BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Opinion / Editorial

Të “bashkohemi” rreth përçarësit, drejt “fitores” me humbës “profesionistë” në ballë!

Të “bashkohemi” rreth përçarësit, drejt

Kjo është edhe çudia e fundit. Të na “bashkojë” ne të “mençurit” ai që ka mbjellë vetëm përçarje dhe betohen për të fituar me një humbës profesionist në krye. Çudirat në këtë vend, sa vijnë e shtohen dhe të japësh dorëheqje mbas humbjes, tashmë, nuk është çudi, bile as kur humbet pesë beteja! Kjo, nuk është më veçori për politikanët tanë, por është bërë modë. Z. Basha, kërkonte “që errësira të triumfojë mbi dritën” dhe kësaj ia arriti. Atëherë, pse të japi dorëheqjen? Çudia qëndron në tjetër vend. Ankoheshim për çudirat gjatë tridhjetë viteve, por “kapaku” këtyre, iu vendos në këta katër muaj të këtij viti mbi tridhjetë të tjerët. Afro një vit ju frynë burive dhe gongeve, buçisnin “motorët” e partive duke lëshuar tym të zi pa lëvizur nga vendi për të “sjellë” në skenën politike, “zgjedhje të lira e të ndershme”. Po kush i solli zgjedhjet “jo të lira e jo të ndershme”? I sollën ata që çirreshin për “Zgjedhje të lira e të ndershme”! Siç edhe e kanë zakon, fajin ua hedhin të tjerëve dhe humbësit profesionistë, bashkohen rreth një “humbameno” që kryetarllëku t’i rriti prestigjin dhe jo ta justifikojë me punë. Ku shkojnë e mblidhen brumbujt? Më të “fituar” në zgjedhje, hiqen humbësit. Më të mërzitur, janë fitimtarët! Historia në beteja njeh humbësa dhe fitimtarë. Kjo është e natyrshme. Në çdo ndeshje edhe ndeshje futbolli të jetë, njëri është humbës dhe tjetri është fitues. E veçanta jonë, është ajo që humbësi, hiqet më fitimtar edhe nga ai që ka fituar edhe në rastin kur gjithmonë është humbës ai merr “licencën” e profesionistit. Ky është kryetari i opozitës, që pretendonte të bëhej Kryeministër. Këtë, që as vetë Basha nuk e beson, e besojnë të tjerë kryetarë partish që i mblidhen rreth e rrotull, e vendosin në krye, dhe betohen: “Tani fillon beteja jonë për arritjen e fitores”! Të jenë vallë të zgjuar këta kryetarë partish që mblidhen rreth një humbësi profesionist për të fituar? Kjo është punë e tyre, por e vërteta është që këta kryetarë, nuk kanë asnjë “ushtar” apo antar në partitë e tyre. Përse e bëjnë këtë, këta kryetarë që u kanë mbetur në xhep vetëm “hapëset e kashtës”? Për gjithçka e bëjnë, vetëm për Shqipërinë dhe për vetë partitë e tyre nuk e bëjnë. Si mund të bashkohen rreth një përçarësi, që ka e ka bërë fije fije partinë e tij që u krijua në fillimet e demokracisë si partia e shpresës? Mos vallë këta farë kryetarësh, janë më të zgjuar nga ata që janë larguar nga kjo parti për të krijuar parti të tjera dhe këta, nuk janë pak, si “Thurja”, “Nisma”, “çorapja” “Bindja”, “Çbindja” etj. etj. Jo, jo, ata që janë larguar dhe kanë krijuar parti të tjera si “pjella” të partisë mëmë të drejtuar nga dallkaukët, Plaku dhe i Riu, janë shumë herë më të zgjuar nga këta që i bashkohen në koalicion sepse, nuk pranuan të drejtohen nga një i paaftë. Për hir të së vërtetës duhet pranuar që këta që bashkohen humbësit, vetëm për të mirë nuk i bashkohen… Humbësit që iu bashkuan koalicionit “për ndryshim”, i bashkohen një “Humbamenoje”, jo për të fituar, por për të përfituar nga kjo “mburojë” e “ndryshkur”! Sikurse thoshte edhe Mediu, që ka tradhtuar me kohë parimet dhe qëllimin për të cilën i ndjeri Godo, krijoi, Mediu, e deformoi dhe vetveten e kriminalizoi. Ky thotë: “Ne do të luftojmë për parimet e shenjta”! A e dëgjoni