BREAKING NEWS

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia e spitalit 'Shefqet Ndroqi' në Tiranë, policia jep detajet e para

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia
x

Opinion / Editorial

Taksa e sheshtë apo progresive?

Taksa e sheshtë apo progresive?

Taksa e sheshtë apo progresive? Duket se i gjithë diskursi politik është mbërthyer në këtë pikë dhe sa për të tjerat janë reminishenca. Secili prej subjekteve kryesore politike pretendon të ketë bërë më të mirën, ballafaquar kjo me rezultatet në qeverisje. Sa për elektoratin vështirë se mund ta kuptojë thelbin e çështjes, megjithë ezaurimet që i bëjnë palët respektive, sidomos në aspektin teorik. Njeriu i thjeshtë e mat gjithçka me xhepin, me faktin nëse jetonte apo jeton më mirë dhe as që myket për të tjerat. Në koncept taksa e sheshtë favorizon më shumë biznesmenët e mëdhenj sesa të vegjlit, përkundër taksës progresive: “Paguan më shumë ai që fiton më shumë”. Kjo lloj filozofie është dhe një vijë ndarëse midis të “majtës” dhe të “djathtës” kapitaliste sot në botë. Që do të thotë se të “majtët” mëtojnë ruajtjen në një masë të arsyeshme të rolit të shtetit në ekonomi, administrimin e sektorëve strategjikë, (në arsim, shëndetësi, energji, ujësjellësa, etj.,) që mundësojnë politika më sociale, një shpërndarje më të drejtë të pasurisë dhe mbrojtje të shtresave vulnerable. Pra, takson më shumë biznesin e madh dhe akumulimin e përdor për zgjerimin e bazës së përfituesve dhe gamës së shërbimeve; teksa e “djathta” shihet në rolin moderator, monitorues në ekzekutiv, duke ju lënë “dorë të lirë” sipërmarrjeve të mëdha, me gjykimin se këtë vlerë akumulimi do ta përdorin për forcimin e biznesit, futjen e teknologjive të reja dhe për rrjedhojë zgjerimin e punësimeve dhe rritje të pagave. Për hir të së vërtetës shpesh ka ndodhur që palët kanë hyrë në territorin e njëra-tjetrës duke krijuar jo pak hutim dhe paqartësi në elektorat. Por nëse do gjykojmë në një plan më të rrafshët dhe praktik, ngërçi në ekonomi dhe gjithë problematikat e tjera nuk kanë ardhur thjesht për shkak mënyrës se si është aplikuar taksa (e sheshtë apo progresive), por prej reformave të gabuara apo të cunguara ekonomike, mungesën e strategjive të zhvillimit të sektorëve prioritarë dhe sidomos korrupsionit, evazionit fiskal në shifra të frikshme në vite dhe situatës monopol. Për të mos u larguar nga thelbi i çështjes, më kujtohet kur PD-ja ishte në pushtet kishte vendosur për të varfrit një fashë diku tek 300 kë që paguhej me një çmim të diferencuar. Por kjo pavarësisht qëllimit të mirë, krijoi një skemë korruptive të paparë, një bilanc me humbje për OSHEE-në dhe një gropë të zezë në financat publike. Pra zbatueshmëria është jo vetëm çështje ligjore, por edhe morali, vullneti. Megjithë dëshirën e mirë nuk mund t’i referohesh shpesh shifrave të bilanceve fiskale në vite në mënyrë krahasimore, sepse pas 2015-ës pllakosi kriza globale ekonomike, ranë remitancat dhe ritmet e flukseve migratore. Ekonomi disafish më të mëdha sesa jona shpallën emergjencën e mosrënies në recension. Përpara se t’i premtosh bujkut apo fermerit naftë pa akcizë, apo kredi të buta, duhet të ndryshosh thelbin e gjësë, zhbirimin e ngërçit të krijuar gjatë tre dekadave nga Ligji 7501 dhe mentalitetit: “fshatarësia hambar i votave”, vendosjen e taksës reale mbi tokën, çka do ta bënte atë të aksesueshme dhe do nxiste garën, konkurrencën e këtij tregu nga më të mëdhenjtë në vendin tonë, do gjeneronte të ardhura të qëndrueshme. Kësisoj në mënyrë inteligjente duhet të zhvillohet frutikultura që paratë e shqiptarëve dhe valuta të mos shkojë e të depozitohet në Maqedoni, në Greqi apo diku gjetkë duke na vendosur në pozita inferiore. Kjo me gjasë do i jepte shtytje edhe industrisë ushqimore, përpunuese, duke shfrytëzuar edhe përvojën pozitive të së kaluarës. Po ashtu turizmi, transporti tokësor dhe detar në përputhje dhe me pozitën tonë të favorshme gjeografike janë sektorë që ofrojnë kapacitete të mëdha, të pashfrytëzuara. Nuk po zgjatem më tej, por theksoj se nuk është vetëm lloji i taksës ajo çka bën diferencën, as qasja nihiliste ndaj kundërshtarit politik, por pasja e vizionit, e dëshirës dhe vullnetit për të njohur gabimet, fenomenet e së shkuarës dhe për të bërë gjënë e duhur në kohën dhe mënyrën e duhur!