BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

Të kontribuosh në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

Të kontribuosh në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të

Në datë 10.01.2020 KLSH zhvilloi në ambientet e Akademisë së Shkencave takimin me temë  “Aktivitete jashtë vendit të zhvilluara gjatë vitit 2019”. Në këtë takim audituesit dhe drejtuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët gjatë vitit 2019 janë trajnuar apo kanë marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare jashtë vendit, prezantuan dhe shkëmbyen eksperiencat e tyre. Një ndër aktivitetet e shumta të zhvilluara jashtë vendit gjatë vitit 2019 ishte edhe seminari me temë “Të kontribuosh në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në sferën e parandalimit dhe eliminimit të pasojave të fatkeqësive dhe katastrofave”, i cili u organizua në muajt e fundit të vitit të kaluar në Beograd nga Grupi i Punës i EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat dhe SAI i Serbisë. Sekretariati i këtij grupi pune drejtohet nga Zyra e Llogarive të Ukrainës, e vendosur në Kiev, e cila përbëhet nga afërsisht 20 anëtarë. Ky seminar u organizua në vijimësi të takimit të V-të që u zhvillua në Tiranë në datat 24-25 Prill 2019, me temë “Roli dhe kapacitetet e SAI-eve në rritjen e aftësisë së sigurisë së popullatës në rastet e fatkeqësive”, (ku theksi kryesor u vu në bashkëpunimin efektiv dhe të frytshëm në kryerjen e auditimeve që minimizojnë dhe parandalojnë pasojat për shoqëritë e vendeve tona) si dhe në kuadër të implementimit të objektivit strategjik nr.3 të Grupit të Punës të EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat “Të kontribuosh në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”, i cili në fokus ka 5 detyra kryesore.

1. Zhvillimi i indikatorëve për monitorimin e progresit drejt synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në fushën e parandalimit dhe eliminimit të pasojave të fatkeqësive dhe katastrofave natyrore.

2. Kryerja e sondazheve të SAI-ve mbi përpjekjet e vendeve të tyre që synojnë zbatimin e Agjendës së vitit 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.

3. Identifikimi i temave për auditime ndërkombëtare që synojnë zbatimin e axhendës së vitit 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.

4. Theksimi i çështjeve të zbatimit të axhendës së vitit 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm

5. Informimi për aktivitetet e grupit të punës.

Misioni dhe qëllimi i këtij grupi pune është koordinimi dhe konsolidimi i përpjekjeve të SAI-ve evropiane për të ndihmuar qeveritë e tyre në zhvillimin e mjeteve efektive dhe efikase për parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore dhe katastrofave. Ky grup pune u krijua në qershor 2014, në Kongresin IX EUROSAI. Por, fillesat e tij mund të gjenden në ish-nëngrupin special EUROSAI ËGEA mbi auditimin e shkaktuar nga pasojat natyrore, pasoja fatkeqësish të shkaktuara nga njeriu dhe eliminimi i mbeturinave radioaktive, që ka vepruar që nga nëntori 2006. Në qershor 2008, gjatë Kongresit të VII të EUROSAI nëngrupi u shndërrua në një Task Force për auditimin e fondeve të alokuara për fatkeqësi natyrore dhe katastrofa dhe më vonë, gjatë Kongresit të IX të EUROSAI të mbajtur në qershor 2014, kjo Task Force u shndërrua në një Grup Pune. KLSH ka qenë anëtare në këtë grup pune që në takim e parë të tij të mbajtur në 5 Shkurt 2015 në Luksemburg, takim në të cilin u prezantua, diskutua dhe miratua dokumenti i Strategjisë dhe Planit të Veprimit 2015-2017 të tij, bazuar në Planin Strategjik 2011- 2017 të EUROSAI-t. Seminari kishte në fokus të diskutimeve çështjet aktuale që lidhen me parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive dhe katastrofave. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga SAI-t e Ukrainës, Serbisë, Turqisë, Polonisë, Rumanisë dhe Shqipërisë.

