Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Të bashkuar, por jo të barabartë në shënjtërimin e Nënës Tereze!

Postuar: 06/09/2016 - 07:57

Nga e mbrëmja e 3 dhe e diela e shenjtë e 4 Shtatorit 2016, u bë realitet thënia e vjetër italiane; "Tutte le strade portano a Roma", që në shqip i bie: "Të gjitha rrugët të çojnë në Romë", ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, mërgimtarët nga shtetet evropiane dhe gjitha kontinentet ia mësynë kryeqytetit italian, Romës, respektivisht sheshit Shën Pjetër pranë Selisë së Shenjtë-Vatikanit, për të shijuar nga afër çastet më kulmore të shenjtërimit të Nënës Terezë.

Mërgimtarët nga të gjitha anët, të prirë nga respekti dhe dashuria, krenaria dhe gëzimi, me ngrohtësinë e zemrës dhe shpirtin human, në mënyrë vullnetare pa llogaritur koston e shpenzimeve dhe gjatësinë e rrugës, në mënyrë vetanake dhe të organizuar u nisen drejt Vatikanit për të qenë prezent në ngjarjen më madhore të këtij shekulli, të papërshkruar me fjalë dhe fotografi, e cila vetëm mund të përjetohet me thellësinë e shpirtit.

"Sot u hap qielli, shqiptarët i dhuruan botës shenjtoren "Saint Teresa". Nuk ka gjë më të çmuar, nuk ka gjë më të bukur, e falënderoj Zotin që më dha mundësinë ta përjetoj këtë madhështi", ishte shprehur një nga mërgimtarët e ardhur nga SHBA-ja e largët. Ky ishte vetëm një përshkrim i ndjenjës, që mijëra bashkatdhetarë e kanë përjetuar në ditën e 4 Shtatorit në sheshi Shën Pjetër në Vatikan.

Për lexuesit e këtyre rreshtave, po shkëpus një detaj interesant, që pak kush nga bota shqiptare e ka të njohur. Nënë Tereza me rastin e marrjes së çmimit Nobel, me 11 Shtator 1979, shumën e ndarë për këtë çmim, që në atë kohë ishte në vlerë prej 6 mijë dollarësh, ajo nuk e pranoi për vete, por vendosi t'ua dërgojë të varfërve dhe të sëmurëve të Kalkutës. Po ashtu Nënë Tereza refuzoi edhe darkën e mbrëmjes të organizuar me rastin e çmimit Nobel. Kjo erdhi si shprehje e vlerave humane dhe dashurisë njerëzore që posedonte shenjtëresha e parë shqiptare.

Të nisur nga ky fakt, eskortat qeveritare nga Prishtina dhe Tirana së bashku me përfaqësitë diplomatike, do duhej të deklaroheshin paraprakisht para nisjes për në Romë, se do të shkojnë me shpenzimet e tyre pa e dëmtuar buxhetin e shtetit, si shenjë bamirësie e solidarizimi, duke vendosur që shumën e llogaritur të shpenzimeve nga buxheti i shtetit t'ua ndajnë të varfërve, të sëmurëve për shërim dhe njerëzve me nevoja të veçanta. Bazuar në numrin e madh të zyrtarëve nga dy shtetet shqiptare, e në veçanti nga Kosova, shuma e shpenzimeve të tyre, duke filluar nga shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit dy ditor në Romë, drekat e darkat e shijshme me pijet alkoolike dhe freskuese në hotelet më luksoze të kryeqytetit italian, me siguri i arrijnë shifrat enorme.

Të paktën, në ditën e shenjtërimit të Nënës Terezë, ditën e ballafaqimit me vlerat hyjnore, ishte dashtë që qeveritarët sikurse bashkatdhetarët të ndjehen të barabartë në të gjitha aspektet, duke i lënë anash privilegjet që ua mundëson pushteti,...ashtu sikurse shqiptarët nga e mbarë bota, që nuk i ndau përkatësia fetare, por i bashkoi krenaria e të qenurit i njëjti gjak që kishte shenjtëresha jonë, e madhja Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza.

Nëse vërtetë liderët shtetërorë, pjesëmarrës në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë dëshirojnë t'u përmbahen prononcimeve të tyre publike, siç ishte ai i kryeministrit të vendit, po citoj: "Ne të gjithë duhet të marrim nga pak nga shembulli i Nënës Terezë...", atëherë ato fjalë të mëdha që i thanë duhet t'i demonstrojnë në vepër, me mbulimin e shpenzimeve nga xhepat e tyre për vizitën e tyre në Vatikan. Meqenëse kjo nuk ka gjasa të ndodhë, janë të obliguar t'i bëjnë publike aspektet financiare dhe numrin e eskortës qeveritare për vizitën që i bënë Vatikanit, pasi veç u deklaruan për pasurimin "shpirtëror" nga shenjtërimi i Nënës Terezë. Dhe nëse vërtetë, e kanë lehtësuar aq shumë arkën shtetërore eskortat qeveritare nga vizita paraprake në Rio dhe kjo e fundit në Vatikan, atëherë liderët shtetërorë mund t'i drejtohen popullit zemërgjerë që po i mban në pushtet, përmes një aksioni humanitar me moton; "Ta ndihmojmë Qeverinë"!

E rëndësishme është se bota e civilizuar, në veçanti kombi ynë u pasurua me një shenjtore me rrënjë dhe gjak shqiptari! Shenjtërimi i Nënë Terezës lë për të kuptuar dhe besuar se fisnikëria e shpirtit autentik akoma frymon dhe thërret si kushtrim për bashkim me njëri-tjetrin në përballje me sfidat e jetës bashkëkohore.

Nga Florim ZEQA 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/10/2019 - 07:16

Principata e Monakos është një shtet në pjesën jugperëndimore të Europës. Ndodhet buzë detit Mesdhe. Rrethuar nga Franca.

Postuar: 18/10/2019 - 07:12

Ishte e qartë se të nesërmen e kundërshtimit të Macron, për hapjen e negociatave për ne, do të is

Postuar: 18/10/2019 - 07:11

Në këtë kontekst është e natyrshme një pyetje e përhershme.

Postuar: 17/10/2019 - 07:19

Mbase jo te niveli fillestar, por në një ecuri të frikshme e të njëtrajtshme po përjetojmë një su

Postuar: 17/10/2019 - 07:17

Këto janë orët e një ankthi integrues, janë orët që në fund të fundit, do të jenë të fundit që re

Postuar: 17/10/2019 - 07:16

Në fjalimet e udhëheqësve të Partisë së Punës nuk kishte rast pa sulmuar armiqtë e jashtëm.

Postuar: 16/10/2019 - 07:15

Në kushtet social-ekonomike që po përjeton populli ynë, brezi i të rinjve në moshë është dalldisu