BREAKING NEWS

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora
x

Opinion / Editorial

Të gjithë të relaksuar, koronavirusi nuk na kishte harruar!

Të gjithë të relaksuar, koronavirusi nuk na kishte harruar!

Epidemia e koronavirusit me fillesë nga Kina, e përhapur me shpejtësi në tërë globin dhe mediatizimi ekstrem që i bëhet këtij virusi për rreziqet që vijnë prej tij, po mbajnë opinionin shoqëror kudo në alarm maksimal. Nëpër qendrat e qyteteve, rrugë, aeroporte, porte, mjetet e shërbimit të transportit urban, mjediset shkollore, sportive, spitalore ca më shumë, kudo flitet vetëm për rrezikun që mbart përhapja e këtij virusi. Jo pak qytetarë shfletojnë katalogët, ndjekin e-mailet, dëgjojnë buletinet shkencore, këshillat e mjekëve infeksionistë, analistët, shtypin, televizionet për atë që çka po ngjanë në shtete të ndryshme dhe janë të shqetësuar pasi ky rrezik edhe nëse nuk është kaq i lartë sa amplifikohet, duke shkaktuar më shumë panik nga propaganda që i bëhet se nga vetë realiteti i efekteve të virusit, krijon terror psikologjik. Në takime mes qytetarëve sillen kujtime të largëta. Flitet për gripin spanjoll dhe kujtohen tregimet e gjyshërve se si nga një familje vdisnin dy e tre persona dhe frika e infektimit i detyronte të mbijetuarit të paguanin individë të veçantë t`i varrosnin të afërmit e tyre. Ishte koha kur nuk kishte mjete të informimit masiv dhe njerëzit i shpjegonin si të mundnin vdekjet e shpeshta. Mungonte edhe shërbimi spitalor. Për vaksina as mund të flitej. Sot jetojmë në kohën e teknologjisë dixhitale dhe më shpejt lajmi mësohet në cep të botës se atje ku lind si lajm i parë. Koronavirusi është një e keqe nga e cila të gjithë duhet të bëjnë kujdes. Të njohin simptomat. Ti nënshtrohen kontrolleve të shumta. Të zbatojnë këshillat e mjekut dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Asgjë nuk mund të anashkalohet aq më pak të nënvlerësohet pasi rreziku është potencial dhe çdo mbyllje sysh dhe komenteve me parulla apo batuta nuk do kishte asnjë efekt, përkundrazi do lejonte përhapjen e virusit dhe do shoqërohej me më shumë të prekur deri edhe me ngjarje ekstreme, të cilat për fat të mirë në vendin tonë nuk kanë ndodhur. Ka më shumë se një muaj që e tërë bota zien nga njoftimet e shpërthimit të koronavirusit. Shtete me infrastrukturë moderne dhe shërbim shëndetësor në perfeksion, kanë evidentuar raste të infektimit të individëve të veçantë nga ky virus. Njoftime për infektim të qytetarëve kanë bërë Italia, e cila ka futur në karantinë shtëpiake më shumë se çerekun e popullsisë ose gjithë veriun e zhvilluar. Franca po ashtu, ka pasur rate të evidentuara, Belgjika, Austria. Turqia, Gjermania, Greqia, Kroacia, Irani ku nuk janë kursyer as politikanë të lartë e shumë shtete të tjera larg dhe pranë. Njoftimet nga këto shtete kanë mbërritur në Shqipëri në kohë reale dhe janë dëgjuar nga të gjithë përmes lajmeve dhe njoftimeve të medias, po edhe të organeve përgjegjëse të shërbimit shëndetësor. Mjekë e infermierë, Ministria e Shëndetësisë dhe shërbimi urgjencës, Instituti i Shëndetit Publik, Task Forca e krijuar enkas për këtë qëllim, karantinat e përshtatura, masat për furnizim me maska mbrojtëse e dezinfektantë dhe së fundit edhe lëvrimi i fondeve të veçanta për të marrë masa infrastrukturore dhe blerje të medikamenteve të domosdoshme, flasin për një vlerësim serioz të shtetit përballë një virusi të tillë të rrezikshëm. Virusi pasi bëri xhiron në shumë shtete dhe u numëruan me mijëra raste të infektuarish, më në fund mbërriti edhe në vendin tonë. Shqipëria nuk është e imunizuar. Nuk është vendi antivirus. Nuk është e rrethuar me tela me gjemba. Nuk ka perde të hekurt të padepërtueshme nga epidemitë globale. Shqiptarët aktualisht jetojnë në shumë shtete dhe janë qytetarë të botës që vijnë, ikin, vijnë përsëri. Jetojnë e punojnë në vendet që u prekën më shpejt nga ky virus dhe ishte një nga këta shtetas që jetonte në Itali, që mbarti dhe solli edhe tek ne virusin e rrezikshëm. Për javë të tëra në Shqipëri, është zhvilluar një betejë e duel i ashpër mes atyre që deklaronin se vendi ishte i pastër, i painfektuar dhe nuk ishin konstatuar raste të infektuara dhe atyre që kërkonin me ngulm, të shpiknin një rast të vetëm që vendi ynë të kishte të infektuarin nga koronavirusi. Pothuaj kërkohej si me qiri, gjetja e një të infektuari potencial. Gjurmohej kudo. Edhe një grip i zakonshëm, mjaftonte pak temperaturë dhe njoftimet vërshonin