Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Të lutemi Monikë me përulësi, bëhu kryeministre, jo për vete por për Shqipëri!

Të lutemi Monikë me përulësi, bëhu kryeministre, jo

Është koha kur bëhen tendera imagjinarë, garë e paparë, llogari, përfytyrime për kryeministra të Shqipërisë. Ëndërrimet mbajnë zgjuar qindra ëndërrimtarë, pretendentë që e mendojnë veten që tani në kolltukët në qeveri. Shumë prej tyre e shpallin fitoren vetëm si një formalitet. Quhen zgjedhje, shënojnë datën 25 prill 2021. Ç`rëndësi ka vota e qytetarëve! Jo, kjo nuk ka vlerë fare. Radarët e sondazheve. Lakmuesit e llogaritjes së përqendrimit dhe ngjyrimit, ashtu si në proceset kimike, opozitarët nuk gabojnë. Ndjeshmëria dhe garancia e fitores i ka bërë pretendentët jashtëzakonisht optimistë, të papërmbajtur. Dhe tërë këtë entuziazëm e bazojnë në “fitoret” e arritura në këto shtatë vite në opozitë në kulmet që kanë shënuar, siç janë: Largimi nga Parlamenti, braktisja e zgjedhjeve bashkiake në 2019, duke e lënë opozitën pa asnjë bashki e këshilltarë bashkiakë në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Nuk përjashtohen këtu edhe fitoret e një viti, protesta të dhunshme në bulevardet e Tiranës, gurët e drurët. Bombat molotovë e boja në fasada. Tymi dhe flaka. Pastaj janë demonstratat për Unazën e Re, parakalimet gati ushtarake, ku u shpërngul opozita zyrtare dhe ngriti selinë buzë rrugës anës Lanës, ku ruspat shembnin shtëpi dhe hapnin trase për ndërtimin më të rëndësishëm rrugor të Tiranës që çliron kryeqytetin nga dyndja dhe bllokimi i automjeteve. Pa harruar këtu mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar nga shembja, ku u shquan në mbrojtjen e tij, intelektualë e artistë. Vërtetë teatri nuk rezistoi, po së paku legjislativi shqiptar do pasurohet me artistë që më shumë se teatrin, kishin qëllime politike dhe kjo u tregua me propozimin e tyre në listat e PD-së për deputetë në zgjedhjet e vitit 2021. Nuk kanë pse të mos i llogarisin të gjitha këto aksione si bazë e fitores së zgjedhjeve dhe numrin rekord të deputetëve. Me këto numra njëqind apo tetëdhjetë e pesë, sigurohet ndryshimi i Kushtetutës, reformat e mëdha po edhe zgjedhja e presidentit. Kështu me shifrat që reklamohen si fakt i kryer të rrijë i qetë Basha dhe vetë Ilir Meta. Janë fiks shifra për ndryshim ligjesh dhe kuorum për presidentin e ardhshëm. Kështu të gjithë janë të relaksuar dhe dalin të fituar. Pastaj, shto këtu denigrimin e mazhorancës aktuale, skandalet që i kanë publikuar, si shitja e detit apo tenderat e PPP-të, korrupsionin e lakuar çdo minutë dhe në fund llogaria është e pastër fare. Ec e mos beso po deshe. Për të gjitha këto fitorja nuk është imagjinare po reale. Ah, po edhe tradita e rotacionit pas tetë viteve në pushtet që është bërë pothuaj tradicionale nga dita e fitores së demokracisë tri dekada më parë. Të gjithë i dëgjoni shifrat galopante, numrat e deputetëve. Më të papërmbajturit, shënojnë shifrën absolute, njëqind karrige në sallën e Parlamentit janë të sigurta për PD-LSI. I bie që duke llogaritur deputetët që do fitojnë partitë e tjera në koalicion me opozitën, mazhoranca të marrë apo s`do marrë nja pesë copë. Të gjithë deputetët do fitohen nga opozita dhe këtë e thotë, jo