BREAKING NEWS

“Vangjush Dako ishte lidhje direkte e Ramës”/ Artan Hoxha zbardh detaje të reja nga arrestimi i ish-kryebashkiakut të Durrësit: Janë bërë tentativa që...

“Vangjush Dako ishte lidhje direkte e Ramës”/ Artan Hoxha
x
BREAKING NEWS

“Fletë-arresti për Dakon u pre të premten”, Artan Hoxha zbulon detaje të reja: Ja pse nuk u zbatua menjëherë urdhri i SPAK

“Fletë-arresti për Dakon u pre të premten”, Artan
x
BREAKING NEWS

Plagosi bashkëshorten në Korçë, vetëdorëzohet autori

Plagosi bashkëshorten në Korçë, vetëdorëzohet
x
BREAKING NEWS

Kryeministri Rama takim me ambasadoren Yuri Kim pas arrestimi i Dakos nga SPAK (Detajet)

Kryeministri Rama takim me ambasadoren Yuri Kim pas arrestimi i Dakos nga SPAK
x
BREAKING NEWS

“Është i gatshëm të ballafaqohet me drejtësinë”/ Avokati zbulon ku ndodhej Vangjush Dako në momentin që doli urdhër-arresti

“Është i gatshëm të ballafaqohet me
x
BREAKING NEWS

Arrestimi i Vangjush Dakos, analisti i njohur zbulon skenarin: Një situatë e tillë i intereson kryeministrit apo po detyrohet...

Arrestimi i Vangjush Dakos, analisti i njohur zbulon skenarin: Një
x
BREAKING NEWS

“SPAK nën trysnin e ndërkombëtarëve”/ Arrestimi i Vangjush Dakos, reagon avokati i tij: Ja për çfarë akuzohet

“SPAK nën trysnin e ndërkombëtarëve”/ Arrestimi
x
BREAKING NEWS

Avokati Hazizaj zbardh detaje nga arrestimi i Vangjush Dakos me urdhër të SPAK: Masa e sigurimit me burg nuk është e duhura, ja çfarë rrezikon ish-kryebashkiaku

