Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Të llogaritësh emigrantët si ushtarë të protestave

Postuar: 22/08/2018 - 07:08

Partitë politike në opozitë dhe analistët e opinionistët pranë tyre kanë ditë që flasin me dëshirë të papërmbajtur për bashkim të gjerë në një revolucion të presupozuar nga lider në zjarrmi me kontributin e gjerë të emigrantëve të cilët nën shembullin rumun, duhet të lënë punët e tyre, të braktisin familjet, tu kthejnë shpinën shkollave, të grisin pasaportat, të flakin tutje profesionet dhe gjithçka kanë fituar në vitet e gjata të tranzicionit për tu rreshtuar urgjent në “ushtrinë” revolucionare të opozitës. Opozita jonë, pasi ka bërë qindra paralelizma dhe kopjime me protestat rumune për faktin se atje bërthama e revoltës janë emigrantët e kthyer në atdhe, bën të paduruarën që kjo revoltë të implementohet edhe këtu në vendin tonë. Për këtë importim të revolucionit nga vendet e perëndimit ku jetojnë emigrantët tanë të cilët janë integruar atje dhe shumë prej tyre janë pajisur me pasaportë dhe shtetësi të atyre vendeve, duke kaluar përmes kalvarit të vështirësive të panumërta dhe pasi ia kanë dalë, thirren sot nën armë nga opozita jonë e cila kërkon t’i vërë në resht krah militantëve për revolucionin e shtatorit. Po mes zërave entuziastë që besojnë se djemtë e vajzat shqiptare që kanë shkuar në moshë të re në këto vende, ata që kanë lindur e rritur atje, si Gjermani, Spanjë, Itali, Greqi, SHBA, Francë, e shumë shtete të tjera, larg dhe afër do dorëzojnë gjithçka kanë arritur në këto 30 vjet, do mbyllin portat e jetës, do lënë dashuritë në mes për të vrapuar drejtë Shqipërisë sikur atdheu është në rrezik humbje të sovranitet apo territoreve nga armiq të kombit apo pushtues të huaj.

Ka qenë një kohë e largët ajo e viteve 1918 dhe 1941 kur shqiptarët i janë përgjigjur zërit të atdheut. Po kurrsesi të liderëve apo zyrtarëve aq më pak pushtetarëve. Qindra shqiptarë lanë auditorët moderne të universiteteve më të mira në Grac të Austrisë, Paris, Londër e dhjetëra qytete të Italisë deri edhe akademi ushtarake në këto vende ku shkolloheshin në drejtim të përgatitjes për të drejtuar ushtrinë shqiptare. Dhe erdhën me urgjencë këtu se i thërriste atdheu. Nuk dëgjonin askënd nga njerëzit që kërkonin lavdi apo bënin llogari meskine për të fituar pushtet. Shqiptarët me ndërgjegje kombëtare, vetëdije e personalitet të spikatur, të ditur e të arsimuar, shumë prej tyre ekselent, me dashuri të zjarrtë për vendin, për interesat madhore të atdheut nuk pritën t’i ftonte askush. Ata lanë bankat e shkollave, braktisën kinematë e teatrot, bulevardet e sallat mondane të operave madhështore, specialitetet e profesionet dhe erdhën këtu me dashurinë e thellë në shpirt e zemër. Ishte ndërgjegjja kombëtare dhe dashuria e zjarrtë për atdhe e familje për këtë vend të varfër e të prapambetur, por që ishte vendi ku kishin lindur që i nxiti të marrin avionët e anijet e të marrin pa bujë drejt e në çetat e batalionet partizane në male e qytete. Ushtarakët e përgatitur në perëndim u bënë fuqi udhëheqëse e dhjetëra batalioneve deri dhe brigadave dhe u dalluan për sakrifica madhore në luftën për çlirim.

