Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Studentët në auditore, militantët nëpër korridore!

Postuar: 11/01/2019 - 07:20

Në këta tridhjetë vjet të kësaj demokracie vetëm të oligarkëve apo demokracisë “oligarkike”, të gjitha qeveritë që kanë ardhur e kanë ikur, e kanë katandisur arsimimin e shoqërisë në gjendje të tillë që jo vetëm me tetë pika të studentëve dhe me ato që do të “shtojë” Rama nuk zgjidhen, por edhe sikur tetë mijë pika të vendosin studentët, përveçse do të bëhet një “lëmsh”, asgjë nuk do të zgjidhet.

Ndër qindra e mijëra probleme, unë do të veçoja vetëm njërën prej tyre, atë të cilësisë së mësimdhënies në shkolla e universitete, që nuk zihet në gojë! Cilësia e dobët në mësimdhënie apo blerja e diplomave, është arsyeja që deputetët hartojnë ligje demode dhe pedagogët diplomojnë “elifimatrakë”, duke bërë kështu që arsimi të shkojë vetëm prapa! Po kështu, edhe korrupsioni që bëhet nga pedagogë, dekanë e rektorë është një tjetër temë. Unë nuk i heq asnjë presje kërkesave prej tetë pikash të studentëve që tash së fundi, sipas porosisë së “partisë”, shtuan edhe atë për heqjen e Ligjit për Arsimin e Lartë. Nuk merret vesh nëse duhet hequr fare, të bëhet një ligj i ri, apo duhet përmirësuar ai që është. Këtu mpleksen shumë interesa edhe të qeverisë, edhe të studentëve, që kanë ç’të kërkojnë, edhe të mësimdhënësve, të cilët nuk janë të interesuar sepse cilësia e mësimdhënies, për ata është detyra e fundit! Po baza materiale në shkolla që ka mbetur ajo e mesit të shekullit të kaluar? As për këtë nuk flet kush. Nejse, këtë e kam sa për hyrje sepse tjetërkund e kam hallin...

Filloi protesta e studentëve me shumë bujë dhe po përfundon një vërrë në ujë”! Pse? Filloi mirë kjo protestë, nga e cila përfiton e gjithë shoqëria, por ja që politika e degjeneroi, e sfumoi dhe këtë të drejtë demokratike, nxituan ta përvetësojnë batakçinjtë “demokratë”! Askush nuk ka thënë deri më sot, që kërkesat e tyre nuk ishin të drejta dhe jo tetë pika që ata kërkonin, por edhe njëzet e tetë pika sikur të kërkonin, përsëri do të kishin të drejtë.. Shumica e tyre, janë të interesuar për të mësuar, për të marrë dije dhe për t’u aftësuar sa më mirë, për t’i dalë zot vetes dhe kërkesave të shoqërisë. Shumica e tyre vijnë nga zonat rurale nga një gjendje e vështirë ekonomike siç janë shumica dërrmuese e popullsisë sot. Këta studentë, që vijnë nga kjo shumicë, a kanë të drejtë të kërkojnë të drejtat e tyre për mësimdhënien, për kushtet e jetesës apo ato më kryesoret, të drejtat ekonomike? Ata kanë të drejta por ato “përvetësohen” nga ata që “luajnë” me të drejtat e tyre, që nga qeveria e deri tek universiteti dhe pedagogët. Këto të drejta i përvetësojnë edhe pedagogët mësimdhënës, që aq sa studentët paguajnë tarifat, shumë herë më shumë duhet të “paguajnë” edhe pedagogët dhe jo vetëm kaq, por ata “paguajnë” për të “fituar” paaftësinë! Jo vetëm që studentët kanë të drejtë, por kanë edhe të drejtën t’i shkulin “dhëmbët” një nga një kësaj qeverie, që po nuk i shkule “dhëmbët” nuk do që t’ia dijë. Por, ja që ka edhe të tjerë që nuk e kanë shumë problem as mësimin, as kushtet ekonomike dhe as kushtet e jetesës. Këta që përmendëm janë lart në “piramidë”, por ka edhe të tjerë spekullantë poshtë “bijtë e krerëve të Piramidës”! Bile, janë këta që bërtasin më shumë, që kërkojnë më shumë të drejta dhe që spekullojnë me këto të drejta. Kur them këtë, kam parasysh faktin që kjo pjesë nuk kanë nevojë as për dije, as për t’u punësuar nesër sepse të gjitha i kanë të siguruara, që sot jetojnë si europianë e shkuar europianëve. As konviktet ku jetojnë shumica e studentëve nuk i kanë parë ndonjëherë, por problemi është që “ankohet qerrja, ankohen edhe qetë”! Kjo pjesë që fshihen prapa emrit të nderuar të studentit, nuk e ka hallin tek plotësimi i tetë pikave të tyre, por hallin e ka se si të bëjnë rrëmujë, të marrin në dorë “flamurin” e të bëhen “flamurtarët” e rrëzimit të qeverisë! Këta janë pjesa e militantëve të partisë, që “mësojnë” nga partia. Këta janë bijtë e bijat e deputetëve, ministrave, gjyqtarëve, prokurorëve, dekanëve, rektorëve, biznesmenëve të lidhur me qeverinë apo me krerët e opozitës etj., etj., me ndonjë përjashtim të rrallë të ndonjë “të humburi” që kërkon të mbetet i ndershëm!

