BREAKING NEWS

“Halle halle kjo dynja”, Rama poston foton e Gregut dhe bën reagimin epik: Xhaja i vet dhe Erjoni im...

“Halle halle kjo dynja”, Rama poston foton e Gregut dhe bën
x

Opinion / Editorial

Të bashkuar në luftën kundër korrupsionit

Të bashkuar në luftën kundër korrupsionit

Vitet e fundit, duke qenë se lufta antikorrupsion është kryefjala jo vetëm e vendeve të pazhvilluara dhe në zhvillim, por edhe vendeve të cilat kanë nivele të larta të zhvillimit ekonomiko-social, ka një ndërgjegjësim në rritje për intensifikimin dhe bashkëveprimin e të gjithë faktorëve potencialë në luftën kundër korrupsionit. Qasjet e suksesshme përfshijnë bashkëpunim dhe koordinim jo vetëm të organeve të mirëfillta antikorrupsion.

Tashmë është e gjithëpranuar se lufta kundër korrupsionit është një nga më të vështirat, për shkak se është e sofistikuar dhe kryhet nga persona të sofistikuar, persona me pushtet, duke filluar nga politikë-bërësit, nivelet më të larta të ekzekutivit, nivele të larta të administratës publike, të kompanive publike, enteve rregullatore etj., veprimtaria administrative e të cilëve është objekt i auditimit nga KLSH.

KLSH, si institucion përgjegjës për auditimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të qeverisë, vepron si një mbikëqyrës mbi integritetin financiar të vendit, me mandatin për të vlerësuar nëse fondet publike menaxhohen në mënyrë efektive dhe eficente, si dhe në përputhje me aktet ligjore dhe rregullative në fuqi, si dhe të japë siguri të arsyeshme që të dhënat financiare të raportuara nga qeveria janë të besueshme.

Nisur nga ky këndvështrim ka një ndërgjegjësim edhe mbi potencialin e SAI-ve në luftën kundër korrupsionit, fakt i cili është vlerësuar së tepërmi edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Angazhimi i KLSH në luftën kundër korrupsionit në gjashtë vitet e fundit ka treguar vazhdimësinë e vendosmërisë në dokumentet e saj strategjike. Gjithashtu në misionin e KLSH-së cilësohet se: “KLSH është institucion i pavarur kushtetues, i ndërtuar që t’i shërbejë qytetarit shqiptar, të jetë “agjent” i Kuvendit dhe palëve të interesit duke i informuar në mënyrë të vazhdueshme, të paanshme dhe të plotë, mbi përgjegjshmërinë që qeveria dhe entet publike tregojnë në përdorimin e kontributit të taksapaguesve shqiptarë e duke kontribuar në përmirësimin e qeverisjes nëpërmjet luftës kundër korrupsionit”. Në përmbushje të këtij misioni KLSH-ja, që prej vitit 2013, rolin e saj në luftën kundër korrupsionit e ka bërë pjesë të objektivave të tij strategjikë. Në Planin Strategjik 2013-2017 (i ripunuar) dhe Planin Strategjik 2018-2022, ka objektiva të cilësuara mbi luftën kundër korrupsionit, respektivisht: “Rritja kontributit të KLSH-së për qeverisjen e mirë nëpërmjet luftës kundër korrupsionit” dhe “Roli i KLSH-së në luftën kundër korrupsionit”.

Këta objektiva strategjikë janë në koherencë me zhvillimet dhe standardet ISSAI 1240 (The Auditor’s Responsibilities Relating to Fraud in an Audit of Financial Statements) dhe ISSAI 5700 (Guidance on Audit of Institutional Frameëork for Fighting Corruption) në fushën e auditimit të jashtëm publik, si dhe me praktikat më të mira të institucioneve homologe. Organizmat ndërkombëtare (WB, OECD dhe INTOSAI) janë për një rol më aktiv antikorrupsion të SAI-eve. INTOSAI, nëpërmjet IDI-t (INTOSAI Development Initiative) në veçanti, ka treguar një rritje në promovimin e praktikave të auditimit antikorrupsion, me botimin në vitin 2016 edhe standardit ISSAI 5700.

Por si mund të kontribuojë SAI-et në luftën kundër korrupsionit dhe sa efektive ka rezultuar? Katër objektivat thelbësorë (1. Përdorimi i duhur dhe efektiv i fondeve publike; 2. Zhvillimi i menaxhimit të shëndoshë financiar; 3. Ekzekutimi i duhur i aktiviteteve administrative; 4. Komunikimi i informacionit nëpërmjet publikimit të raporteve, tek autoritetet publike dhe publiku i gjerë), të paraqitur në Deklaratën e Lima-s, janë mjaft të rëndësishme dhe efikase për luftën kundër korrupsionit, pasi shërbejnë si masa parandaluese ndaj këtij fenomeni, si një prej dy mënyrave (parandalimi dhe zbulimi) ku KLSH mund të japë kontributin e saj.

SAI-et kontribuojnë në parandalimin e korrupsionit duke promovuar sisteme të shëndosha të menaxhimit të financave publike, të bazuara në raportime të besueshme dhe mekanizma të fuqishëm kontrolli, të cilat rritin transparencën dhe llogaridhënien në sektorin publik.

Në lidhje me parandalimin, KLSH ka përcaktuar qartë në Strategjinë e saj 2018-2022 se: “Synimet e KLSH-së për dimensionin e integritetit dhe të parandalimit të korrupsionit shkojnë përtej institucionit, duke e shtrirë atë në të gjithë organet shtetërore”.

 

Objektivi kryesor në Strategjinë e 2018-2022 do të jetë:

- KLSH, do të kërkojë në mënyrë të vazhdueshme miratimin nga Kuvendi të ligjit për “Përgjegjësinë materiale” i cili konsiderohet si një mjet mjaft i rëndësishëm për të luftuar korrupsionin dhe kulturën e pandëshkueshmërisë.

