Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Të gjithë ju jeni banditë, vetëm ne jemi djem petritë!

Të gjithë ju jeni banditë, vetëm ne jemi djem petritë!

Në tri dekada demokraci, epiteti më i përdorur ndaj kundërshtarëve politikë, është fjala bandë dhe bandit. E shkruar me gërma të mëdha. Aq shumë është lakuar ky cilësim, thuajse ka humbur kuptimin leksikor, përmbajtjesor e gjuhësor. Nuk ka fjalim të liderëve tanë politikë, sa herë u drejtohen kundërshtarëve, ta nisin e ta përfundojnë pa cilësimin e fjalës magjike, bandit, kriminelë, hajdutë, besëprerë, oligarkë, vrasës, tradhtarë, antishqiptarë. Fashistë po se po, edhe nazistë pse jo. Armik të popullit për cilindo, e gjithë etiketimet më të zeza të fjalorit shqip. Qytetarët tanë janë mësuar me këtë gjuhë të hidhur, pothuaj çuditen, jo kur lëshohen rrufe këto epitete, po kur përdoret ndonjëherë fjala e rrallë, i nderuar, zotëri, u drejtohem juve, keni shkelur ligjin, keni cënuar moralin kur kritika mbetet brenda kornizës së debatit demokratik, logjikës së komunikimit, etikës mes qytetarëve dhe individëve që kanë marrë përsipër të drejtojnë Shqipërinë dhe bëjnë ç’është e mundur për t`iu imponuar popullit me të gjitha mënyrat për tu marrë votën me hir ose pahir, pushtetin, privilegjet, tërë salltanetet. Nëse në periudha më të qeta, kur ka ndonjë pauzë, cilësimi bandit i kundërshtarëve politikë bëhet më rrallë. Kur fryn era e zgjedhjeve, shumëkujt të paduruar, në pozita a opozitë, veçanërisht ata që lobojnë një vend në listat për deputetë apo detyra me para e llogari milionëshe se për gjë tjetër zor se mendojnë, ata që kërkojnë pushtet me forcë, etiketimi, banditë, bandë, është shndërruar në strategji sulmi. E vetmja fjalë që u mbush gojën liderëve të politikës opozitare, fatkeqësisht, është etiketimi i qeverisë, kryeministrit, e çdo ministri bandë e bandit. Pas Berishës që e ka zanat përdorimin e termave përvëluese, etiketimeve që shkaktojnë dhimbje të mëdha edhe më të rinjtë, ata që sapo kanë hyrë në portat e selisë së partisë nuk e kanë për gjë të përdorin emërtimin bandit dhe banditizëm, sikur përballtë kenë Al Caponet, famëkeqët Bako Haram, të mallkuarit Intifadën, bako Haram Alka Edën. Nëse vihet re në politikën e ditës, deklarata e fjalime, postime, komunikime të liderëvë të gjithë partive opozitare, figurat nga “a” në “zh”, askush nuk merr mundimin të shtrojë një alternativë apo të sjellë argumenta bindëse, të bëjë kritika objektive dhe të jetë realist. Çdo vendimmarrje apo reformë që nuk e pëlqen, a nuk është dakord të zbatohen në Shqipëri, opozita, nis revolucionin me histeri. Kritikat ndaj qeverisë dhe qeverisjes, kryeministrit apo ministrave. Opozita do bëjë politikë. Opozitari do jetë kritikë. Goditja e rasteve të shkeljes së ligjit, abuzimeve me pushtetin, opozita është në të drejtën e vet të nxjerri ujë të zi. Sa herë opozita ka qëlluar në shenjë, mazhoranca është tërhequr dhe është korrigjuar në vendimmarrje. Kur janë shfaqur problematika me ligjin dhe ka nxjerrë në sipërfaqe anët korruptive, opozita ka rezultuar sfidante ndaj mazhorancës. E tillë ka qënë denoncimi i financimit të Unazës së Re, ku fondet ishin bërë gati për t`iu deleguar një firme fantazëm pas të cilës qëndronte një biznesmen i njohur dhe i fuqishëm. Goditja e rasteve të individëve të zgjedhur, deputetë apo kryebashkiakë pa kaluar filtrin e kontrollit dhe verifikimit të figurës, kanë rezultuar me njolla në biografi dhe si të tillë në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, janë flakur jashtë nga politika. Radarët e PD-së kanë meritë. Askush nuk ka qenë refraktar ndaj opozitës kur ka zbuluar anë të errëta të të zgjedhurve në Kuvend apo në krye të bashkive. Kjo mënyrë e të bërit politikë, është vlerësuar si ndihmesë për pastrimin e mjedisit politik nga të inkriminuarit. Po barazimi i rasteve me tërësinë, futja e të gjithëve në një thes është vërtet hipokrizi dhe ligësi. Të dyja anët e politikës, mazhoranca dhe opozita kanë pasur mundësinë të vënë pikën mbi i. Njëra, mazhoranca, ka zbuluar individët me probleme me ligjin, largimin e menjëhershëm të personave të zgjedhur, po nuk kanë qenë të sinqertë për të treguar dënimet gjatë qëndrimit jashtë shtetit apo në Shqipëri. Po kjo mënyrë e të bërit politikë është spontane. Ende nuk është normë sjelljeje dhe traditë, siç veprohet në demokracitë e zhvilluara në