BREAKING NEWS

Zbardhen 36 provat e PS kundër Ilir Metës, më 20 korrik raporti për shkarkimin e presidentit shkon për votim në seancë plenare, ja detajet

Zbardhen 36 provat e PS kundër Ilir Metës, më 20 korrik raporti
x

Opinion / Editorial

Takimi me Ramën, hall kryeministror, me të tjerët vëllazëror

Takimi me Ramën, hall kryeministror, me të tjerët

Vizitat e çdo kryeministri, presidenti, deri tek zyrtari më i fundit nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas, është si kthim i njeriut të dashur në shtëpi. Historikisht, kështu ka qenë, e kështu do të jetë edhe në shekujt që do vijnë, pasi është një kthim i birit në shtetin amë. Te ai shtet për të cilin kanë derdhur gjak e kanë luftuar në të njëjtën llogore, bijtë e Kosovës dhe Shqipërisë. Historia e largët, e sotmja dhe e ardhmja, do flasin për këtë dhe do thonë se gjithmonë vëllezërit, japin jetën për njëri-tjetrin, për komb e atdhe, për trojet etnike dhe përparimin e lartësimin e shqiptarëve, ecjen drejtë progresit dhe zhvillimit. Vetëm në këto vitet e fundit më shumë se njëherë, shqiptarët, këtej e andej kufirit, kanë qenë bashkë në përballimin e fatkeqësive të ardhura nga lufta, nga regjimet, po edhe fatkeqësitë natyrore. Vetëm dy muaj më parë, grupet e shpëtimit të Kosovës erdhën në kohë rekord, u vunë në një front me forcat e shpëtimit të Shqipërisë, duke rrezikuar jetën e tyre në emër të shpëtimit të vëllezërve që kishin mbetur nën rrënoja nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit. Po shembujt dhe rastet janë të panumërt, përmendja do ishte vetëm një statistikë e panevojshme. Është tradicionale që të parën vizitë të sapozgjedhurit në krye të ekzekutivit apo dy shteteve shqiptare t`i zhvillojnë në vendet respektive. Kështu e kërkon edhe zakoni. Dëshmi kjo e fuqishme e bashkëpunimit mes dy shteteve të një gjuhe e një kombi. Po ashtu si mes familjarëve të një familjeje edhe mes liderëve dhe politikanëve tanë nuk kanë munguar sherret dhe keqkuptimet, të cilat, jo një herë, janë nxitur nga qëndrime dhe perceptime për problematika që shikohen në kënde e vështrime të ndryshme nga dy anët e kufirit. Një nga keqkuptimet që ka sjellë përplasjet më të shumta gjatë kohëve të fundit pas asaj të marrëveshjes së supozuar dhe tradhtisë së Edi Ramës për ndryshimin e kufijve mes Serbisë e Kosovës i etiketuar, herë si nismë rajonale e herë si amerikane për shkëmbim territoresh dhe zhurmës pa fund e pa asnjë sens, duke bërë fajtor ata që në realitet nuk janë të tillë dhe në radhë të parë kryeministrin e Shqipërisë. Asnjë dokument zyrtar, asnjë prove, fakt, indicie nuk është ekspozuar deri sot nga ata që ngrejnë pretendimin se Tirana zyrtare është përfshirë në shitje-blerje të një trualli që në fund të fundit nuk është juridiksion i vet. Asnjë marrëveshje apo telefonatë nuk është botuar nga asnjë akuzator politik nga matanë e këtej kufirit për një marrëveshje pas kurrizit të Kosovës. Ato që janë dëgjuar, janë deklarata politike. Është paradoksale akuza se Rama punon në interes të zbatimit të strategjisë së presidentit Vuçiç për t`i falur troje të Kosovës, pronë që nuk e zotëron dhe nuk ka asnjë kompetencë mbi të, duke tradhëtuar interesat madhore kombëtare. Kjo akuzë e një veprimtarie hipotetike të sajuar, keqdashëse, e bëjnë ata që duan të fusin në luftë dhe të shkatërrojnë e armiqësojnë marrëdhëniet mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Është një betejë mes faktorëve që llogarisin përfitimet personale. Është flamuri që valëvisin fatkeqësisht opozitarët tanë. Realiteti flet ndryshe. Nëse hiqen syzet e gjykimit subjektiv, shikohet në dritë të diellit e kundërta që duan të servirin ngatërrestarët e patriotët fallco. Ishte Edi Rama në vizitën e parë si kryeministër i Shqipërisë në mes të Beogradit, që deklaroi se Serbia duhet të njihte shtetin e pavarur të Kosovës. Të flakte tutje qëndrimet e lojërat nacionaliste se: “Kosova është djepi i Serbisë dhe kurrë nuk do kishte njohje të Kosovës së pavarur”. Atëherë Rama, u prit si hero në Prishtinë. U vlerësua me superlativa. E vërteta është se nuk ka takim publik me kancelaritë e botës, ku kryeministri i Shqipërisë dhe çdo zyrtar i lartë i shtetit edhe në zbatim të Kushtetutës, të mos ketë folur për të drejtat e shtetit të Kosovës dhe njohje nga shtetet e vendet e tjera