Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Të gjithë vrapojnë t'i veshin shtatorit qyrkun e tmerrit

Postuar: 22/08/2019 - 07:17

Shtatori është muaji i nëntë i vitit në kuptimin fizik e kalendarik. Është fillimi i vjeshtës së artë, stinës që i kanë kënduar poetët tanë të mëdhenj, duke e kthyer në simbol të vitit për begatinë, bukurinë e peizazheve që ofron. Është koha kur vera i dorëzohet stinën së bollëkut. Është muaji i vjeljes së rrushit, mollëve dhe frutave të tjera. Në kuptimin fizik nuk dallon nga muajt e tjerë. Ka vetëm 30 ditë dhe nuk është i ngjashëm as me shkurtin i cili në katër vite periodikisht bëhet i brishtë dhe shënon 29 ditë dhe për këtë vlerësohet si i veçantë. Veç të tjerash është edhe muaji i dasmave, pasi gushti nuk është në preferencën e çifteve dhe familjeve të tyre, se shihet si muaji i pagjykuar. Po ky shtatori i pritshëm 2019-ës që vjen vetëm pas disa ditëve,  ka marrë një dimension tjetër. Është muaji me ngarkesën më të madhe të vitit. Të tillë peshë po ia japin politikanët, qeveritarët, opinionistët, analistët, opozitarët, TV, shtypi i përditshëm. Në realitet shtatorit padrejtësisht i japin një ngarkesë dhe përmasë gati apokaliptike, duke i humbur magjinë natyrore si fillim vjeshte. Dalëngadalë, po i veshin qyrkun e tmerrit. Shumë të tjerë kostumin e adhurimit. Me të drejtë shumë pyesin: Vallë çdo na sjelli ky shtator? Cilat janë ndryshimet drastike? Kush do jenë kurbanet e radhës? Sa dëgjojnë Presidentin e Republikës dhe radhazi zëdhënësit e tij, Kryeministrin dhe ministrat, ministren Spiropali që mbanë lidhjet ekzekutiv-legjislativ, sekretarët politikë të të gjitha partive në mazhorancë e opozitë, deputetët e rinj e ata të vjetrit, Lulzim Bashën, Gon Dukën, Shehin, Ndokën, Dulen, Kryemadhin, Ballën, thua se jemi para qametit dhe ka për të ndodhur kataklizmoja si në prehistori. Disa e gjykojnë muajin, ku do verifikohen parashikimet e Nostradamusit. Në realitet do jetë thjeshtë një periudhë e zakonshme e vitit me ndryshimin se zyrtarët do lënë blunë e detit dhe lartësinë e maleve, vapa e gushtit do bjerë dhe fresku do vijë, parqet madhështore të Alpeve, ngjitjet në Jezercë e Korab apo në Tomor do mbeten pa eksploratorët e apasionuar dhe njerëzit e drejtësisë do tu kthehen pelerinave të zeza për të rifilluar gjykimet dhe dosjet e lëna përgjysmë. Pas pushimeve të gjithë do ulen të relaksuar në tryezat e punës dhe sallat e gjykimit. Të gjithë në pritje për t`u gjykuar për herë të parë në jetë nga organet e drejtësisë së re, ku ndryshe nga më parë do japin ata llogari dhe do presin vlerësimet e trupës së gjykimit nëse do vijojnë të mbeten brenda sistemit apo do dorëzojnë çelësat për ti thënë lamtumirë drejtësisë. Po ç’po ndodh sot në prag të nisjes së muajit të hapjes së shkollave dhe rendjes drejtë klasave të para të nxënësve që hyjnë për të parën herë në shkollë? Nëse ndjek edhe pavëmendje deklaratat e politikaneve tanë, populli, shqiptarët, kudo që ndodhen brenda dhe jashtë Shqipërisë, duhet të qëndrojnë sy e veshë për të mësuar në kohë reale tërmetet që do nisin në radhë. Natyrisht jo atë që paralajmëroi Meta! Çdo të sjelli nisja nga funksioni i SPAK e BKH. Si do vijojë KLP e KLGJ? Aq shumë është fryrë opinioni me dënimet që do japin organet e reja