BREAKING NEWS

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në disa qytete të vendit, ja ku ishte epiqendra

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në
x
BREAKING NEWS

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, zbardhen detaje nga dosja që e ka fundosur

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i
x

Opinion / Editorial

Të bashkohemi rreth “përçarësve”, drejt “fitores” rreth humbësve!

Të bashkohemi rreth “përçarësve”, drejt

Kjo është motoja e ish-liderit të Partisë Demokratike, të themeluesit dhe shkatërruesit të Partisë që krijoi, Sali Berisha. Them e themeluesit dhe e shkatërruesit të saj, mbasi e themeloi atëherë kur kërkonte të ngjallte shpresa tek një popull i vuajtur për një gjysmë shekulli në diktaturë dhe po e shkatërron sot kur në shpirt, në zemër i ka mbetur vetëm inat, urrejtje dhe hakmarrje, të cilat këto kërkon t’ia nxjerrë Partisë Demokratike nën maskën e forcimit dhe bashkimit të saj. Çdokush mund të bëjë pyetjen. Pse ky lider, ta quajmë të tillë, nuk bërtiti kaq shumë nëpër foltoret sidomos në këto tetë vitet e fundit, por sot, që ka marrë “yrysh” aq shumë sa po llahtaris edhe fëmijët e djepit me çjerrjet e tij “për të “bashkuar” Partinë Demokratike, për të larguar “pjellën” e tij që vetë e vendosi në krye të saj, mbasi në të kundërt, ai nuk do të ishte zgjedhur në krye të partisë më të madhe opozitare? Por turi i tij gjoja për të bashkuar partinë, “pjellë” të tij, nuk ka këtë qëllim. Në të kundërt, po të kishte këtë qëllim, ai, atëherë kur i priste “shpata” jo vetëm nga të dy anët, por edhe nga “këllëfi”, pra në vitin 2013, nuk do të kishte vendosur Lulzim Bashën, ndoshta njeriun më të paaftë për vetë misionin e Partisë Demokratike, jo nga mosha e tij e re, por nga mendimet dhe mentaliteti i tij që edhe kur të shkojë në moshën e Saliut, ai do të mbetej po me këto mendime të “caprashitura” në kokën e tij, që në mënyrë të veçantë si lider, ai nuk ka për t’u afirmuar kurrë. “Fshati që duket, nuk do kallauz”! Pra, këtu bie poshtë çdo mendim që sot jep Berisha nëpërmjet “britmave” të tij. Z. Berisha, është njeri që entuziazmohet nga britmat e rrugës, qofshin këta simpatizantë të tij, apo të partisë që ai krijoi. Çdokush kryetar apo lider, në çdo kohë e gjithmonë do të ketë edhe simpatizantë edhe fanatikë, vetëm se jo për idetë që ai parashtron, por gjithmonë thjesht për simpatinë ndaj tij e më tepër akoma nga ajo që nuk janë të kënaqur nga kundërshtari i tij. Nëpërmjet këtij turri që ka ndërmarrë z.Berisha, shohim se sa shumë njerëz kanë “fjetur” e kanë qenë të shkujdesur, pavarësisht që me kryetarin e ri Basha, nuk e kanë dashur. Më shumë se sa i përshtatet kësaj situate shprehja kineze “Armiku i armikut tim, është miku im” nuk mund të kërkosh, Sot për sot, “armiku” i z.Berisha, është Lulzim Basha, të cilin po e lufton me tërë ashpërsinë dhe agresivitetin e tij. Sikur të mos i mjaftonte Bashës “i paudhi” Rama, na edhe një “zjarr” brenda “kasolles” së tij, që është munduar ta mbrojë nga shembja me disa “furkaçe” prej “trëske”, (kallami)! Sikur për një moment ta besojmë z. Berisha se ai po lufton për të forcuar, rimëkëmbur apo bashkuar Partinë Demokratike dhe me të