Oligarkët “udhëheqin” një popull që është më i varfëri në Europë dhe bijtë e tyre, sipas udhëzimeve që u japin, “udhëheqin” protestat e studentëve që ata të përfitojnë diçka. Ku i shkollojnë bijtë dhe bijat e tyre klasa e oligarkëve? I shkollojnë në vendet e BE-së dhe i punësojnë po atje, por që këtu, oligarkë, deputetë e ministra nuk bëjnë bojkot për përmirësimin e arsimit, por për “mustaqet e Çelos”! Moralin sot e bën i pamoralshmi, patriotin sot e bën tradhtari, drejtësinë sot e bën i paskrupulli, ligjin sot e bën ai që është “çakmak” nga ligjet! Rastësisht takoj djalin e një mikut tim. “Po shkoj në protestë”, më thotë. “Po mirë, i them, a keni shpresa që qeveria do të realizojë ato ç’ka ju kërkoni”? “Ore, ti akoma nuk e kupton? Nuk jam vetëm unë, por shumica e kolegëve të mi në fakultet, nuk duan të shkojnë, por kush na lejon se. Ai që nuk vjen në protestë, na thonë, t’i verë mirë gishtin kokës dhe të mos mendojë që do të kalojë lehtë”! Kjo ka qenë dhe mbetet një e keqe e madhe për këtë popull. Është shumë e qartë që studentët, janë një forcë e madhe për të vënë në “binarë” ç’do qeveri e ç’do dikaster të saj kur nuk merret me atë që e ka për detyrë dhe në rastin konkret me investimin ndoshta shumë më i rëndësishëm nga ç’do investim tjetër që ka të bëjë me të ardhmen e shoqërisë, me arsimimin e saj, aftësimin e kuadrove të ardhshëm për të përballuar sfidat e kohës dhe për të mos mbetur akoma në kohën e “kallashit” e të “tritolit”! Ata do të jenë një forcë e madhe kur kërkesat janë të drejta, janë të bashkuar e të vendosur për të çuar deri në fund ato që kërkojnë. Ja, këtë investim për të ardhmen duhet ta kërkojnë dhe ta kërkojnë deri në një, studentët, ata që e ndjejnë peshën e indiferentizmit qeveritar, peshën e “babëzisë” politike! Por, ja që nuk qenka e thënë...

Me shumë të drejtë u ngritën studentët dhe kjo ishte jo vetëm në interesin e tyre, por indirekt edhe në interesin e gjithë shoqërisë sepse e gjithë shoqëria ka nevojë të eci përpara me dinjitet e kulturë. Por, si kurdoherë në raste të tilla, edhe “sabotatorët” nuk do të mungojnë. Në luftë, nuk munguan as ata që donin të sabotonin atë, në fillimet e demokracisë, nuk munguan as ata që donin të sabotonin demokracinë, ashtu edhe në kërkesat e drejta të studentëve, nuk mungojnë ata që duan t’i sabotojnë ato dhe të marrin “peng” protestën e auditoret e t’i vendosin ato, në shërbim të partive. Kështu ndodh kur vendosen në krye ata që nuk e kanë vendin aty, kur kërkojnë barazi ata që kanë krijuar një hendek të thellë pabarazie, kur u “qajnë” hallin shtresave “të këputura” ata që notojnë në pasuri, kur të hedhin krahun ata që të urrejnë e u “therin” sytë edhe kur të shohin. Shkoi kudo i ndershmi për të gjetur të drejtën e tij dhe nuk e gjeti asgjëkundi. “Shkoni te Dielli”, i thanë! Shkoi atje dhe u verbua! Ku të shkojë qytetari të gjejë të drejtën e vet në këtë sistem? Asgjëkundi! Të ndershmit e fillojnë, por “sabotatorët” e minojnë, e degjenerojnë. Të tjerët i hanë kumbullat, të tjerëve u mpihen dhëmbët”!