të hetimit dhe nivelet që do preken nga këto hetime dhe gjykime, sa duket sikur viktimat do jenë të panumërta dhe këtu nuk do mbetet njeri apo zyrtarë i lartë, i mesëm, deri tek më të ulëtit pa u ndëshkuar. Gati sikur në qendrat e qyteteve janë ngritur gijotinat që do kalojnë në satër të gjithë ata që kanë vendosur miliona në llogaritë bankare dhe nga hiçi pa asnjë biznes, janë bërë super milionerë dhe kanë transferuar partë e tyre deri në SHBA apo Angli në offshore, apo kanë investuar në vepra të mëdha. Duket sikur institucionet e reja do marrin në dorë kosën për të rrafshuar gjithçka. Përditë njoftohemi për bombat që do shpërthejnë në shtator. Është vetëm pak ditë para vendimit të BE-së për të ardhmen e Shqipërisë për hapjen ose jo të negociatave, për të cilën mbi nëntëdhjetë për qind e shqiptarëve e mbështesin. Shtatori barazohet nga zëra të veçantë me nisjen për shkarkimin e Metës. Po nuk mbeten këtu parashikimet e shtatorit. Në radhë vendosin kryeministrin, të etiketuarin si koka e krimit dhe kryeoligarkun që zhvat popullin deri në qindarkën e fundit. Pas vijnë ministrat rreth tij. Do ta shihni! SPAKU, tika-taku, po troket. SPA-ku po vjen. Do bëjë kërdinë. Aq shumë është mbarsur shtatori me ngjarje dhe sensacione të mëdha sa mund të ndodhi krejt e kundërta dhe tërë këto pritshmëri e betime të shndërrohen në të kundërtën e vet dhe entuziazmi i veprave të SPAK –ut dhe BKH –ës të shfryhen dhe besimi të rrudhet. Urojmë të ndodhi ajo që komentohet dhe këto organe të jenë ekzigjente dhe të bëjnë detyrën, duke justifikuar pritshmëritë e qytetarëve dhe më në fund të ndjejmë erën e drejtësisë së re. Po ajo që po e trazon edhe më shumë opinionin e gjerë shoqëror, janë deklarata e fryra se do jetë një shtator lufte. I përgjakur. Muaj betejash. Se është në përgatitje e sipër revolucioni opozitar kundër mazhorancës për të rifituar bastionet e humbura. Është lufta që do rikthejë bashkitë e grabitura tek populli, duke u mburrur kuturu pa pasur asgjë në duar, pasi pushtet me dhunë kurrë nuk mund të fitohet. Ashpërsi më të madhe se ajo e dhunës në këto tetë muaj që kaluam, duke filluar nga protesta e parë në shkurt, ku molotovi nuk kurseu godinat më të rëndësishme qeveritare dhe policinë, duke i goditur në ballë me të gjitha armët, mos prisni të ngjajnë në këtë shtator. Kështu që deklaratat për qametin më së shumti janë dëshira dhe fantazi me të cilën opozita, Basha, si iniciues dhe të tijtë, duan t`i japin shatorit, statusin e tmerrshëm që do shoqërohet me luftë, me beteja të përgjakshme në kërkim të demokracisë! Është një kostum prej hekuri, një këmishë çeliku që duan t`i veshin këtij muaji për të trembur qytetarët dhe për të justifikuar dështimet të gjithë atyre që mburren se do bëjnë hatanë. Çfarë nuk i veshin muajit në pritje. Secili kërkon t`i vendosë një peshë, një ngarkesë, një iniciativë, një masë, një zgjidhje, dëshirë, mllef, inate, përbuzje, pritmëri, një aksion, një revolucion. Aksion revolucionar premton opozita. Betejë e së vërtetës e cilëson Basha. Shtator të përgjakshëm e emërtojnë të tjerët. Duhet të gjithë të kthejnë sytë nga 13 tetori, dekreti për zgjedhjet e reja të pushtetit vendor duke zhbërë 30 qershorin fton Presidenca. Partitë e vogla opozitare kanë varur shpresat në