këtë “Shenjtor”?A e ka realizuar kjo parti qëllimin të cilin i vuri vetes qysh në krijim që toka të shkonte tek i zoti? Kështu edhe Ndokat, Idrizit, etj. “Më mirë vonë se kurrë”, thotë populli dhe ai që ka mend, si Duka, megjithëse vonë, por e kuptoi që ky koalicion, ishte një “pesë me hiç”! Mbas afro një vit, zhurma politike dhe mediatike ia la vendin qetësisë kur do të fliste sovrani. Dhe dita erdhi. Sovrani, foli dhe mori me vete, jo ç’gjeti përpara, por mori fitimtarët, mori ata që i takonte dhe shkoi në punën e tij për të ardhur përsëri kur të jetë e nevojshme. Pesha e fjalës së tij ishte shumë e madhe, ishte peshë që bërtiti fort: “Mjaft më me llogje, tha, shtrojuni punës dhe mjaft dërdëllitët ju politikanë e ju që qëndroni pas tyre”! Por ah kjo peshë e sovranit që “tronditi”, jo për të shkatërruar, por tronditi dhe i “shkundi” të gjithë që t’i vënë gishtin kokës, të gjithë të shkojnë nëpër “pozicionet” e veta dhe sejili në punën e vet. Por nuk qenka e thënë, nuk është as e shkruar nga Zoti, sepse në të kundërt, nuk do t’i kishte dhënë Shqipërisë fusha pjellore e pyje të gjelbëruar, dete e lumenj, “arrin” e zi dhe minerale flori pa i lënë asnjë mangësi. Por, thonë që çdo e mirë ka edhe një të keqe, e më tej akoma edhe shumë të mira, kanë edhe të këqijat e veta. “Tronditja” që shkaktoi “grushti” i popullit kur e tha fjalën e tij u ndie edhe në skutat më të thella, atje ku fshihen brumbuj, zvarranikë, tartabiqe, shumëkëmbësha, misqinë… Shoqëria, nuk ka asnjë të mirë prej tyre të cilët, flasin mbrapa “kaçubeve”. Këta prapësira janë pak, por çudia e tyre është që këta, ofendojnë edhe qytetarët që u kanë qëndruar nga prapa me kamera e video sikur kanë shitur dhe blerë vota! Ditën që foli populli, këto qenie u fshehën nëpër skuta dhe mbasi sovrani iku, rranë si merimangat dhe filluan të “zvarriten”. Sa më shumë “zvarriten” aq më shumë iu duket sikur “nëpërkëmben” dhe të hiqen si “fitimtarë”! Në një korr të përbashkët të mbledhur si “pezhishkat” bërtasin: “Zgjedhjet ishin të manipuluara, janë vjedhur. Është bërë masakër elektorale”! Siç e kanë “zanatin” e tyre, në pamundësi për të ndalur përparimin, fillojnë e “pickojnë” vetëm e vetëm për të mos lënë rehat të tjerët në punën e tyre. Ka edhe vende të tjera, por nuk e kanë këtë veti që kanë disa “frymorë” në këtë vend, që humbësi të mos e pranojë humbjen. Jo vetëm kaq, por humbësi flet mbas “beteje” më shumë se fituesit, sikurse edhe gjahtarët mbas gjahut, por të paktën këta, mburren vetëm në ato raste kur nuk i ka parë askush që me fjalë bëjnë “kapicë” kafshët që kanë “vrarë”, por që më pas, i ikën! Kurse këta “fitimtarë” të tipit “Tartarin” i panë të gjithë si “fituan”, kombëtarë e ndërkombëtarë. Bashkë me shumicën fituese edhe disa fitues, jo të gjithë, nga kampi i opozitës, hiqen më të shqetësuar edhe nga humbësit “profesionistë” sepse në “modestinë” e tyre vërehet shqetësimi për partinë, për “udhëheqësin” humbës “profesionist” dhe si të tillë, ata nuk duan të dëgjojnë as zërin e arsyes së disa anëtarëve brenda tyre që kërkojnë as më shumë e as më pak që humbësi, të kalojë në “rezervë” të piqet e të mësojë dhe të mos mburret vetëm me flokët e lyera me xhel! Mbetet të pranojmë atë që të mençurit, vendosin në krye një idiot që ta tërheqin prej “hunde” dhe të livadhisin duke ia hedhur të gjitha kryetarit, sepse ata e dinë që kryetari, vetëm emrin ta ketë të tillë për të mbuluar paaftësinë. Jo pak të qeshura ka shkaktuar tek kalamajtë, kur ora orës përsëriste “kur unë të bëhem kryeministër, pa do të shihni se çfarë mrekullira do t’ju sjell” e të tjera “gjë e gjëza”! Veç të tjerave, jep edhe një shembull shumë të keq tek të tjerët sikur të mos ketë tjetër që të vihet në ballë të betejës. Më për të qeshur akoma, është ajo që mbas humbjes së thellë të gjithë të bashkuar rreth humbësit, bërtasin: “Tani është koha të bashkohemi më shumë se kurrë Tani fillon beteja për fitoren tonë”! O Zot! Si është e mundur që një humbës që të vetmin zanat ka “humbjen” të bëjë thirrje për fitore e këtij t’i bashkohen edhe të tjerë dhe e duartrokasin? Këta të “mençur” të gjithë së bashku, u bashkuan rreth një “strategu” që kishte humbur katër beteja, lokale dhe kombëtare. Ajo ç’ka i bashkonte të gjithë, ishte vetëm një : Të bashkohemi të gjithë, blu, laramanë, mavi, me kollare e brekushe, pa dallim feje, race, krahine, ideje edhe nëqoftëse veshin opinga të dyja të majta apo të dyja të djathta, të largojmë vetëm një kundërshtar, atë të gjatin, e më pas, “tortën” e fitores, do ta ndajmë mes nesh. Kjo ishte njëra “alternativa” dhe tjetra “do të marrim para me grushte”! Të gjithë si “hasa” e “kasa” i bashkon vetëm humbja. Vranë shumë mendjen dhe e gjetën edhe “zgjidhjen”. Edhe kryeopozitari gjoja president, i hoqi sfurqet dhe çomangat dhe iu kthye “qetësisë dhe transparencës”! Të numërohet çdo votë e pavlefshme. Aty “fshihet” fitorja e opozitës! Mbasi brodhi me “Rosinantin” e tij për të vëzhguar nëpër qendrat e votimit dhe mbasi nuk gjeti ndonjë për t’i “prerë” krahun, si në mesjetë e hoqi “skafandrën” dhe i gjeti “hajdutët” e votave dhe “manipulatorët” mbas katër ditësh që mbaruan zgjedhjet. Nuk e kreu detyrën “kryetari” i opozitës që braktisi “kuvlinë” e tij për këtë punë! Mbasi kaluan pesë ditë nga dita e votimit, presidenti harroi se çfarë tha ditën e nesërme që “tani është koha për të bërë numërimin e saktë të votave dhe menaxhimin e tyre”, por kur morri vesh që Partia e tij kishte shkuar për “skrap” u mundua t’i gjejë një justifikim. “Të tëra fletët e votimit të pavlefshme, janë për opozitën dhe si të tilla ato janë në favor të saj”. U mendua përsëri se si të gjejë ndonjë “yçkël” tjetër dhe e gjeti. “Qysh nga viti 2010 e këtej pesëqind mijë shqiptarë e kanë braktisur vendin! T’i themi stop, braktisjes”. Edhe kjo ishte një “argument” kundër mazhorancës sikur ky të kishte jetuar në stratosferë. Vret mendjen ditë e natë se si do të gjejë “yçkla” të tjera kundër mazhorancës. Dhe e gjeti. “Pensionet, janë nga më të ulëtat në rajon dhe Europë dhe me këto pensione, pensionistët nuk mund të jetojnë”! Edhe ky është një argument tjetër, i “paditur” më parë nga kryetari i shtetit! Duket që nuk i ka parë pensionet sepse e ka patur mendjen vetëm për të bërë prapësi. Mendja i ka mbetur tek kryengritja e Haxhi Qamilit dhe me “kryengritje” bëri edhe urimin për Pashkët. Media, ia ka nxjerrë me fakte që manipulimet i kanë bërë LSI-stët dhe demokratikasit, e megjithatë përsëri kanë gojë e flasin. Kjo është e vërteta, të tjerat janë “Babalizma”, “Salianjizma”! Z.Basha, ka vetëm një rrugë që të bëhet kryeministër, që edhe “mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”! Të bashkëpunojë me Ramën, t’i tregojë atij “sekretin” se ku janë fshehur paratë që ai do t’i jepte fermerëve, pensionistëve, mjekëve, infermierëve, profesorëve etj. etj. në mënyrë që edhe pa qenë kryeministër Basha, të gjithë së bashku do të duartrokasin dhe do të bërtasin “Rroftë Udhëheqësi ynë, Basha, që mendon për këtë popull”.