Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Të huajt, më vendali se politikanët tanë “jabanxhi

Postuar: 11/02/2018 - 10:02

Ka hyrë në të folmen shqipe fjala “jabanxhi” prej shekujsh. Sundimi i gjatë osman veç të tjerave, la në fjalorin shqiptar, shumë turqizma, ashtu sikundër edhe fjalë të shqipes u bënë pjesë e gjuhës turke. Për jabanxhinjtë, hallet e dertet e tyre, këngëtarët më të mirë shqiptarë të muzikës popullore, kanë emocionuar mijëra njerëz me këngët lirike për historitë e jetën e jabanxhinjve. Kënga “Jam jabanxhi”, interpretim brilant i këngëtares së mirënjohur Elia Fara na përcjell përmes zërit melodioz dhe tekstit filozofik se: Jam jabanxhi, e jam vetëmë / I mjeri si ta çoj jetënë/ Jam jabanxhi e jam pa njeri/ Su çoka jeta pa dashni. Po kështu lirikat e Vëllezërve Zena me motive nga jeta e bëmat e jabanxhinjve, janë ta njohura si këngë perla për gjithë shqiptarët. Populli ynë, të huajve, miqve u ka lënë gjithnjë kreun e shtëpisë. Dhe shtëpinë e ka parë tërë jetën si të mikut e të zotit. Dhe prej këtej ka lindur dhe është mbrujtur virtyti më i spikatur i shqiptarit, mikpritja dhe besa. Të njohura e të vlerësuara nga gjithë popujt e botës. Marrëdhënie që shprehet qartë- sisht gjatë historisë shumë shekullore mes banorëve të ardhur nga vende e vise të tjera, por edhe midis vet shqiptarëve të trevave të ndryshme gjatë migrimeve dhe lëvizjeve të shumta midis krahinave veri- jug e lindje –perëndim. Prej këtyre lëvizjeve kanë lindur edhe cilësimet: Dibranët e Tiranës. Të Beratit. Të Shkodrës. Gjirokastrës. Skraparit. Po që të gjithë sot janë me statusin, “tiranas”. Ashtu siç janë bërë vlonjatë, tërë ata që banojnë në Vlorë apo sarandiot në Sarandë edhe pse kanë zbritur nga Tepelena apo Lumi i Vlorës. Mes këtyre komuniteteve, harmonia është e dukshme dhe e prekshme. Mes tyre kanë lindur miqësi dhe të gjithë ndjehen qytetarë të barabartë. Mes tyre janë bërë krushqi. Jetojnë në të njejtat pallate. Kanë fëmijë, nipa e mbesa. Ata e kanë fituar të drejtën e emrit dhe qytetarisë sapo janë bërë banorë të qytetit ku jetojnë dhe nuk ka se si të ndahen në të ardhur, vendas, autokton, të huaj apo jabanxhi. Në këtë sens, ashtu siç kanë lëvizur shqiptarët brenda vendit dhe jashtë tij, prej shekujsh në Shqipëri kanë ardhur, punuar e studiuar, me mijëra të huaj. E kanë dashur këtë vend sa edhe vetë shqiptarët. Ata janë shquar për kontributin e tyre për zhvillim e përparim shoqëror. Për studimet e thelluara që kanë bërë, si dhe për njohjen e vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Pa Bajronin, Shqipëria do mbetej pa ngjyrimet fantastike. Një vend i zbehtë pa kolorit. Pa Edith Durham, këtë udhëtare nomade, artiste, studiuese e shkrimtare britanike, antropologjia shqiptare do ishte e panjohur. Pa Fulcin nuk do kishim një plejadë elitare teknicienësh. Kultura jonë do ishte jo aq e njohur pa Elise. Pa Marubët nuk do kishim një fonotekë shqiptare të njohur ndërkombtarisht. Po jo vetëm të huajt që jetuan dhe u shqiptarizuan. Pa Presidentin Wthers Wnston nuk do kishte Shqipëri të sotme, pa Presidentin Klinton nuk do kishte Kosovë të lirë. Mund të sillnim mijëra dëshmi se si personalitete të ardhur në vendin tonë apo rezident në vendet e tyre i kanë dhënë shumë Shqipërisë. Në këtë kuptim ata kanë shpalosur dashurinë e tyre për vendin tonë, duke kapërcyer shumë herë edhe vet ne shqiptarët. Kanë kontribuar me kulturën e përvojën që kanë sjellë, duke ndihmuar në zgjidhje të cilat për mundësitë dhe kapacitetet tona do ishte e pamundur të