BREAKING NEWS

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh prapaskenat: Marrëdhëniet u normalizuan pas 20 muajsh, ja për çfarë ramë dakord!

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh
x

Opinion / Editorial

Të mbrohemi nga vetvetja!

Të mbrohemi nga vetvetja!

Në kushtet e së panjohurës rreth koronavirusit dhe rrezikut potencial mbi jetën, mbyllja kishte logjikën e saj. Ndoshta, më mirë teprim në panik sot sesa mosprishje terezie e keqardhje, por që nuk pi ujë mot. Koronavirusi zuri mbarë botën në befasi dhe sot për sot synimi mbetet të fitohet sa më shumë kohë, qoftë për vaksinën apo masat më efektive për parandalim apo kurim. Me shpresa, stina e verës do të jetë në anën tonë, por dhe kjo sa kohë mbarë shoqëria, politikanë e qytetarë pa dallim, bëjnë të tyren në betejën e përbashkët me këtë epidemi. Qeveria Rama bëri detyrën e saj në këtë situatë dhe koha dhe krahasimi me vende të tjera, tregojnë se e bëri mirë atë. Mbarë bota veproi në një situatë të pashembullt “errësire” dhe askush sot nuk mund të thotë me siguri se cila do të ishte qasja më efektive ndaj këtij virusi që do të garantonte mbrojtje maksimale të jetës dhe zhvillimit social-ekonomik njëkohësisht.

Por, po aq sa nuk ka vend për vet-urim sa kohë bën detyrën dhe ushtron përgjegjësitë që të janë besuar me transparencë dhe vullnet të mirë, po aq nuk ka edhe vend për spekulime politike, deri përgojim e anatemim apriori të punës së qeverisë dhe institucioneve shëndetësore përgjatë epidemisë. Mbyllja disa javore social-ekonomike ishte vërtet një barrë e madhe për të gjithë dhe është e kuptueshme që pasi kalon rreziku imediat për jetën, vëmendja të kalojë tek fati punës, biznesit, rrogës, farefisit e shoqërisë, transportit etj. Por gjithmonë pa harruar se jeta është më e çmuar se gjithçka dhe se vetëm e drejta e jetës u jep jetë gjithë të drejtave të tjera me radhë. Përveç jetës, për gjithçka tjetër që shkon e vjen si ekonomia, leku, shoqëria, shkolla, karriera, argëtimi etj, puna pret! Në betejën me koronavirusin humbasim e fitojmë së bashku. Virusi nuk pyet për librezë e militantizëm partiak. Kryeministër sot qëlloi të ishte Rama, por në të tilla situata, kur e gjen nga natyra dhe jo dora e njeriut (ndonëse natyra reagon ndaj abuzimit me të), kushdo që të kishte qenë, duhet të ishte i besuari i kujtdo dhe preferencat partiake duheshin lënë mënjanë. Ndaj, ata që sot përgojojnë e ofendojnë apriori dedikimin e punën e jashtëzakonshme për të shpëtuar jetë njerëzish nga sistemi shëndetësor dhe qeveria pas, dëshmojnë mjerim ekstrem politik e qytetar dhe janë të destinuar të mos ngjisin në publik. Me pandeminë nuk bëhet politikë e karrierë dhe donkishotizmi jo vetëm nuk shton pikë, por humbet më tej. Asgjë nuk është e përsosur dhe kritikat për përballimin e krizës janë normale, por etika qytetare e politike e do që të thuhet edhe “puna e mbarë” për arritjet deri tani. Në mos për qeverinë “armike” të partisë tjetër që bëri detyrën për të gjithë votuesit pa dallim, për sistemin shëndetësor dhe profesionistët e fushës që ishin në vijën e parë të përballjes me epideminë që mbolli aq stres e panik qytetar këto javë. Një “punë e mbarë” ndaj tyre nuk është opsion, por detyrim publik e historik. Sa për qaravitjet politike, demonizimin e mbylljes, sokëllitjet për “autokraci”, pozat e hall-qarësit dhe “supermenit” ndaj biznesit të paralizuar apo qytetarit të tulatur në të përditshmen, dështakët politikë, të vetëshpallurit si fytyra e shoqërisë civile apo medias së “lirë”, janë të destinuar të llomotisin me vetveten sepse të gjithë e dinë që qeveria bëri atë që bëri jo për veten e saj, por për të përmbushur detyrimin e saj në mbrojtjen e jetës gjithnjë nën tutelën e ekspertëve të fushës dhe përvojave më të mira në Perëndim. Nuk është hera e parë që vendi përjeton trauma social-ekonomike dhe rigjen vetveten e ngrihet sërish! Sa për fallxhorët në politikë që paralajmërojnë mjerim ekonomik, afërmendsh, si kudo në botë, edhe tek ne kjo epidemi do të ketë faturën e saj social-ekonomike, por po aq, në mos më shumë, ishte edhe fatura e dekadës së mbrapshtë ‘90 me ndryshimin se atëherë pas mynxyrës ekonomike nuk ishte dora e natyrës, por dora e politikës që nuk dha llogari kurrë. Vendi ia ka dalë edhe më parë. Nga fillim-vitet 90 kur me “urdhër peshku” u shkatërrua në masë pasuria kombëtare (uzina, fabrika, plantacione etj), papunësia ishte sheshit, kursimet qytetare në lek u zhvleftësuan brenda natës deri tek kriza e përgjakshme e ‘97 që asfiksoi rendin e sigurinë e jetës, shkatërroi pronën, largoi investitorët, firoi kursimet e popullatës, cënoi zhvillimin e biznesit pa dallim dhe për shumë gjatë. Një “mea culpa” nga të përfolurit e djeshëm që sot ndjellin krizën ekonomike të radhës, do të ishte një hap për t’i bërë sadopak më të besuar sot ata. Të drejtat e njeriut janë të shenjta, por mbi të gjitha është e drejta e jetës dhe përpara se t’i kërkojmë llogari qeverisë për të drejtat rutinë, prioritet duhet të ketë e drejta e jetës. Dhe vetëm kur garantohet ajo, vetëm atëherë, me manifestim, argument dhe etikë qytetare, qeverisë i duhet kërkuar të garantojë edhe të drejtat e tjera me radhë në kohë. Gjithnjë duke u nisur nga premisa se askush nuk mund të parashikojë të ardhmen dhe se detyra numër një e qeverisë është të garantojë të drejtën e jetës dhe të tjerat paskëtaj. Dhe kjo nënkupton mirëkuptim dhe besim reciprok mes palëve dhe jo kundërvënie motivuar nga fryma apo deliri politik apo interesi i politikës së mbrapshtë për anarki dhe sabotim të reformave demokratike në vend. Me hapjen dhe tundimin e lirisë duhet të dalë në pah edhe përgjegjësia qytetare për t’u mbrojtur nga vetvetja! Tashmë që vendi po hapet, përgjegjësia kalon tek qytetari që të mos abuzojë me tundimin e lirisë duke neglizhuar distancimin social (shëtitjet, tundimi apo kompleksimi për t’u takuar e përqafuar si mesdhetarë që jemi, protestat vend e pa vend publike deri të sforcuara si ajo për teatrin kur Tirana e mbarë Shqipëria u bënë sheshe të përsheshit të politikës makute të tranzicionit etj.) dhe provokuar, me apo pa dashje, një rikthim të situatës dramatike me pasoja përtej vetes. Dhe në rast se syresh nuk dëshmojnë përgjegjshmëri qytetare dhe gjërat dalin jashtë kontrollit, “nuk doja” apo “nuk e dija” nuk janë argumente qytetare shfajësimi për kërkënd dhe ata që kritikojnë tkurrjen e lirive të përditshme gjatë, duhet të kalkulojnë se mbase për disa, ato masa ishin të nevojshme për t’u mbrojtur edhe nga vetvetja! Mbi të gjitha, argumenti dhe debati qytetar e politik në media nuk duhet të degradojë e tensionojë në një kohë që publiku pret vetëm mesazhin e qetësimit. Aq sa qeveria nuk ka pse pret mirënjohje nga kushdo për atë që është detyra e saj, po aq ajo nuk meriton përgojim për vullnetin e dedikimin ndaj mbrojtjes së jetës së qytetarit pa dallim. Pandemia është tulatur, por rreziku mbetet ende nëpër këmbë. “Letargjia” e virusit duhet të jetë shans për t’u përgatitur për më tej dhe jo përkeqësuar gjërat sërish duke patur kujdes të mos e bëjmë si “lopa” duke kompromentuar pa qëllim gjithçka të mirë të arritur deri më tani. Dhe mbi të gjitha, kurrsesi për të mos degraduar në “kalova lumin, të … kalin” duke abuzuar me liritë e të drejtat e njeriut, mbi të gjitha atë të jetës, për pak pikëavarazh politik, sedër individuale apo profil mediatik. Mbase jemi akoma në “lumë” por edhe nëse matanë, askush nuk mund ta thotë me siguri nëse nuk ka ndonjë tjetër më pas!