Avokati Hazizaj zbardh detaje nga arrestimi i Vangjush Dakos me urdhër
x

Opinion / Editorial

Sugjerim për demokratët

Sugjerim për demokratët

Përderisa Evropa është kontinenti ku ndodhën shkatërrimet, shpërnguljet dhe gjenocidet më të mëdha përgjatë Luftës së Dytë Botërore, rimëkëmbja shumë e shpejtë e saj jo vetëm që ngjall befasimin dhe admirimin e cilitdo vëzhguesi, por njëkohësisht krijon dëshirën për ta studiuar dhe për të mësuar sa më shumë nga Evropa. Këtë të dytën tenton të bëjë edhe historiani Tony Judt, nëpërmjet librit të tij “Postwar, A History of Europe Since 1945” (Vintage Books, London 2010). Ajo që pak a shumë ky libër (sipas meje) sugjeron është se të këqijat dhe vetë Lufta e Dytë Botërore Evropës i erdhën si pasojë e indoktrinimit, nacionalizmit, urrejtjes, shtypjes dhe mungesës së arsyes. Ndërkaq, të mirat dhe vetë rimëkëmbja shumë e shpejtë mbas luftës, Evropës Perëndimore i erdhën si pasojë e largimit nga indoktrinimi, nga shtypja, nga urrejtja, nga nacionalizmi dhe nga mungesa e arsyes.  Siç e vë në dukje autori (faqja 157), të gjithë nënshkruesit e Traktatit të Parisit (1951) që krijoi Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut ishin demokristianë dhe tre prej tyre (Schuman, Adenauer, De Gasperi) kishin lindur në zona me kufinj dhe identitet të paqëndrueshëm. Disa vite më parë njerëz me bindje katolike dhe me identitet jo të qartë ideologjik apo gjuhësor do ta kishin të vështirë, në mos të pamundur, që të ngjiteshin aq lartë në pushtet. Mirëpo Lufta e Dytë Botërore i kishte shkatërruar të gjitha normat e Evropës së viteve 1910-1945 dhe kishte kthyer tashmë në sipërfaqe parti, figura dhe vlera që i përkitnin Evropës së para-luftës. Të tillë ishin pothuajse të gjithë udhëheqësit demokristianë që krijuan Komunitetin Evropian dhe në kundërshtim me paraardhësit e tyre në pushtet (fashistët, nazistët, nacionalistët, socialistët dhe komunistët), këto figura të rikthyera në skenën politike të Evropës, pas një mungese pothuajse pesëdhjetë vjeçare, nuk kishin ndonjë ideologji të qartë politike apo ndonjë manifest të pandryshueshëm partiak. Programi politik i tyre përkufizohej vetëm në disa receta të vjetra të frymës kristiane, siç ishin familja, tradita, solidariteti, mirëqenia dhe terma të tjerë që në Evropën e disa viteve më parë përqesheshin dhe heshteshin, kurse tani (në Evropën e zgjuar nga errësira dhe tmerri i luftës) i rikthehen ndërgjegjes masive jo si zgjidhje apo propozime konkrete, por më tepër si terma që përcjellin mbi të gjitha ndjesi, shpresë apo ngrohtësi, në një kontinent sa të plagosur nga lufta, po aq edhe të pasigurt. Duhet përmendur këtu, sigurisht, që kapërcimi apo thyerja e një fryme pesëdhjetë vjeçare dhe kthimi në një traditë pothuajse të harruar politike (në traditën demokristiane) nuk ishin gjëra që ndodhën vetvetiu dhe automatikisht në Evropën e mbas-luftës. Nuk ishin si të thuash pjesë logjike të planit B apo zgjidhje që popujt e Evropës Perëndimore i ruanin në rast se u dështonte plani A. U deshën dhjetëra sakrifica (dështime, shkatërrime, vdekje) dhe një ndërhyrje e fuqishme nga SHBA që Evropa t’i rikthehej një identiteti të vjetër politik, një identiteti që për pesedhjetë vite rresht ose ishte shtypur ose ishte përqeshur nga partitë nacionaliste dhe ato socialiste. Ajo që u desh po ashtu, për këtë ringjyrosje politike të Evropës Perëndimore, ishte pa dyshim edhe ndryshimi radikal i elektoratit.  Siç e përmend Tony Judt (faqja 80), avantazhin elektoral partitë demokristiane do ta arrinin vetëm në sajë të grave. Thënë shkurt, babagjyshë të dalë mode, si Konrad Adenauer në Gjermani dhe Alcide De Gasperi në Itali, ndoshta nuk do të mbeteshin në histori, po të mos ishte për ato miliona gra që duke humbur djemtë, vëllezërit, etërit dhe burrat e tyre, tani më shumë se kurrë ua jepnin votën atyre politikanëve që premtonin siguri dhe paqe, në vend se t’ua jepnin atyre që premtonin aventura të reja (të njërës apo tjetrës ideologji).  Edhe pse gratë e atyre viteve ishin më pak të shkolluara se gratë e sotme, kontributi i tyre në ndryshimin thelbësor të Evropës ndodhi nëpërmjet zgjedhjes dhe votës, në një kohë kur miliona burra kishin vrarë dhe sakatuar shoqin, për njërin apo për tjetrin flamur, për kauza të çfarëdoshme, kauza që një moment e tutje do të viheshin në pikëpyetje, do të hidheshin poshtë, do të urreheshin dhe madje do t’i bënin shumë nga këta burra të rekrutuar që të ndiheshin me turp dhe me faj përpara familjeve të tyre.  