Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Të gjithë e duan drejtësinë, por pak i duan njerëzit e drejtë

Postuar: 21/07/2018 - 07:13

Kemi parë të miratohen ligje në Parlament, në Komisionin e Ligjeve, në qeveri po e po. Bëjnë mirë. Pa ligje nuk ka rregulla, nuk ka norma, pa ligje nuk ka zhvillim, përparim, pa ligje krijohet anarshi. Për pasojë nuk funksionon shteti. Pa ligje i hapet rruga shthurjes, vjedhjeve, krijimit të kapitaleve pa derdhur asnjë pikë djersë. Edhe për drejtësinë janë miratuar ligje sa të duash. Nga të gjitha format, ligje sipas modeleve të vendeve të përparuara në demokraci. E megjithatë, drejtësia e shumëpritur në Shqipëri mungon. Ka ndodhur ajo që nuk duhet t’i shkonte në mendje askujt. Po të kishte drejtësi, jeta e njerëzve nuk do ishte kaq e vështirë, kaq tronditëse, kaq tragjike, kështu si është sot. Jeta është e thjeshtë, por njerëzit e bëjnë atë të ndërlikuar, e bëjnë të trishtueshme, e kanë kthyer në plaçkë tregu. Ndodh kështu sepse nuk ka drejtësi, gjerat nuk shkojnë në drejtimin e duhur, por në drejtim të kundërt me rrjedhjen normale. Mungesa e drejtësisë ka penalizuar njerëzit e thjeshtë, ata që nuk kanë krahë mbështetje, ata që nuk kanë forcë të thyejnë njerëzit e me pushtet, njerëzit e dhunës. Duke mos patur mundësi praktike ti përgjigjen forcës së ushtruar nga të paudhët, fukarenjtë ulin kokën dhe vuajnë fatin e poshtër, durojnë mbi shpinë mëkatarët, që nuk kanë pikën e mëshirës, që kanë humbur sensin e njerëzillëkut, të humanizmit njerëzor. Të ndodhur në këto kushte, në kushtet e një krize të thellë, drejtësia mbetet një ëndërr në fushën e vetë, të cilën njerëzit e zakonshëm nuk kanë as mundësinë më të vogël për t`a prekur, për ta provuar e shijuar.

Shoqëria shqiptare po e vuan në kurriz mungesën e drejtësisë, mungesën e një shteti ku të vendosë drejtësia. Megjithëse thonë se jemi duke e gjetur drejtësinë dhe së shpejti do i dëgjohet fjala, duket se derisa të vijë ajo drejtësi, ëndrrat tona janë ngrysur e shumëkush nuk ka për të parë asgjë. Në sistemin e demokracisë që po ndërtojmë, për ne shqiptarët, drejtësia ka mbetur në klasë dhe nuk ka gjasa ta marrë klasën as në vjeshtë. Njerëzit e drejtë nuk i duan. I përbuzin, u kanë vënë epitete, i quajnë paranojakë. Në fakt të tillë janë këta që sillen si bashkëkohorë, si modernë, si njohës të mirë të sistemit të një shoqërie të hapur. Klasa politike dhe aktorët e tjerë të demokracisë në vend, duket se gënjejnë veten kur thonë se pas zbatimit të reformave do duket edhe shteti i së drejtës. Po kush u beson këtyre dokrrave? Kush e la drejtësinë dhe e morën njerëzit e thjeshtë? Ku të lë padrejtësia të bësh drejtësi? Kush i lë shqiptarët të gëzojnë edhe ata të shohin se si zbatohet ligji, se si ndëshkohen dhunuesit e ligjit, se si vritet shteti çdo ditë e nga pak! Aktorët e monodramës që kanë marrë përsipër të vendosin drejtësi, nuk u intereson të ketë të ndëshkuar, nuk u intereson të dërgojnë në gjykatë sekser të krimit, të korrupsionit. Ata duan ta mbajnë drejtësinë në tiro, duke penguar vetingun, duke i dhënë mundësi autorëve të veprave penale të mos dënohen. Kështu mendojnë dhe kështu veprohet në praktikë.

Shqipërisë i janë dashur rreth tre dekada investime, deri në çmenduri, për ta vënë demokracinë në shinat e drejtësisë dhe, siç e shikojmë përsëri njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit. Politika i ka ndarë keq rrugët e integrimit të vendit, ndaj dhe politikanët kanë harruar se drejtësia dhe shteti ligjor nuk formohen duke ndarë e përçarë njerëzit, sipas interesave politike, në vend që të krijohen standarte për të patur shoqëri funksionale, për të qenë seriozë në përpjekjet e përbashkëta me partnerë strategjik ndërkombëtar në këtë rrugëtim të vështirë, por shumë të sigurtë për të ardhmen e vendit.