vetëm Bylykbashi, po edhe Monika. Në këto llogari nuk kishte si mos të përfshihej, Zonja e Parë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ajo është super aktive edhe në debate të zakonshme, le më kur bëhet fjalë për udhëheqësi dhe për poste me rëndësi. Edhe nëse nuk pranon të bëhet kryeministre siç deklaron, komenton se është i saktë rezultati zgjedhor sipas sondazheve të kryera prej saj dhe këtë nuk e luan as topi. Po ndryshe nga pretendentët e tjerë që e shpallin ambicien hapur, me zë e figurë, shpalosin dëshirat e tyre të zjarrta, me deklarata, simbolika, shifra, numra, gërma e pika, për fitore të garantuar, Monika, si modeste që është dhe e painteresuar për karrierë nuk pranon kurrsesi të bëhet e para e qeverisë ashtu sikundër refuzon prerazi bashkëpunimin me Ramën. Është angazhuar, siç deklaron për ardhmërinë e Shqipërisë! Modesti për t’u pasur zili dhe për të mësuar nga shembulli i saj, gjithë politikanët e këtij vendi. Të gjithë, ndryshe nga Monika, synojnë poste, prika, tendera,vila, resorte llogari, bursa studimi, privilegje, salltanete për t`u pasuruar për vete. Zonja Monika, bah nuk është e ngjashme me këta egoistë lubi të pangopur që luftojnë vetëm për poste e u pasuri. Ajo ka virtyte, parime. Nuk e bën veten për një copë kryeministre. Deviza e Monikës është, rinia-gratë-Shqipëria. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me zonjën Monikë. Në këto tri dekada me pushtet asnjëherë nuk pyeti për veten e vet. Ajo e përbuz karrierën nuk i pëlqejnë postet me përgjegjësi. Synimi i saj politik është të emancipojë shoqërinë, të ngrejë në piedestal virtytin, të fitojë zemrat e rinisë, garantojë ardhmërinë dhe mirëqenien e Shqipërisë. Kur dëgjova zonjën Kryemadhi ashtu rastësisht, duke folur nga ekrani edhe unë vendosa menjëherë. Votën patjetër për LSI-në këtë herë. Dhe bëra një llogari, me shtëpi e vëllazëri, kushëri e krushqi, shokë e miq kudo, të gjitha qindra vota për Monikën këto. Nuk u mendova dy herë. E vendosa do ndryshoj drejtim dhe votën time do ia jap të mirës dhe të drejtës Monikë, vetëm e vetëm që Rama më në fund vërtet të ikë. Të synosh të vish në pushtet kur je në opozitë, është objektive, parimore, e drejtë dhe e paqortueshme. Të gjitha partitë në betejat elektorale hyjnë për të fituar. Të njëjtën filozofi kanë edhe ato parti që janë të reja fare. Ose të pakonfiguruara dhe regjistruara në gjykata. Kur pretendojnë edhe këto forca ende në krijim është normale që të synojnë pushtetin parti që kanë vite në funksionim. Në këtë kuptim të gjithë liderët e partive janë në të drejtën e tyre të luftojnë për të marrë pushtetin dhe realizuar rotacionin politik. Po ndryshe nga Lulzim Basha që tregohet së paku i sinqertë se lufton për t’u bërë kryeministri i Shqipërisë, bile e ka deklaruar fitoren që tani që nuk i fsheh qëllimet dhe aspiron për të qenë në pushtet, Monika, përbuz postin e kryeministrit dhe deklaron se nuk do ta pranonte kurrë. Ndryshe nga zëvendësi i saj, Petrit Vasili që në zgjedhjet e vitit 2017 ishte gati të merrte përgjegjësinë e kryeministrit dhe të drejtonte ekzekutivin shqiptar. Vetëm fare pak pengesë pati për pak numra nuk ia doli, po tek e fundit nuk i fshehu ambiciet për të marrë përgjegjësinë për të drejtuar