Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Të gjitha rrugët drejt së ardhmes i kemi të mbyllura!

Postuar: 05/09/2018 - 07:06

 Nisin punimet e parlamentit, por pa opozitën. Një çudi që nuk ndodh për herë të partë në këtë Shqipërinë e mbytur në varfëri, që drejtohet nga një palo klasë politike që nuk di gjë tjetër vetëm të na varfërojë ne të shkretëve të mbetur ende pa u larguar.

Sot opozita nuk merr pjesë se as ia ndjen për ne të varfërit. Ajo do vetëm pushtetin që i sjell kënaqësi. Ndaj prej ditësh kanë paralajmëruar se muaji shtator do të jetë muaji i rrëzimit të qeverisë “Rama”. Mirë do të ishte, po çfarë do të na sillte ky ndryshim? Askush nuk di të na thotë një fjalë për të nesërmen. Edhe pse ne shqiptarët gjatë këtyre 30 viteve të kësaj gjysmëdemokracie vetëm jemi varfëruar sa edhe kjo mender demokraci na ka ardhur në majë të hundës. Diktaturën askush nuk e do, po nuk e do as këtë mender demokraci.

Pastaj, kjo opozitë pse nuk punoi ta rrëzonte këtë qeveri në qershor, bie fjala, po medoemos në shtator. Ky shtatori sikur i tremb paksa shqiptarët që u kujton grushtin e shtetit dhe vrasjen e shekullit, një vrasje që të themi të vërtetën, kjo klasë politike po përpiqet ta mbajë fshehur që të mos zbardhet ndonjëherë.

Kësaj klase politike as nuk i bëhet vonë për çfarë na ndodh ne të varfërve. Secili mundohet të na gënjejë. Vetëm pak ditë më parë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj na bëri të njohur se, “rritja ekonomike në këtë Shqipërinë tonë aktualisht është 4,5 herë më e lartë se ajo në vitin 2013”. Një rritje ekonomike që i bën të qeshin nga dhimbja gjithë shqiptarët. Një rritje ekonomike e çuditshme sa, ka çuditur shqiptarët që nga dita në ditë vetëm varfërohen. Vetëm në Shqipërinë tonë, rritja ekonomike sjell rritjen e varfërisë për shumicën e shqiptarëve. Një rritje ekonomike që sjell rritjen e milionave vetëm për palo klasën politike dhe grupin e oligarkëve. Këtë e dimë mirë të gjithë, po heshtim e nuk dimë ç’të bëjmë. Sepse jemi të trembur për atë pagë të shkretë, me të cilën mbajmë fëmijët me bukë dhe pak gjizë e presh. Kjo është açik e vërteta për shumicën e shqiptarëve, që sot ndjehen të braktisur nga gjithë kjo mender klasë politike.

Kjo klasë politike dhe ky grup oligarkësh tashmë i fsheh të ardhurat, që nuk arrin as t’i numërojë të gjitha, në bankat jashtë vendit. Tashmë është i njohur fakti se mbi 70 për qind e të rinjve mendjen e kanë për t’u larguar. Shumica e shqiptarëve e sheh largimin si të vetmen rrugë për t’i shpëtuar varfërisë që ka mundur të instalojë kjo klasë politike, që në mënyrën më qesharake na krenohet se ka një rritje ekonomike 4,5 herë më të madhe se e vitit 2013.

E keqja e shqiptarëve është se kemi një klasë politike që nuk ndryshon asgjë, veç mbiemrit: e majtë, e djathtë. Secila di vetëm të krenohet edhe me varfërinë në rritje të shqiptarëve. Pak vite më parë, ish kryeministri Sali Berisha na u lavdërua se, “kur Evropa ishte e zhytur në krizë, ne kishim rritjen më të madhe në Evropë. Na e kalon për pak gjë vetëm Gjermania”. Me broçkulla të tilla, kjo klasë politike na ka mashtruar e na ka mbajtur nën hyqmin e saj prej afro 30 vitesh. Sa edhe tranzicioni ynë po zgjat pambarim. Përmes këtij tranzicioni, kjo klasë politike prej afro 30 vitesh nuk e lëshon istikamin e saj, na ka bërë t’i bindemi asaj si skllevër duke na paralajmëruar se po zbaton reforma pas reformash që si rezultante kanë vetëm stërvarfërimin tonë. Edhe pse ne jetojmë në një tokë të pasur me çdo lloj minerali, bile edhe me uranium.

Tashmë një gjë është e sigurtë. Kësaj klase politike asnjë shqiptar nuk i beson. Bash kjo është arsyeja që ajo po bën gjithçka që të mos ndryshojë Kodin Zgjedhor, që kandidatët për kryetar bashkie, apo për deputetë t’i zgjedhë jo populli, jo zgjedhësi po kryetari – mbret i partisë. Është krejt qesharake çfarë po ndodh në Shqipëri, po kryetarët e 129 partive përgjithësisht janë të përjetshëm. Edhe pse shkojnë nga humbje në humbje.