Ndër prezantimet që u paraqitën dhe u diskutuan në këtë takim ishin edhe prezantimi i rezultateve të auditimeve të kryera nga SAI i Polonisë dhe Ukrainës. Prezantimi me temë “Aspektet metodologjike të kryerjes së auditimeve të fatkeqësive mjedisore për të promovuar Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar”, auditimi me temë “Efektiviteti i zhvillimit dhe funksionimit të sistemit të mbrojtjes nga përmbytja” auditim performance i kryer dhe prezantuar nga kolegët ukrainas. Menaxhimi i fatkeqësive në Poloni dhe Aktiviteti i Zyrës Supreme të Auditimit (NIK) në këtë fushë, auditim performance i kryer nga kolegët polakë. Ndër gjetjet kryesore ishte se humbjet e përgjithshme ekonomike të shkaktuara nga katastrofat natyrore dhe katastrofat e shkaktuara nga njeriu arrijnë afërsisht 160 miliardë dollarë. Si rezultat i këtyre fatkeqësive më shumë se 11 mijë njerëz kanë humbur jetën. Pikërisht për këtë arsye, sot çështjet mbi sigurinë ndaj fenomeneve të shkaktuara nga natyra ose si pasojë e vet njerëzve ka të bëjë me çdo shtet dhe kërkojnë vëmendje të veçantë nga organet shtetërore. Siç u tha edhe më lart, misioni i grupit të punës së EUROSAIT mbi auditimin e fondeve të alokuara për fatkeqësitë dhe katastrofat është për të rritur eficencën si të politikave të zhvillimit të shtetit dhe përdorimit të fondeve buxhetore në këtë sferë. Ky është kontributi jonë si auditues në arritjen e zhvillimeve të qëndrueshme dhe sigurisë ekologjike për gjeneratat e ardhshme. Me interes u ndoq edhe prezantimi i ekspertes së jashtme znj. Olena Tkach me temë “Pasojat e ndryshimeve klimaterike-menaxhimi i riskut të fatkeqësive”. Në prezantimin e saj vihej theksi tek pasojat që kanë sjellë ndryshimet klimaterike në rritjen e riskut nga fatkeqësitë dhe lidhjen që ka menaxhimi i riskut ndaj fatkeqësive në nivel lokal-kombëtar dhe global. Referuar konkluzioneve të saj, ndryshimi i klimës në Evropë është i pamohueshëm, po rritet dhe manifestohet në të gjithë përbërësit e sistemit të klimës, gjithashtu ai nuk mund të kushtëzohet vetëm nga faktorë natyrorë. Seminari përfundoi me mesazhin se roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive dhe katastrofave është shumë i rëndësishëm. SAI-t me anë të auditimeve të kryera ndërgjegjësojnë qeveritë që të ulin riskun e prekjes nga fatkeqësitë dhe vënë theksin që një pjesë të fondeve të alokuara të shkojnë për kërkime dhe studime shkencore, që ndihmojnë parandalimin dhe ulin mundësinë për të ndodhur fatkeqësitë. Çështjet e auditimit që mbulohen nga Grupi i Punës i EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat janë të një rëndësie të veçantë për shoqëritë e vendeve tona, pasi ato ndikojnë jo vetëm në jetën e qytetarëve, por edhe në ekonomitë e vendeve pjesëmarrëse. Shkëmbimi i eksperiencave të punës audituese dhe kontributit të SAI-ve evropiane në këtë fushë me rëndësi sociale është shumë i vlefshëm për ndihmesën dhe rikuperimin sa më të shpejtë të komuniteteve të prekura nga fatkeqësitë dhe katastrofat natyrore. Në këtë kontekst, në 15 Qershor 2018 në Kiev ndërmjet dy institucioneve të larta shtetërore audituese, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Dhomës së Llogarive të Ukrainës u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mbi bazën e standardeve ISSAI, e cila synon të kontribuojë jo vetëm në zhvillimin dhe modernizimin e institucioneve, por edhe në progresin e të dyja vendeve në integrimin në Bashkimin Evropian, nëpërmjet auditimeve të cilat kanë si objekt parandalimin e katastrofave natyrore si përmbytje, shembje dhe rrëshqitje të tokës, tërmete, etj., si dhe auditime në lidhje me trajtimin e mbetjeve urbane dhe mbrojtjen e mjedisit. Referuar riskut të lartë ku kategorizohemi si vend përsa i përket fatkeqësive natyrore, pasi vetëm gjatë viteve të fundit Shqipëria është goditur nga fatkeqësi të ndryshme natyrore si përmbytje, zjarre dhe tërmete me efekte te konsiderueshme deri edhe humbje jetë njerëzish, zhvillimi i këtyre auditime do të ishin me interes kombëtar.

*Audituese, KLSH