vendet demokratike. Klasa jonë politike vjen nga një e kaluar e inkriminuar. I mungon demokratizimi i brendshëm. Individët me pushtet bëjnë ligjin sipas interesave dhe jo në mbështetje të zgjidhjeve të mëdha, interesave të qytetarëve. Vetëm në propagandë politikanët tanë shpalosin dashurinë për qytetarët dhe këmbëngulin për të luftuar korrupsionin e të korruptuarit. Se mungon kjo etikë, kjo normë sjellje ndaj Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, çun i ri, numri dy në partinë më të madhe opozitare del para ekranit nga podiumi i selisë dhe në vend të bëjë politikanin bënë kapedanin, kovaçin, duke ngritur në dorë çekiçin e rëndë për të qëlluar kundërshtarët politikë. Me fjalorin më ordiner që mund të përdorë një politikan karriere aq më shumë figura numër dy e partisë që synon pushtetin i drejtohet kryeministrit me fjalorin më vulgar duke e quajtur bandit. Ta etiketosh qeverinë bandë e egër, e tmerrshme. Tërë socialistët dhe partinë më të madhe në vend nga shpallja e pluralizmit me mbështetjen më të gjerë në shoqërinë shqiptare, si bandë, është vërtet absurde dhe e papranueshme. Përse, ju zoti Bardhi, e etiketoni partinë më të madhe, qeverinë dhe kryeministrin, duke e barazuar me bandat dhe banditët? Kush është bandit në qeverinë socialiste? Është Besa Shahini? Është ministrja e Ekonomisë, zonja Denaj? Mos vallë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj? Më e reja ndër ministrat, Spiropali? Socialisti dy herë kryeministër Majko? Cili pra na e thoni!? Dhe për të na bindur na tregoni aktet e tyre banditeske, ku i kanë shfaqur dhe ku e kanë treguar veten banditë? Janë banditë se përballuan pasojat e tërmetit më shkatërrimtar të këtij shekulli? Apo që përballojnë pandeminë më të egër dhe luftojnë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve? Që projektojnë rrugë dhe aerodrome? Hidrocentrale e instalime për prodhimin e energjisë elektrike? Që ndërtojnë bypasse e hapin tunele? Që i kanë hapur rrugën reformës më të thellë në drejtësi? Që hartojnë ligjin zgjedhor siç e propozuat ju zotërinj opozitarë? Ku e shikoni bandën dhe si i evidenton banditët ta dimë edhe ne njerëzit e zakonshëm, si të mbrohemi dhe nga cili të ruhemi!? Na tregoni, zoti Bardhi, fakte e prova. Se me propagandë të shfrenuar nuk bindni askënd. Po nuk jeni vetëm ju Gaz Bardhi që e lëshoni gojën dhe etiketoni bandë e banditë, cilindo që nuk është me opozitën. Sa herë del në podiume e ekrane televizive të njëjtën gjë bën Petrit Vasili. Me të njëjtat etiketime i drejtohet Partisë Socialiste Zonja e Parë Monika Kryemadhi. Dhe më i riu demokrat Kaç Islami. Banditë i quan socialistët dhe drejtuesit e tyre edhe vetë Presidenti Meta. Ai ka të drejtë meqenëse është mbi palët. Me të njëjtin fjalor flet Sali Berisha. Nëse përballë opozitarëve gjenden tërë banditët e globit, vështirë do ta ketë opozita të çajë drejt shtigjeve të fitores dhe lirisë! Po nëse përballë janë banditët në front janë vendosur, engjëjt, të virgjërit, të urtët, të maturit, të mençurit, atdhedashësit,etalonët e demokracisë?! Përball bandave dhe banditëve në pushtet janë ata djemtë dhe vajzat petritë. Janë e ardhmja e ndritur. Shpëtimtarët e progresistët. Burrat dhe gratë që në këto tridhjetë vjet nuk u ka ngjitur dora në para, pjesa më e pakorruptuar. Të vetmit që vjedhjeve u kanë shpëtuar. Janë klasa e të pastërve dhe të virtytshmëve. Demokratë të kulluar. Pa të djeshme e të shkuar. Pa të kaluar. Individë që janë vetëpastruar. Kanë bërë katarsis sapo ylberin e opozitës kanë kaluar. Janë po ata që në këto tri dekada i kanë punuar këtij vendi qindin. Që kanë mbi shpinë shkatërrimin e ekonomisë, varrosjen e demokracisë, vdekjen e drejtësisë. Autorët e votës së vjedhur. Arkitektët e piramidave që zhvatën popullin deri në qindarkën e fundit. Rrahësit e opozitarëve në mes të sheshit. Vrasësit në protesta. Janë ata që nuk i lajnë dot mëkatet edhe për një shekull. Atëherë cilët janë djemtë e vajzat që mbahen petritë dhe cilët janë përballë banda e banditë? Filozofia për ta etiketuar kundërshtarin politik bandë e banditë, jo si të ishim nga i njëjti trung, me një emër shqiptar, një gjuhë, një gjak, një kombësi, prejardhje, histori, të shkolluar në të njëjtat mjedise, të gjithë krushq e kushëri, është strategji për t’i ndarë opozitarët ballëlarë, djem petritë, si drita dhe gjithë të tjerët, bandë e banditë!