BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Sulmi mbi Kapitol, melodramë demokracie apo provë neofashiste?!

Sulmi mbi Kapitol, melodramë demokracie apo provë neofashiste?!

Sulmi mbi Kapitol, ku ishin mbledhur Kongresmenët amerikanë për miratimin e presidentit të ri, Biden, prevaloi dhe kapërceu mbi lajmet tashmë të përditshme dhe të frikshme të Covid-19, i cili e bëri botën të fliste me vete. Ky kapërcim ishte i arsyeshëm. Covidit vrastar, më në fund ia gjetën “vaksinën” dhe shumë shpejt do ta detyrojnë të kthehet në botën e “Hadit”. Ndërsa “Covidi politik” në Washington, nëse do të kishte marrë vrull si adashi i tij “natyror”, do të kishte dashur një “vaksinë” të stërmadhe, e cila do të vinte në pikëpyetje vetë rendin botëror aktual, dhe pikërisht në qendrën e tij. Për fat, “Covidi politik” i Washingtonit u fashit pa arritur të shpërthejë jashtë mureve të “spitalit infektiv” të Kapitolit, ku vigjilon përmbi tre shekuj. Ngjarja në fjalë, lindi dhe u shua brenda një dite, por “jehona” e saj do të vijojë gjatë. Kjo, sepse lidhet me vendin “Kampion i demokracisë”. Të paktën kështu është trumbetuar prej disa dekadave, e ndoshta edhe më tepër. Madje edhe shuarjen e kësaj gjëmë të mundshme në mënyrë të rrufeshme, shumë pena të holla të analizave politike, ia dedikuan “demokracisë së konsoliduar e perfekte të SHBA”. Mund të jetë edhe kështu siç thonë politologët, analistët, komentatorët, e doemos edhe politikano-pushtetarët tanë, së bashku me sivëllezërit e tyre, të paktën të gjysmë hemisferës perëndimore të Globit. Por krahas qetësisë që na u kthye pas eliminimit të gjëmës së mundshme, njeriu është kurioz dhe pyet: Si e pse ndodhi kjo, pikërisht në vendin e në shtetin më të konsoliduar të shoqërisë kapitaliste, i cili udhëheq gjithë globin me dritën e tij “superdemokratike”? Mos ndoshta nga konsumimi, është sponuar dhe liruar ndonjë vidë në makinën e kësaj demokracie tre shekullore? Apo qëlloi ndonjë gabim njerëzor, si ai i Saliut në Gërdecin tonë që u përvëlua me barut? Dikush, për të na qetësuar e sjellë në vete nga tronditja që pësuam, hapi llaf të “sigurtë”, se ngjarja e Uashingtonit, ishte një melodramë, me të cilën u vu në provë dhe u konfirmua gatishmëria e “demokracisë amerikane”, në mbrojtjen e themeleve të saj të patundshme shekullore. Madje, regjisori i kësaj melodrame, ishte vetë Trump, i cili, përveç “provës” së suksesshme të rendit demokratik, sinjalizoi kolegët e politikës amerikane, se megjithë humbjen e zgjedhjeve në nëntorin e 2020-tës, do të jetë përsëri violinë e rëndësishme në politikën pragmatiste të Amerikës. Ndërsa një “i krisur”, nga ata të ekstremit të majtë, ose më shkurt nga “radikalët”, si kundërpeshë e atij “dikushit”, ligjëroi hapur, duke thënë se “sulmi” mbi Kapitol, nuk ishte një melodramë, por një provë neofashiste e Trumpit dhe klanit të tij, jo të parëndësishëm. Një “provë neofashiste” në formën e grushtit të shtetit, për të rimarrë përsëri Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Argumentet që mund të shoshitim për dy variantet e “dikushit” dhe të “radikalit”, mendoj se anojnë nga ky i fundit. Po e nisim me argumentet teknikë, që dalin nga ngjarja në fjalë. Ata që i panë ngjarjet nga televizioni, u habitën se si ka mundësi që, turmat e njerëzve të ngjiten pa u hyrë ferrë në këmbë shkallëve të Kapitolit, së bashku me policët, të cilët jo vetëm u hapën derën, por bënë edhe selfie me disa prej qytetarëve në krye të shkallëve, apo në korridoret e sallës, ku pak më parë kishin qenë të mbledhur Kongresmenët. Madje, kur hynë në sallë, shumë nga protestuesit u kapardisën edhe në karriget e Kongresmenëve, duke na kujtuar në shqiptarëve kapardisjen e Spahiut tonë të Legalitetit, i cili në grusht-shtetin e vitit 1998, me një grup trimash të “çartur”, zaptoi për një çast TVSH-në dhe kujtoi se mori pushtetin. Nëse “hileja” e kësaj pune të mos ishte ndarë me një pjesë të policëve dhe forcave të sigurimit, viktimat nga radhët e protestuesve të Washingtonit, do t’ia kalonin ndoshta edhe njëzet e katër orëshit të Covidit natyral. Kam parasysh policinë amerikane, e cila, siç është evidentuar sidomos nën qeverisjen e Trumpit, ka vrarë pa hezituar edhe për lëvizjen më të vogël mosbindëse të qytetarit, sidomos kur ky i fundit ka qenë zezak, apo me bindje të kundërta me sistemin “demokratik” amerikan. Por argumentet teknike, nuk janë të mjaftueshëm pa argumentet politike. Prej më tepër se gjysëm shekulli kapitalizmi amerikan ka kaluar në fazën më të lartë të tij, në imperializëm. Thënë me fjalë të thjeshta, kapitalizmi i SHBA ka arritur në “majë të mullarit” dhe siç perifrazon populli ynë, i duhet më