Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sulmi mbi gjuhën është sulm mbi vërtetësinë kombëtare

Postuar: 17/10/2019 - 07:19

Mbase jo te niveli fillestar, por në një ecuri të frikshme e të njëtrajtshme po përjetojmë një sulm frontal jo të zakonshëm, por me një papërmbajtje të habitshme, mbi shkencat historike, artin, kulturën e vendit tonë. Nuk kam ndërmend aspak të prek çështjet historike dhe të përmbysjes së tyre, ku tradhtarët si asnjëherë në ndonjë vend të botës, rifigurohen dhe dalin heronj teksa heronjtë nëpërkëmben dhe për “marrëzitë e tyre” dalin tradhtarë. Plumbat në Paris kundër Esat Toptanit, dajës së Ahmet Zogut, do të zëvendësoheshin si për inat të Avni Rustemit gati një shekull më vonë, me shtatoren prej bronzi të Zogut, sikurse dhe kryetradhtari Mithat Frashëri, do të ringjallej një ditë të bukur, si një kryeatdhetar e demokrat i përmasave kombëtare. Por tashmë, duke qenë se qeveria e përmbushi detyrën e vet me priftërinjtë dhe diversantët vërehet se sulmin e kanë drejtuar kundër gjuhës dhe kulturës së popullit tonë. Kjo mbase jo me shkresa e dokumenta duke ngritur organizma të veçantë dhe ligjëruar me vulën e qeverisë, si ai që shpallën dikur me emrin e çuditshëm “ Institmut-hi i krimeve të komunizmit”, por kjo e fundit është disi më moderne e pashpallur zyrtarisht, duke i dhënë të drejtën e qytetarisë, të jetë prezente që nga majat më të larta të piramidës shtetërore, Kuvendi, prokurori e gjykata, universitete të çdo lloji e deri te karrocierët e kanaçeve alumini apo shisheve plastike të çdo marke qofshin ato. Fjala, nuk është vetëm te arti i cili gradualisht po degjeneron në një zbrazëtirë si shkretëtirat e Saharasë, as te sforcimet dhe ngërdheshjet e disa drejtuesve të emisioneve që më për shtat u shkon biberoni në gojë, se sa mikrofoni e që lozin me të si kalamajtë e një kopshti në Tiranë. Gjithashtu, fjala nuk është as te libri “Vrima” që autori na e përmend, na kujton madje dhe na mëson ca gjëra që nuk i dimë dhe për dreq i japin çmimin “Lumo Skëndo” (sikur ta kishin ditur që Tatja na qenkësh një pusht i madh). Po atëherë ku është problemi nëse nuk qenka asnjëra nga këto?! Problemi thelbësor, nga ku zënë fill të gjitha këto rrjedhoja, është pikërisht te sulmi dhe nëpërkëmbja, që i bëhet gjuhës tonë. Le të flasin sa të duan, le të betohen edhe përpara altarit të “Nënës Shqipëri”, apo në altarët e priftërinjve, le të shkojnë po të duan dhe në xhami e të ulin kokën poshtë e “tajaren” lart, duke ju drejtuar Allahut, po sa vlerë do të kishte kjo kur të nesërmen anëtari më në zë i qeverisë na përmend në popull fjalët “lungomare” e “ pedonale” dhe mbas tij të gjithë qeveritarët apo deputetët tanë kalojnë mbi “by pass” apo në “rotondo” në kërkim të një “part time” apo “full time” etj. etj. Nuk ia vlen më aspak që të sjell shembuj të tjerë, sepse për fatin e keq e tragjik që po kalon gjuha jonë, janë me qindra fjalë të huaja të cilat në mënyrë graduale kanë filluar sulmin kundër identitetit tonë kombëtar. Dikush mundet edhe të nënqeshi, por sa për kujtesë e orientoj të lexojnë “Rilindasit” tanë, të lexojnë të gjitha ato përpjekje deri në flijim të jetë së tyre, për fjalët dhe gërmat shqipe që e kanë origjinën nga vendimet e Kongresit të Manastirit dhe as nga Roma-Londra- Parisi apo Athina. (Po kjo “rilindja moderne” bashkë me kryetarin e saj si nuk shkon në gjurmët e të parëve tanë, po ngelën duk na çarë veshët me fjalë të huaja?). Sa për Saliun, as që bëhet fjalë, sepse ai dhe intervistat brenda Shqipërisë në italisht i jep në gjuhën “hindu” me qëllim të caktuar – që të mos e kuptojë asnjeri, bile as ai veten e vet (paçka se kuptimin e kanë në serbisht)! Ahhh këta djemtë plangprishës që nuk ecën aspak në rrugën e etërve, ku shumë prej prindërve të tyre, kanë qenë dhe pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, e cila ishte dhe ngelet një fitore e madhe historike, në fushën e kulturës tonë kombëtare. Nëse ajo në atë kohë mori vlera të mëdha atdhetare, për ta njehsuar gjuhën për ta bërë “Një” për të gjithë kombin, sot merr vlera edhe më të mëdha. Ta zëvendësosh fjalën e bukur shqipe “shëtitore” me “pedonale” apo “bregdet” me “lungomare” pa një pa dy është nënvlerësim i gjuhës tënde. Kurrë dhe për asnjë moment nuk duhet ngatërruar koncepti i mësimit të gjuhës së huaj dhe respekti ndaj saj, sepse respektojmë një popull tjetër, apo kulturën dhe historinë e tij, por kurrë dhe për asnjë moment nuk duhet të futim artificialisht ato fjalë, të cilat jo vetëm që ne në shqip i kemi, por as nga pikëpamja ndërkombëtare, nuk e kanë fituar të drejtën e qytetarisë, sikurse janë fjalët tekniko-shkencore, ato të mjekësisë apo të botanikës (në latinisht) që pothuajse janë të përbotshme. Nëse një mësuese u reciton vocërrakëve “ Gjuha jonë sa e mirë / Sa e ëmbël sa e gjërë / Sa e lehtë sa e dlirë / Sa e ëmbël sa me vlerë” dhe po këta vogëlushë dëgjojnë në mbrëmje lajmet ku “elita” ( me nder elita ) na lëshon “dërrcka të huaja” atëherë ata i janë kundërvënë vet armatës së mësuesve, pikërisht atyre që na kanë mësuar. Zëvendësimi dhe plotësimi i shqipes me fjalë të huaja e bën gjuhën anemike, pa jetë pa bukuri, pa tingull dhe e katandis atë në gjuhën e një populli endacak dhe humbjes së vërtetësisë së tij. Nëse do të ecet kështu ka të drejtë Pashko Vasa kur thotë :