Nuk po degjeneron kjo protestë, as nga indiferentizmi i qeverisë dhe as nga ajo që studentët janë “të kënaqur” me ato “thërrime” që u dha qeveria për të ruajtur karrigen e saj. Kjo protestë po degjeneron si gjithmonë nga brenda, nga vetë “paria” studentore, nga ata që janë “infektuar” me bindjet partiake, që përfaqësojnë interesat e opozitarëve për të marrë pushtetin, jo duke qëndruar në “vijën e parë” por në “skalonin e dytë. Hileqarë dhe zullumqarë, që qëndrojnë në “skalionin” e dytë shkojnë e u vendosin drynin klasave dhe konvikteve, që asnjë “i pabesë” të mos hyjë në auditor, të mos zhvillojnë mësim sepse kështu duan ata, “të fortët”! Edhe korridorët e auditorëve mbushen me karrige bosh, në shenjë simbolike që këto karrige, nesër të zihen nga ata që kërkojnë pushtetin me djersën e studentëve. Nuk i la Monika, as studentët, as nxënësit e shkollave të mbarojnë bakllavanë e Vitit të ri, por shkoi atje, në mes tyre, që ata të ngrihen në protestë. Nuk ja doli mbanë Monika as me “mjetet e dhunës” në Parlament, as me “Gardistët e Kuq” dymbëdhjetëvjeçarë dhe tani shpresa e saj e vetme për të marrë pushtetin janë nxënësit, studentët dhe LRI-stët! Studentët dhe nxënësit e shkollave janë më të pafajshmit e shoqërisë, veç të tjerave edhe për vetë moshën që kanë. Pikërisht me këta kërkon të spekullojë Monika, Luli, Klevisi, Salianji etj. Këtë, ajo dhe kolegët e saj opozitarë e kërkojnë me ngulm pa ardhur “Gogoli” që duket në horizont, “SPAK”-u. Këtij “gogoli” i tremben edhe të gjithë ata opozitarë të tipit Boçi, që vihen në krye të protestave të studentëve. Këtë frikë e kanë edhe ata të tipit Klevis, që vihet në krye të banorëve të Astirit, që atyre u “digjet” mjekra e Klevisi shkon për të ndezur “cigaren”. Banorët e Astirit kërkojnë të drejtat e tyre, kurse Klevisi i pajis ata me flakadanë dhe i nis në drejtim të Surrelit! Tek i sheh këto skena qesharake të kujton turqit e kohës së Skënderbeut me ura zjarri që shkojnë të pushtojnë Kalanë e Krujës dhe duket sikur Klevisi po bën një gjë të mirë në kuadrin e vitit të Skëndërbeut! Vendi i Klevisit është atje në parlament, atje tek votuesit e tij që të ngrejë zërin për të drejtat e të gjithëve dhe jo në Surrel, sepse ka kush merret me shtëpinë e kryeministrit! A ka vallë moral Luli të shkojë e t’u qajë hallin banorëve të Astirit,që protestojnë për të mos mbetur në mes të katër rrugëve? Aq sa ata banorë kërkojnë për banesat e tyre, aq ka vetë Luli me grabitjet që ka bërë. U bën atyre moral, njeriu më i pamoralshëm i shoqërisë, Luli “gjembi”! Thërrasin të gjithë, këlthet edhe Luli. Dy vetë janë e një hall nuk e kanë! Ca bërtasin për të ngrënë, e ca të tjerë bërtasin nga të ngrënët e tepërt!

Nga Pandeli BARDHI       

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/01/2019 - 07:27

Unë jam njeriu i fundit që mund t’i jap këshilla kryeministrit të vendit tim si duhet të bëjë me ministrat. Të emërojë, të heqi apo t’i mbajë monumente të pandryshueshme deri në fund të mandatit.

Postuar: 18/01/2019 - 07:19

Eurozona, tërësia e ekonomive të 19 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me një monedhë të përba

Postuar: 18/01/2019 - 07:17

Ndarja nga jeta e një njeriu, është një gjë që i ndodh gjithkujt sot e mot, por lindja e një njer

Postuar: 18/01/2019 - 07:16

Nuk besoj se ka kaluar kaq shumë kohë nga momenti kur u rrëzua, u këput dhe u falimentua "pe

Postuar: 17/01/2019 - 07:19

Në cilën demokraci të botës është parë që një Drejtor i Përgjithshëm policie merr nën mbrojtje, g

Postuar: 17/01/2019 - 07:15

Dje studentët bllokues të mësimit në një fakultet të Universitetit Shtetëror të Tiranës perifrazo

Postuar: 17/01/2019 - 07:12

“Doktoresha e shkencave” në Konventën e LRI-së, me shpjegimet shkencore që bëri për l