BREAKING NEWS

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona
x

Opinion / Editorial

Ta lexojmë “shqip” situatën, vëllezër të Kosovës!

Ta lexojmë “shqip” situatën, vëllezër të

Lufta çlirimtare e UÇK-së, e cila u kurorëzua me sukses në vitin 1999, ishte dhe mbetet epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar të Kosovës në përpjekjet për liri, pavarësi dhe ribashkim kombëtar. Sigurisht fitorja e lirisë dhe çlirimi nga pushtimi i gjatë dhe i egër serbo-sllav, u ndihmua nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht nga SHBA dhe vende të tjera të aleancës politiko-ushtarake të NATO-s. Por ndihma e ndërkombëtarëve, nuk ia ul kurrsesi vlerat përpjekjeve të pandërprera për liri të shqiptarëve të Kosovës, përgjatë njëqind e shtatëdhjetë viteve, nga Lidhja e Prizrenit e gjer në fitoren e arritur në prag-shekullin e 21-të. Në mitingun e fitores, organizuar në Prishtinë, presidenti amerikan, Bill Klinton, midis të tjerave tha: “Ne bëmë luftën, ju duhet të bëni paqen”! Tani pas njëzet e një viteve nga mbarimi i kësaj lufte fitimtare, konstatojmë se ne shqiptarët, ndonëse së bashku me miqtë bëmë “luftën”, nuk arritëm dhe nuk po arrijmë të bëjmë “paqen”. Paqja, siç e ka vërtetuar historia, është më e vështirë se lufta. Në luftën për liri manifestohen cilësitë më të larta të njeriut, patriotizmi, atdhedashuria, trimëria dhe vetëmohimi. Veti këto që populli i Kosovës i manifestoi edhe në luftën e fundit me ushtrinë e saj të lavdishme çlirimtare. Ndërsa në kohë paqeje, fatkeqësisht gjejnë strehë dhe lulëzojnë të gjitha sëmundjet fizike e morale të individit dhe të vetë shoqërisë. Janë pikërisht këto të fundit, që ndikuan dhe devijuan në një masë të konsiderueshme objektivat e të dy kohëve. Shtetarët e rinj të Kosovës, mbërthyer nga sindroma e pushtetit, ndërsa artikulonin çdo ditë “pavarësinë dhe sovranitetin” e Republikës që shpallën në vitin 2008, me veprimet apo mosveprimet e tyre, ndihmuan në minimin e kësaj pavarësie dhe sovraniteti. Pavarësisht nga ndërhyrjet dhe presionet e ndërkombëtarëve, ata nuk duhej të pranonin kurrsesi: imponimin e flamurit zyrtar të ndryshëm nga ai kombëtar; preambulën e Kushtetutës për mosbashkimin me shtetin amë, Shqipërinë; dhënien e territoreve fqinjëve për hir të liberalizimit të vizave, që nuk u liberalizuan; “fusnotën” që i veshën me pahir republikës së re; mungesën e detyruar të kontrollit të vendit në veri të Kosovës; zajadnicat serbe dhe veprime të tjera në dëm të shtetit të ri në formim. Shtetarët e Kosovës, vetëm dy dekada pas luftës dhe 12 vjet nga shpallja e zyrtare e pavarësisë, u kujtuan të formulonin e miratonin në parlament një “rezolutë” të zbehtë, për dënimin e gjenocidit serb, çka duhej bërë qysh në ditën e parë të lirisë. Dhe ajo që vendos qershinë e kalbur mbi tortën e zezë, sapo urdhëruan ndërkombëtarët, pa as më të voglin kundërshtim, u ulën në tavolinën e bisedimeve me një hasëm që, jo vetëm i kishte shtypur, poshtëruar, denigruar e deportuar për gati dy shekuj pa ndërprerje, por as denjon të kërkojë falje e ti njohë si popull, si shtet e si vend i pavarur. Për ta kurorëzuar vasalitetin me veprimin sa absurd, aq dhe poshtërues, të miratimit me votat e parlamentarëve shqiptarë të Gjykatës Speciale, për dënimin e gjenocidit të imagjinuar shqiptar kundër serbëve “engjëllorë” dhe shërbëtorëve të tyre të devotshëm. Për të kuptuar gabimet tona, ne shqiptarët këtej e matanë kufirit artificial shqiptar-shqiptar, por veçanërisht shqiptarët e Republikës së Kosovës, duhet të lexojmë “shqip” rolin, qëndrimin dhe ndihmën e ndërkombëtarëve, ndihmë e cila nuk ka qenë asnjëherë e sinqertë, as në të kaluarën, e as në kohën e sotme. Ne jemi të gjithë dëshmitarë të hezitimit të Europës për t’ju bashkuar veprimeve të SHBA, kur kjo e fundit vendosi të ndërhyjë ushtarakisht në mbrojtje