BREAKING NEWS

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të akuzuarit e mëdhenj ja vetëm do shpronësohen, por do burgosen

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të
x

Opinion / Editorial

Të gjitha bashkitë, duhet t’i dorëzojnë krimit çelësin duke e shpallur atë “Qytetar nderi”

Të gjitha bashkitë, duhet t’i dorëzojnë krimit

Sigurisht që nuk është produkt i fantazisë time, as dëshirë e një kritizeri të sëmurë, i cili rrëmben një lente të madhe konvergjente nga laboratorët e fizikës së Kaçit, për t’i grumbulluar dhe numëruar një e nga një të gjitha të këqijat e shoqërisë së sotme shqiptare, e cila, mbas viteve të të ashtuquajturës “Demokraci” dhe “Shtet i së drejtës” u konsideruan aso kohe, si fitorja më e madhe historike e si kalimi në “Lirinë e plotë” të shumë pritur për çdo shqiptar, që na paskësh vuajtur “diktaturën e proletariatit” ose më shqip “diktaturën e punëtorisë”. Kjo propagandë e madhe, me të gjitha mjetet e saj arriti të bindë përkohësisht një pjesë të mirë të shqiptarëve, të cilët na paskëshin hequr “të zitë e ullirit” nga sistemi më i egër e “diktatorial” i Europës, që nuk na e paskëshin parë as vetë diktatorë të mirëfilltë, të tillë si Franco- Hitler- Musolini- Pinoçeti etj. etj. Madje dhe vetë Enver Hoxhën jo vetëm e cilësuan si të tillë, por dhe atë tradhëti të madhe që iu bë socializmit, atë dramë që i patë përgatitur mafia revizioniste me në krye R.Alinë, ndaj socializmit, jo vetëm se nuk gjendet njësi dhe etalon matës, por për nga hipokrizia dhe mashtrimi i madh, ishte i asaj shkalle sa që propagandën mashtruese do ta kishte dhe vetë zili shefi i propagandës naziste, Jozef Gebels. Dhe e gjitha kjo kishte si qëllim jo vetëm denigrimin e shtetit të punëtorëve dhe fshatarëve, por të ngrinte dhe afirmonte nën maskën e “demokracisë” instalimin dhe përligjen e “ekonomisë së tregut” dhe rivendosjen e kapitalizmit në Shqipëri. Por si në të gjitha vendet ish-socialiste kjo tradhëti dhe përmbysje e madhe, e gjithë marrëdhënieve në prodhim duke risjellë marrëdhëniet e vjetra të shtypjes të shfrytëzimit, nuk u shoqërua me “vënien në krye e podiumin drejtues” të shtetit ish-klasën faktike të përmbysur, por për fatin e keq solli në vend të saj atë shtresë të degjeneruar të ish-PPSH-së, të cilët u konvertuan në kapitalistë. R.Alia: “Pushtetin do ta kemi përsëri ne dhe nuk do t’jua dorëzojmë atyre që i përmbysëm, pra kapitalistët e ardhshëm do të jemi ne... (nënkupto tradhtarët e idealeve komuniste të vërteta Ruci-Berisha -Nano-Pashko-Kadare-Dokle) dhe disa pinjollë në mos të ish-bllokut në rrethin e dytë të tij. Kjo veç tradhtisë që ndodhi e që u shoqërua me rënien e sistemit, ishte dhe një fitore e madhe për borgjezinë e re shqiptare, e cila ngrihej mbi themelet e degjenerimit dhe largimit nga idealet e vërteta e fisnike të komunizmit. Kjo bëri, që një pjesë e madhe nga shtresa të ndryshme të popullit tonë, sikurse e theksova dhe më sipër, ta humbiste ekuilibrin dhe orientimin duke rënë preh e kësaj propagande të madhe mashtruese, e cila pati jo vetëm mbështetjen e klasës së përmbysur që shpresonte natë e ditë, por dhe të imperializmit botëror. Dhe në këtë betejë të pabarabartë, të mirë organizuar me mbështetjen e brendshme e të jashtme socializmin përfundimisht e sabotuan, duke valëvitur në dorë bashkë me flamujt blu e rozë dhe një “çek të bardhë”, i cili dhe pse i ngazëllonte shqiptarët, të paktë do të ishin ata që do e kuptonin, se mbas tij do të fillonte një etapë e re, etapa e plagëve bashkëshoqëruese të sistemit të ri kapitalist, i cili si rrallë herë në histori, do të drejtohej nga ish-komunistët.(Lexuesi të më falë, por kur shprehem “ish-komunistët” nuk e kam fjalën thjeshtë se ata paskëshin aderuar në PPSH. Po u kuptua ashtu, është gabim. Duhet kuptuar pikërisht nga ajo shtresë tradhëtare e degjeneruar, e cila mendonte e vepronte në mënyre borgjeze dhe që në kohë të socializmit brohorisnin më shumë se të tjerët, madje “të bënin dhe gjëmën” nëse shkelje vijën e partisë dhe mësimet e Enveri. Shkurt- si ultra majtistë duke përdorur figurën e Enverit e menduan se ishte më mirë që ta minonin atë e që duke u futur në reaksionin kimik të ideologjisë borgjeze, do të na jepnin një solucion të ri në ultra të djathtë e në kapitalistë – socialistë).