Shqipërinë. Nuk është për t`u çuditur që Monika është e prerë kundër postit të kryeministrit. Ajo gjithnjë nuk ka pasur në jetën e saj politike një rast të vetëm të shpalli ambicie për kryeministre. Në realitet i takon pasi veç përvojës me rininë socialiste, deputete në Kuvendin e Shqipërisë tridhjetë vite në politikë, frymëzues për aksione dhe mikja më e madhe e rinisë mund të ishte një super kryeministre. Dhe kjo do ishte një risi për herë të parë në qeveri, emër të ri edhe në gjini. Po tek e fundit ky është vullneti i saj dhe nuk mund të gjykohet. Megjithë deklaratat refuzuese për t’u ngjitur në postin kryeministror ende mbetet kohë të reflektojë, të ndryshojë mendim dhe në fund të pranojë të jetë kryeqeveritare e vendit tim. Të jeni të sigurtë, ju bashkatdhetarë të mi, këtu në Shqipëri dhe kudo që jeni, me Monikën në krye të qeverisë do i vijnë lumë të mirat Shqipërisë. Politikane tridhjetë vjeçare. Kurajoze,doktoreshë e ekonomisë. Entuziaste e paparagjykuar për korrupsion, përdorim dhune që mbartin politikanët tanë. Me të gjitha këto cilësi do ishte një super kryeministre. Refuzimi i Monikës na bën të gjithëve pesimistë. Ky vend po humb një shans të paparë historik. Ndaj të lutemi zonja Monikë me përulësi, bëhu kryeministre, jo për vete natyrisht, po për Shqipëri. Se këtë punë askush nuk e bënë, veçse ti. Se nuk je si këta palo politikanë lakmitarë me mendjen te paraja dhe pasuri që u gjëmon zëri si këmbanë dhe luten nga mëngjesi në mëngjes të gatshëm për të na përçarë, vetëm për t’u bërë të parë. Kot nuk thotë vetë Monika, ku jam unë Rama ikën nga frika, ku jam unë, është përparimi dhe ndryshimi. Dhe të ndryshosh Shqipërinë, të ringresh vendin, të sjellësh shpresën, është misioni më fisnik që vetëm krye lsi-stja mund ta arrijë. Në këto kushte nuk ka pse të hezitojë dhe për kryeministre të refuzojë. Ndryshimi nis nga vetja. A nuk është transformuar Kryemadhi brenda pak kohësh nga socialistë, demokratë e lsi-stë? A nuk është figurë emblematike? Jo vetëm në kuptimin e shndërrimit nga e majtë në të djathtë se këtë partia e saj e bëri shumë vite më parë kur pagëzoi aleancën PD-LSI dhe ku i mori Berishës gjysmë qeveri. Po ka edhe arritje të tjera që i japin fuqi dhe e bëjnë kandidaten më të përkryer për të qenë në krye të qeverisë. Është iniciatore. Novatore. Ka aftësi argumentuese. E papërgojuar, as e akuzuar. Nuk ka pasuri. Nuk ka përfituar. Edhe fëmijët e vet mezi i shkollon në Angli. Po kjo a nuk është sakrificë? Pastaj ka në portretin e saj të gdhendura në kujtesën popullore tërë përvojën e fituar gjatë seancave kuvendore. Kush më mirë se Monika na mësoi të qëllojmë me opinga? Cili nga deputetët në opozitë përdori armët moderne shishet e ujit, çizmen mbi Parlament? Kush u përlesh dhe thirri më shumë se Monika poshtë Edi Rama nga politika? Cili më shumë se ajo i vuri përballë përgjegjësisë ndërkombëtarët si e keqja më e madhe e Shqipërisë pasi i kanë bërë fresk qeverisë? A nuk janë këto garanci të mjaftueshme për të bindur shqiptarët se me Monika Kryemadhin në krye të qeverisë të gjithë do jemi të lumtur e të gëzuar se më në fund Shqipëria e ndriçuar? Kështu do kemi edhe një risi. I bashkojmë në një shtëpi të dy, kryeministren e presidentin dhe blindojmë Parlamentin.