BREAKING NEWS

Bashkimi Europian nuk e futi Shqipërinë në listën e vendeve për lëvizjen e lirë, mjeku Alimehmeti tregon ‘provat’ pse kjo nuk duhet të ndodhte

Bashkimi Europian nuk e futi Shqipërinë në listën e vendeve
x

Opinion / Editorial

Ta mbrojmë presidentin nga gangsterët që duan ta vrasin!

Ta mbrojmë presidentin nga gangsterët që duan ta vrasin!

Unë jam shtetas i Republikës së Shqipërisë. Kam një identitet. Në deje me rrjedh gjak shqiptari si të gjithë ju bashkëkombësit e mi të nderuar. Kam të drejta dhe detyrime që rrjedhin nga qenia shtetas i këtij vendi. Kam punuar një jetë, atje ku më është krijuar mundësia dhe jam shkolluar atje ku më është hapur një portë nga vendimmarrësit e kohës. Kam kryer edhe shërbimin ushtarak në kohën që lamë pas dhe kam bërë betimin për t`i shërbyer Republikës. Ai sistem iku, po betimi mbeti, se Shqipëria është në këmbë, është nëna jonë, nëna juaj. Për këtë vend, kanë dhënë jetën mijëra e mijëra patriotë dhe luftëtarë të shquar. I kanë kënduar këngë dhe kanë bërë muzikë për këto troje stërgjyshore. Kanë shkruar romane, drama, tragjedi dhe kanë vjershëruar poezi që të rrëqethin dhe të mbajnë pezull me mesazhet që shpalosin dhe lavdinë e vendit që lartësojnë dhe ngrejnë në qiell. Jam një nga tre milionë e ca shqiptarët që jetojnë e punojnë këtu, po edhe ata që jeta i ka degdisur në troje të tjera. Ngrohemi të gjithë nën të njëjtin diell. Lagemi nga i njëjti shi. Shijojmë të njëjtat produkte dhe konsumojmë të njëjtën propagandë. Ushqehemi nga e njëjta politikë. Ky është fati ynë dhe ne jemi krenarë për të qenët shqiptarë. Ushqejmë dashuri pa kufi për këto troje, male, dete, lumenj edhe për një gurë apo një grusht dhé. Këtu mbi e nën tokë, kemi njerëzit tanë. Ata që ikën dhe gjithë të tjerët që jemi në këtë jetë dhe që luftojmë për të mbijetuar mes sakrificash dhe pune të pandërprerë. Na gëzojë arritjet, ndryshimet, zhvillimi, ashtu si hidhërohemi dhe përjetojmë me dhimbje dështimet që pllakosin përditë më së shumti, jo nga fuqi natyrore, po veprimet njerëzore, shumica të provokuara nga politika dhe politikanët tanë që mbajnë gishtin në shënjestër për të goditur cilindo që u del përpara dhe pengon marshimin e tyre drejt kështjellës së pushtetit. Kemi tri dekada që jetojmë me politikanët tanë. U njohim çdo fjalë, gjest, shenjë. U dimë bindjet, arritjet, mungesat, shkëlqimet dhe rëniet, ngjitjet e zbritjet drejt pushtetit. Inatet dhe mllefet sepse shumë herë jemi bërë pre e lojërave të tyre në këtë betejën pa fund për të qenë gjithnjë mes privilegjeve dhe posteve. Ata nuk mund të qëndrojnë kurrë jashtë tavolinës së shtruar të pushtetit dhe jeta e tyre nuk ka asnjë kuptim pa poste e detyra të larta. Nëse një ditë u mungon autoriteti vendimmarrës, firma e vula, e drejta për të urdhëruar apo vendosur për fitues të tenderave, për koncensione apo për të qenë të parët që pyetjen për ne popullin nën sundimin e tyre, atëherë zemërimi i ngjanë inatit të Zeusit kur i vodhën zjarrin. I kemi pothuaj permanentë në shtëpi portretet e tyre, buzëqeshjet e ngërdheshjet, rrudhjen e ballit dhe buzët e shtrënguara. Kur ata janë të zemëruar ne heshtim. Kur janë të mërzitur ne jemi në hall të madh. Të prekur deri thellë në shpirt. Jemi shumë të ndjeshëm për udhëheqësit tanë. Se jeta jonë varet prej tyre. Se ata janë mes nesh, me fjalët bombastike, premtimet, sherret, grindjet, mallkimet, revoltat, takimet, premtimet për të na dhuruar qiejt. Më shumë dëgjojmë fjalime politikanësh, se thithim ajër