 

Besën e t'parëve t'gjith e harroni,

Baheni robt e njerit t'huej,

Që nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.

 

E pra, ja kështu e filluam mbas viteve 90-të. Mos vallë e harruam që shumë shqiptarë në këmbim të leje-qëndrimeve, nga presioni i madh që ushtronin qarqet dhe klanet Vorio-epiriote brenda qeverive të majta apo të djathta të Greqisë, u detyruan të ndërronin emra dhe mbiemra duke u helenizuar në mënyrë të pa merituar?! Nuk ka asnjë notë, asnjë dokument, asnjë bisedë qoftë dhe diplomatike që shteti shqiptar në çfarëdo kohe t’i ketë patur tërhequr vëmendjen shtetit fqinj. Ka gati gjysmë milionë shqiptarë në Greqi dhe ata paçka se ngelen bij shqipesh, shifrat e emrave të helenizuar në momente acarimi dhe përkeqësimi situatash do të përdoren nga Greqia si argumente të popullatës greke dhe jo shqiptare dhe ky presion dhe dhunë psikologjike ushtrohet dhe shoqërohet me kërkesa të tjera, gjoja të përmirësimit të kushteve të minoritetit grek (teksa as tanët me Pëqo Idrizin në krye dhe as grekët e “Omonias” nga ana tjetër, jo që nuk flasin, por dhe as që e përmendin fare Çamërinë). Puna shkon deri atje, sa ushtrohet presion, që në të gjitha fshatrat e minoritetit të shkruhen tabela në greqisht, madje dhe me flamujt grekë pa folur këtu për shkrimet anonime dhe urrejtjen që derdhin me shkrime mbi muret, që në fakt janë mure,të cilat nuk i shërbejnë fqinjësisë së mirë të popujve. Përkundrazi armiqësisë së tyre. Pyes, po në Janinë, në Selanik fshatrat shqiptare atje, shkurt në Artë, a ka tabela në gjuhën shqipe?! Unë nuk do ta besoja kurrë. Ja pra si dëmtohemi dhe dëmtimi fillon nga ata që kemi mbi krye, që nuk kuptojnë se gjuha ka vlera të mëdha atdhetare dhe ajo nuk është nocion letrar e artistik, por të qenurit, jeta dhe vetëdija mijëravjeçare e një kombi. Gjuha është arteria shpirtërore dhe gjaku i një kombi që i jep jetë dhe e mban në shekuj të gjallë një popull. Le t’ia futë gjumit Ministria e Arsimit dhe Kulturës mbi abetaret e klasës së parë, teksa të gjitha tekstet janë “implementuar” me fjalë e “kurrikula” të huaja. Shoqëria e sotme “postkomuniste” në një mbrëmje “gala” në kuadrin e demokracisë perëndimore është e ftuar në një koncert për të parë “perversitetin” e “hierarkisë piramidale”...! Pordhi kali në derë të hanit!

Ore... çështë ky” delikuent” që shkruan ksi gjonash? Edepsëzi..! Vallahi qonka çyryk nga tepeleku! Pa ma sillni ktuna nji at zog thiut, ose më dërgoni e më jepni haber për atë më shkruni nji “ curri qium – vitae”..qafiri! Tingëlloka keq gjysma e fjalës... si i thonë mi jahu... ah po curriculum vitae!

Ja moj shqipe si të katandisën! A e shikon se si të vrasin “atdhetarët tanë” dhe kur të vrasin ata, po armiku ç’mund të bëjë? Secili le ta gjykojë vet. Po shkoj të pi mjë kafe të bar “Mëmëdheu”.

Uffaaaa.. ia paskan ndërruar emrin........ në “Kafe Roma”!

Nga Ylli Meçe

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/11/2019 - 13:23

Le ti marim disa gjëra me radhë e të përpiqemi të hulumtojmë mbi to.

1. Presidenca Juncker.

Postuar: 13/11/2019 - 07:20

Kontrolli i Lartë i Shtetit kryen auditime sipas planit vjetor të miratuar nga Kryetari Bujar Les

Postuar: 13/11/2019 - 07:17

Edhe pse për herë të parë, ndjesa e Lulzim Bashës për taksën e pronës tetë për qind është një ris

Postuar: 13/11/2019 - 07:14

Besimi tek politika dhe kohezioni, në këto vite të tranzicionit barbar, kanë qenë për qytetarët s

Postuar: 13/11/2019 - 07:13

Shkak për të shkruar këto radhë, u bënë disa intervista të publikuara nga kandidatët për kryetarë

Postuar: 12/11/2019 - 07:16

Pas vendimit të përcaktimit së tarifës për “Rrugën e Kombit”, qytetarë të Kukësit shp

Postuar: 12/11/2019 - 07:15

Turi i shpresës me të rinjtë, që po zhvillon kryetari i PD-së Lulzim Basha këto ditë në qytetet e