Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ta shpëtojmë Shqipërinë nga monstrat e çuditshme

Postuar: 13/09/2017 - 07:35

Çdo ditë që kalon, tronditja e shqiptarëve është e pamatë dhe sa vjen e rritet. Veshët e tyre ç’nuk po dëgjojnë. Aq sa tashmë as vetë nuk dinë se cili është shkatërruesi i parë i këtij vendi me pasuri të paana mbi e nëntokësore. Po paradoksalisht edhe më i varfëri në kontinentin plak. Kujt t’ia vënë emrin si shkatërruesi i parë? Kësaj klase politike që nxjerr nga gjiri i saj veç milionerë, apo plazhistëve të Durrësit të kthyer nga varfanjakë në milionerë brenda pak viteve? E drejta është të dyjave njëherësh. Sepse të dyja mbrojnë njëra tjetrën, të dyja pasurohen përmes plaçkitjes së shumicës si t’u vijë më për mbarë dhe të dyja deri tani i kemi parë duke shkatërruar pasurinë kombëtare pa u hyrë ferrë në këmbë. E nënquajtura Drejtësi që në shumicë përbëhet nga plazhistë të Durrësit duke qenë se nuk i ka mbetur asnjë gram tru në kokë ç’nuk po nxjerr nga e ndyra gojë e saj. Aq sa tashmë ka tronditur gjithë shqiptarët. “Mjaft më, - thotë shumica e shqiptarëve, mjaft më me idiotizma të tilla. Ne deshëm t’i besonim ç’na thonit ju, po kur i nxorët vetë në shesh, fëmijët që i kemi në emigracion na dërgojnë të shara lumë. “Si i duroni ende mostra të tilla? Si qëndroni ende në heshtje për çfarë ato iu broçkullisin? Dhe na thoni pastaj që ne të kthehemi”,- na thonë të lemerisur fëmijët tanë në emigracion. Sepse nuk duan që djersa e tyre të mbushë pa asnjë lloj dogane xhepat e këtyre mostrave. Vetë plazhistët, apo mostrat e përafërta me ta që kanë mbushur të nënquajturën Drejtësi pranojnë se:

 1. Kam ngritur pasuri të madhe sepse kam punuar në 7 punë njëherësh, në sektorin shtetëror, në sektorin privat dhe jashtë vendit. 

 2. Tjetri me lehtësinë më të madhe tregon se, ka ndërtuar një pallat me para borxh, duke arritur më pas të ketë fitime të mëdha.

 3. Një tjetër nxjerr xhevahirin se, kam kredi të madhe dhe për ta shlyer atë, kam marrë kredi tjetër. 

 4. Një tjetër rreket të na mbushë mendjen se pasurinë e ka ngritur nga paratë dhuratë që ka marrë nga gjyshi e gjyshja.

 5. Një tjetër na tregon se ka shlyer brenda një viti një kredi prej më shumë se 300 mijë eurosh. 

Është vetëm një çikëz e vogël nga vargu i pafund idiotizmave të panumërt që i ndesh ndërsa lexon çfarë kanë evidentuar vetë plazhistët për të justifikuar pasurinë e stërmadhe që kanë mundur të ngrenë në pak vite në këtë Shqipërinë tonë. Aq sa tashmë u duket atyre dhe gjithë shqiptarëve si një perandori e stërmadhe. Dhe këto mostra janë aq të sigurt se ne të gjithë do t’i besojmë, edhe pse na tregojnë përralla idioteske që nuk i beson asnjë që qëndron në dy këmbë.

Nuk ka shqiptar që mund t’u besojë, përderisa shumica e shqiptarëve mezi sigurojnë bukën e gojës. Ndërsa e çuditshme është vetëm pse ende ne shqiptarët qëndrojmë në heshtje dhe i lëmë të livadhisin monstra të tilla që u pasurokan me një të rënë të lapsit. Kur duhet të klithim kundër këtyre lloj monstrave të neveritshme.

Tashmë shumica e shqiptarëve janë në një gjendje të rënduar ekonomike. Kësisoj kur dëgjojnë se, dikush arrin të punojë në 7 punë njëherësh, në sektorin privat dhe publik, brenda e jashtë vendit, apo se ndërton pallat me para borxh, apo merr kredi për të shlyer kredi i duken mashtrime idioteske që një mendje normale nuk i rrok dot. Në këto kushte, idiotësi të tilla e bëjnë shumicën e shqiptarëve të mallkojnë vendin ku kanë lerë. Aq më tepër, kur paturpësisht heshtja është mbizotëruese. Bile edhe kur monstrat bëjnë edhe ankesë kundër Vettingut që ka mbetur e vetmja mundësi për t’ua nxjerrë të palarat në shesh. Kjo edhe pse ai mbikqyret e drejtohet nga ndërkombëtarët. Se po të ishte për shqiptarët, gjithçka do të mbetej në krevatin e gjumit.