e marrim frymë. Ata janë ajri ynë. Jeta jonë. E nesërmja. Pa ta vendi ngec dhe nuk ecën përpara. Bile shumë nga ne marrin frymë vetëm me lejen e tyre dhe qeshim kur na lejojnë ata, burrat e gratë e politikës. Po nuk deshën ata, mbetemi të ngurtësuar, si të ishim ca copa akulli, dalë nga ngrirja frigoriferike. Ekranet e televizioneve na janë bërë bajate dhe më shumë na pëlqen të mos e rrotullojmë butonin dhe ta lëmë në sirtar telekomandën. Të gjitha stacionet kanë të njëjtat fytyra. Mjafton të ndizet një shkëndijë, një projekt, të ndërtohet një rrugë apo urë, le më të shembet ndonjë objekt, si Teatri Kombëtar që e gjithë propaganda mediatike, aktoriale, intelektuale, militante dhe zhurmimi nga gazetarët e instaluar pranë shefave të mëdhenj, të nisin sulmet, duke denigruar cilindo dhe duke dërmuar tërë shqiptarët. Një herë tjetër do flasim për shumë prej tyre. Sot le të themi disa shqetësime, po edhe të mendojmë thellë për atë që kumtoi Presidenti ynë, Shkëlqesia e Tij, Zoti Ilir Meta. Pas një qetësimi gati dy mujor në respekt të shëndetit të popullit dhe bashkëpunimit për përballimin e pandemisë, presidenti nisi avazin e vjetër, atë të sulmeve dhe deklaratave vërtet për t`u trembur dhe menduar se çdo ndodhë më pas. Kuptohet reagim me objektivitet. Shqetësim i natyrshëm nga situata që u krijua nga ata që i vunë kazmën kulturës tonë kombëtare me shembjen e godinës prej pupuriti. Është vërtet për t`u shqetësuar që mes shumë deklaratave të tjera në krah të opozitës, takimeve me krerët e saj, duelit me SHBA-në, takimit kokë më kokë në presidencë si të ishte president i pjesshëm, garancinë për të mbrojtur të drejtën, për të vënë pikat mbi i për ata që shkelin vijat e kuqe të vendosura nga Basha, na dha lajmin më të hidhur që do donim të dëgjonim, se gangsterët, armiqtë, mafia kombëtare e ndërkombëtare, është në përpjekje të ethshme për të vrarë presidentin tonë. Ky është lajmi më tronditës që na ther në zemër, na vë në mendime, pasi këtu nuk bëhet fjalë për një atentat të zakonshëm, për njerëz si puna jonë, për ndonjë polic kërcënuar nga anëtarë të LSI-së. Ne të zakonshmit që jemi të ekspozuar ndaj cilitdo që i shkrepet të na marri jetën. Nuk është ndonjë hata e madhe. Është fjala për të parin e shtetit tonë. Garantin e Kushtetutës dhe unitetit kombëtar. Si të thuash prijësit tonë, i cili edhe pse i mbrojtur, si figura e parë e shtetit nga garda dhe bodygardët e shumtë që i qëndrojnë puthitur për arsye se është njeriu më i lakmueshëm për atë që përfaqëson nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm nuk mund të thuhet se është i parrezikuar. Mafia ndërkombëtare, ajo rajonale, ka synime shumë kobndjellëse për njeriun e parë të Shqipërisë. Tek ai, siç tha vetë presidenti në një emisionin televiziv, pas pyetjeve të gazetarëve, bëri me dije se jeta e tij është në rrezik. Kjo se është zyrtari i së drejtës dhe anti-kompromiseve në kurriz të kombit dhe synimeve të armiqve për të copëtuar trojet shqiptare. Ai e tha edhe vetë se nuk është Monika me përgjegjësi të kufizuara që ka detyra të vogla të brendshme, po ka përgjegjësi të mëdha mbi shpatulla dhe është shënjestra e të këqijve, të cilët nuk e kanë për gjë të të marrin jetën në interes të qëllimeve të tyre. Sapo dëgjova lajmin e zi se, presidenti ynë është kërcënuar, më shkoi ndërmend, si shtetas i këtij vendi, detyra ime si qytetar që kam bërë betimin për vendin tim, ku mbrojtja e Komandantit të Përgjithshëm është detyra numër një e çdo shtetasi dhe nëse