Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Strehimi social” ose dera me bojna, shtëpia pa pullaz

Postuar: 19/08/2019 - 11:45

KLSH përfundoi auditimin e performancës me temë “Efektiviteti i Programeve Sociale të Strehimit” të ushtruar në bashkitë Tiranë, Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Ministrinë e Financave e Ekonomisë, auditim ky i miratuar nga Kryetari Bujar Leskaj, me Vendimin nr. 11 datë 22.07.2019. Auditimi ka zbuluar se programet e strehimit nuk janë zbatuar plotësisht, duke adresuar vetëm raste individuale, por jo fenomenin social të të pastrehëve. Mungojnë regjistri kombëtar mbi numrin e të pastrehëve dhe investimet në banesa sociale, stoku i të cilave është inekzistent në shumicën e bashkive dhe i pamjaftueshëm në disa të tjera. I gjithë strehimi social ngrihet mbi prezumimin e ekzistencës së një stoku të banesave shtetërore dhe të qenies së bashkisë një “prodhues” i banesave sociale. Por, gjatë 10 viteve të fundit asnjë bashki nuk ka ndërtuar banesa sociale apo të ketë blerë nga tregu për t’i ofruar si banesë sociale. Për më tepër, ky funksion social i bashkisë s’është i inkuadruar as në planifikimet urbane apo planet e detajuara vendore për ndërtimin e banesave sociale, për të përfshirë konceptin e Zonave me Interes Social.

Ndonëse kuadri rregullator ka përbërë një bazë të shëndosh ligjore për strehimin social, ajo nuk ka mundur të konvergojë plotësisht me dy faktorë :1. Tregu i banesave; 2. Niveli i të ardhurave.

Tregu i banesave:Për të analizuar “përballueshmërinë” e banesave përdoret koncepti i “Median Multiple” (çmimi mesatar i banesës s’duhet të jetë 3 fish më i lartë se të ardhurat vjetore bruto). Kjo metodologji përdoret për të vlerësuar risqet në tregun e banesave dhe rekomandohet për t’u përdorur nga Banka Botërore dhe nga Qendra për Studimet e Banesave të Universitetit të Harvardit. Në Shqipëri dhe veçanërisht në Tiranë, çmimet e banesave kapërcejnë dhe nivelin ekstrem të të qenit “plotësisht e papërballueshëm”, duke qenë 2 deri në 10 herë më i lartë se ky nivel (5.1). Më konkretisht për të qenë e përballueshme, për një banesë madje periferike në Tiranë, qytetari duhet të disponojë rreth 1,166 euro të ardhura në muaj që çmimi i banesës të mos kapërcejë 3 fishin e të ardhurave bruto. Nëse do t’i referohemi statistikave të nivelit mesatar të pagave, kjo shumë është sa dyfishi i pagës mesatare mujore bruto për vitin 2018 e cila është 50,568 lekë(INSTAT). Ose thënë ndryshe, vetëm të punësuarit si drejtues administrativë dhe komercialë mund të përballojnë blerjen e një banese. Nëse do ta lidhim me një tjetër statistikë, sipas Drejtorisë së Tatimeve, vetëm 9,050 (1.3%) nga 600 mijë të punësuar kanë 2 milionë lekë të ardhura në vit.

Niveli i të ardhurave:Përbën komponentin kryesor të përfitimit dhe kategorizimit të programeve sociale të strehimit. Parimisht, legjislacioni, përfshirë Ligji i ri 22/2018 “Për strehimin social” vendos një përshkallëzim të programeve bazuar në nivelin e të ardhurave, duke mundësuar që çdo shtresë sociale të gjejë përkatësinë e vet të “përballueshmërisë” në programet sociale të strehimit. “Përballueshmëria” përkufizohet si pagesë jo më shumë se 30% të të ardhurave për shpenzimet e strehimit. Origjina e këtij standardi buron nga një aforizëm e shekullit XIX se “paga e një javë për qiranë e një muaji”. INSTAT-i nuk disponon të dhëna se cilat janë të ardhurat mesatare dhe mungesa e këtij elementi pengon zbatimin e plotë të programeve sociale të strehimit. Kjo sjell problematikat si vijojnë: Së pari, e bën të vështirë identifikimin e nevojtarëve realë që hyjnë apo dalin nga skemat e programeve sociale të strehimit. Së dyti, humbet qëllimi i programeve sociale të strehimit dhe avantazhohen individët me të ardhura të larta, pasi nuk mund të filtrohen në mungesë të nivelit tavan që janë të ardhurat mesatare. Në programin “banesa me kosto të ulët” (përfshirë kredinë e butë), nga evidencat rezulton se individët e përfshirë kanë të ardhura mbi 60,000 lekë . Në banesat sociale me qira, ndonëse ka një nivel dysheme  përcaktuar si [0%-100%] të të ardhurave mesatare, në mungesë të nivelit tavan, mund të përfshihen në skemë edhe persona me të ardhura të larta. Nga tre programet sociale të strehimit, programet “Banesat me kosto të ulët” dhe “Banesa sociale me qira” kanë funksionuar pjesërisht, ndërsa programi “Pajisjes së truallit për infrastrukturë” nuk ka funksionuar.