Kapitalizmi ka shumë plagë dhe si të tilla dhe ato kanë periudhën e inkubacionit të tyre, kanë shtratin e ngrohtë që është vetë sistemi i cili gjeneron pa reshtur viruset e plagëve të tij. Nuk po ndalem aspak në shfrytëzimin e egër, as në dispropocionet e nivelit të jetesës, as në shndërrimin e njeriut në një robot pune dhe fitimi për kapitalistin, por te një plagë tjetër, krimin shtetëror- atë të organizuar dhe krimin e rëndomtë, i cili është e ngelet një hallkë, një unazë lidhëse me të gjitha plagët e tjera.

 

Po si shpjegohet që në socializëm plagë të tilla jo vetëm se nuk ekzistonin, por jam i sigurt se në mendjen e çdo qytetari që ka përjetuar atë kohë (si të majtë, të djathtë kulako-ballistë etj) as që mund të imagjinoheshin krime të tilla. Po pse?! Pse socializmi nuk i kishte këto simptoma kaq të shëmtuara e që ka më se tre dekada që dhe vetë Europa çirret dhe bërtet me të madhe të luftohet krimi? Ajo që është thelbësorja në shpjegimin e këtij fenomeni është fakti se jo vetëm krimit të organizuar, por dhe plagëve të tjera ju hoq baza ekonomike dhe duke qenë se prona mori karakter shoqëror, atëherë askush nuk ishte i interesuar psh. të bënte një vrasje me pagesë sepse përfaqësuesi i firmës “Drogë-hashash & Co” binte ndesh po me kartelin “Kok-dog-shash”, sikurse një ministër i kohës së xhaxhit e dinte vendin e tij nëse do kërkonte psh 700 mijë Eu (me kaq euro në kohën tonë ngrinim nje fabrikë). Nëse banka e shtetit pësonte humbje, do ta pësonte ministri i Financave edhe pa marrë aspak qoftë dhe “një cent” nga paratë e popullit, teksa te ne shteti i kohës së sotme u bë bashkëkusar me firmat rentiere. Në Shqipërinë post komuniste u bë e modës që çdo gjë të shitej e të blihej madje dhe karakteret e shumë njerëzve, të cilët me poshtërsitë dhe rrugën e krimit që ndoqën e që vazhdojnë të ndjekin e çuan vendin në prag gremine duke na futur dhe në konflikte sociale të shkallës më të lartë sikurse është lufta civile e vitit 1997. Po për cilët luftonim vallë? Të ishte e vërtetë se ajo çka deklaronte “Sali baba i kryehajdutëve” se rebelët e kuq të jugut kërkonin dhe nuk ishin në një mendje me vëllezërit e tyre demokratë të veriut, apo kjo ishte një alibi e ndarjes artificiale veri-jug duke e spostuar vëmendjen nga problemi kryesor i kusarive të tyre në këto firma?! Kaq shpejt t’i harrojmë ne skandalin e plantacioneve të arrave të Rulit e të Artanit, duke përfitur miliona? Dhe nuk ishte e rastësishme që mbas këtyre filloi batërdia me shitblerjet e tokave nga ku pronarët e ligjshëm u bënë të paligjshëm, u shkatërruan mijëra e mijëra hektarë toke, u prenë pyje, u shitën miniera, u shpërbë ushtria dhe i gjithë armatimi e municioni i tyre dhe objektet ushtarake, përfunduan në dollarë e valutë të huaj duke mbushur xhepat e manjatëve të rinj. Kryetarët e partive (përjashto PKSH) u bënë bosa dhe fëmijët e tyre, tashmë nuk ndërronin vetëm kostumet, por dashnorët e dashnoret, teksa ne shikonim në ekrane paratë e Lilit (përflitet dhe për flori, thuhet se ka dhe një dosje në gjykatë por të gjithë heshtin. Madje dhe vet ai “Kusuremadhi” bashkë me “Kryemadhin” as e kanë mohuar por dhe as e kanë pohuar.) E sikur të mos mjaftonin këto, derivati i dytë i Berishës “Zeni” bashkë me “Mediun e Republikës”, që për pak në ‘98-ën desh ja mori partinë, Monarkia e Lekës, i vunë zjarrin Gërdecit aq sa gjëmimi dhe flaka e tij tronditën gjithë rruzullin. Mirë Zeni se fundja kot nuk e thotë populli “Bëmë baba të të ngjaj”, po Mediut ç’iu desh?! Apo si duket i zunë rehat tulet në kolltukun e ministrit të luftës, që dhe kur ishte zborist nuk mundi të fusë dot një plumb në tabelë! E gjithë kjo përmbysje e madhe që u shoqërua me krime po aq të mëdhaja e të pandëshkueshme, doemos do të ndryshonte tërësisht dhe moralin e shoqërisë. Pra sikurse vërehet, qenkan kushtet ekonomiko-shoqërore, ato që përcaktojnë moralin, moral ky që është në luftë të përhershme me pjesën më të ndërgjegjshme të shoqërisë shqiptare. Le të largohemi pak nga teoria a gjejmë dot në Shqipëri një ministër zv/ministër, një deputet i cili të mos ketë pasuri të luajtshme e të paluajtshme sidomos ata të kohës së Berishës por dhe atyre “të majtëve” që bashkëpunuan me të?! Në të gjithë këtë maskaradë, mos vallë drejtorët e drejtorive, kryetarët e bashkive, shefa inspektoratesh, prokurorë e gjykatës e deri në notere të tipi “Algida” apo avokat “Genci” të mos jetë pasuruar mbi gjakun e shqiptarëve?! E gjithë kjo katrahurë me përmasa katastrofike doemos do të çonte në rrënimin e ekonomisë teksa paratë e tyre të dyshimta e të pista do të merrnin rrugët e bankave europiane apo të atyre përtej Atlantikut. Por rrënimi i ekonomisë godet rëndë dhe lëvizjet demografike të popullatës, për tu arratisur gjithë lemeri, teksa koncepti se “ky vend nuk ka për t’u bërë kurrë” legjitimon varfërinë absolute të shqiptarëve, varfëri kjo e cila sjell përveç krimit shtetëror edhe krimin e organizuar, i cili lidhet katërcipërisht me shtetin. Atje ku ka shtet të korruptuar atje dhe krimi i organizuar dhe organizatat e ndryshme mafioze janë në lidhje të ngushtë me shtetin dhe këtë lidhje shteti e fsheh duke “luftuar” krimin ordiner, atë për motive të dobëta e hakmarrje, disa prej të cilave vijnë dhe nga legjitimiteti i Kodit Penal “të Berishës së Dukagjinve” shprehem kështu sepse dhe vetë Berisha e përdor termin: “që jo vetëm me ligj shteti, por dhe me kanun”. Janë të shumta e të panumërta rastet ku bossët e mafies shqiptare nuk kanë avokatë dosido, por vetë shtetin. Dhe nëse këta bossë nuk e kënaqin shtetin me pjesën që i takon atëherë shteti tregohet më i egër se sa vetë egërsia e krimit të tyre. Në fund të fundit janë ata “bossër” që bëjnë dhe vetë zgjedhjen e shtetarëve duke i financuar me paratë e krimit.