Është kjo klasë politike që na ka instaluar edhe idiotizma ekstreme. Kështu, në zgjedhjet e kaluara disa kryetarë partish u zgjodhën nën siglën e PD-së, ndërsa sot ne në parlament kemi edhe grupin parlamentar të PR-së. Ndodhin kund tjetër maskarada të tilla? Kush votoi ndonjë kandidat të kësaj partie? Atëherë, nga na u psonis ky grup parlamentar i kësaj partie? Në fund të fundit me ç’klasë politike kemi ne shqiptarët mund të shohim idiotizma edhe më ekstreme e më të çuditshme.

Çfarë po na tregon e çfarë ka zbuluar Vettingu? Në një masë të madhe ka zbuluar të vërteta të llahtarshme të plaçkaxhinjve, gjyqtaro – prokurorë, plazhistë të Durrësit. Sa në një masë të madhe ky Vetting u ka kallur datën edhe palo politikanëve tanë. Ndoshta kjo është arsyeja që ata rrekën që ta zbatojnë Vettingun në rradhët e policisë dhe jo në rradhët e tyre. Sepse te ata, nëse një Vetting do të zbatohej qoftë edhe përciptazi, sytë do të na shihnin maskarada që mendja e njeriut nuk i rrok. Ndaj, vështirë se ndonjëherë do të zbatohet një Vetting për të qenë e për të zbardhur politikën – hale të vendit tonë. Aq sa sot, nëse nuk e ndërrojmë këtë klasë politike ne shqiptarët do të vazhdojmë të varfërohemi, kjo klasë politike do të vazhdojë të na sjellë humbje pas humbjesh ne shqiptarëve. Për këtë, tashmë jemi të sigurt të gjithë. Edhe pasditja e 3 shtatorit tregoi açik një gjë të tillë. Sepse një opozitë e tërë nuk thotë një fjalë për gjithë atë varfëri që e ka zënë për fyti shqiptarin, po thjesht nuk do të marrë pjesë në përurimin e fillimit të punimeve të këtij farë parlamenti.

Një gjë duhet ta dinë mirë të gjithë politikanët tanë. Qofshin ata të PD-së, të PS-së, të LSI-së dhe të të tjerave që janë plot 129, të mos mendojnë se shqiptarët kanë kujtesë të dobët dhe harrojnë se çfarë kanë hequr e po heqin prej tyre.

Mendja e shumicës së shqiptarëve mban mend vetëm të këqijat e shumta. Të përmendim mbjelljen e gjithë tokës shqiptare me kanabis, apo Gërdecin. Vetëm në Shqipëri ndodh që të demontohen tonelata predha vetëm 100, apo 200 metra larg shtëpive të banimit. Dhe në mënyrën më qesharake askush të mos ndëshkohet. Mjafton kjo ngjarje për të treguar se tamam, tamam ne shqiptarët as sot e gjithë ditën, ende nuk kemi një shtet që mund të na shërbejë të gjitha palëve. Sot kemi thjesht një gjysmë shtet që është një shërbëtor vetëm i grupit të oligarkëve dhe i grupit të palo-politikanëve që ende ne i mbajmë nëpër këmbë.

Mbrëmjen e së hënës nisi sesioni i ri parlamentar. Që ne shqiptarëve do të na shërbejë vetëm për pakëz humor. Pasi grindjet që kanë mes tyre palo politikanët nuk i hyjnë në xhep asnjë shqiptari. As nuk do të na sjellin ndonjë gjë të mirë, pasi ata dinë vetëm të mbushin xhepat e tyre. Nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër më shumë. Tamam, tamam kaq di të bëjë rradakja e tyre. Mjerë ne që nuk po dimë t’i sikterisim, po i mbajmë ende mbi shpinë.

Nga Riza HOXHA 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/09/2018 - 07:28

Shqiptarët e kanë provuar gjysmë shekulli tmerrin e regjimit diktatorial. Duke qenë të traumatizuar shqiptarët zgjodhën sistemin shoqëror demokratik për të provuar shijen e paqes, lirisë.

Postuar: 25/09/2018 - 07:26

Po diskutohet ethshëm mbi një ligj të ri që tenton të vendosë një rregull mbi ndalimin e importit

Postuar: 25/09/2018 - 07:24

“Stani” apo koalicioni i Bashës, nuk e di pse më kujtoi Hanin e Stavros në qytetin e

Postuar: 25/09/2018 - 07:22

Uji është një ndër elementët kryesorë të jetës.

Postuar: 23/09/2018 - 07:43

Gjurmët e jetës, punës dhe sakrificës së Qazim Demit janë të gdhendura fort në qytetin e Sarandës

Postuar: 23/09/2018 - 07:40

 “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, tashmë është një ëndërr që për shqiptarët ësht

Postuar: 23/09/2018 - 07:38

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry