Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Të qeverisësh me popullin!

Postuar: 13/10/2017 - 07:29

“Nëse populli nuk e ndjen dorën e atij që e qeveris, ai do ta bëjë këtë të fundit, të ndjejë të tijën”. Kështu do të theksonte në një nga librat e tij, një shkrimtar i shquar i shekullit të 19-të. E në fakt, qeverisja është pikërisht aftësia e njerëzve të pushtetit për të dialoguar dhe për të krijuar një modus vivendi, një kontratë besimi me shoqërinë në tërësi, një ndarje përgjegjësish dhe dialogu midis shtetit dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë. Kjo është në një farë mënyre, edhe pika ku manifestohen më shumë se kudo tjetër, arritjet e procesit të demokratizimit.

“Do të qeverisim me popullin”. Sa bukur tingëllojnë këto fjalë në gojën e një kryeministri, e sa të bukura e shpresëdhënëse janë ato për ne! Por, që kjo kontratë besimi të funksionojë, kërkohet një bashkësi rregullash, metodash dhe ndërveprimesh. Kërkohet shpejtësi veprimi, transparencë dhe dashamirësi reciproke.

Në kuadër të kërkesave të reja që kërkon mirëqeverisja, por edhe bashkëqeverisja e premtuar, si dhe përmbushja e zotimeve afatgjata dhe afatshkurtra që ka marrë përsipër qeveria e sotme, duke qenë se edhe unë vetë jam pjesë e një institucioni të rëndësishëm, mendoj se ndër të tjera, lind nevoja e ngutshme që të gjitha strukturat e administratës publike dhe institucioneve të rëndësishme që i japin tonin shoqërisë, të ripërtërihen e të bëhen sa më të efektshme në të gjitha aspektet, sidomos në atë të administrimit e zbatimit të reformave. Për këtë qëllim, duhen vënë në funksionim mjete e metoda të reja, në mënyrë që të sigurohet efektshmëria dhe transparenca.

Në këtë frymë, lind nevoja të shkrihen e të shkurtohen sa më shpejt, strukturat e panevojshme dhe të tepërta, ato që po ia marrin frymën administratës duke e penguar të zhvillohet, të përparojë e të kryejë funksionet e saj dhe nga ana tjetër, të krijohen pse jo, njësi e departamente të reja, që janë në funksion të realizimit të qëllimeve e detyrave të shumta që kërkon e sotmja dhe e ardhmja. Pa institucione të fuqishme e të efektshme, nuk mund të ketë shtet, as qeverisje. “Më mirë mund të qeverisësh me të dobëtit, kur institucionet janë të mira, se sa me të fortit, kur institucionet janë të këqija”. Reforma e thellë nëpër institucione, duhet të konsiderohet si proces kombëtar dhe të synojë efikasitetin, transparencën dhe integritetin e veprimtarisë së tyre. Në këtë kontekst, do të theksoja se pjesëmarrja e qytetarëve në hartimin e politikave publike dhe kontrollin e zbatimit të tyre, merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Ajo ndihmon në ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë dhe krijimin e institucioneve të efektshme që respektojnë sundimin e ligjit.

Me keqardhje konstatoj se ne jo gjithnjë jemi të ndërgjegjshëm për rolin dhe përgjegjësitë që kemi, përballë mekanizmave demokratikë të qeverisjes. Na mungojnë mjetet konceptuale dhe aftësitë praktike për t’u përfshirë në mënyrë aktive në këtë fushë, ose na duket e vështirë të ndërtojmë partneritete konstruktive me institucionet shtetërore dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm.

Ne dhe ata që na qeverisin, duhet të mbajmë gjithnjë parasysh rolin që na është caktuar të përmbushim. Të mos e shkëpusim për asnjë çast vëmendjen nga detyrat e detyrimet tona, të mos shpërdorojmë e përdorim pa kriter asnjë burim a forcë, pasi herët a vonë, historia do të na gjykojë.

I nderuar kryeministër! Të nderuar shqiptarë, kolegë, njerëz me vullnet të mirë! Çasti kur flasim është vendimtar, koha nuk pret më dhe mundësia që na është dhënë, është unike. Le të bëhemi të gjithë bashkë e të ndihmojmë njëri-tjetrin për të spastruar administratën dhe të gjitha institucionet e rëndësishme nga parazitët, grabitqarët, të paaftit dhe sharlatanët! Le t’ i ndihmojmë strukturat qeverisëse të realizojnë misionin e tyre, duke mos u pajtuar e duke mos bërë pakt për asnjë çast të vetëm, me njerëzit që punojnë kundër qëllimeve tona. Nga ana tjetër, të promovojmë e të ndihmojmë pa u kursyer, çdo njeri të ndershëm që dëshiron të jetojë në një Shqipëri të bukur.

 Asgjë nuk është e pamundur, kur e dëshiron vërtetë! Ndaj, të gjithë ata që duan për fëmijët e tyre një Shqipëri tjetër, të ndryshme nga kjo e sotmja, le të përpiqen të vënë një gur në themelet e ndërtesës së përbashkët!

Nga Ivana TOMÇO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2017 - 07:35

Shteti nuk të bën për të qeshur vetëm kur flet batuta, por edhe kur flet me seriozitet. Jo më kot, unë po e filloj nga një personazh, kryetar i opozitës. Basha, i cili është më shumë se një qesharak.

Postuar: 17/10/2017 - 07:34

Kancelaritë europiane çdo ditë ankohen se shumë shqiptarë po ua zënë derën.

Postuar: 17/10/2017 - 07:28

Kush është ai person që ka dalë jashtë, por është i arsimuar, i mirëditur me perëndimin dhe nuk kupton se ne, shoqëria shqiptare si më e vonuara kulturalisht në Europë dhe Ballk

Postuar: 15/10/2017 - 07:44

“Hall i madh” për një parti të madhe politike, që një lidere e saj të mos dijë origjinën e Machiavell-it!

Postuar: 15/10/2017 - 07:43

Gjithnjë kam menduar dhe pyetur veten se çfarë raporti ka mes të vërtetës dhe gënjeshtrës në Shqipëri në ditët e sotme që punët e këtij vendi nuk shkojnë mirë.

Postuar: 15/10/2017 - 07:42

Ka kohë që fotografitë janë bërë arma dhe kauza opozitare sa herë duan të godasin kundërshtarët politikë. E vërteta, kjo puna e fotove nuk është e re.

Postuar: 15/10/2017 - 07:40

Kreu i shtetit Edi Rama bëri të ditur se së shpejti në Shqipëri do të vijnë për të zbatuar ligjin e vetingut agjentë specialë nga SHBA.