shtator. Pritmëri të mëdha ka mazhoranca. Shpresa hiperbolike kanë ata që drejtojnë reformën në drejtësi. Opozita është si në qiellin e shtatë me pritshmëritë e shtatorit. Kështu shtatori pritet të jetë ditëlindja e Gjykatës së re Kushtetuese sipas ligjit të miratuar. Muaji kur do plotësohet dhe filloj nga puna Gjykata e Lartë. Janë gjykatat që do hapin siparin e gjykimit të VIP-ave, siç thonë të paduruarit dhe idealistët ekstremë. Dhe nisin të nominojnë emrat e parë që do ulen para togave të zeza. Përmendin emra, simbole, shifra, tregues, platforma, mbiemra. Preferenca. Do jetë Gjykata Kushtetuese e re që do i vërë pikat mbi ‘i’ propozimeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe verifikimit të konkluzioneve të Komisionit Hetimor të shkarkimit të Presidentit Meta. Do përcaktohet juridikisht është i drejtë apo i padrejtë ky qëndrim. Në shtator pritet të zbarkojnë në vendin tonë Komisioni i Venecias që do konsultojë kostitucionalistët tanë se si duhet vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe si do jetë ecuria e këtij procesi. Dhe këtu palët ndahen. Një pjesë gëzojnë, të tjerët hidhërohen.Ca thonë mirë t`i bëhet, të tjerët kërkojnë mosprekjen e tij. Po të gjithë i kanë sytë e mendjen në shtator. Është muaji, ku janë vendosur të gjitha pritshmëritë. Steka është ngritur shumë lart. Gati po shndërrohet në kryemuaj. Si muaj i verifikimit të të vërtetave të mëdha. Kaq shumë ngarkesë i kanë veshur shtatorit, ku ose të gjithë do verifikojnë pritshmëritë ose do zhgënjehen masivisht. Kaq dëshira zor të plotësohen brenda 30 ditëve të shtatorit. Do duhej i gjithë shekulli i njëzetë e një-të për kaq shumë hiperbola. Edhe specialistët e gënjeshtrës, megallomanët, premtuesit e qiejve i konsiderojnë një fryrje të padrejtë pritshmëritë e shtatorit. Megjithatë vrapojnë të gjithë për t`i veshur shtatorit, pelerinën e qyrkun e tmerrit po edhe lumturisë së bashku. “Rrobaqepësit” politikë që i kanë prerë e qepur këto veshje, po i servirin si veshje luksi edhe pse shtatori duket krejt lakuriq. Shatori do vijë dhe do ia lërë vendin tetorit. Dhe në fund do jetë një muaj i zakonshëm në kalendarin e 2019-ës. Do mbetet thjeshtë muaji shtator asgjë më tepër!Ata që i veshin qyrkun e tmerrit edhe ata që e himnizojnë vetëm sa do zhgënjehen!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/09/2019 - 07:17

Sa herë Presidenti del me deklarata ose jep opinione, konferenca shtypi apo shkruan në rrjetet sociale, jemi tërë sy e vesh për të rejat që kumton, idetë që shpalos, paralajmërimet që bën, objektivat që përcakton për

Postuar: 17/09/2019 - 07:15

....Këtë mund ta besojë vetëm ndonjë mendje si ajo e z.

Postuar: 17/09/2019 - 07:14

Më kujtohet se kur erdhi në pushtet qeveria e Edi Ramës mbas zgjedhjeve të 2013-ës, ju desh njëfa

Postuar: 17/09/2019 - 07:12

Ka kohë që flitet për krisje të marrëdhënieve midis presidentit Meta dhe liderit të selisë blu, B

Postuar: 15/09/2019 - 07:43

Gjatë periudhës së pushimeve në qytetin e Vlorës, më ndodhi, ashtu sikurse i ndodh gjithkujt, që

Postuar: 15/09/2019 - 07:42

Bashkimi Evropian e zgjidhi qesen për reformën në drejtësi.

Postuar: 15/09/2019 - 07:40

Nuk është hera e parë që zonja Monika Kryemadhi, Kryetarja e LSI-së, sot bashkëkryetarja e opozit