BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

Të mbash fjalën e dhënë është dinjitet

Të mbash fjalën e dhënë është dinjitet

Pika më e dobët e politikanëve tanë është mos mbajtja e premtimeve të dhëna. Është kjo arsyeja që ka tridhjetë vjet që demokracia ka mbetur në vend dhe shumica e popullit është e zhgënjyer me klasën politike që kemi. Gjithmonë kur zhvillohen fushata elektorale bëhen premtime lumë, apo takoj persona që nuk e mbajnë fjalën e dhënë, dhe e hanë turpin me bukë siç thotë populli. Më kujtohet një thënie e kryeministrit anglez, Uinston Çurçillit: “Ngrënia e fjalëve, kurrë nuk më ka shkaktuar mostretje”. Çurçilli, natyrisht ironizon kështu të tjerë, që e hanë fjalën e dhënë sipas oreksit të tyre dhe e kanë autokritikën trampolinë për të hedhur lumin. Njeriu me karakter, qoftë pushtetar apo punëtor, me grada gjenerali, apo fshesaxhi rrugësh, duhet ta quaj si gjënë më të shtrenjtë fjalën e dhënë dhe nuk duhet të luajë kurrë me të. Marrëdhëniet njerëzore dhe reciprociteti shoqëror lidhen nëpërmjet fjalës së dhënë dhe përgjithësisht mbahen ashtu siç bisedohen gojarisht, pa qenë nevoja të bësh noterizimin zyrtar të tyre. Secili, sipas mundësisë dhe postit që mban, duhet të marrë përsipër aq sa mban, të premtojë aq sa mundet dhe nuk ka pse luan me fjalën e dhënë, vetëm për arsye shumë madhore e të justifikuara. Nëse një politikan bën premtime e nuk i mban, atij shpejt do t’i dalë boja se popullin nuk mund ta gënjesh dy herë. Është kjo arsyeja që deputetëve të tillë u ndërrojnë zonat e kandidimit se nuk kanë më sy e faqe të dalin para elektoratit për mosrealizimin e premtimeve të bëra. Dy të rinj që kanë vendosur ta lidhin jetën bashkërisht, i premtojnë e i japin besën njëri-tjetrit për martesë, pa qenë nevoja të nënshkruajnë deklarata për lidhjen e tyre. Se nëse nuk ekziston besnikëria bashkëshortore, premtimi jetësor për ta kaluar jetën bashkë deri në vdekje, ata le të bëjnë sa të duan deklarata martese në gjendjen civile, ata një ditë do të shkurorëzohen patjetër. Po kështu edhe kur një shok, një mik, ndihmon financiarisht një tjetër, ia jep atë në bazë të fjalës së dhënë dhe jo me ndonjë dokument zyrtar, se kështu ajo nuk mund të quhet ndihmë. Para se jepet fjala, për realizimin e një detyre para publikut, apo për vendosjen e një marrëdhënie të re në shoqëri e në institucione shtetërore, duhen parë aftësitë dhe mundësitë për ta realizuar atë premtim. Më çuditi një ditë një huadhënës që kishte vite që kërkonte paratë e tij të dhëna borxh, duke tundur edhe një deklaratë noteriale që mbante në dorë. “Më kërkoi para borxh,-më tha - dhe unë duke e konsideruar si mik, ia dhashë. Ngaqë nuk kisha shumë besim, bëra edhe deklaratë para noterit për këtë qëllim. Kurse tani, edhe pse kanë kaluar afatet, ai nuk po mi kthen. Po si mund të ndihmohet një mik me deklaratë noteriale - ia ktheva. Financiarisht e materialisht ndihmohet ai që ke mik e shok,dhe deklarata më e mirë në këtë rast është fjala e dhënë, mirëkuptimi i sinqertë. Qëkur ia ke dhënë borxhin, ti e ke ofenduar personin në fjalë, kur i ke kërkuar deklaratë, nëse e konsideroje mik. Nëse nuk kishe besim, ishte më mirë mos t’ia kishe dhënë, se sa të bëje një deklaratë me të dhe tani të kërkosh ligjërisht shlyerjen