Ndonëse Shqipëria sot nuk është në të njëjtën gjendje me Shqipërinë dhe Evropën e viteve 1940, unë bëj pjesë tek ata të cilët besojnë se gjithmonë mund të mësosh gjëra të dobishme nga historitë e shkuara. Kjo, pak a shumë, është edhe arsyeja përse i mora pak kohë lexuesit me mendimet e mia rreth librit “Postwar, A History of Europe Since 1945” të Tony Judt. Faktet dhe leksionet e përmbajtura në libër mu dukën interesante, ndërsa ato pak gjëra që vetë i citova më sipër besoj se i shërbejnë mjaftueshëm qëllimit tim për të këshilluar demokratët dhe cilindo lexues. Edhe pse Shqipëria sot nuk është zgjuar nga ndonjë luftë, pamja dhe ndjesia që ajo të dhuron nuk lë aspak për të dëshiruar, madje duket sikur ai vend ka nevojë për shpëtim. Ashtu si Evropa mbas Luftës së Dytë Botërore, edhe pjesa më e madhe e Shqipërisë sot ngjan me një vend të braktisur, të rrjepur, të ndotur dhe të rrënuar. Ashtu siç Evropa mbas lufte kishte surplus grash të veja apo të pamartuara ndonjëherë, edhe Shqipëria sot është nje vend ku femrat përbëjnë shumicën e banorëve, shumicën dërrmuese të studentëve, shumicën e krahut punëtor, shumicën e elektoratit. Ashtu sikurse Evropa mbas Luftës së Dytë Botërore ishte zhytur në një boshllëk identiteti, ideologjie, besimi dhe morali, ashtu edhe Shqipëria sot po i përjeton të gjitha këto mangësi dhe boshllëqe. Ashtu siç Evropa përjetoi tranzicionin nga fashizmi drejt demokracisë, edhe Shqipëria sot vazhdon rrugëtimin e saj për t’u shkëputur nga e shkuara komuniste (ndonëse më me pak sukses se Evropa). Në këtë stazh “post bellum” dhe tranzicioni tridhjetë-vjeçar që ka hyrë Shqipëria për shkak të keq-qeverisjes, korrupsionit dhe nihilizmit moral, jam i besimit që Evropa e mbas-luftës mund të na shërbejë si një shembull dhe mësim i mirë. Megjithëse Historia e Evropës nuk është e mjaftueshme për ta nxjerrë Shqipërinë nga krizat ekonomike (ku faktorët janë të disa llojshëm), nga kjo histori ndoshta mund të mësohet shumë për ta nxjerrë Shqipërinë nga krizat e saj politike dhe morale. Siç u tha më sipër, Evropa arriti ta kalojë krizën e vet morale duke u kthyer tek një e shkuar e vjetër, tek një traditë demokristiane që më shumë se çdo gjë tjetër flet për pajtim, mirëqenie dhe drejtësi. Në Shqipëri nuk kemi pasur kurrë një traditë të tillë. Mirëpo duke qenë të vendosur kaq pranë me pjesën tjetër të Evropës, ka ardhur koha që të mësojmë prej saj dhe shumë gjëra t’ia diktojmë vazhdimisht vetes. Po ashtu, nëse këtë nevojë për mësim dhe vetëndreqje nuk e kemi me shaka dhe as nuk e bëjmë sa për të hedhur hi në sytë e ndërkombëtarëve, atëherë pajtimin, mirëqenien dhe drejtësinë nuk i recitojmë vetëm në fushata zgjedhore, por i kthejmë në vepër. Nëse opozita e vendit e ka seriozisht dëshirën e saj për të parë një Shqipëri ndryshe, atëherë ajo e para duhet që këtë frymë evropiane dhe demokratike ta zbatojë tek vetja. Është bërë zakon i keq shqiptar që shefat të diktojnë, kurse gjithë të tjerët (sidomos gratë) të binden. Me këtë zakon Edi Rama dhe partia e tij vazhdojnë me këmbëngulje të qeverisin keq e mos më keq (dhe të mos skuqen fare me skandalet e përmuajshme), kurse Sali Berisha dhe partia e tij të humbin çdo herë dhe më keq. Ndonëse Sali Berisha dhe vartësit e tij humbjen e radhës ua atribuojnë sistemit elektronik dhe shitblerjes së votës, një gjë e shëmtuar që ndodhi në këto votime ishte përfaqësimi shumë i dobët i grave.  Po të ketë dikush parasysh që Shqipëria është vendi ku gratë përbëjnë shumicën e elektoratit, shumicën e krahut punëtor dhe ato (në kundërshtim me gratë e viteve 1940) sot për sot përbëjnë shumicën dërrmuese në të gjitha gjimnazet dhe universitetet shqiptare, atëherë kandidimi i tyre i vakët për njëmbëdhjetë përqindëshin e posteve bashkiake vetëm si turp kombëtar mund të shikohet. Turp për partinë në pushtet, turp edhe për partitë në opozitë.  Në këtë gjendje ku gjenden Shqipëria e keq-qeverisur dhe opozita dështake, besoj se ka ardhur koha që vendimmarrësit shqiptarë në fillim të shikojnë veten në pasqyrë dhe pastaj t’u japin mend të tjerëve. Nëse opozita dëshiron vërtet që në votimet e ardhshme të lindë një Shqipëri e re, atëherë gratë të mos i përdorë për zbukurim dhe fasadë, por t’u japë atyre sa më shumë zë (të lirë) dhe mundësisht t’i vendosë në kryesinë e vet. Nëse opozita dëshiron që ta zgjerojë elektoratin e saj, atëherë për kryetarë të vërë njerëz që flasin gjuhën e shumicës dhe jo njerëz që u japin urdhra shumicës.  Gratë sot janë shumica në Shqipëri, janë shumica dërrmuese në universitetet shqiptare, dhe ndoshta vetëm me ndihmën dhe kontributin e tyre (të lirë dhe të pa imponuar nga shefat meshkuj) vendi do mundet të dalë nga humnera ku e kanë zhytur arroganca e Edi Ramës dhe opozita e dështuar e treshes mashkullore Basha-Meta-Berisha.