Të përgatitur, të ndershëm, të edukuar, të arsimuar, folës të disa gjuhë të huaja, ata studentë e profesorë emigrantë, minatorë e punëtorë që punonin nëpër miniera e kombinate të shteteve të botës erdhën me dëshirë për të qenë pjesë e forcës lëvizëse që do sillte çlirimin e vendit. Dhe nuk u bënë pre e propagandës naziste e fashiste, po dëgjuan zërin e zemrës, dëgjuan zërin e popullit dhe u udhëhoqën nga interesat e mëdha të kombit që ishte në prag të shpërbërjes. Po ata erdhën jo se i thirrën. Jo se i imponuan. As se u mikluan e u përkëdhelën. Po se ishin të motivuar shpirtërisht. Erdhën se dëgjuan zërin për ta mbrojtur vendin e etërve, e gjyshërve nga shpërbërja e copëtimi, ashtu sikundër shumë djem e vajza shqiptare u bashkuan me brigadat internacionaliste në mbrojtje të revolucionit dhe Republikës kundër fashizmit, ku ranë dëshmor në betejat për fitoren e demokracisë në Spanjë e vende të tjera, bashkë me brigadat internacionaliste.

Po sot? A mundet të bëhen paralelizma mes emigrantëve dhe studentëve që janë nëpër botë dhe të presim që ata të dëgjojnë zërin e sirenave opozitare për të mbërritur këtu për të mbushur sheshet se kështu do opozita jonë? A është normale dhe e justifikuar një thirrje e tillë pa asnjë sens dhe që duket që larg se ka vetëm një qëllim, pushtetin? Për shqiptarët, të këtushmit dhe ata që etiketohen emigrantë, është e kuptueshme ftesa që u bëhet dhe arsyet përse. Po ata prej vitesh kanë bërë shkollën e demokracisë, ku ne duam të integrohemi. Dhe në këtë kuptim janë të brumosur dhe të kalitur si demokrat shumë më shume se ne “demokratikasit” e “LSI-istat” e socialistët e këtushëm që përpiqen të na ngatërrojnë dhe të na hedhin kundër njëri-tjetrit. Në pamje të parë, përmes ambalazhimeve tinëzare dhe falsiteteve, opozita jonë përpiqet ta trajtojë Shqipërinë si një vend në humnerë, të rrezikuar, të gatshëm për të rrëshqitur drejt greminës. Si një vend ku nuk punohet, po vetëm vidhet. Si një shtet pa rregulla dhe pa ligje. Si një shoqëri në zgrip që pret të ngrihet për të çliruar vendin nga pushteti që po i grabit dhe që i shkatërron sikur të jetë jo pushtet i zgjedhur, por pushtues. Perceptimi i tillë e ka bazën tek etja që opozita jonë ka për të rrëmbyer fronin qeverisës, për të zënë kolltukët ministrore.

Edhe pse të njohur nga bëmat e sundimi i shumë viteve në pushtet, kjo vijë sjelljeje nuk është e justifikuar edhe pse trajtohet si luftë për të shpëtuar popullin për të zgjidhur hallet e mëdha që e kanë mbërthyer Shqipërinë. Realisht në hall janë vetëm ata që kanë humbur pushtetin dhe privilegjet. Se nga një vëzhgim i thjeshtë, lexohet qartë se ku ishin dhe ku janë ngjitur pushtetarët që e kanë drejtuar këtë vend. Ata që jetonin modestish si të gjithë edhe pse nuk u morën me asnjë biznes veç atij politik në një hyrje normale nëpër pallatet e ndërtuar në socializëm, sot jetojnë në qiellin e shtatë nëpër vila, resorte, kanë troje e toka, fabrika e makina luksi nuk mungon asgjë dhe i kanë zili edhe bosët. Pikërisht në emër të këtyre privilegjeve thërriten emigrantët tanë nëpër botë të vijnë këtu e të mbërthejnë hunjtë e gurët, sëpatat e hanxharët, po qe nevoja edhe armët për ta përmbysur qeverinë e ligjshme, për ta ndezur Shqipërinë, për ta larguar qeverinë.