Thjesht, të tillë gjyqtaro – prokurorëve, apo politikanëve është mirë t’u thuhet shqip: Mjaft më, se po e bëni këtë popull të marrë vrapin në mes të natës për të ikur nga ky vend që duket se “është pushtuar” nga lloj-lloj mostrash, që shumica e shqiptarëve tashmë e kanë kuptuar se pak i ngjajnë racës njerëzore. Sepse ndryshe nuk do të broçkullisnin idiotësi ekstreme, siç po bëjnë palo gjyqtarët e palo prokurorët plaçkaxhinj.

Ndërsa ne, shumica e shqiptarëve mashtrohemi si u vjen më për mbarë politikanëve, apo gjyqtaro – prokurorëve. Bile këta të fundit kanë gjetur mënyrën si t’i shmangen së vërtetës për mënyrën si e ngritën pasurinë e madhe brenda pak kohe. Thjesht duke u larguar nga sistemi. Po për paratë, për pronat që askush nuk mund t’i justifikojë çfarë do të mund të thonë? Hiç, asgjë. Sepse ligjin e kanë kullandrisur në atë mënyrë që plaçkitësve të mos u hyjë ferrë në këmbë. Sepse këta farë politikanësh, gjyqtaro – prokurorësh kësisoj dalin të larë, edhe pse të gjithë shqiptarët e dinë mirë se ç’mostra janë dhe sa kanë vuajtur prej tyre gjithë fakir fukarenjtë e këtij vendi. Po të paktën të mos na gënjejnë ashiqare, kur na thonë se “ne punojmë në 7 vende njëherësh, bile brenda e jashtë Shqipërisë”. Një turp të tillë nuk duhet ta pranojnë as ata vetë. Edhe pse janë monstra të çuditshme.

Ka ardhur koha, që disa të vërteta të thuhen hapur. Këta janë thjesht mashtrues dhe hajdutë. Ndaj mbi to duhet të bjerë Vettingu, që t’ua zbardhë sadopak lëkurën e nxirë nga pisllëqet e pafund që kanë kryer gjatë këtyre 27 viteve. Së pari, ne fakirfukarenjtë të bëhemi një herë burra, të paktën vetëm një herë dhe këto monstra jo vetëm t’i përzëmë nga zyrat që kanë zënë, po t’u kërkojmë pakëz llogari për mashtrimet që na kanë bërë, për mënyrën si ia kanë arritur të punojnë në 7 vende njëherësh brenda një dite, ku u kanë punuar gjyshërit që u kanë dhënë miliona lekë dhuratë etj., etj. Sepse janë këto mostra, që ne, shumica e shqiptarëve kemi nisur të mallkojmë të parët tanë pse na lanë në këtë Shqipëri të zaptuar nga monstra politikanësh e gjyqtaro-prokurorësh.

Jo më kot, tashmë ne shqiptarët i themi Drejtësisë “me nder me thënë”. Sepse është ajo lëpirësja më e madhe e palo-politikanëve, bile duke u kthyer edhe në mbrojtëse të tyre. Ndaj, shqiptarët e kërkojnë një orë e më parë Vetingun, e kërkojnë që ta pastrojë nga zhuli ku po mbytet kjo palo klasa jonë politike, por edhe Drejtësia e përmbytur nga plazhistët e Durrësit. Sepse janë ata që i kanë bindur gjithë shqiptarët se, “gjithë paraja ka mbetur në duart e maskarenjve”. Duan të dinë pse oligarkia dhe “maskarenjtë” kanë mbrojtjen e kësaj klase të përçudnuar politike që prej 27 vjetësh nuk di gjë tjetër vetëm ta varfërojë e ta poshtërojë shumicën e shqiptarëve. Ndaj është koha për t’i dhënë fund klanit oligark dhe klanit familjar që po mbajnë lidhur të ardhmen e shqiptarëve.

Nga Ilirian DEMIRI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2017 - 07:13

Në përgjithësi, si shoqëri na ka mbetur ora disi shumë prapa në historinë e re tonën! E kam fjalën sidomos për ndarjen e madhe politike klasore që filloi mbas viteve ’44-’45-së!

Postuar: 19/09/2017 - 07:08

Dakord, mirë komunizmi (apo më saktë socializmi, se i pari mbeti në letra) vate se koha i doli kundër, po ç’ne akoma 30 vjet retorika antikomuniste të shërbejë si kriter p

Postuar: 19/09/2017 - 07:01

Në këtë periudhë diplomacia greke u njoftua me krijimin e një pseudo alibie të krijuar në Himarë për t’u hedhur në ofensivë, duke mos fshehur prepotencën e një shteti, që

Postuar: 19/09/2017 - 06:59

Në SHBA, në majën e malit Rushmore janë gdhendur figurat e katër presidentëve të këtij shteti lider botëror.

Postuar: 17/09/2017 - 07:39

Bashkëbiseduesi është një i njohur i vjetër me profesionin inxhinier.

Postuar: 17/09/2017 - 07:28

Është një çudi ekzemplare. Ne shqiptarët sa herë votojmë, dimë të zgjedhim institucione gjithnjë e më të dobëta, gjithnjë e më groteske.

Postuar: 17/09/2017 - 07:26

Qyteti më tradicional i vjetër në qytetërimin urban dhe historik të tij ose Shkodra, i ka rënë në qafë sidomos në kohë demokracie, figurave dhe lartësive të mëdha të qytetit!