Banesat me Kosto të ulët(BKU)nuk ka funksionuar plotësisht dhe është më pak fleksibël për t’u aksesuar nga qytetarë. Ndonëse ky është një program që kërkon një nivel të ardhurash dhe rrjedhimisht disa shtresa si komuniteti rom, nëna me shumë fëmijë, persona me statusin e jetimit etj., kufizohen që të aplikojnë, zbatimi i tij, ndonëse shumë i pakët, ka ngushtuar më tej rrethin e përfituesve, duke sjellë që ky program të aksesohet nga persona me të ardhura të larta, të cilët nuk janë prioritarë dhe të cilët mund të përballojnë alternativa të tjera strehuese, si qiranë e tregut apo një kredi hipotekore nga banka në tregun e lirë.

Banesat sociale me qira :Ky program është më i zhdërvjellët apo më fleksibël, si në kategori sociale ashtu edhe në nivel të ardhurash dhe pothuajse lejon që të përfitojnë të gjithë kategoritë sociale dhe shtresat nevojë, përfshirë ata pa të ardhura në rastin e bonusit të qirasë. Megjithëse programi i banesave sociale është më i disiplinuar dhe i menaxhueshëm nga bashkitë, stoku i tyre është shumë i pakët dhe adreson në nivele minimaliste kërkesat e aplikantëve, veçanërisht në bashkitë urbane. Kjo i ka shtyrë bashkitë që të mbështeten tek bonusi i strehimit, i cili financiarisht përbën kosto për bashkitë dhe është më pak i menaxhueshëm prej tyre, duke qenë se ky nënprogram ndikohet nga disa faktorë të jashtëm si: çmimet e qirave në treg(mungesa e studimeve për qiranë minimale dhe maksimale); disponueshmëria e banesave me qira në tregun e lirë(refuzimi i subjektit privat); paqëndrueshmëria e banesës(subjekti privat kërkon lirimin e banesës).

Bashkitë duhet të kenë një qasje proaktive, jo pasive, ndaj strehimit social duke filluar me inkuadrimin e strehimi social në planifikimet urbane dhe duke aplikuar metoda bashkëkohore europiane, në bashkëpunim me sektorin privat të ndërtimit, për të kultivuar banesa sociale. Përpos detyrimit ligjor për t’u kërkuar subjekteve private dorëzimin e 3% të sipërfaqes së ndërtimit si stok banese sociale, për rastet kur është mbi 2000m2, për të cilën KLSH u ka lënë detyrë bashkive që mbledhja e këtyre aseteve të fillojë për çdo leje të dhënë që nga 30 nëntori 2018) , ndër praktikat e mira që mund të ndiqen janë :

detyrimin e sektori privat për përfshirjen e banesave me kosto të ulët në projektin e banesave që investon, e “subvencionuar” me ulje të taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe/ose mase tjetër;

·         Sektorit privat i lejohet të blejë truallin me një çmim “social” dhe të ndërtojë banesa sociale. Kjo shihet si një nga skemat më të suksesshme përgjatë vendeve të Europës.

·          Rreth 20% dhe 50% e banesave të ndërtuara duhet të jenë të përballueshme.

·         Ndërtimin vet të banesave sociale, duke prokuruar investimin.

Sa i përket ndryshimeve të reja ligjore, Ligji i ri Nr. 22/2018 “Për strehimin social”, ndonëse ndjek modele të mira europiane, rrezikon të mos ofrojë një zgjidhje reale për zbatimin e plotë të programeve sociale të strehimit, pasi shtrihet përtej asaj që përballojnë kapacitetet e bashkive. Në kushtet kur burimet e tyre financiare qenë të kufizuara për të menaxhuar një skemë strehimi me 3 programe, dinamika që ofron ligji i ri e bën më riskoz zbatimin e një skeme strehimi të ngarkuar me 5 programe.

Nga Redi Ametllari*

(*Autori është auditues në KLSH)

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2019 - 11:05

Instituti Ndërkombëtar për Studime i Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) me qendër në Ljubljana, Slloveni, vazhdimisht analizon ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe Ballkan.

Postuar: 19/09/2019 - 07:16

Aspak nuk është hiperbolizim i çështjes dhe as titull bombastik për të tërhequr vëmendjen e lexue

Postuar: 19/09/2019 - 07:15

Të qenit shërbestar nuk është të jesh “shërbëtor”, në konotacionin negativ të fjalës

Postuar: 19/09/2019 - 07:14

E para është fjala.

Postuar: 19/09/2019 - 07:12

Qëkur ka nxjerrë zhdekretimin e zgjedhjeve të 30-qershorit dhe deri tani Presidenti nuk po ndihet

Postuar: 18/09/2019 - 07:22

Struktura Speciale Kundër Korrupsionit, Byroja Kombëtare e Hetimit, janë kthyer gati tunduese për

Postuar: 18/09/2019 - 07:18

Dukuria e korrupsionit, kjo gangrenë e shoqërisë shqiptare i ka përfshirë të gjitha shtresat.