Dhe në emër të kësaj kërkese, sot shumë nga opinionistët e analistët shprehin dufin dhe pezmin për tërë ata emigrantë që nuk duan të dëgjojnë thirrjet e partive në hall këtu në vendin tonë për të marrë urën e zjarrit në dorë e për ta ndezur këtë vend nga jugu në veri. Nuk ka asgjë pse të mos bëhet edhe njëherë lesh arapi si shumë herë të tjera ky vend, mjafton të hapet rruga që Lulzim Basha e Sali Berisha, Monika Kyemadhi, Manjani e Tit Vasili, Paloka e Ndoka, Shehi e Noka të fitojnë atë që ëndërrojnë. Kuptohet për këtë nuk mjafton “ushtria” e këtushme. Militantët janë lodhur. Duhet gjak i ri. Shpirt e trup i kalitur në perëndim. Nevojitet patjetër një dorë e “ushtrisë” së emigrantëve. Ata nuk do ishte keq të vendoseshin në ballë të betejës së opozitës dhe ajo të drejtonte këtë goxha revolucion që në këto 30 vjet na tundet si cohë e kuqe kërcënimi para syve. Dhe në janar na premtojnë revolucion në mars, kalon marsi i vjen radha shtatorit. Ikën edhe shtatori, mbetet dhjetori. E kështu me radhë muaj pas muaj, opozita nanuriset e llastohet, duke i vendosur të gjithë në pritje të Godosë.

Pritshmëria nga emigrantët dhe fuqia e tyre e ndryshimit është shumë e madhe nga opozitarët tanë. Në vend që t`i ftojnë të vijnë këtu për të sjellë përvojën e tyre të vyer apo të japin ndihmesën për ecurinë e ekonomisë, të sjellin dijet e tyre të shumta, zanatet që i kanë fituar në vendet ku kanë punuar, të ushtrojnë tërë vullnetin e tyre me votën e lirë këtu e atje ku jetojnë për t’i dhënë përparimit e zhvillimit ritme të larta në punë e ekonomi, thirren për rrëmujë e luftë, revolucion e protesta, për të mbështetur dëshirat e humbësve të pushtetit dhe privilegjeve, të pasurive e të përfitimeve. Dhe këtë thirrje e bëjnë më shumë se kushdo ata që e kanë provuar pushtetin jo dy e tre herë, por më shumë dhe e dimë të gjithë se ç`qullosën dhe si i bën lëmsh punët në këtë vend. Po sot bëjnë sikur janë engjëj dhe virgjëresha që nuk i lidh asgjë me të djeshmen, aq më pak me të sotmen. Po mos reagimi i emigrantëve të thirrur për tu bërë pjesë e forcës opozitare dhe neglizhenca e indiferentizmi me të cilën këta emigrantë e përcjellin këtë ftesë, flet se të drejtë kanë emigrantët, jo militantët e pushtetit ata që e matin ditën jo me atë që bëjnë për qytetarët, por për vete me atë që fitojnë dhe jo për atë që ofrojnë në interes të popullit? Pikërisht, ky qëndrim korrekt i emigrantëve, ky indiferentizëm e përçmim për ndjellësit e nxitësit e revoltave të cilët janë një shumicë e kualifikuar dhe specializuar, e edukuar dhe e qytetëruar që nuk mund të ngatërrojnë interesat e mëdha kombëtare, interesat e atdheut dhe vendit, popullit dhe familjeve të tyre me ato të disa opozitarëve apo pushtetarëve cilido qofshin ata që i ftojnë vetëm në emër të qëllimit për pushtet.