pa asnjë përgjegjësi, pa filtrim, drejt e në ekranet e televizioneve, se ja rasti i parë erdhi. U shfaq në Sarandë. Në Tiranë. Në Shkodër. Lajmet e rreme bënin punën e tyre dhe tmerri ndihej kudo. Çuditërisht, politika e mori si mision të vetin dhe e ktheu në kauzë koronavirusin. Pothuaj zotëronte logjika e palogjikshme se duhej një rast sa më shpejt. Po mbeteshim prapa nga tërë bota. Dhe më të avancuarit deklaronin se virusi ka rënë, është prezent. Të prekur ka, po shteti e mban sekret. Nuk kemi mjete t`i evidentojmë. Mungojnë masat efikase. Jemi të dobët përballë një virusi të tillë vdekjeprurës, duke harruar se në këtë mënyrë i ndiznin zjarrin shqetësimit mes shqiptarëve që edhe këtë virus kishin mangut pas tërmetit apokaliptik të nëntorit 2019. Politikanë që vijnë nga radhët e mjekëve. Sociologë, ideologë, intelektualë, akademikë, profesorë të shkencave të natyrës, kryetarë partish. Të gjithë u vunë në resht, duke shpërndarë lajme se shteti nuk e ka gjendjen nën kontroll. Se të infektuar ka, po nuk janë evidentuar. Se mjetet e shëndetësisë janë të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme për evidentimin e rasteve. Me virusin, u luajt për një kohë të gjatë, loja e politikës së faktit të kryer. Deputet të veçantë, morën përsipër të mbjellin terror. Ish-deputetët po ashtu. Dhe lajmet u përhapën rrufe. Iku drejtori i shëndetësisë së Kavajës se nuk pranoi të ndërtohej karantina në Kavajë. Mungon alkooli. Maska nuk kemi. E lloj-lloj broçkullash butaforike sikur kishin hyrë në garë pa sens e pa drejtim. Të gjithë në vuajtje dhe stres si nuk kishim ende një të infektuar. Dhe për këtë shahej qeveria, ministria, shefat e ngarkuar me këtë detyrë. Vuajtje e madhe ngado. Çuditërisht, jo pak politikanë vërshuan me deklarata dhe qortime e anatemime për organizmat që shërbejnë në shëndetësi. Pikëllim i thellë që na kishte harruar koronavirusi dhe që shteti shqiptar është i pafat ta përballojë. Po më në fund, sinjali jeshil u ndez dhe për fat të “mirë” të zhurmëmëdhenjve, u evidentua rasti i parë, ku një 28 vjeçar që udhëtoi nga Firence mbërriti në Shqipëri dhe veç vetes infektoi edhe babanë. Pra dy raste të verifikuara nga grupet e shërbimit shëndetësor të ngritura në pikat e kalimit kufitar. Menjëherë sikur u ndje një lehtësim, ç’tendosje, tek të gjithë ata që u frynin borive se raste ka po shteti nuk i deklaron. Gati si në festë. Më në fund edhe ne e fituam të drejtën, kemi të infektuarin tonë. Të infektuar, këtu brenda, deklaroi Prof. Dok. Sali Berisha. Dhe kur e thotë doktori, të gjithë duhet të heshtim. Në sulm u hodhën të gjithë pas rastit të parë. Media shqiptare si në delir, sikur të jepte sihariqin e madh, jo thjesht informimin publik, u mbush me njoftime se virusi erdhi. Presidenca shpalli Task Forcën paralele me qeverinë. Ata janë shteti B. Propagandë pakufi. Ngado dëgjohet se rreziku ka ardhur. Se masat nuk janë efikase. Çuditërisht, jo pak analistë e specialistë, ata që kanë bërë të gjithëditurin nisën me deklarata bombastike. Se nuk jemi të aftë. Terror mediatik e propagandistikë. Lumë thashethemesh. Dhe deputeti i rënë nga fiku që u shërben dhe i shanë të gjithë, që bredh nga partia në parti e gjeti shpëtimin. Rama të izolohet në ajër në avion të mbyllur! Kjo është gjetja më e madhe antivirusale. Vendi ynë është si tërë shtetet e tjera. Me popullsi dhe jetë, aktivitete e punë, si i tillë nuk mund të veçohet nga bota. Rreziku si për tërë globin është edhe për ne. Po nesë në vendet normale, me politikanë e analistë seriozë, me mjekë të formuar, me pajisje të fjalës së fundit, bëjnë të gjitha përpjekjet për t`i dhënë drejtim për të luftuar me të gjitha format virusin e rrezikshëm, qetësimin e qyetarëve, siç bëri mjeku Kalo me këshillat e tij edhe këtu në Shqipëri, tek ne ndryshe nga e tërë bota se pse ka një relaks dhe ngazëllim të madh. U qetësuan politikanët agresivë. U paqtuan kryetarët e partive. Opinionistët e mëdhenj u shtendosën. Specialistët e fushës po ashtu. Akademikë e profesorë morën frymë lirisht. Nxënësit fituan dy javë pushim. Mësuesit u rehatuan, farmacistët u gëzuan, supermarketet rritën çmimet. U shumëfishuan blerjet nga familjarët. Të gjithë më në fund pas një odiseje maratonë, u relaksuan. Më në fund edhe Shqipëria ka të infektuarit e vet me koronavirus. Atmosferës së post evidentimit të virusit në Shqipëri do t`i shkonte fiks batuta e humoristit se: “Në fund të gjithë u relaksuan, koronavirusi nuk na kishte harruar”!