BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Opinion / Editorial

Të ndryshojmë pushtetin apo të ndryshojmë popullin?

Të ndryshojmë pushtetin apo të ndryshojmë popullin?

Diktaturat, i poshtërojnë njerëzit deri në atë shkallë, sa që ata arrijnë të lavdërojnë regjimin, si burim të mirëqenies së tyre. Kjo ndjesi, vërehet dukshëm te populli ynë, që edhe pse politika e poshtëron, e nënshtron, i vjedh të drejtën e fjalës, të pronës, të pasurisë, i shkel dinjitetin, e ai përsëri e duartroket dhe flijohet për politikanët e përçudnuar. Një popull i tillë, është i ç’moralizuar. Ky popull, para pushtetit, gjendet gjithmonë i tulatur, i trembur, i frikësuar, i përgjumur, i demoralizuar e ka humbur busullën e shpresës dhe ka perënduar. Kjo dukuri, është karakteristikë e popujve që dalin nga diktatura të egra dhe janë primitivë në mendime dhe të paemancipuar, e të çoroditur në veprime. Në këto 30 vite të “demokracisë” sonë empirike, kanë ndodhur ngjarje tepër të shëmtuara, me krime të përçudnuara, që e kanë paraqitur popullin si vasalë të politikës dhe të pushtetit të radhës. Kjo filozofi, ka bërë që pushteti të lozë me fatin e sovranit, si ti ketë ata një kope bagëtish, që i vë në rresht me shkopin e liderit. Një popull, që e sheh në dritën e diellit klasën politike, duke bërë marrëzira në kurriz të saj, duke vjedhur pasurinë e përbashkët dhe e duartroket, i përmbyt shtëpinë dhe katandinë dhe i thotë faleminderit, e varfëron duke i shtrenjtuar jetesën me taksa dritash, uji, telefonash dhe përsëri hesht, e vret në rrugë dhe e përshëndet, ai popull, është i destinuar të jetojë nën robërinë e pushtetit. Të vetmen “armë” që ka në dorë, që ia ka dhënë demokracia, është vota dhe atë s’di ta përdorë në favor të saj, por kur i vjen radha, e shpërdoron si një send pa vlerë. Një popull, që nuk ka shpirtin e reagimit, kundërshtimit, revoltës, e protestës për të drejtat e tij, është popull që duhet të ndryshojë mendësitë, karakterin dhe qëndrimin ndaj dhunës së pushtetit. Në politikë, nuk ka moral të dhënë njëherë e përgjithmonë. Kur vëren se lideri që ke afeksion, ka treguar se kur ka qenë në pushtet: premton dhe mashtron, vjedh, por nuk realizon, kryen krime me ndërgjegje në mes të bulevardit, nuk duhet t’i rrish pranë dhe ta admirosh, se një ditë do bëhet i keq edhe për ty. Në politikë, nuk ka as miq as armiq të përjetshëm. Një popull, që është i verbër, si populli ynë ndaj klasës politike, është i dështuar në rrugën e tij. Popujt e kulturuar, me demokraci liberale, i kanë vetë në dorë fatet e tyre. Ndërsa popujt primitivë, të prapambetur, ua kanë deleguar fatin e tyre politikanëve sundimtarë. Në këtë kontekst, shtrohet pyetja: Duhet të ndryshojë pushteti apo të ndryshojë populli?! Në Shqipëri, ka ardhur koha, që duhet të ndryshojë populli në mentalitet, në botëkuptim, në koncept, në qëndrim e veprim. Populli shqiptar, duhet të ndryshojë, të emancipohet dhe të reformohet me një mendësi të re dhe të kuptojë përfundimisht se është ai sovrani që duhet të ndryshojë edhe sjelljen e klasës politike, që në karrierën e saj 30-vjeçare, shpesh herë ka qenë e orientuar drejt despotizmit shtetëror, që ka skllavëruar interesat e gjëra të sovranit. Opozita e sotme, që ka hedhur në tregun mediatik një lum me premtime, me një program të mbushur me mashtrime, ku nuk tregon se nga do i sigurojë këto burime, do korrë vetëm dështime. Ajo, ka qarkulluar disa herë në pushtet dhe lideri i saj që e prezanton veten si kryeministër ka dhënë provat e dështimit në çdo pozicion drejtuesi, nga kryetar bashkie, që ka qëndruar katër vjet në hije, drejtues në disa ministri që ka korrur fatkeqësi dhe deri në opozitë, që ka mbjellë errësirë, por s’ka ditur të hedhë dritë. Mazhoranca e sotme ka gabimet e saj në qeverisje, që duhet t’i njohë e t’i korrigjojë, po do të vazhdojë të drejtojë. E krahasuar me opozitën, ka disa përparësi, se kjo opozitë të kall frikën, me reliket e ekipit që kërkon të vijë në pushtet, është qamet. Populli, duke bërë krahasimin mes të “majtës” dhe të “djathtës”, në sfondin e rezultateve dhe sjelljes qytetare, duke i vënë në peshoren e pushtetit, duhet të kuptojë e të ndryshojë qëndrim ndaj politikës afeksioniste, mos bëhet robinë e saj. Në politikë nuk ka as dashuri e as urrejtje të përjetshme, ka interesa të përjetshme, që reflektohen nga qëndrimi i pushtetit ndaj popullit.