Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Studentët nuk janë skllevër, ata duhet të kenë të drejta!”/ Fuga: Dukuni! Lëvizni! Pres nga ju!

Postuar: 28/08/2018 - 14:01

Një grup studentësh i kanë drejtuar para disa ditësh një letër rektorit të Universitetit të Tiranës, publikuar dhe në disa media, ku i kërkonin që pas diplomimit të merrnin pa vonesë dokumentin. Pas letrës Rektori u është përgjigjur duke u thënë se do të mundohej sa më shpejt ta zgjidhte problemin, për të cilin nuk ishte në dijeni.
 
Për këtë qëndrim të tyre, studentët kanë kërkuar dhe mendimin e akademikur Artan Fuga, i cili u kërkon studentëve që të luftojnë për të drejtat e tyre, duke u dhënë dhe disa këshilla.
 
Fuga ndër të tjera shprehet se nuk është dakord që në statutin e UT që po debatohet prej muajsh në senatin e UT, të drejtat e studentëve dhe ato të pedagogëve janë pothuajse inekzistuese.
 
“Unë nuk do të pajtohem kurrë me këtë gjendje të turpshme. Ngaqë studentët nuk kanë të drejtat e duhura, vijnë edhe shqetësime si ky i juaji’, shkruan Fuga, ndërsa u kërkon studentëve që të lëvizin e të reagojnë.
 
Letra e studentëve dhe reagimi i Artan Fugës:
 
Studentët nuk janë skllevër, ata duhet të kenë të drejta!
———————-
Përgjigje një grupi studentësh që kërkojnë të pajisen me dokumentin e diplomës!
————————
 
Përshëndetje profesor!
Uroj të jeni mirë dhe punët t’ju kenë shkuar mbarë!
Kërkoj ndjesë për shqetësimin, por dua të ndaj diçka me ju, në emër të një grupi studentësh.
Para disa ditësh postuam në portale një letër për rektorin e Universitetit të Tiranës, dhe gjithashtu ia nisëm edhe atij letrën. Disa portale nuk e pranuan, por gjithsesi arritëm ta postonim. Rektori na ktheu përgjigje “pozitive”, duke na thënë se do të mundohej sa më shpejt ta zgjidhte problemin, për të cilin nuk ishte në dijeni.
Ajo çka na bëri përshtypje pas kësaj, ishte se, në facebook na erdhi një njoftim që dëshmonte se ky postim ishte i padëshiruar për disa njerëz dhe duhej të fshihej. Nuk e dimë kush mund ta ketë bërë, por fatmirësisht postimi vazhdon të jetë.
Edhe diçka tjetër, vumë re se shumica e profesorëve tanë nuk reaguan. Me mosreagime të tilla jemi mësuar, por në këtë rast nuk e prisnim.
Kemi nevojë për mendimin tuaj.
Letrën po jua dërgojë poshtë.
Faleminderit!
 
Anxhela Lepuri
—————————————
Përgjigje:
 
Prof. dr. Artan Fuga :
 
Studentët nuk janë skllevër, ata duhet të kenë të drejta në sistemin universitar publik dhe privat
——————————————-
 
Përshëndetje Anxhela,
 
e mora shënimin tênd që m’a dërgoje bashkë me letrën tuaj, të një grupi studentësh, drejtuar rektorit të Universitetit të Tiranë, ku kërkonit që studenti, pas diplomimit, të merrte pa vonesë dokumentin e diplomës përkatëse.
 
Ndonëse më drejtoheni në mesenxher, unë po përgjigjem publikisht, hapur, sepse kështu parapëlqej, por edhe sepse çështja që ngrini është me interes për të gjithë studentët, si edhe sepse ju letrën drejtuar rektorit të Ut e keni bërë publike.
 
Përsa më keni shkruar po ju komunikoj këtë qendrim personal:
 
Kërkesa e studentëve për të marrë menjëherë dokumentin e diplomës pas përfundimit të studimeve përkatëse është plotësisht e drejtë. Për këtë nuk ka asnjë justifikim as ekonomik, as financiar, as burokratik, që të realizohet menjëherë në të gjitha universitetet shqiptare.
Unë mendoj madje që duhet parashikuar edhe afati sa më i shpejtë brenda të cilit studenti pasi shlyen të gjitha detyrimet pajiset me këtë diplomë si edhe rregulla të tjera lidhur me këtë procedurë.
 