- KLSH, do të kryejë Auditimet e Integritetit të nëpunësve publikë, bazuar në eksperiencat më të mirat të ndërkombëtare si ajo e SAI-ve holandezë dhe hungarezë, të cilat kanë zhvilluar vlerësimin e integritetit të të gjitha institucioneve publike të vendeve respektive, duke synuar nxitjen e parandalimit të korrupsionit.

- Aplikimi i metodologjisë së INTOSAIT si instrument i strukturuar për realizimin e Auditimit të Integritetit dhe Etikës së institucioneve të tjera publike. Gjetjet e këtij aktiviteti auditimi do të përdoren për të azhornuar “Hartën e riskut në nivel kombëtar” të vendit dhe do të përdoret si sinjalizues “Flamujt e kuq/Red Flegs”, për planifikimet e aktivitetit auditues.

- Përfshirja në programet e auditimit, kryerjen e auditimit të integritetit dhe etikës gjatë veprimtarisë audituese duke kontribuar kështu në forcimin e qeverisjes së mirë në sektorin publik.

- Duke marrë në konsideratë mprehtësinë e këtij problemi të evidentuar qartazi edhe nga aktivitet audituese, KLSH do të insistojë ndërtimin e një njësie apo komiteti ndërinstitucional apo kombëtar për të krijuar frontin e përbashkët të luftës ndaj korrupsionit duke marrë masat për parandalimin e tij.

Gjithashtu, për të kontribuar për parandalimin e korrupsionit, rritjen e transparencës dhe mirëqeverisjes, KLSH ka rekomanduar një numër të konsiderueshëm ndryshimesh ligjore dhe masash me karakter organizativ. Konkretisht përgjatë viteve 2013-2018 paraqiten si në tabelë.

 

Rezultate nga auditimet për periudhën 2013-2018

Rekomandime
2013
2014
2015
2016
2017
2018
Ndryshime ligjore
82
88
35
65
91
118
Masa organizative
2003
2603
2510
2771
2082
2942
 Përsa i përket mënyrës së dytë (zbulimit), KLSH gjatë këtyre viteve ka bërë një punë të pamohueshme në denoncimin e rasteve të keqpërdorimit të fondeve publike si dhe rasteve korruptive. Konkretisht gjatë periudhës 2013-2018 si rezultat i auditimeve të kryera, KLSH ka rekomanduar zhdëmtim e dëmit ekonomik (në miliardë lekë) dhe ka bërë kallëzime penale, të cilat për periudhën 2013-2018 paraqiten si në tabelë.

Rezultate nga auditimet për periudhën 2013-2018

Rekomandime
2013
2014
2015
2016
2017
2018
Dëmi ekonomik
15.1
11.2
125.8
25.5
11.5
24.1
Kallëzime penale

Numër kallëzime

Numër persona
 38

94
 41

149
 51

159
 49

191
 47

129
 41

122
 

Sfida, mbetet si gjithmonë tek zbatueshmëria e rekomandimeve dhe bashkëveprimi midis institucioneve, agjencive të ndryshme antikorrupsion, si dhe grupeve të tjera të interesit të cilët mund të japin kontributin e tyre për të denoncuar dhe luftuar korrupsionin. Natyrisht nuk është vetëm fenomen shqiptar, për këtë arsye po rendis disa prej praktikave më të mira, të cilësuara nga një studim “Mbi praktikat më të mira në përfshirjen e institucioneve të auditimit në punën antikorrupsion” nga U4Anti-corruption Recource Center (U4 është një qendër e përhershme në Chr. Insituti Michelsen-CMI, Norvegji).

- Bashkëpunimi me auditimin e brendshëm, ka shumë përfitime të mundshme nga bashkëpunimi midis SAI-ve dhe auditorëve të brendshëm. Përfitime të tilla mund të përfshijnë ndarjen e njohurive, auditime më të përqendruara dhe më efikase, zvogëlimin e riskut të dublimit përmes planifikimit, mbulimin maksimal të auditimit bazuar në vlerësimet e riskut dhe mbështetje të ndërsjellë në rekomandimet e auditimit;

- Profesionalizmi i institucioneve të auditimit është një faktor kryesor i suksesit dhe efektivitetit të tyre në përmbushjen e mandatit dhe kundërveprimit ndaj korrupsionit. Kjo do të thotë që kualifikimi dhe ekspertiza teknike e stafit duhet të jenë me cilësi të lartë.

- Institucionet e auditimit mund të luajnë një rol në ndërgjegjësimin e publikut mbi rreziqet e korrupsionit duke bërë publike raportet e auditimit në kohën e duhur, si dhe duke prodhuar raporte analitike dhe duke i shpërndarë ato gjerësisht në media.

- Përvoja tregon se shoqëria civile mund të luajë një rol konstruktiv në mbështetjen e audituesve publikë në mbikëqyrjen e veprimtarisë së enteve publike. Shoqëria civile mund të angazhohet me proceset e auditimit në disa mënyra, nga kryerja e auditimeve të pavarura ose pjesëmarrja në auditime publike deri në përdorimin e gjetjeve të SAI-t për t'i kërkuar llogari enteve publike.

- Shkëmbimi i njohurive dhe bashkëpunimi midis SAI-ve është gjithashtu i rëndësishëm për të përmirësuar aftësinë e tyre për të përmbushur objektivat e Limës. SAI-tet mund të nënshkruajnë memorandume mirëkuptimi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, të ndajnë njohuri dhe ekspertizë dhe të zhvillojnë seanca të përbashkëta trajnimi për auditimin e lidhur me korrupsionin, etj.

Nga Brunilda ZENELI