BREAKING NEWS

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e antimafias italiane, paralajmëron Artan Hoxha dhe zbulon emrin kush është ‘peshku i madh’

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e
x

Kultura

Studiues dhe shkrimtarë: Biblioteka Kombëtare në 2020 sukses vetëm me ekspozitat, shpresojmë që të jetë më funksionale këtë vit

Studiues dhe shkrimtarë: Biblioteka Kombëtare në 2020 sukses

Biblioteka Kombëtare duhet të jetë më funksionale dhe e dobishme gjatë vitit të ri, që ka nisur. Kur jemi në ditët e janarit 2021, shkrimtarë dhe studiues të ndryshëm shprehen se duhet të ketë më shumë vëmendje për Bibliotekën Kombëtare, që sipas tyre duhet të jetë më funksionale. Reagimi i shkrimtarëve dhe studiuesve vjen pas pohimit që bëri ministrja e Kulturës Elva Margariti, ku në një status të saj shkruante se Aneksi i Bibliotekës Kombëtare do të kthehet një qendër libri. “E lënë në harresë prej dekadash, nga një magazinë librash, Aneksi i Bibliotekës Kombëtare do të kthehet në një qendër të librit, komunikimit dhe teknologjisë”, shprehej në një status të saj ministrja e Kulturës. Edhe pse autorë të ndryshëm e shikojnë pozitive këtë projekt, ata shprehen se Biblioteka Kombëtare ka ende plagë nga zjarri dhe uji. Shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati projektin që pohohet për Aneksin e Bibliotekës Kombëtare e cilëson si të mbarë, por thotë se vëmendja e Ministrisë së Kulturës duhet të jetë më e madhe për tempullin ku merret dija. “Ideja e ministres së Kulturës Elva Margariti është e bukur dhe e mbarë, që Aneksi i Bibliotekës Kombëtare të kthehet në qendër libri. Por vëmendja e Ministrisë së Kulturës duhet të jetë te Biblioteka Kombëtare. Ai është tempulli ku merret dija. Realisht nuk po i dëgjohet zëri. Ende ka plagë zjarri e uji. Shpresojmë që ky tempull të jetë më funksional dhe i dobishëm për vitin 2021 e në vazhdim”, shprehet mes të tjerave në reagimin e tij Xahid Bushati, shkrimtar dhe studiues që herë pas here ka folur për probleme që janë me këtë institucion me shumë rëndësi për librin.

Më pranë lexuesve

Në reagimin e tyre shkrimtarë dhe studiues shprehen se në vitin që lamë pas situata me pandeminë ndikoi në aktivitetin e Bibliotekës Kombëtare, por ky institucion duhet jetë dhe më pranë lexuesve. Për shkrimtarin dhe studiuesin Xhahid Bushati, në vitin 2020 që lamë pas u tregua sukses me ekspozitat. “Dyert të hapen sa më shumë për lexuesit dhe studiuesit. Vitin që shkoi Biblioteka Kombëtare pati sukses vetëm te disa ekspozita. Për mua objektivi kryesor është që lexuesit të kulturohen e studiuesit të thellojnë arritjet e studimeve të tyre”, thotë më tej shkrimtari Xhahid Bushati. Në reagimin e tij studiuesi Behar Gjoka thotë se flitet për projekt te Aneksi i Bibliotekës Kombëtare, por është gjëja më e vogël për një institucion si Biblioteka Kombëtare. “Kur bibliotekën e zëvendëson me aneks, aneksi është gjëja më e vogël e një shtëpie, e jo më e një biblioteke. Ta gëzojë aneksin Margariti”, thotë studiuesi Behar Gjoka, në reagimin e tij. Edhe më parë ministrja e Kulturës ka vizituar këtë godinë, për të parë problemet. Kjo ngrehinë është e lidhur ngushtë me dy ngjarje historike për Shqipërinë dhe Tiranën. Pas 500 vjet sundimi otoman, më 26 nëntor 1912, në sheshin përpara saj u ngrit flamuri i Pavarësisë për qytetin e Tiranës. Ndërtesa vazhdon të jetë edhe sot pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Këtu është vendosur fondi i literaturës së huaj. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Në vitin që lamë pas, 100 -vjetori Bibliotekën Kombëtare e gjeti në ditët e saj më të këqija me mungesë të plotë hapësirash. Koleksioni i saj historik i ka fillimet që në vitin 1917.  Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luftës së Parë Botërore.