BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Të larguarit, formularë e vizë nga kupola për të kaluar portën e PD-së

Të larguarit, formularë e vizë nga kupola për të kaluar

Ka pasur një rast të vetëm, pas themelimit, kur PD ka hapur portat dhe ka futur në oborrin e saj figura të papërlyera që nuk përfaqësonin xhaketat e vjetra. Ka qënë KOPI i famshëm i vitit 2005 kur në radhët e partisë në opozitë, kur fitoi edhe zgjedhjet e atij viti dhe dërgoi në opozitë Partinë Socialiste të Shqipërisë pas tetë vitesh në pushtet. Kopistët sollën një frymë disi ndryshe. Po shumë shpejt u kthyen nga KOPI-të në kopjista. Zelli i tyre ishte flakë kashte. Nisën t`i përngjajnë baballarëve që lindën dhe formuan partinë e parë opozitare në 1990. U morën njëqind për qind huqet, xhestikulacionet, mënyrën e sjelljes, artikulacionet. Shqiptarët gjykuan se ishte një ndërrim kursi dhe modernizim e progres i një force politike, e cila kishte drejtuar vendin që pas rënies së qeverisë “Nano” pas një viti ekzistence në 1992, por që në ngjarjet e vitit 1997 me rënien e piramidave, produkt i politikave delirante, të cilat krijuan idenë se paratë rriten në pemë dhe mjafton t`i derdhnin tek Xhaferi dhe Sudja dhe menjëherë Shqipëria do bëhej parajsë. Zhgënjimi i thellë popullor, politikat e mbrapshta, presionet, rrahjet e komisionerëve, pritat si cuba të liderëve opozitarë socialistë, vjedhjet galopante të votave në vitin 1996, pas dështimit spektakolar të Referendumit të Kushtetutës, bastit të jetës së Sali Berishës, e shpuri vendin në greminë. Pakënaqësia popullore arriti kulmin pas vjedhjes së zgjedhjeve më të kontestuara në vendin tonë në maj 1996 dhe goditjes së opozitës në mes të sheshit qendror të Tiranës, ku u gjakosën liderët e partisë me kryetarin e arrestuar degdisur në Bënçë. Po të ardhurit rishtas që u shpallën forca e ndryshimit nuk mundën të përballonin ngjyrimin me blunë e thellë të bëmave të partisë dhe zullumi u trash në tetë vite pushtet deri sa në 2013, PD, humbi zgjedhjet dhe doli në opozitë, status të cilin gëzon edhe sot. Ajo që zhgënjeu më shumë nuk është mënyra e drejtimit të ekonomisë dhe strategjia politike e ndjekur nga partia që solli risinë e të paangazhuarve, të pakonsumuarve në gjirin e saj. Ishte shkrirja graduale e individualiteteve që erdhën si shpresa e së resë, novatorizmit dhe progresit, djem e vajza të arsimuara në Perëndim, pa implikime dhe barrë nga e kaluara e hidhur e historikut të partisë që u konsiderua si shpresë, po që përfundoi në forcë politike që e shoqëruan skandalet dhe bëma të tilla se në vend të rritej, nisi të zhbëhej, rrëshqasë e të humbasë elektorat. Figurat që i rezistuan individualitetit dhe pavarësisë e nuk u ngjyen në klorofilin partiak, nuk morën pigmentin e liderëve autoritar, po dhanë shembullin luajal në marrëdhëniet politike, nuk u përfshinë në skandale dhe vjedhje, ikën në drejtim të paditur, duke shtuar vargun e ikanakëve që e zhveshën partinë nga idealizmi dhe figurat e spikatura. Ata u zëvendësuan nga figura të PS, më i spikaturi ndër të cilët ishte Kastriot Islami edhe ai një nga ata që u godit në shesh u përgjak, po pranoi se gjaku ishte bojë e kuqe. Goditjen më të rëndë intelektualë të shumtë të KOP-it, e morën gjatë përpilimit të listës së deputetëve për garim