Kështu që në këto kushte e gjithë Shqipëria është kthyer në një “Palermo” me ndryshimin se ne jua u kemi kaluar atyre në shumë fusha. Nuk është fjala për krimet elektorale ku dhe vetë policët i merrnin kutitë e votimit apo makinat e ushtrisë transportonin vjedhjen e ‘96-ës, nuk flasim as për vjedhjen që ja bënë sy më sy Arvizut të shkretë, që përveshi dhe vetë mëngët për t’i numëruar votat, as për votat blu të Saliut që Rama (si me një lakmues kimie) i kthente në rozë, nuk flasim as për breshëritë e kallashëve që gjatë tre dekadave kanë vrarë më shumë se 10 mijë djem nënash, sikurse nuk flasim për krimet e shëmtuara për prona që vret vëllai vëllanë, që burri vret gruan, që trafik-seksi poshtëron femrën. Nuk flasim as për pallatin e vjehrrit të Lulit, që do e paguajmë ne, as për paratë e Ramës që i ka nxjerrë nga shitja e ikonave nuk flasim gjithashtu as për drogën dhe parcelat ndarëse të tregtisë, nuk flasim as për uljen e dinjitetit tonë kombëtar, por për një problem madhor, i cili do na shoqërojë gjithë kohën, sepse i tillë është e ka për të ngelur morali i shoqërisë së sotme. Ky është ligj i kapitalizmit duam apo nuk duam ne. Jo vetëm Amerika, por dhe vetë Europa të ngulet këtu, nuk kanë për ta luftuar dot, sepse rrënjët krimit ia ka mbjellë vetë sistemi. Që të zhdukësh krimin duhet më parë të zhdukësh sistemin, gjë që aktualisht nuk u intereson as fuqive të mëdha, por se mos i intereson dhe oligarkisë të të gjithë partive shqiptare!! Ata do bërtasin, do çirren, do kërcënojnë për të mos e futur Shqipërinë në Europë, teksa vetë e dinë shumë mirë se rrënjët e këtij lloj krimi i kanë edhe vetë të mbjella dy-tre shekuj më parë. Kështu që në të tilla raste të gjitha bashkitë që të jenë brenda konturit të tyre e të mos i akuzojë më kush, është e nevojshme madje dhe e domosdoshme që në shkallë kombëtare krimin duhet ta shpallin “Qytetar nderi” të tyre. Me këtë rast pushteti qendror dhe ai lokal kanë me se të krenohen!