dyjavor, derisa i gjithë efektivi i tij, oficerë dhe ushtarë, u dorëzua pa kushte. Ky lloj luftimi dhe taktikat e përdorura për kapjen e tyre ishin një përvojë e re, e zbatuar me shumë sukses prej forcave kryengritëse vlonjate, por dhe në fondin e artit ushtarak shqiptar, në tërësi.

Lufta e Vlorës është një simbolikë, një shembull i qartë i luftës që mund të bëjë dhe të fitojë një popull, sado i vogël, për të rifituar lirinë, identitetin dhe integritetin e vendit të tij. Në emër të tyre ai mund të japë pa hezitim si çmim dhe jetën e bijve të vet! Lufta e Vlorës i kishte arritur qëllimet e veta dhe krahina historike tashmë ishte përsëri pjesë e pandashme e Shqipërisë. Ndërkohë, në aspektin luftarak dhe të artit ushtarak, ajo kishte përvijuar dhe afirmuar një përvojë të re, me të veçantat e veta dhe kishte hyrë në fondin e historisë ushtarake shqiptare.