patjetër të zbresë poshtë, sepse në “majë” është vend shumë i ngushtë e nuk mund të qëndrohet rehat dhe për shumë kohë. Sjellja prej xhandari ndërkombëtar, që imperializmi amerikan ka praktikuar e praktikon në çdo cep të botës, ia ka shkurtuar në maksimum qëndrimin në “majë të mullarit kapitalist”. Pandemia botërore me krizën e saj gjithëpërfshirëse, i tregoi sistemit kapitalisto-imperialist në Amerikë dhe në të gjitha vendet simotra, se koha e tij po mbaron. Është një sistem plotësisht i konsumuar, i cili nuk mund të mbahet me asnjë mballomë, sado e manipuluar qoftë me terma e ngjyra fosforeshente. As kapitalizmi, e as imperializmi, si shkalla më e lartë dhe e fundit e tij, nuk mund t’u japë zgjidhje problemeve kardinale të Globit dhe veçanërisht krizës morale, politike e ekonomike që e ka mbërthyer atë. E vetmja rrugë i mbetet, të dorëzojë pushtetin. Por kjo nuk mund të pranohet nga ata që e drejtojnë sistemin në fjalë, sistem që është ngritur mbi padrejtësinë, mbi krimin dhe që gjeneron padrejtësi e krim, si i vetmi “ushqim” për jetën e kapitalit dhe të kapitalistit. Dorëzimi vullnetarisht i pushtetit nga “mister Kapitali” dhe kapitalisti, është i pamundur. Mbetet rruga e forcës. E që kjo rrugë e forcës, të mos vijë, ose të vonohet sa më shumë, ata që drejtojnë kapitalin dhe kapitalizmin, mundohen të mbijetojnë me operacione plastike, të cilat nuk kanë jetëgjatësi të qëndrueshme. Atëherë? “Zgjidhjen” e gjejmë tek kriza e viteve tridhjetë të shekullit njëzet. Ajo solli në skenë nazifashizmin, si e vetmja mundësi për zgjatjen e sistemit të kapitalit. Me anë të asaj skeme, ndonëse me humbje të mëdha njerëzore, ekonomike e politike, sistemi kapitalist arriti të rigjeneronte veten. Tani jemi në krizën e re, rreth një shekull më vonë asaj të parës. Kapitalistët e sotëm, të shndërruar në imperialistë, e shohin krizën që i ka mbërthyer, ndaj po lëvizin për të gjetur rrugë shpëtimi të sistemit të tyre. Provat për këtë gjë kanë nisur qëkur, por kur kjo taktikë nis “përçapjen” në majën e sistemit në fjalë, siç janë SHBA, atëherë, çështja është jo vetëm serioze, por edhe e afërt në kohë. Elementët neo-fashitë janë të dukshëm në gjithë sistemin kapitalist në krizë. Dhe kur kjo duket në qendrën e këtij sistemi, siç janë SHBA, kjo do të thotë se rreziku është prezent, çka na bën të kujtojmë thirrjen e Julis Fuçikut: “Njerëz, ju kam dashur, jini vigjilentë”! Po në “stanin” tonë si i kemi punët? Prej tridhjetë vitesh nga përmbysja me dhunë e tradhëti e socializmit, forcat e errta antishqiptare, në bashkëpunim me bastardët e socializmit, të shndërruar në liderë të demokracisë borgjeze, nuk kanë pushuar asnjë minutë luftën për shndërrimin e Shqipërisë në një vend superkapitalist. Por meqenëse kjo është e pamundur, për mungesën e resurseve kapitale e njerëzore, tehu i kësaj lufte ka marrë drejtimin neofashist. Sigurisht Arturo Ui-të shqiptarë, janë tepër të vegjël për të rrezikuar me neonazizmin e tij rajonin dhe Europën, por janë të mjaftueshëm për të mjeruar vendin dhe popullin tonë. Situata në vendin tonë është në krizë totale. Krizë totale në të gjitha fushat, politike, e socialekonomike. Krime ordinere e shtetërore; drogë, korrupsion e prostitucion; shkelje e të drejtave elementare të qytetarit; censurë e autocensurë në mjetet e informimit e komunikimit; abuzime permanente me votën e zgjedhësit; mosndëshkim të krimit, i cili për tridhjetë vite, ka krijuar një piramidë më të madhe se ajo e Keopsit; lëvizje të gabuara e të djallëzuara politike e diplomatike në rajon e më gjerë; shitje e grabitje të pasurive kombëtare; degjenerim të arsimit kulturës, shëndetësisë dhe administratës shtetërore, etj., etj., kanë krijuar bazamentin e nevojshëm për ringjalljen dhe aktivizimin e bacileve të nazifashizmit në vendin tonë. Zgjedhjet e 25 prillit po priten me ankth nga votuesit shqiptarë, me shpresën e ndryshimit të situatës. Mirëpo ky është vetëm një iluzion i humbur. Treshja fashistoide PD – LSI – PS, (alias Rilindja), çfarëdo rrotacioni apo koalicioni të bëjnë, do të mbeten në “shinat” e paaftësisë, mercenarizmit dhe antishqiptarizmit. Ato dhe liderët e tyre janë jo vetëm të konsumuara, por edhe të degjeneruara gjer në gen. Vetëm nxjerrja jashtë lojës politike të këtyre tre demave me ngjyra të ndryshme, por me huqe të njëjta, mund të japë shpresa për një ringjallje të Shqipërisë, të cilën ata e kanë çuar në buzë të greminës, nga ku mund të bjerë për të mos u ngritur kurrë më. Këtë nxjerrje jashtë politikës, duhet ta realizojë populli me veprime demokratike e revolucionare, e jo duke pritur rehabilitimin e pamundur të liderëve aktualë, të degraduar gjer në palcë.