arriheshin. Ky kontribut është i njohur. Në fillimet e demokracisë. Në instalimin e shtetit të së drejtës. Në ringritjen e shtetit shqiptar. Të ushtrisë. Të policisë. Luftës kundër korrupsionit. Në mbrojtjen e shtetit shqiptar pas rënies në vitin 1997. Po kontributi i SHBA-së dhe Bashkimit Europian spikat në reformën në drejtësi. Përpjekjet dhe këmbëngulja e tyre është vërtetë epike. Ndihmesë që ka hasur në kundërshti të jashtëzakonshme nga faktori politik dhe juridik shqiptar. Politika jonë ka ngritur mijëra pengesa. Dhe vijojnë edhe sot duke nxjerrë lloj-lloj hiçklash e sebepe për ta mbajtur pengë drejtësinë. Këtë ëndërr të shqiptarëve që kërkojnë prej vitesh të bëhet realitet. Ndaj qëndrimi anatemues dhe kundërshtimi i përpjekjeve të përfaqësuesve të shteteve që e kanë iniciuar dhe po e udhëheqin këtë reformë, etiketimi dhe trajtimi i tyre si ndërhyrje në punët tona, trajtimi si punë jabanxhinjsh, është pak të cilësohet e turpshme. Ligësi e ca politikanëve që nuk e duan reformën. Që e pengojnë drejtësinë. Që e kanë frikë vetingun. Pa këmbënguljen e ambasadorëve, Donald Lu dhe Vlahutin, reforma në drejtësi nuk do kishte asnjë progres. Pa ata nuk do kishte SPAK apo Byro Hetimi që janë në prag. Trajtimi dhe etiketimi i tyre, si sjellje prej “jabanxhinjsh” dhe keqpërdorimi i kësaj fjale që tek ne ka sens ëmbëlsie dhe mirëkuptimi, ky shpërdorim leksikor për të anatemuar e cilësuar se ata janë ca të huaj, se nuk e duan më shumë vendin tonë, se ne jemi zotët e shtëpisë dhe e dimë ku na pikon çatia, se nuk mund t`iu dorëzojmë sovranitetin jabanxhinjve, siç është trumbetuar shumë herë nga politikanët tanë në këto vite është një qëndrim cinik. Është mosmirënjohje. Gjykim i pamoralshëm. Një kundërvënie që kërkon të marrë peng zhvillimin dhe integrimin e vendit. Ta bëjë kurban reformën në drejtësi në emër të ruajtjes së pavarësisë, duke shmangur iniciuesit, financuesit dhe garantët e reformës. Qëndrim që nuk ka sens dhe që ka vetëm një objektiv zhbërjen dhe lënien e reformës në duart e kasapëve, politikanëve tanë që dinë vetëm ta bëjnë çorape, gjithçka që iu bie në dorë, siç kanë vepruar në këto tre dekada pas vitit 1990. Kundërshtitë për punën e veprimtarinë e ambasadorëve shitja në opinion si “jabanxhinj” vjen nga ata politikanë që kërkojnë të bëjnë si të duan, të kenë duar të lira për t`i bërë punët të pista. Të miratojnë një reformë që të mos ketë punë me ta. Të sigurojnë një mburojë për bëmat e tyre. Se po të jetë për njerëzit e thjeshtë, të panjohurit edhe kjo drejtësi kështu siç është, ka qenë funksionale dhe i ka syrgjynosur nëpër qeli me vite burg. Drejtësia për cironkat ka funksionuar. Sa për peshqit e mëdhenj ata kanë mbetur të pacënuar. Dhe ky është qëllimi i politikanëve tanë. Të ruajnë veten. Të mbrojnë mëkatarët e tyre. Pasuritë e favoret që i kanë ngjitur në krye të listës të pasanikëve. Ata që si në legjenda është hapur porta e Susamit. Si të ishin mbinjerëz sa hap e mbyll sytë u bënë me resorte, me vila, me llogari bankare në shumë vende të botës. Sikur të ishin jo tokësorë si gjithë ne të tjerët, po si aljenë. Për këta fatlumë nuk ka asnjë politikan tjetër, aq më tepër jabanxhi, t`iu japë mend. T`u tregojë rrugën. Përballë “korifenjve” të mençur, “personalitete” të mendimit dhe politikës shqiptare, jabanxhinjtë qëndrojnë shumë larg. Këta burra dhe gra që u qan syri për popullin dhe duan ta ruajnë nga ndikimi i huaj shoqërinë nuk i zë gjumi nga meraku se mos të huajt iu prekin pavarësinë. Iu cënojnë nderin. I ndalin drejt progresit. U njollosin