e borxhit. Shekspiri ka një thënie të madhe: “Kurrë mos merr e jep hua, se humbet edhe paranë, edhe mikun”. Nëse dy të rinj martohen me deklaratë, dhe e quajnë të përjetshme lidhjen e tyre ngaqë venë kurorë në gjendjen civile, kjo lidhje nuk mund të jetë kurrë jetëgjatë e përfundimtare, nëse nuk ekziston mirëkuptimi dhe harmonia e sinqertë bashkëshortore, nuk do të ketë asnjëherë jetëgjatësi ajo martesë. Thonë se “burri lidhet për fjalësh, kurse demi për brirësh”; “Njeriut i hahet fjala jo mishi” etj. E vështirë nuk është të bësh deklarata e të premtosh, vështirë është t’i mbash ato. Të japësh fjalën do të thotë të premtosh dhe të premtosh do të thotë të realizosh. Na ndodh shpesh me nxënës që shumë herë e japin fjalën, se do të bëjnë kthesë nga rruga e tyre e gabuar, por në fakt harrojnë shpejt e nuk i mbahen asaj që kanë premtuar. Por ka shumë të tjerë që e mbajnë fjalën e dhënë, ose pas autokritikës që bëjnë, ndreqen e kthehen realisht në rrugë të mbarë. “Njeriut që i bëhet një kritikë e drejtë dhe e pranon atë, e që jep fjalën se nuk do ta përsërisë më atë gabim, ai ndreqet - thoshte pedagogu ynë, bëhet shumë më i mirë, më i edukuar se çka qenë”. Fëmija duhet të mësohet që në moshë të vogël që të mos gënjejë, të mos i marrë gjërat me lehtësi, ta mbajë fjalën që jep e ta hedhi hapin në jetë aq sa ka fuqinë fizike e mendore. Natyrisht njeriu dhe sidomos fëmija, do të gabojë, por jo të pajtohet me gabimin që bën. Sami Frashëri këshillonte: “Prindi nuk duhet t’i thotë fëmijës mos gabo, por gabo sa më pak”. Të japësh fjalën, do të thotë të japësh besën dhe mosmbajtja e saj, dikur sipas kanunit, lahej me gjak. “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën,është të mos e japësh atë”, thoshte Napoleon Bonaparti. Njeriu i zakonshëm që jep fjalën e nuk mban është besëprerë, kurse politikani që premton shumë dhe nuk mban asnjë, është demagog. Nëse sot vendi ynë është në këtë gjendje, ku mjaft të rinj braktisin familjet e largohen në emigrim, varfëria rritet dhe numri i të zhgënjyerve shtohet, kjo ndodh për faktin se klasa jonë politike vetëm premton dhe pak ose aspak i mban premtimet. Politikanët demagogë, të cilët sot janë shtuar shumë, i ka kritikuar e tallur me komeditë e tij Aristofani që në kohën e vet. Ai i quan ata “kalorës” që e përdorin fjalën si kalë sa për të kaluar lumin e premtimet si mashtrim. Politikani në radhë të parë duhet të jetë korrekt me vetveten dhe detyrën që i është besuar nga populli. Natyrisht, jo të gjitha ato që premtohen në fushata, mund të bëhen realitet për arsye të ndryshme objektive dhe subjektive, por ama me popullin duhet të jesh i sinqertë, ballëhapur dhe jo t’i fshihesh me dinakëri. Fjala e dhënë nuk ka të bëjë thjeshtë me realizimin e premtimeve të marra për sipër, por edhe me sqarimet e duhura, duke komunikuar në mënyrë të njerëzishme e me kulturë me vartësit e njerëzit e thjeshtë, duke dhënë argumentet e nevojshme se përse nuk janë mbajtur premtimet. “Të gjithë ndryshimet e mëdha në botë vijnë nga fjalët” - thotë shkrimtarja iraniane Marjane Satrapi. Por momenti kur bëhet bilanci i premtimeve të dhëna për politikanët është dita e zgjedhjeve, ndaj shqiptarët këtë herë duhet ta kuptojnë më mirë peshën e fjalës dhe të votës së tyre.