Jemi larg, shumë larg dëshirës së ëndrrave që na e bëjnë jetën të jetohet, jemi shumë larg një drejtësie funksionale, të një drejtësie të pavarur, ku cilido që do cënonte autonominë e ligjit të merrte menjëherë dënimin e merituar. Tek ne në Shqipëri është e vështirë të ndodh kështu, sepse sistemi i drejtësisë ka qenë i korruptuar, ka qenë i zi këmbë e kokë. Sistemi që u shkatërrua nuk ka bërë drejtësi, nuk ka krijuar barazi, përkundrazi peshorja ka rënduar nga ana e korrupsionit, ka anuar nga sekserët e politikës, nga sekserët e shtetit, ndaj dhe punët në këto vite të tranzicioni kanë ecur me prapanica. Janë ndërmarrë disa reforma nga qeveritë në detyrë, janë eksperimentuar prioritete në fushën e legjislacionit, në fushën ekonomike, shoqërore. Megjithatë, ndryshimet e pritshme kanë qenë minimale. Kanë qenë të tilla sepse kursi i shërbimeve që duan njerëzit, që do biznesi, ka munguar. Ato i kanë shërbyer një pakice njerëzish që kanë influenca dhe ndikim në strukturat ligjvënëse dhe ligjzbatuese. Ata që kanë si ëndërr të parë marrjen e shërbimeve publike, vazhdojnë të vuajnë, ndërsa politika thotë se reformat do japin rezultate të dukshme në vijim. Nga gjithë ky tranzicion, nga gjithë këta ndërkombëtarë që vijnë e ikin, nga e gjithë kjo Europë që kemi çdo ditë në Shqipëri, çfarë kanë fituar shqiptarët? Drejtësia ngeli përsëri në duart e pista dhe mbizotëron fuqia e mosndëshkueshmërisë.

Shqiptarët e zakonshëm i dallojnë fare mirë njerëzit që e duan drejtësinë nga ata që e pengojnë shtetin ligjor. Njerëzit që e duan vërtetë integrimin e vendit në botën e qytetërimit modern janë të etur për ligj dhe siguri. Shembull konkret janë reformat që po ndërmerren për të pastruar strukturat politike, qeverisëse, administratën nga korrupsioni duke zëvendësuar njerëzit me duar të ndotura me kuadro të rinj, me administratë të freskët për ti shërbyer njerëzve me standarte europiane. Opozita e sotme nuk i ka dhe shumë për zemër reformat, sidomos reformën e vetingut në drejtësi. Njerëzit e dinë se cilët janë ata që krijojnë shtjella pluhuri në opinion. E kanë kthyer në kauzë kundërshtinë, përbaltjen, kërcënimin për të fituar kredo politike mes të vetëve. Për drejtësi flasin edhe bosët e krimit, menaxherët e vjedhjeve masive të pronave publike, “drejtësi” kanë bërë trupat gjyqësore, shumë prej gjyqtarëve, vetingu ua hoqi maskën duke ua nxjerrë të palarat në shesh.

Është e domosdoshme të ndërtohet shtet, domethënë, kërkohet të bëhet drejtësi, të vendosen rregulla loje të barabarta për të gjithë, pavarësisht se dikush është deputet, dikush është anëtar i tenderimeve, është lojtar i vjetër në një kupolë politike. Drejtësia duhet të bëjë drejtësi, të mos i lërë hapsirë të pathyeshmëve të veprojnë si të duan. Peshqit e mëdhenj nuk janë anonim. Kanë emër, kanë mbiemër, janë me biznese të mëdh dhe nuk paguajnë detyrimet tatimore. Ata janë të matrikulluar, janë të skeduar, janë të dukshëm dhe hera-herës i bëjnë karshillëk edhe vetingut të famshëm të ndërkombëtarëve. Kemi shumë kohë që presim të ndëshkohet dikush, të paktën të njohim një si model. Ish ambasadorit Lu i ra goja për të ngrënë një peshk të madh. Edhe shqiptarëve, po ashtu. Po hë, kush do vërë dorë mbi këta rrufjanë, që rrëshqasin si zhivë? Ndoshta e ka patur fjalën për realitetin e sotëm në Shqipëri Faik Konica kur ka thënë se “Drejtësia i takon fushës së ëndrrave, vetëm forca mbizotëron”./ Nga Sokrat NDREÇKA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2018 - 07:41

Zakonisht ndryshimet e thella dhe mendimi ndryshe vijnë nga qendrat e mëdha, metropolet. Dhe kjo nuk është pa arsye.

Postuar: 21/10/2018 - 07:39

Para ca ditësh u paraqit në prokurori lideri i opozitës, Lulzim Basha për të dhënë sqarime rreth

Postuar: 21/10/2018 - 07:37

Njeriu kaq shumë i përfolur mediatikisht për korrupsion dhe pasurim si gjyqtar i lartë, ju ka dhë

Postuar: 20/10/2018 - 20:05

Më në fund pas merkatos të futbollistëve, merkatos së peshkut dhe merkatos së plehrave hyri në lo

Postuar: 20/10/2018 - 07:27

Lajmi i mirë

Postuar: 20/10/2018 - 07:26

Në jetën tonë të përditshme jetojnë në një simbiozë perfekte bixhozi real, kumari i kazinove dhe

Postuar: 20/10/2018 - 07:24

Dorëheqja e papritur e ministrit të Jashtëm grek Kotzias dhe deklarimi i atypëratyshëm i kryemini