dhe u prekin ndershmërinë. “Patriotët” tanë me arsyetimin e harruar “se ndërtojmë Shqipërinë me forcat tona” se “bar do hamë dhe parimet nuk i shkelim”. “Se jemi ne zotër dhe bij të shqipes që do ndërtojmë e lartësojmë vendin tonë”, godasin majtas e djathtas çdo qëndrim që nuk u pëlqen. Në realitet e kanë treguar sa mirë dinë t`i bë- jnë këto punë. Kur politikat e mbrapshta të liderëve tanë janë kundërshtuar nga përfaqësues të SHBA-së dhe BE-së dhe organizmat që janë investuar në përgatitjen dhe zbatimin e reformës në drejtësi, atëherë këta politikanë “guximtarë” e “sovranë” këta vendali të provuar, kanë ngritur zërin në emër të “mbrojtjes” së pavarësisë dhe interesit kombëtar e cila sipas tyre duhet të bëhet vetëm nga shqiptarët. Vetëm kur nuk kanë qenë “Ok” me këta vendali nuk janë pranuar dhe janë kundërshtuar fuqimisht “jabanxhinjtë”. Dhe kundër këtyre “jabanxhinjve” në vijim të sjelljes së para viteve 1990 kur ndërtonim Shqipërinë dhe ishim “fener ndriçues të komunizmit buzë Adriatikut” dhe bënim copë imperializmin amerikan, ngrihen ata politikanë që kur dikush nga “jabanxhinjtë” përkrah e mbështet një mendim apo propozim të tyre, kur flasin në parim si ata, hedhin valle dhe brohorasin. Janë gati të shtrihen në tokë, servilosen, jargaviten, të bëjnë hosanara t`u lajkatohen burrave dhe grave “jabanxhinj”, duke u solidarizuar se janë plotësisht me qëndrimet e tyre. Po janë po këta politikanë që ndërrojnë pllakën sapo ndeshin në kundërshti e qëndrime ndryshe nga të huajt. Vënë kujën dhe përplasin këmbët, hidhen përpjetë dhe iu kundërvihen këshillave të po atyre që një ditë më parë i kanë ngritur në qiell. Betohen se nuk mund t`iu lënë në duar fatet tona ambasadorëve të huaj. Rasti më flagrant i ditëve të fundit, fare i freskët është ai i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi. Pas mosdakordësisë së ambasadës amerikane me përmbajtjen e letrës që drejtoi ambasadave mbi ndryshimin e kushtetutës për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm për t`i vënë një llustër përpjekjeve të saj dhe për të justifikuar kundërshtimin e këshillave të ambasadorit, thërret me të madhe se: -Nuk mund të pranojmë të huajt, jabanxhinjtë, të bëjnë politikat në Shqipëri. Se ajo dhe të sajët janë të zot për t`i bërë punët vetë. Dhe të gjitha këto në emër të pavarësisë dhe të ardhmes. Ngutja për të kundërshtuar ambasadorët dhe përpjekja për t`i paraqitur ata se janë favorizues të mazhorancës, të njëanshëm edhe pse qëndrimet e tyre i shërbejnë vetëm Shqipërisë dhe janë të vlerësuar nga shqiptarët, është më e pakta, qëndrim jo miqësor, mosmirënjohës ndaj atyre që i kanë dhënë vendit tonë shumë në këto vite./Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 35

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/08/2018 - 12:50

Akademiku Artan Fuga ka reaguar për uljen e numrit të të rinjve që duan të regjistrohen në universitete.

Postuar: 15/08/2018 - 07:20

Për parulla, ne shqiptarët jemi rekordmenë ndoshta edhe në shkallë botërore.

Postuar: 15/08/2018 - 07:19

Lista e studimeve që vërtetojnë se konsumimi i alkoolit ndikon pozitivisht kundrejt diabetit ësht

Postuar: 15/08/2018 - 07:18

Sigurisht që ka liri mali, banorët e tij janë vërtetë njerëz të lirisë, të sjelljes së lirë dhe p

Postuar: 14/08/2018 - 07:13

Ajo me të cilën ushqehen shqiptarët prej tre dekadash, sapo një ngjarje e rëndë ndodh në një cep

Postuar: 14/08/2018 - 07:11

Në funksion të integrimit në BE dhe kapërcimit të trashëgimive problematike të së kaluarës, rajon