Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ta quash LANÇ me terma të tjerë, do të thotë ta quash gjakun ujë

Postuar: 17/08/2019 - 07:17

Ky vit është viti jubilar i 75 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, ndaj dhe jehona, kremtimi dhe publiciteti i lavdisë së Luftës NAÇL, duhet të jenë më të mëdha se kurrë. Ne jemi një vend i vogël, i cili e fitoi lirinë krejtësisht në saj të luftës që bëri vetë dhe gjakut e sakrificave që derdhën dëshmorët. Por duhet thënë se lavdia e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, po vjen duke u zbehur, ose të themi më mirë që duan ta zbehin disa neofashistë e neoballistë me një strategji të përcaktuar qartë. Kohët e fundit u përmend në shtyp se do të mbahet një konferencë nga Akademia e Shkencave, ku nuk do tu flitka më për Luftë Antifashiste, por për “rezistencë popullore antifashishte”, nuk do tu flitka më për armë e gjakderdhje të partizanëve tanë në emër të kombit, por për “rezistencë popullore pa uniformë e pa armë”, që shqip do të thotë t’i veshësh luanit puplat e laraskës. Ta emërtosh luftën e përgjakshme e të lavdishme të partizanëve me këta emra të zbehur me ngjyrim të kadifenjtë, do të thotë që gjakun e derdhur ta quash ujë. Po a bëhet gjaku ujë?! Asnjëherë. Jo vetëm ai gjak që derdhet për lirinë e atdheut, por as gjaku i derdhur për të mbrojtur shokun, mikun e fisin nuk mund të bëhet i tillë. Ja çfarë shkencëtarësh kemi ne! Në vend që të merren me shpikje e racionalizime në të mirë të zhvillimit ekonomik e shkencor të vendit,merren me terminologji injorantësh e shtrembërime historike prej halabakësh. Këto terma antikombëtarë që mundohen përdorin në vend të fjalëve “luftë dhe gjak” sot pas 75 vjetësh, disa pseudohistorianë e pseudopolitikanë e që u vijnë për shtat shumë neofshistëve e neoballistëve të kohës, nuk janë thjeshtë rastësi, por një strategji e përpunuar me finokëri të kujdesshme, që kur mori pushtetin PD. Pavarësisht, se sapo erdhi në krye të PD, Sali Berisha deklaroi nga frika e revoltës popullore se: “Në këtë mes, mirënjohja jonë e madhe, pa dyshim shkon së pari te presidenti, shoku Ramiz Alia, i cili me një mençuri të madhe dhe guximi që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë sonë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimin të Shqipërisë”, por kjo kish qenë e tëra hipokrizi. Pra, Berisha flet për “beteja çlirimtare” të ushtrisë sonë dhe jo për “rezistencë popullore antifashiste”. Fillimisht, Berisha jo vetëm i trembej shtrembërimit të historisë, por kishte si qëllim të errësonte figurën dhe rolin e Enver Hoxhës si udhëheqës i luftës, duke ngritur lart atë të Ramiz Alisë. Pas kësaj tropojani Berisha, u mundua të heqë 5 Majin si Ditën e Dëshmorëve, pavarësisht se bënte ndonjë vizitë hipokrite në Varrezat e Dëshmorëve, por nga ana tjetër nxiste kalemxhinj të shitur që ta quanin Luftën NAÇL si “vëllavrasëse” e “civile”. Pastaj, sa më shumë i shtohej oreksi nga pushteti i pakufizuar që zotëronte, arriti kulmin në përpjekjet e tij fashiste për të mos njohur datën e Çlirimit të Shqipërisë, 29 nëntorin! U përpoq klani pëdëist, që mori pushtetin, me të gjitha format, me ligje e nënligje, me udhëzime e akte, ta errësonte sa më shumë shkëlqimin e epopesë Çlirimtare, madje edhe ta mohonte krejtësisht atë periudhë të lavdishme historike, që i dha fizionominë kombit e palcës atdhetare. Regjimi pëdëist për këtë qëllim mobilizoi politikanë sharlatanë e historianë servilë, punonjës arshivash e kalemxhinj të shitur, që fshehën dosje e falsifikuan dokumente, me pikësynimin e vetëm, që lufta më e madhe dhe më e organizuar për liri në historinë e popullit tonë, të mbetej në errësirë. Deshi ta fshijë regjimi berishian nga kalendari dhe kujtesa e popullit këtë ditë të madhe, sikur të ishte kjo ditëlindja e një ushtari të verbër që kishte hedhur dje nja dy pushkë dhe tani kthehej e i fshinte këpucët Saliut. Por,edhe pse pati dy herë pushtet të pakufizuar, Sali bajraktari, përpara vendosmërisë dhe revoltës popullore, nuk arriti kurrë ta mposhtë e ta fshijë nga kalendari një ditë të madhe, si 29 Nëntori. Madje edhe presidenti i Republikës, i zgjedhur nga partia e tij, festonte 29 Nëntorin e bënte homazhe për 5 Majin, duke respektuar protokollin shtetëror për këtë datë. Kurse vetë Berisha mjaftohej e kënaqej bashkë me administratën e tij, duke e shijuar 29 Nëntorin vetëm si ditë pushimi. Fakti që Berisha nuk arriti ta heqë as dejuro e as defakto 29 Nëntorin si Dita e Çlirimit, tregon qartë se kjo datë, jo vetëm pasqyron një të vërtetë të madhe historike, si simbol i sakrificave, i gjakut të derdhur nga bijtë më të devotshëm të këtij populli, por edhe sa thellë i kishte lëshuar rrënjët ajo në zemrat e gjithë popullit, edhe të brezave, që nuk e kishin jetuar atë luftë. Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit tonë, si pjesë modeste e koalicionit antifashist e njohën edhe fuqitë e mëdha, qysh në vitin 1942. Dhe këtë luftë e kanë vlerësuar edhe bashkëkohës të Enverit, edhe pse ai i dënoi si kundërshtarë politikë, e kanë vlerësuar historianë të huaj dhe të vendit, të cilët patën guximin për të mos e shtrembëruar të vërtetën para çdo presioni. Këtë luftë nuk e mohuan as Dr. Ymer Dishnica e as Prof. Sejfulla Malëshova, pjesëmarrës me armë në dorë në këtë luftë, dhe as të gjithë ata gjeneralë e oficerë madhorë, edhe pse Enveri më vonë i dënoi dhe pushkatoi tradhtarët, që nga Mehmet Shehu e Beqir Balluku e gjer tek Muhamet Prodani e Rrahman Perllaku. Po kështu dëshmon edhe misionari britanik, Fertitta Tilman, pjesëmarrës në koalicionin e madh antifashist botëror, kur në librin e tij “Atje ku takohen malet dhe njerëzit” shkruan: “Gjatë misionit tim u binda fare qartë, se vetëm Lëvizja ANAÇL kishte qëllime lufte me tonat, kur njëra nga partitë, Partia Komuniste Shqiptare, luftonte e sakrifikohej, dy të tjerat, Balli dhe Legaliteti, ose ishin aktivisht armiqësore, ose mbanin një asnjanësi, sa për sy e faqe”. Gjithashtu dëshmitari tjetër okular, gjermani R.Hilbert, në librin “Lufta Nacionalçlirimtare shqiptare” shkruan:“nacionalistët e humbën shansin e tyre plotësisht, sepse nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve. Madje as çastet e fundit, duke i ruajtur forcat e veta vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve. Enver Hoxha dhe kolegët e tij, kishin gjithashtu një damar të fortë nacionalisti, por ata nuk e kishin vënë asnjëherë në dyshim, se u duhej të luftonin me armë në dorë për çdo gjë që kërkonin.” Në Konferencën e Paqes në Paris, ku morën pjesë vendet fituese mbi fashizmin dhe nazizmin, u ftua edhe delegacioni shqiptar për kontributin e dhënë në fitoren botërore dhe këtë delegacion jo vetëm që e kryesoi Enver Hoxha, por mbajti atje edhe një fjalim të rëndësishëm, ku vlerësoi e ngriti lart kontributin e Shqipërisë e vlerat e popullit shqiptar në këtë fitore. Askush atëherë në atë Konferencë botërore, nuk tha për Shqipërinë se nuk kishte bërë luftë të armatosur antifashiste, e askush nuk përdori terma idiotësh si “rezistencë popullore antifashiste pa armë e pa uniformë”! Historia duhet shkruar me vërtetësi e lufta ANAÇL duhet vlerësuar ashtu siç është. Edhe një institut që studiuaka, me “vërtetësi historike” krimet e komunizmit, përsëri hallin e ka tek errësimi i lavdisë së kësaj lufte, pasi rrënjët e këtyre krimive i shihka që tek Lufta ANAÇL, e i shpall pothuajse kriminelë të gjithë ata që udhëhoqën këtë luftë! Këta lloj studiuesish që mbajnë edhe tituj shkencorë, e beniaminët e tyre që i quajtën veteranët “plehra enveriste”, “kriminelë që lyen duart me gjak”, e që e quajtën luftën e partizanëve “të fëlliqur” e “vëllavrasëse”, e se nazizmi “ishte kalimtar”e s’kishte qëllime pushtimi, tani u polli mendja na shpikën termat e habitshëm “antifashizëm popullor”, ”antifashizëm pa armë”, “rezistencë antifashiste popullore”, që nuk gënjejnë dot as fëmijët e djepit. Deklarata e legjendës së rezistencës antifashiste Molis Glezos, që u prononcua këto ditë për këtë problem: Mos i hidhni verës ujë. Fashizmi nuk ka vdekur”, tingëllojnë aktualisht si thirrja e gazetarit Julius Fuçik, i cili në kohën e tij, para litarit,bëri thirrje: Njerëz ju kam dashur! Jini vigjilentë!”

 Nga Ramazan Sherja

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2019 - 11:05

Instituti Ndërkombëtar për Studime i Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) me qendër në Ljubljana, Slloveni, vazhdimisht analizon ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe Ballkan.

Postuar: 19/09/2019 - 07:16

Aspak nuk është hiperbolizim i çështjes dhe as titull bombastik për të tërhequr vëmendjen e lexue

Postuar: 19/09/2019 - 07:15

Të qenit shërbestar nuk është të jesh “shërbëtor”, në konotacionin negativ të fjalës

Postuar: 19/09/2019 - 07:14

E para është fjala.

Postuar: 19/09/2019 - 07:12

Qëkur ka nxjerrë zhdekretimin e zgjedhjeve të 30-qershorit dhe deri tani Presidenti nuk po ndihet

Postuar: 18/09/2019 - 07:22

Struktura Speciale Kundër Korrupsionit, Byroja Kombëtare e Hetimit, janë kthyer gati tunduese për

Postuar: 18/09/2019 - 07:18

Dukuria e korrupsionit, kjo gangrenë e shoqërisë shqiptare i ka përfshirë të gjitha shtresat.