të botës në kërkim të konsolidimit të shtetit më të ri në Europë. Po zëra, jo të paktë, u kanë fryrë gjatë tërë kësaj kohe, ndasive dhe përplasjeve mes drejtuesve të Shqipërisë dhe Kosovës, duke u mbështetur nga një shpurë, jo e pakët politike, mediatike, individësh e njerëz publikë, që bëjnë moderatorin dhe jo pak nacionalistin e zjarrtë. Në një atmosferë të tillë, u zhvillua edhe takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Edi Ramës, gjatë vizitës në Tiranë. Dihet se vizita e kryeministrit të Kosovës, ishte një ngjarje e cila nuk do kalonte pa komente dashamirësie, por edhe kontestime të shumta. Kryesisht të panevojshme dhe në tejkalim të marrëdhënieve mes dy vendeve që shumëçka i bashkon dhe asgjë nuk i ndan. Pas çdo anatemimi qëndrojnë, grupime të ndryshme interesi. Mbështetës dhe përkrahës të njërit apo tjetrit kryeministër fatkeqësisht. Po një dozë, jo të vogël ndarjeje i dha edhe vetë debati për nismën europiane, të Shengenit mes vendeve ballkanike, ku kohë më parë u mblodhën në Tiranë udhëheqësit e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim refuzoi pjesëmarrjen vetëm Kosova. Ish-kryeministri Haradinaj, u shpreh se nuk mund të merrte pjesë në një takim, ku projektohej Jugosllavia e re dhe ku violinë e parë ishte Vuçiç. Edhe Thaçi refuzoi. Të gjithë kujtojmë se beteja e zhvilluar, përfshiu shumë faktorë të politikës dhe udhëheqës të këtushëm, kryesisht në opozitë, deri tek presidenti ynë dhe andej kufirit jo më pak. Të gjithë kundër mini-Shengenit. Me akuzën se ishte një thikë pas shpine kundër Kosovës. Në realitet, është e njohur nga të gjithë se është një nismë e kancelares gjermane, e mbështetur nga faktori ndërkombëtar dhe sipas gjithë informacioneve e alternuar dhe sinkronizuar me ta. Pikërisht, kjo ishte dhe tema më e nxehtë e debatit mes Kurtit dhe Ramës, e cila u ravijëzua edhe gjatë konferencës për shtyp. Për Kurtin, kërkohet makro shengen mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe jo mini-Shengen Ballkanik. Nga ana e Ramës qëndrimi ishte i ndryshëm dhe natyrisht nuk mund të ndërronte pllakë pas shumë negociatash dhe takimesh mes shteteve pjesëmarrëse, duke parë në tërë këtë iniciativë interesin e Shqipërisë dhe përafrimin nën ombrellën e BE-së edhe të Kosovës. Pas takimeve të Kurtit me Ramën, vijuan edhe takime të tjera, me Presidentin e Republikës, Meta, Kryetarin e Kuvendit Ruçi, kryetarin e PD, Lulzim Basha. Janë normale takimet me gjithë spektrin politik dhe institucional. Protokoll i zakonshëm për të gjithë drejtuesit e shteteve që vizitojnë Tiranën. Ajo që nuk tingëlloi normale, është deklarata e mysafirit ose djalit të ardhur në shtëpinë e vet, në shtetin amë, Albin Kurtit, ku në dy tri fjali, ndan si me thikë dhe heq një vijë mes kryeministrit dhe gjithë të tjerëve që takoi, duke e cilësuar takimin me homologun, një takim zyrtar shtetëror, ndërkohë që takime me faktorët e tjerë i quan takime vëllazërore. Besojmë se nuk është çështje konceptimi dhe aq më pak një ndarje matematikore, mes Ramës dhe të tjerëve. Nuk do ishte normale që Rama takohet nga halli se e do protokolli shtetëror, sa për të bërë kortezinë, si dy individë që i përkasin konceptimeve të ndryshëm dhe me ata, Metën, Bashën e kompani, takimet janë shpirtërore, vëllazërore, patriotike, si vëllai me vëllanë, si bijë të një familjeje. Pse veçohen udhëheqësit e Shqipërisë dhe cili është shkaku që disa cilësohen vëllezër dhe kryeministri as kushëri i largët? Cila është arsyeja e këtij hendeku dhe përse një perceptim i tillë, kur këtu për Albinin të majtë e të djathtë, të qendrës, partiak e qytetarë të paangazhuar, ata që janë në qendër të politikës apo periferi, janë të gjithë të një gjaku, vëllezër siç e cilëson edhe Albini njërën pjesë? Kjo ndarje e ka burimin në hendekun që është krijuar prej kohësh mes faktorëve në Kosovë e në Shqipëri, te rreshtimi pro dhe kundër mazhorancës. Nuk është e thënë se mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës të ketë njëqind për qind ide e mendime të njëjta. Se kjo nuk do ishte racionale. Po këto diferenca nuk ka pse të shiten sikur këtu në Shqipëri ca i kemi vëllezër e të tjerët na i ka sjellë njerka. Një ndarje e tillë nuk e forcon lidhjen dhe vëllazërinë. Mund të na ndajnë partitë, po nuk mund të shuhet dashuria për njëri-tjetrin.