BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

Të infektuarit dergjen, por përgjigje akuzës për dosjen e Dick-ut duhet dhënë!

Të infektuarit dergjen, por përgjigje akuzës për dosjen e

Mirë se batutë mbas batute mes Ramës dhe Metës njerëzit e kanë tashmë një "ushqim" folko humoristik, por në dy batutat e fundit mes Ramës dhe Bashës ka diçka shumë serioze. Ka një akuzë direkte që kësaj radhe bëhet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Zakonisht ai i bën (në krye të Kryeministrisë them) shumë të rralla të tilla akuza. Bëhet në një moment sensitiv ku një pjesë e rëndësishme e drejtimit politik të UÇK-së në Kosovë përfshi dhe njeriun numër një Thaçin, po akuzohen për krime mbas luftës. Një akuzë që ju vjen nga gjykata që kanë pranuar vetë dhe është ngritur me dëshirën si të USA dhe UE, por dhe pranimin e kuvendarëve të Kosovës. Sot ata mund të bëjnë sikur janë të persekutuar, por në fakt kanë pranuar një diçka të tillë si prokurori dhe tashmë duhet të pranojnë dhe hetimin për fajet e mundshme apo të prezumuara që mendohet se mund të kenë kryer. Gjithsesi kjo nuk luan aspak respektin dhe dashurinë tonë për UÇK dhe luftën e saj. Kjo gjë tashmë e mërzitshme dhe bajate, nuk luan aspak qartësinë tonë, timen, se armiku dhe kriminelët ishin serbët dhe bashkëpunëtorët e tyre kriminelë dhe viktimat shqiptarët. Gjithsesi për krimet e akuzuara mbas lufte kjo gjykatë ka marrë dhe të gjithë zinxhirin politik që ka dalë nga UÇK-ja në Kosovën e mbas çlirimit. Në dy postime të tyre, shefi qeverisë dhe ai i opozitës po bëjnë një ping pong, aspak të ndershëm për publikun shqiptar. Aspak dhe në mënyrë tragjike në vazhdën e një "mrekullie" deliri akuzues të ngjashëm dhe me formën "Sali Berisha dhe Ilir Meta". Ne jemi kthyer në shoqëri që pranojmë dhe bëjmë akuzat më të rënda dhe po aty pastaj i harrojmë, por në fakt ky grotesk na bën folklorikët injorantë të kohëve moderne. E "batutat" mes Bashës dhe Ramës janë të tilla. Në një postim Basha thotë kështu: “Edi Rama lëri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”, shkruan Basha. Kjo akuzë e të sotmes sigurisht që mund të bëhet. Njerëzit sot kur kanë mundësi, nuk duan të shkojnë në spitale covidi. Nuk duan dhe harxhojnë miliona për t’u kuruar në shtëpi ose spitale private. Por kush nuk kanë financa dhe mundësi, pësojnë atë që thotë Basha në postim. Ka akuza për mungesën dhe mos lejimin e tamponimeve apo diagnostifikimit dhe të një shteti që nuk bën tampon dhe siero analizë shtetasve të tij. Që iu kushtojnë shtrenjtë atyre dhe për më tepër, duke pasur vetëm një vend kur merret përgjigja e tamponit ligjërisht - mirë se vonon dhe shpesh ikën dhe kovidi, por nuk vjen fare mbasi ke paguar dhe eurot diku nga privati. Njerëzit kurohen vetë dhe nuk besojnë te spitalet e shtetit shqiptar. Biles ka një fjalë se "po shkove atje, kthehesh i vdekur" që në fakt është e rëndë si batutë, por ja që është dhe ka një analizë të thjeshtë pse thuhet. E kryeministri i Shqipërisë është e sigurtë që i mohon këto, por tashmë sëpaku unë jam i qartë ai është në kulmin e delirit administrues të këtij vendi të shkretë që quhet Shqipëri. E padyshim për këtë gjë (edhe pse gjithmonë me patetizmin e tij politik në retorikë banale) zoti Basha ka të drejtë por?

Por ja përgjigja ndaj kësaj e zotit Rama: “Lulzim. Mos u fshih pas Covidit dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë. E thuaje çfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty”. Nga ky postim ajo pjesa që akuzën e Bashës për të, Rama e kthen te njerëzit e mjekësisë që Basha nuk i akuzoi është grotesk postimi, por kjo bën pjesë në atë delirin poetik, hartimo-kreativ të tij. Por Rama bën një akuzë precize, të cilës Basha duhet t’i përgjigjet ose duhet të merret me Ramën publikisht dhe juridikisht. Basha duhet t’i përgjigjet akuzës për "dosjen e Shtëpisë së Verdhë" që sipas Ramës, ai bashkë me një mjek peruan i kanë dhënë Dick Martit. Po sepse kështu lihet të kuptohet se kjo dosje po çon në Hagë njerëzit e përfaqësimit politik të UÇK-së në Kosovë dhe të parin Hashim Thaçin. Basha duhet të thotë në se është pjesë e kësaj, pavarësisht se dosja apo Dick Marti nuk i leverdisin dikujt sot politikisht. Basha duhet të përgjigjet nëse është pjesë e kësaj dosje dhe nëse nuk është apo në qoftë se është, të mbrojë të drejtën e tij deri në fund se ky raport është i vërtetë. Këtë duhet të bëjë dhe jo kundërakuza për spitalin covid dhe akuzën e drejtë të administrimit të covidit në Shqipëri. Basha ka përgatitur raport mbi të cilin mbështet akuza për njerëzit sot në Hagë apo jo? Është gënjeshtër (mashtrim) e kryeministrit, por ai duhet të përgjigjet për të tilla gënjeshtra. Pra nuk duhet lënë kështu si në harresë kjo akuzë e Ramës ndaj shefit të opozitës që na paska bërë raport për "Shtëpinë e Verdhë". Po pra që pastaj dikush thotë se është akuzë për pjesën politike të UÇK-së sidomos mbas përfundimit të luftës. Do ti leverdisë Bashës që këtë akuzë ta lërë ashtu si të harruar dhe të dalë gjithmonë në biografinë e tij? Apo do ta sqarojë atë përfundimisht? Po pra si akuzën për Rrugën e Kombit, si për 21 janarin dhe si "Detin grekëve" me firmën bashkë me Bakojanen e djeshme, si motër e Micitaqisit të sotëm. Pse i lë kështu akuzat Basha si në "flu" si në largim, të cilat pastaj kthehen në "afrim" sa herë atij i duhet të bëhet Kryeministër i Shqipërisë? E ka qejf Basha që nesër të dalë dhe një parullë tjetër për të në fushata elektorale si njeriun që ka bërë raportin për "Shtëpinë e Verdhë"? E kuptoj se kur ka bërë raportin nuk e mendonte të bëhej kryeministër dhe shef i opozitës, por sot a e mendon? Të tilla batuta akuzatore pa përgjigje janë dhe fatkeqësia jonë e një shteti pehlivanësh e mitomanësh në dy krahët politikë në demokraci.