të popullit të martirizuar të Kosovës. Tashmë të gjithë e kemi marrë vesh se disa nga këto shtete, pjesëmarrëse në operacionet luftarake kundër Jugosllavisë së Millosheviçit, predhat e destinuara për “armikun serb” i zbraznin në detin Adriatik. Janë po këto shtete që me një vullnet të çuditshëm, mundohen të na ulin në tavolina bisedimesh, kokteilesh e marrëveshjesh me zëvendësin e kasapit Millosheviç, duke synuar hapur në barazimin e agresorit me viktimën, e madje në një kohë të dytë, viktimën ta çojnë në pozicionin e agresorit dhe agresorin ta kthejnë në viktimë. Veprimet e dukshme të Mogerinit, Lajçakut dhe “moderatorëve” të tjerë të Brukselit, në bisedimet e imponuara midis të pabarabartëve, mbështetur edhe me veprimet e Gjykatës Speciale për gjykimin dhe dënimin e gjithë zinxhirit drejtues të UÇK, janë veprime të pashembullta në historinë e komunikimeve dhe marrëveshjeve midis shteteve dhe vendeve. Bisedime e marrëveshje të tilla të imponuara, kanë ndodhur midis shteteve koloniale dhe fiseve tribu të kolonive të Afrikës apo Amerikës Latine, por kurrsesi me shtete të shpallura të pavarura, madje me një pavarësi të miratuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, siç është rasti i Republikës së Kosovës. Ne shqiptarët këtej e matanë kufirit artificial shqiptarshqiptar, duhet të lexojmë e të kuptojmë se loja e hapur e BE, përdorimi i haraçit dhe i kërbaçit ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe politikano-pushtetarëve të saj, ka vetëm një synim: Të rikthejë Republikën e Kosovës në statusin e para luftës, si një republikë apo krahinë autonome e Serbisë, e më vonë, edhe të Republikës së “Jugosllavisë së tretë” në perspektivë. Ne gjithashtu, duhet të lexojmë shqip, edhe marrëdhëniet me mikun e madh të përtej Atlantikut. SHBA, si një shtet i madh me rol të veçantë në politikën botërore, ka një aksiomë, të cilën e thotë hapur dhe e zbaton sheshit. Sipas saj, në botën e sotme nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përkohshme. Ndihma konkrete, që i dha popullit shqiptar të Kosovës në luftën kundër gjenocidit serb, koinçidoi njëjtë me interesat e tij gjeostrategjike në Ballkan dhe në Europë. Por këto interesa, në situata të reja mund të ndryshojnë. Ndërsa çështja jonë kombëtare, nuk ndryshon asnjëherë dhe nga asnjë lloj konjukture. Nisur nga kjo, ne duhet të zbatojmë taktikën dhe përvojën e mirditorit, i cili thoshte: “Bajraktarin (Kapedanin, të fuqishmin), mjerë kush e ka armik dhe mjerë kush e ka mik”! Të kishe armik Bajraktarin, apo Kapedanin, do të thoshte të kishe çdo ditë rrezikun mbi kokë. Se Bajraktari apo Kapidani ishte fuqi e madhe e mund të të qiste fare, nëse i kundërviheshe apo e kundërshtoje. Por edhe po ta kishe mik, ishte me rrezik. Se të përdorte për interesat e tij, interesa të cilat shpesh të shpinin drejt rrezikut. Për t’i dalë mbanë kësaj dileme, mirditori, i cili nuk mund t’u shmangej marrëdhënieve me bajraktarin, zgjidhte ta kishte atë edhe mik edhe armik. Ta kishte mik, për gjërat që ishin jashtë konakut të tij dhe ta konsideronte armik, kur bajraktari (kapidani) kërkonte t’i ngacmonte “urët e zjarrit” në oxhak. Për realizimin e kësaj taktike, mirditori, ndërsa i jepte dorën dhe e njatjetonte bajraktarin (kapidanin), në brez mbante kurdoherë nagantin. Këtë zgjidhje origjinale, shqiptarët e Kosovës dhe gjithë Shqipërisë, e kanë të materializuar në dy shembuj konkretë të historisë sonë: Në veprimet e Isa Boletinit, me koburen rezervë, kur u takua me ambasadorin britanik në vitin 1913, dhe me veprimin e suksesshëm të shqiptarit të madh Enver Hoxha, i cili, me këtë taktikë të përvetësuar nga përvoja e popullit të tij, mbrojti për gjysmë shekulli lirinë, pavarësinë, paqen dhe begatinë e Shqipërisë Socialiste. Situata aktuale e popullit shqiptar të Kosovës dhe Republikës së tij të