në vitin 2017-të, ku iu vu fshesa shumë figurave që ishin dalluar në politikën shqiptare, jo vetëm atë partiake, duke i fshirë nga lista dhe zëvendësuar me individë që nuk kishin asnjë biografi intelektuale apo politike. Të ardhurit e rinj, ishin shumë larg atyre të vitit 2005. Fare të panjohur. Jo vetëm si kualitete shkencore apo profesionale, po edhe për begraundin e tyre të dyshimtë. Jo pak prej tyre, u thirrën në skenë, vetëm për mbiemrin, se ishin djem të baballarëve, të cilët konsiderohen në PD si qëndrestarë dhe biografishkrues në shtypin e kohës për mbrojtjen e partisë. Shumë prej tyre, gjatë kohës që qëndruan në Kuvend, u dalluan vetëm për deklarata dhe dhunën që udhëhoqën duke u shëndëruar në dezhurn politik në Astir, atje ku qytetarët u përplasën me policinë në kundërshtim të ndërtimit të “Unazës së Madhe”. Merita e vetme e tyre, ishte propagandimi dhe nxitja e dhunës ekstreme. Ashtu sikundër, ca të tjerë u shndërruan nga deputet në videomontazhierë, me të cilat bënë pis tërë mjedisin e politikës dhe rekrutuan për qëllime të mbrapshta individë problematikë të njohur, sherrxhinj e drogaxhinj. Ky ka qënë i vetmi kontribut i tyre me të cilën u përpoqën të ruajnë në kujtesë të shefave emrat e tyre. Të tjerët, ata që janë njohur për politikanë vërtet këmbëngulës, po së paku të arsyeshëm që nuk e përzien veten në pisllëqe të tilla neveritëse, morën arratinë. Kështu, u s’kualifikuan figura emblematike të kësaj partie me ndikim e rrezatim kombëtar, veçanërisht rajonal apo qytetar. Edhe pse e rreptë dhe në jo pak raste e padrejtë me opozitën, ish-Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, kishte personalitetin e saj të shprehur, pranuar nga klasa politike majtas e djathtas. Debatet janë normale. E panatyrshme është të bësh sherre e të nxisësh urrejtje, të akuzosh pa fakte, të futësh dhunën në sallën e Kuvendit, tempullin e demokracisë. Të njëjtat fjalë thuhen edhe për Majlinda Bregun, e cila ka qënë zëri më luajal në Kuvend në pozitë edhe në opozitë. Ajo bëri ministren e Integrimit me seriozitet, debatoi, po nuk fyeu askënd. Foli dhe dëgjoi. Pikërisht, këto e shumë të tjerë, u fshinë nga listat e PD-së. Sot është koha kur Lulzim Basha, deklaron se do hap partinë. Se do ketë strategji të re në të ardhmen për zgjedhjen e kandidatëve për deputet. Fill pas premtimit u lëshua si balonë formulari për pijanec. Shokë klase e miq të tjerë në jetë. Nëse je rakixhi, duhanxhi, merr kokainë dhe ku e ke vilën a shtëpinë?! Do vendosë populli blu cilët do jenë të preferuarit. Dhe për këtë përgëzon Institutin Republikan Amerikan dhe atë anglez që e kanë asistuar. Një veprim i mirë ky, i cili duhet përgëzuar. Teorikisht, lideri demokrat Basha bënë korrektin me çfarë synon. Përvoja amerikane dhe ajo angleze është në majë të demokracive të shteteve në glob. Fill pas lajmit se do kishte një komunikim surprizë dhe një njoftim për shqiptarët se e nesërmja do jetë ndryshe, qeveria do jetë e popullit shqiptar, e cila do zbatojë tërë premtimet e Bashës, gjatë takimeve elektorale që ka nisur dhe programin që do i sjellë vendit progres e ndryshim. Po sapo nisi të paraqesë në sfilatë, ca nga ata që emërtohen të larguarit e djeshëm, nisën seleksionimet. Nuk analizojmë mënyrën si u larguan. As se u veprua drejt apo