nuk bëjmë këtë nuk meritojmë emrin shqiptar. Ndaj, deklaroj se: Do jem ushtari i parë ndër njëzet burrat që i duhen presidentit në mbrojtje të tij. Unë, vullnetarisht, pa ma kërkuar askush do të pozicionohem para Presidencës, që të parit të vendit tim të mos i preket asnjë fije floku. Po e dimë se mënyrat e atentateve tani kanë ndryshuar shumë. Janë sofistikuar në atë masë, saqë mund të mbetesh roje te muri presidencial dhe të mos kuptosh asgjë nga përpjekjet dhe tentativat që duan t`i marrin jetën presidentit tonë të nderuar. Këtë, ne shqiptarët nuk mund ta lëmë në dorë të fatit. Ndaj veç gatishmërisë tonë, si qytetarë i drejtohemi kryeministrit, ministrit të Brendshëm, gjithë Policisë së Shtetit, forcave të Gardës, ushtarakëve në detyrë dhe rezervë, të ngrihemi në këmbë e ta ruajmë si sytë e ballit jetën e të parit të shtetit tonë, zotit Ilir Meta. Bota ka njohur atentate të rënda që u kanë marrë jetën presidentëve më të fuqishëm të botës. Kujtojmë këtu presidentin Kenedi. Ndaj mos ta marrim kaq lehtë deklaratën e presidentit. Kush është burrë dhe i thotë vetes shqiptar, duhet të jetë vigjilent në maksimum, të ushtrojë detyrën kushtetuese për ruajtjen edhe mbrojtjen e jetës së presidentit. Deklaratën e bërë me seriozitet, faqe gjithë shqiptarëve, ne qytetarët e thjeshtë nuk ka pse ta marrim si një thënie të emetuar rastësisht. Deri sa e thotë ai, ka një të vërtetë të padiskutueshme. Ai ka informacione të klasifikuara. Dhe kjo nuk i ngjan betimit për të bërë Alenden. Është ndryshe fare kjo. Është detyra jonë të besojmë dhe jo të dyshojmë. Çdo dyshim për lajmin presidencial, do ishte baras me shkelje të ligjit dhe cënim të sovranitetit dhe integritetit të vendit. Cilët janë ata armiq ndërkombëtarë, gangsterë, keqdashës që kanë shpallur vrasjen e presidentit tonë? Cilët janë ata armiq të pashpirt, të këtushëm që duan t`i bëjnë gjëmën Shqipërisë? Presidenti është njeriu ynë. Figura numër një. Prijësi ynë në këto tri dekada. Ai ka bërë aq shumë për vendin tonë, qysh kur ishte njëzetë vjeç. U përlesh me diktaturën më të egër të Europës. Luftoi për të drejtat tona. Na përfaqësoi si deputet. Si kreu i FRESH-it. Kryeministër disa herë, zëvendëskryeministër, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Sot President i Republikës. Sa sakrifica në emrin tonë! Ka kontribuar në të gjitha postet e larta shtetërore. Ka mbajtur qëndrime objektive për Kushtetutën dhe ligjin, reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Ka luftuar me të gjitha forcat regresive që vendi ynë të zërë pozicionin e vet në tavolinën e shteteve europiane. Lufton fort për të drejtat tona dhe gjithë shqiptarëve përtej kufijve politikë të shtetit shqiptar. Ka mbrojtur me stoicizëm lakmitë e të huajve për të rrëmbyer copa nga deti ynë. Ka miratuar ligje dhe ka sprapsur ato që nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Është betuar mbi Kushtetutë me shqiponjën dykrenare të simbolizuar me gishta. Na ka mbledhur në protestën më të madhe, atë të dy marsit, para Presidencës dhe godinë së qeverisë, për lirinë dhe të drejtat tona, për t`u prerë rrugën abuzimeve të pushtetarëve grabitqarë e uzurpatorë në pushtet. Sot është duke qetësuar opozitarët që i kërkojnë shpërndarje të Parlamentit dhe dekret për largimin e qeverisë. Sa shumë punë! Sa shumë mund! Për të gjitha këto, të ngrihemi në këmbë në mbrojtje të jetës së presidentit tonë të dashur! Është detyra jonë numër një në këto çaste vërtet të rrezikshme për jetën e presidentit tonë!