brishtë, është tepër serioze. Ajo nuk mund të kapërcehet me sukses me mjetet e diplomacisë sonë latante dhe në pamundësi mbështetje me mjete të tjera politike, ekonomike dhe ushtarake. Ndaj ka vetëm një rrugë të mundshme: Krijimin sa më parë të një qeverie të unitetit kombëtar, apo të shpëtimit kombëtar, të përzgjedhur jo nga partitë politike, të cilat kanë dështuar në misionin e tyre, por drejtpërsëdrejti nga populli. Në këtë kabinet qeveritar me përfaqësues nga personalitetet më të spikatura të Kosovës, nuk duhet të hyjë asnjëri nga ata, që për arsye objektive apo subjektive, kanë marrë “njolla” në rrugën e tyre të luftës e të paqes. Kjo shmanget me autoveting të ndërgjegjshëm, ose me veting të detyruar, çka do të nxjerrë jashtë loje, pretendimet e Dick Marty, Carla Del Pontes, Gjykatës Speciale dhe çdo pretendimi e prapaskene të politikës së kontinentit plak, që ruan ende “mustaqet e kalbura” të Bismarkut. Liderët e kësaj qeverie të Unitetit apo Shpëtimit Kombëtar, le të mos lodhen me diplomaci, takime e bisedime të pafrytshme për njohjen e republikës së tyre, por me “pasaportën” e përgjakur të masakrës së Reçakut, të Prekazit, të Izbicës, të Rezallës, të Dubravës, Krushës së madhe, Rugovës së Hasit; me pasaportën e përgjakur të Suharekës së Gramozit 7-8 vjeçar e të mijëra fëmijëve, pleqve e grave të dhunuara e të masakruara; me pasaportën e përgjakur e të përflakur të të gjithë Kosovës martire, të mësyjnë kancelaritë e BE, për t’jua kujtuar titullarëve të këtij institucioni se çfarë ka ndodhur jo më larg se dy dekada më parë, bash në mes të Europës së mbiquajtur demokratike. Me këta flamuj të përgjakur në dorë, të shkojnë në selitë e nipave e stërnipave të Bismarkut, Hitlerit, Duçes etj., jo për të vulosur “viza shengen”, por për t’jua vringëlluar para syve, si flakërimë shpate, dëshminë e asaj që ka ndodhur në kurriz të shqiptarëve. T’u thonë atyre, pa pikë rezerve e xhentilese, se gjenocidi serbo-sllav i fund shekullit të njëzet kundër banorëve autoktonë të Kosovës, është i pashoq në botë. Lufta është egër dhe përlan të rritur e të vegjël, por kurrsesi gratë dhe fëmijët e paarmatosur. Ritregojuni me video pamjet që u dhanë ato ditë lufte në të gjitha stacionet televizive të botës, se ndoshta u kanë dalë nga kujtesa. Dhe që ta fiksojnë mirë e të mos e harrojnë, u thoni se gjenocidi serbo-sllav mbi shqiptarët, u nxit nga kancelaritë e tyre, të cilat, ndonëse me ngjyra fosforeshente e moderne, kanë brenda edhe nëpunës me mustaqe si të Bismarkut. U thoni, se jo shqiptarët e Kosovës martire, por serbët e Serbisë duhet të futen në karantinë e në geto. U thoni se institucionet e BE bëhen të pabesueshme demokratikisht, nëse viktimën e viktimizojnë dhe agresorin e ledhatojnë. Ata duhet ta dinë se nuk ka, e nuk mund të ketë rregull, ligj apo normë në botë, që të ulë në një tavolinë viktimën me agresorin, pa kërkuar falje ky i fundit, për krimet e bëra dhe pa dëmshpërblyer të dëmtuarin. Këtë veprim, ju qeveritarë të qeverisë së ardhshme të Unitetit Kombëtar, bëjeni ballas, me trupin drejt e me zë të plotë e të fuqishëm, që të kumbojë në sallonet e BE, të cilat siç duket sheshit, nuk e kanë hequr ende mykun e shekujve të kaluar. Vetëm kështu, ju do të mundeni të realizoni detyrën ndaj vendit. Vetëm kështu do të sigurohet njohja e Republikës së Kosovës. Vetëm kështu ajo do të arrijë të zërë ulësen e saj në forumet e larta botërore. Vetëm kështu, rezoluta që miratuat para një viti, mund ta kapërcejë vonesën e madhe të lindjes së saj dhe të shohë realizimin në terren. Ky apel është edhe për politikanët dhe pushtetarët e këtej kufirit artificial shqiptar-shqiptar, të cilët së bashku me vëllezërit nga Kosova, duhet të hartojnë e të realizojnë jo bisedime kulisash e marrëveshje matrapazësh, por rezolutën e madhe dhe finale, atë të bashkimit kombëtar.