institucionalisht. Ajo që dihet është fakti me cilët u mbush boshllëku. Figurativisht u shkulën plepa dhe rrepe me rrënjë të thella dhe në vend të tyre i mbinë ca shkurre e ferra që nuk arrijnë asnjë metër lartësi. Po edhe kthimi i të larguarve në pritje do bëhet me seleksionim të rreptë. Fill pas Bashës, njoftoi Paloka se do ketë një skaner tre dimensional për të filtruar e organizuar, cilët do jenë ata që do rimarrin vizën e pezulluar për të kapërcyer portën e partisë më të madhe opozitare. Bile, Paloka, deklaron se, oreksi i ikanakëve, atyre që braktisën partinë në ditë të vështirë është i madh. Ai e evidenton këtë oreks me faktin se jo të gjithë do pajisen me vizë hyrëse në parti. Do ketë preferenca, seleksionime, përjashtime. Pushtetdashësit, ata që sipas Palokës nuhatin pushtetin që po vjen, ta harrojnë PD-në që sipas tij që tani është në qeveri, mbetet vetëm legalizimi formal që të rrëmbejnë spektrin qeverisës të vendit. Këtyre lakmitarëve nuk mund t`u hapet porta dhe t`i bashkohen atyre që luftojnë vetëm për dinjitetin e popullit, për prosperitetin e vendit dhe BE-në. Pra nuk mund të jetojnë nën një çati me ata që shquhen për ndershmëri, kolegë të Bashës e Palokës, Salianjit dhe kurrë nuk kanë shfaqur etje për pushtet?! Nuk e kanë parë qeverinë si mjet fitimi. Këta, kategoria e të ndershmëve, ndarë sipas kudit të kupolës së partisë opozitare, pretendente për pushtet nuk mund të lejojnë të bëhen pisë nga stërkalat e atyre kanë qëndruar për vite me radhë larg aksioneve opozitare. Që nuk janë dashuruar me molotovët. Nuk kanë hedhur vezë dhe bojë në Parlament. Nuk i kanë vënë flakën godinës së demokracisë. Nuk kanë qëlluar mbi policinë në aksionet e dhunshme për një vit resht. Ata nuk kanë asnjë të drejtë të kërkojnë racion nga torta e pushtetit. Tepsia është e tjetërkujt. Këtë e ndan lidershipi i saj. E përcakton Paloka në daljen e tij, me deklarata pas sihariqit të Bashës për lajmin e ditës për ardhmërinë e politikës dhe shtetit të së drejtës në interes të popullit, jo si këta që e kanë kthyer këtë vend në kazermë, ku eksperimentohet dhuna dhe arroganca. PD, mundet në ditët që vijnë të thërrasë në skenë individë të rinj. Me të kaluar akademike, njerëz me prosperitet të shquar në fushat ku militojnë. Po referuar paraqitjeve në pasarela si në sfilata modelesh të deritanishme, sinoptika nuk parathotë ndonjë ndryshim të madh. Bile ardhjet e reja, janë njerëz shumë të vjetër. Me histori mbi shpinë, me pazare, bëma, ngarkesa. Pa ndonjë shkëlqim. Ardhjet e derisotme ngjajnë fiks si në fabulën e njohur kur një fshatar pyeti se ç`kishte nga fshati, pasi kishte ditë pa shkuar. Bashkëfshatari i tha, se u martua Çelo çobani, o vëlla! A a, po kur e bëri bam dhe cilën nuse mori? Bashkëbiseduesi i tha se atë që kishte mor, pra nusen e parë. Kështu edhe me prurjet e reja, kthimin e djemve dhe vajzave të ikur apo të detyruar të largoheshin gjatë sundimit në pushtet apo opozitë. Porta e PD-së është ende shumë e ngushtë. Hapur fare pak. Një frëngji. Po edhe në këtë plasë të ngushtë duhet vizë speciale. Jo të gjithë të ikurit, të vetikurit, të larguarit do kenë shansin të bëhen pjesë e shtëpisë. Seleksionimi do jetë i rreptë. Dikush do hyjë në dhomat e pritjes, të tjerët nuk do kenë vend as në oborrin e pasmë të partisë.