drejtë sepse kjo “makinë” nuk ka vetëm një “defekt”, por e gjitha është një “defekt” e lindur qysh në embrion dhe nuk shërohet as me mballoma dhe as me “operacion plastike”. Aktiviteti i tij, egërsia, mënyra se si po vepron, vetëm përshtypjen që po lufton për të bashkuar Partinë Demokratike, nuk të krijon. Sikur nuk shkon kjo kur një udhëheqës, ka punuar për tërë natën si ta “groposi” partinë e tij që kjo “natë” është tetë vite e gjatë dhe ngrihesh në mëngjes e bërtet si ta ringresh atë. Është e njëjta gjë sikur ish-kryetari i një familje i është turrur, djalit të madh të saj që zëvendëson babain, kur tek të gjithë pjesëtarët e familjes mbjell urrejtje e bën paralajmërime të frikshme duke i ndarë në dy “kampe” dhe kërkon t’u mbushë mendjen që po lufton të bashkojë familjen! A e beson kush këtë? Kjo parti, më mirë se kushdo tjetër, pa asnjë mëdyshje të krijon bindjen se e vetmja parti ku populli shpresonte se do të sjellë diçka të re, ndryshe nga diktatura, ka qenë dhe mbetet një zhgënjim i madh sepse këtë drejtim i dha lideri i saj “historik” që në histori nuk do të hyjë si lider që ka luftuar për ideale, por do të hyjë si i kundërt me këtë mision. As më shumë e as më pak, situata e krijuar në Partinë Demokratike, të mbush mendjen që kjo demokraci ta quajmë apo më mirë ky sistem post komunist, është vazhdimi i diktaturës në kushte të reja. Të dyja, Partia Demokratike dhe Partia e Punës, ngjajnë si dy pika uji, me përjashtim të asaj që Partia e Punës nuk të lejonte të bëje “gëk” kundër saj sepse të priste kokën, kurse në këtë sistem “demokracia” të lejon të grish “sallatë” sa të duash, të shash mbarë e mbrapsht apo të rrahësh ujë havadan, por përsëri njësoj je sepse, asgjë nuk fiton, askush nuk të dëgjon. Diktatori, gjatë pesëdhjetë viteve të mbretërimit të tij, herë u lidh me një e herë me një tjetër duke filluar qysh me Jugosllavinë, më vonë me ish-Bashkimin Sovjetik e më vonë me Kinën, nuk pranoi të hapej me Europën, por zgjodhi rrugën më të keqe atë të luftës brenda llojit në të gjithë sektorët, për t’u afirmuar si diktator, që askush të mos kërkonte rotacion pushteti, por t’i bindeshin atij verbërisht dhe kjo rrugë tashmë dihet ku e çoi Shqipërinë. Po Sali Berisha, a nuk është vazhdues i tij? Edhe ky “postdiktator” kërkon të eci në rrugën e diktatorit që i shërbeu për vite me radhë dhe sot ka zgjedhur të ndjekë rrugën e tij e të shkojë më larg akoma, t’i kundërvihet edhe Amerikës, aleatit strategjik që e kishte ryefjalën e tij në “betejat” e shumta me “mullinjtë e erës” të komunizmit. Pse e bën Sali Berisha këtë, tani në “grahmat e fundit”e kërkon të përjetësohet si diktator i ri, i cili, për hir të pushtetit të tij është i gatshëm t’i verë zjarrin Shqipërisë, Amerikës e tërë rruzullit tokësor po të jetë nevoja vetëm për pushtetin e tij personal. E gjithë kjo “zallamahi” bëhet në një kohë sikur të mos mjaftonin hallet e shumta që kanë qytetarët dhe Shqipëria, si asnjëherë tjetër deri sot. Edhe sikur “vaj” të shkonin të gjitha punët, e të mos kishin asnjë shqetësim tjetër, nuk do të ishin marrë kaq shumë për një periudhë prej afro katër muaj, sa janë marrë të gjithë politikanë, media e shkruar e vizive, analistë “llapista” të