Meqë ju kërkoni edhe mendimin tim për letrën tuaj drejtuar rektorit të UT, them se bëni shumë shumë mirë që paraqisni kërkesat tuaja. Poqese do të m’a kishit kërkuar këtë mendim dhe ndihmesë më parë, pra paraprakisht, do të kishte qenë në kohën e duhur sepse vërtet do të kisha dhënë edhe disa mendime se ku të drejtoheshit me efikasitet paraprakisht, si ta përcillnit letrën tuaj, si edhe si ta shkruanit atë me argumente më të forta dhe me një stil edhe më adekuat e pa shtesa ideologjike në të tilla raste. Por, pavarësisht këtyre, thelbi i letrës suaj është një kërkesë e drejtë. Eshtë shumë mirë që zoti Rektor u ka dhënë angazhimin e tij për zgjidhjen e saj dhe besoj se kështu do të ndodhi.
Ju u shprehët se disa portale nuk e publikuan letrën tuaj, madje edhe profesorë tuaj, vini në dukje, nuk kanë reaguar ndaj shqetësimit tuaj. Këtu nuk duhet të mërziteni dhe të bini në pesimizëm. Eshtë e drejta e portaleve që të botojnë ose jo dokumenta, kërkesa, letra, etj. Por, mos mendoni që diçka që ka rëndësi për ju, ka rëndësi të njejtë edhe për botuesit e portaleve. Kjo është “abc” – ja e komunikimit. Ndërkohë, me të drejtë kërkoni një ndjeshmëri më të madhe nga ne pedagogët. Drejt e keni! Por, në këtë rast, mos e merrni për indiferentizëm. Unë jam i bindur se të gjithë pedagogët e konsiderojnë shumë të drejtë kërkesën tuaj. Por, jo të gjithë kanë mundur të njihen me të. Unë vetë u njoha me të kur m’a adresuat kërkesën tuaj në mesenxher. Aq më shumë që kjo është punë e administratave dhe kancelarëve dhe jo e pedagogëve.
Unë problemin tuaj e mora vesh pasi ju më shkruajtët drejtpërdrejt. Prandaj, sapo u vura në dijeni, po reagoj menjëherë në të mirë të plotësimit të së drejtës që studenti të pajiset shpejt e pa vonesa me diplomën përkatëse. Ju jap fjalën që në mbledhjen më të parë të senatit akademik, nëse problemi nuk është zgjidhur deri atëhere, do ta ngre me peshën e vet këtë problem. Kam bindje gjithësesi se administrata do ta ketë zgjidhur problemin deri atë ditë.
Përtej çështjes tuaj, shumë e rëndësishme, unë dua të tërheq vëmendjen tuaj si edhe të të gjithë studentëve të universiteteve të Shqipërisë, që të bëhen aktivë dhe të dalin nga gjendja e skllavërisë moderne sepse të drejtat e tyre janë fare të zbehta në ligjin për arsimin e lartë.
Unë kam ngritur me forcë që edhe në projektin statutin e UT që po debatohet prej muajsh në senatin e UT, të drejtat e studentëve dhe ato të pedagogëve janë pothuajse inekzistuese.
 
Me këtë nuk pajtohem dhe as do të pajtohem kurrë!
 
Unë nuk do të pajtohem kurrë me këtë gjendje të turpshme. Ngaqë studentët nuk kanë të drejtat e duhura, vijnë edhe shqetësime si ky i juaji.
 
Unë jam edukuar me frymën e revoltave studentore të vitit 1968 në Europë ku veç të tjerave, ata kërkuan të drejta për rininë kundër abuzimeve nga ana e burokracive politike dhe administrative të çdo sfere dhe niveli.
 
Në projekt-statutin e paraqitur nga ana e grupit të punës gati thuhet që studenti ka vetëm të drejtë të studjojë!!!
 
Kjo është detyrë edhe jo e drejtë!
 
Për këtë arsye kam qenë dhe jam kundër cungimeve dhe shtrëmbërimeve të tilla në atë projektstatut dhe për këtë kam përgatitur një dokument me rreth 20 të drejta themelore për studentët në Universitetin e Tiranës, që është padyshim lokomtiva e sistemit arsimor në Shqipëri pavarësisht të metave apo edhe dhe sulmeve të padrejta ndaj tij.
 
Unë kërkoj ndihmesën tuaj që të drejtat e studentëve, jo talljet me to, të përfshihen në statutet e të gjitha universiteteve publike dhe private, në ligjin për arsimin e lartë që po tregohet si i pazbatueshëm, dhe ka krijuar amulli në sistemin arsimor.
 
Ju me të drejtë kërkoni që pedeagogët të mos u lënë vetëm. Unë ju bëj thirrje të mos na lini vetëm kur luftojmë për të drejtat tuaja që ato të formulohen në statutet universitare.
 
Dukuni! Lëvizni !
 
Jo vetëm kur preket interesi juaj i drejtpërdrejtë!
 
Ju nuk jeni skllevër pa të drejta. Me skllevër nuk bëhet dot asnjë universitet! Studenti në qendër të mësimdhënies universitare!
 
Pres nga ju!
 
Me dashamirësi,
 
Artan Fuga

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 1. Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/09/2018 - 07:28

Që Shqipëria është vend paradoksesh, kjo tashmë është një "sukses" i njohur i saj, por që paradoksi të jetë kaq "paradoksal" sa që të kthehet në grotesk, kjo pastaj është vërtetë një "instalac

Postuar: 21/09/2018 - 07:27

A u ka qëlluar të keni parë ndonjë qen, që ka frikë të afrohet dhe shtje dhëmazi nga larg?

Postuar: 21/09/2018 - 07:23

Një ditë pas protestës të kuksianëve kundër tarifës në “Rrugën e Kombit” kundër

Postuar: 20/09/2018 - 09:38

Është kthyer në vijë sjelljeje tek ne të bërit politikë, duke mbrojtur paligjshmërinë nën flamuri

Postuar: 20/09/2018 - 09:35

Opozita në Shqipëri vazhdon të mbetet e "munguar" për vetë faktin sepse ajo nuk mund të

Postuar: 20/09/2018 - 09:33

Një nga studiot e fundit politike mes dy personave të rinj në politikën e lartë të parlamentarizm

Postuar: 19/09/2018 - 07:25

Përmbysja e pushtetit të Demokracisë Popullore, që u ligjërua pas zgjedhjeve farsë të 22 marsit 1