Ky qëndrim dinjitoz i emigrantëve shqiptarë që sot ftohen të japin kontributin e vet me votën e tyre, me dijet dhe profesionalizmin e fituar dhe për të cilën politika jonë duhet të jetë e bashkuar dhe në unison pasi sigurimi i të drejtës së votës së emigrantëve në zbatim të ligjeve shqiptare me korrektesë dhe sipas kërkesave të kodit zgjedhor, atje ku ata punojnë sipas bindjeve dhe preferencave të tyre, është ftesa më korrekte që mund t`iu bëhet atyre që për vite me radhë nuk kanë kontribuar vetëm për familjet e tyre, po me dërgesat në euro e dollarë, kanë ushqyer me oksigjen ekonominë tonë kombëtare. Pikërisht masat dhe lufta për sigurimin e të drejtës së votës së shqiptarëve anekënd botës sipas praktikave të njohura ndërkombëtarisht do ishte revolucioni më i arrirë për emigrantët pasi në kohët moderne që jetojmë, pushteti kalon nga kutia e votimit sipas vullnetit të qytetarëve të cilët të ngjitin e të përmbysin nga pushteti.

Emigrantët përkundër thirrjeve për revolucion portokalli apo të kadifenjtë me qëndrimet e matura e dashurinë për vendin i kanë irrituar disa opinionistë që bëjnë ekspertin e gjithçkaje dhe gjykojnë se ata janë edhe dielli, edhe shiu, edhe e bukura, edhe e lumtura, dhe duan ta poshtërojnë këtë pjesë të vuajtur të popullit tonë, duke i etiketuar si të pandershëm, si shqiptarë pa brac që kanë harruar Shqipërinë, që s’kanë kumtin rumun, si njerëz që nuk kanë personalitet. Si individ pa ide që shumica janë ende me pushtetin sikur ky të ishte një sakrilegj. Emigrantët kanë të drejtën të habiten, jo vetëm me ftesat pa sens, po më së shumti me etiketimet. Se cilësime të tilla për ne që jetojmë këtu nuk janë asgjë. Se jemi regjur me denigrime e analiza bajate si këto. Po emigrantët kur i dëgjojnë këta tellall qeshin me këta analistë që i bëjnë analizat siç bëhen petullat në bulevard nga ata që mbrëmjeve i shesin për kalimtarët.

Emigrantët tanë nëpër botë, kanë bërë shkollën e madhe të demokracisë dhe nuk është se janë as me pushtetin, as me opozitën. Ata janë me Shqipërinë dhe atdheun dhe kot rreken disa opozitarë e analistë oborrtarë për t’i denigruar e anatemuar si qenie të cilat e kanë humbur dinjitetin dhe personalitetin. Përkundrazi, ata i kanë fituar këto cilësi me punë e përpjekjet e tyre të stërmëdha. Ata që realisht i kanë humbur këto cilësi, janë këta tanët këtu në Shqipëri. Dhe janë këto përpjekje që i kanë bërë sot emigrantët, qytetarë të botës dhe jo robër apo viktima të propagandës të politikës.

Nga Bardhyl BEJKO

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2018 - 09:38

Është kthyer në vijë sjelljeje tek ne të bërit politikë, duke mbrojtur paligjshmërinë nën flamurin e pandershmërisë. Qëndrim i hershëm ky i pothuaj shumicës së politikave tanë.

Postuar: 20/09/2018 - 09:35

Opozita në Shqipëri vazhdon të mbetet e "munguar" për vetë faktin sepse ajo nuk mund të

Postuar: 20/09/2018 - 09:33

Një nga studiot e fundit politike mes dy personave të rinj në politikën e lartë të parlamentarizm

Postuar: 19/09/2018 - 07:25

Përmbysja e pushtetit të Demokracisë Popullore, që u ligjërua pas zgjedhjeve farsë të 22 marsit 1

Postuar: 19/09/2018 - 07:23

Kur popullata çame erdhi e detyruar në Shqipëri për t’i shpëtuar vrasjeve dhe masakrave të

Postuar: 19/09/2018 - 07:22

Në rrethet normale, secili prej nesh do t'i gëzoheshim liberalizimit të vizave, gjegjësisht l

Postuar: 18/09/2018 - 07:22

Sa herë vjen ndonjë "Konferencë Peze" dhe sigurisht dalin nostalgjikët e Enverit, Parti