hurit e të litarit me një gjuhë rrugaçërore sipas urdhrave që marrin nga pronarët që u shërbejnë, por askush i pavarur në mendime siç pretendojnë. Të gjithë, kanë një shqetësim: “A duhet të hiqet Basha apo jo”, “Berisha përballë Bashës”, “A duhej shpallur Berisha “non grata” apo jo”! “A ka të drejtë Berisha apo Amerika”… Lumi i “tralalave” të analistëve që kapardisen e ngulin këmbë në të “vërtetat” e tyre nuk ka fund. Për këto kanë nevojë qytetarët shqiptarë? As më shumë e as më pak, t’i kushtohet kaq rëndësi aktivitetit të z. Berisha, që nuk ka asnjë vlerë më shumë se për të “kruar pak dhëmbët” e për të qeshur një copë herë, është më shumë se absurditet! Është shumë e vërtetë ajo që thotë Harri Fultz këtu e tetëdhjetë e kusur vite më parë që kur u përgjysmoi studentëve racionin e bukës dhe pa që askush nuk foli, e quajti këtë popull, popull oa sens që  “kur nuk flasin për bukën e gojës, mund të bësh ç’të duash dhe askush nuk flet”, mjafton që në rastin konkret të vijë Berisha në pushtet apo kushdo tjetër. Dhe shikoni... Çmimet e bukës e të gjitha mallrat të quajtura të “shportës” po rriten me shpejtësi e do të rriten akoma në të ardhmen. A ka ndonjë përpjekje nga ana e qeverisë për të frenuar këtë fenomen nëpërmjet kompensimit duke rritur pagat e pensionet nëpërmjet politikave të saj? Absolutisht jo! Edhe qeveria, është shumë e kënaqur që qytetarët janë tepër të “shqetësuar” me z. Berisha që do të vijë ta mprehë edhe njëherë “shpatën” në krye të partisë e nëpërmjet saj të pushtetit apo jo, apo në të kundërt, do të iki apo do të qëndrojë në krye të partisë z.Basha, mjafton që qeverinë të mos e shqetësojnë. Z. Berisha flet gjoja për bashkim të forcave demokratike rreth Partisë Demokratike. Po realiteti çfarë flet? Realiteti, flet për të kundërtën. Edhe demokratët edhe socialistët, të cilët duken sikur kanë unitet këtë e kanë për interesa të pushtetit. Të gjithë forcat politike janë më të përçarë se kurrë. Edhe analistët që “grijnë” mbrëmjeve, janë më të përçarë se kurrë, të cilët i bëjnë iso ose njërit ose tjetrit politikan. Edhe uniteti fallco rreth kryetarit Basha që ishte deri dje, Berisha e “gërvishti” këtë “pluhur” dhe këtij “uniteti” i doli “kallaji”! Edhe më shumë këtë përçarje po e thellon Sali Berisha me turravrapin e tij që dihet se ku do të mbahet. Sali Berisha, më kot entuziazmohet nga ndonjë fanatik i tij që dikur doktori i ka bërë ndonjë favor. Këta lloje, janë disa, por mund të jenë edhe shumë, por shumicë kurrën e kurrës nuk janë dhe në këtë kuptim, Sali Berisha, sot nuk bindet që nuk ka të ardhme, por shumë shpejt do të bindet që është i humbur në këtë betejë që ka nisur. Koha e tij ka “perënduar” dhe më kot entuziazmohet, jo nga ajo që i kundërvihet Amerikës, por për atë që e ka “vulosur” me veprën e tij të mbrapshtë që ka bërë për shtrembërimin e kësaj demokracie që jetojmë sot. Nuk ia vlen të flasësh për Bashën, i cili ky nuk ka rrugë tjetër përveçse të “strehohet” nën emrin e Amerikës, sepse argument tjetër nuk ka si një lider që i ka mbetur vetëm emri dhe asnjë vlerë, asnjë “armë” nuk ka që të mos e ketë të “njollosur”. Zot na ruaj nga këta politikanë që pushteti u ka errur sytë e na hedhin hi syve.