Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Të papunë, “të persekutuar” përjetë me rroga mbreti

Postuar: 09/08/2018 - 07:16

Nisur nga fakti që përgjatë 18 vjetëve të fundit të veprimit të ligjeve nr 8549 datë 11.11.1999 “statusi i nëpunësit civil” dhe 152-2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, buxheti i shtetit shpenzon çdo vit rreth 15 - 20 milionë euro për dëmshpërblimin, që rrjedh nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë në favor të ish punonjësve me status të larguar më parë nga puna, ndjehem i obliguar, të paraqes disa mendime, këshilla dhe sugjerime ekonomiko - ligjore, të cilat nëse do të zbatohen, do të çojnë në minimizimin e këtij dëmi financiar sistematik e të përvitshëm, duke bërë të mundur që paratë e taksapaguesve, të mos përdoren për pagesa inproduktive e parazitare, por t’ju rikthehen atyre, në formën e investimeve publike, mallrave dhe shërbimeve qeveritare, rritjes së rrogave dhe pensioneve, politikave më të mira sociale e të tjera.

Meqenëse institucione të ndryshme shtetërore (sistemi tatimor qendror, doganat në pjesën më të madhe të pozicioneve të punës, ministri, bashki e tjera), që gëzojnë ligjërisht statusin e nëpunësit civil për punonjësit e tyre, kanë specifika të ndryshme, do të përqendrohem në zgjidhjen e këtij problemi në sistemin tatimor qendror, që përbëhet nga: DPT-Tiranë, 13 DRT, DTM- Tiranë e tjera, ndërkohë që kjo zgjidhje mund shërbejë si model edhe për institucione të tjera me status, në vartësi me veçoritë që ato kanë.

Së pari: Duhet të bëhet rregullimi përkatës ligjor, duke ngarkuar me përgjegjësi financiare, administrative dhe/ose penale autoritetet përkatëse vendimmarrëse, për largime të padrejta nga puna, të konfirmuara përmes vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, që lidhen me periudhat respektive nga datat e largimit, deri tek ato të marrjes formë të prerë të vendimeve gjyqësore dhe për mosekzekutim në kohë të këtyre të fundit, prej datave përkatëse që duhet të realizohej përmbushja e këtij detyrimi ligjor, deri në ato të ekzekutimit të këtyre vendimeve, apo në vazhdim për pjesën e mbetur të tyre ende të paekzekutuar.

Zbatimi i pjesës së parë të këtij rekomandimi, që lidhet me largimet nga puna të ish nëpunësve civilë dhe zhvillimin e proceseve gjyqësore përkatëse deri në marrjen formë të prerë të vendimeve gjyqësore në favor të tyre, duhet të analizohet me shumë kujdes dhe objektivitet, pasi periudha e deritanishme e funksionimit të sistemit të drejtësisë, është mbushur me raste të shumta kontestimesh, gjykimesh jo korrekte të ndershme e profesionale, të shoqëruara me ngjarje e fenomene korruptive, të denoncuara edhe prej emisioneve televizive investigative si “Fiks- Fare”, “Stop”, “Boom” e të tjera. Lidhur me atë çka themi, le të shpresojmë se funksionimi në të ardhmen i strukturave të reja të sistemit të drejtësisë, të dala nga implementimi i reformës në drejtësi, do të ndryshojë në drejtimin e duhur realitetin përgjithësisht negativ të funksionimit të deritanishëm të këtij sistemi. Gjithashtu këto autoritete, në përkatësi të institucioneve që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, duhet të mbajnë përgjegjësinë e sipërcituar, në të gjitha ato raste kur sipas verifikimeve përkatëse, nga rezulton se kanë bërë emërime në punë nga jashtë ose brenda sistemit, në ato pozicione pune tek të cilat ato duhet të rikthenin detyrimisht, ish nëpunësit përkatës, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë, duke lejuar në këtë mënyrë vazhdimin abuziv të pagimit inproduktiv të këtyre të fundit, me fondet përkatëse publike të buxhetit të shtetit, deri në momentin e rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, sikurse përcaktohet në këto vendime gjyqësore, ose derisa të jenë gjallë nëse ato nuk ekzekutohen.

Me hyrjen në fuqi të ligjit 152-2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, neni 66/1, pika 1, vendimet gjyqësore të formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë, duhet të zbatohen menjëherë nga “njësia përgjegjëse” e cila në bazë të nenit 4, pika 1, shkronja f, të po këtij ligji është Departamenti i Administratës Publike (DAP) për institucionet e administratës shtetërore dhe njësia e burimeve njerëzore, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.

Lidhur me këtë KLSH-ja, ndonëse ka patur një reagim dhe angazhim pozitiv të admirueshëm, duke i pranuar dhe mirëpritur të gjitha sugjerimet e rekomandimet ekonomiko – ligjore të parashtruara profesionalisht nga ana e ime, në funksion të zgjidhjes optimale në dobi të interesit publik, të kësaj problematike të ndërlikuar e komplekse, ka detyrimin ligjor të vazhdojë të ushtrojë kontroll tematik pranë institucioneve dhe autoriteteve përkatëse shtetërore, zbatuese të ligjshmërisë së sipërpërmendur dhe në bazë të verifikimeve, fakteve e gjetjeve të rezultuara, të cilat provojnë paligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve respektivë, me pasojë dëmtimin sistematik e abuziv në shifra shumë të larta të buxhetit të shtetit, të kërkojë jo vetëm zhdëmtimin ekonomik, por edhe marrjen e masave administrative dhe/ose penale ndaj tyre.

Nga ana tjetër, është aspak normale që përgjatë 18 vjetëve të fundit të veprimit të ligjeve nr 8549 datë 11.11.1999 “statusi i nëpunësit civil” dhe 152-2013 “për nëpunësin civil”, të ndryshuar, këshilltarët ekonomikë dhe ose ligjorë të institucioneve qendrore shqiptare, titullarët e tyre, drejtoritë juridike, strukturat përkatëse të auditimit financiar dhe specialistët e FMN-së, të cilët kanë asistuar në këtë periudhë ekspertimin e financave publike shqiptare, nuk i kanë dhënë asnjë rekomandim zyrtar qeverive përkatëse shqiptare, për zgjidhjen efiçente dhe ligjore të këtij problemi tepër të rëndësishëm për buxhetin e shtetit.

 

Së dyti: Për të gjithë ish nëpunësit tatimorë, të larguar më parë nga puna dhe për të cilët aktualisht ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, duhet të fillojnë menjëherë nga ana e DPT-së dhe DAP-it Tiranë, procedurat e rikthimit të tyre në punë, duke i kërkuar paraprakisht qeverisë në mënyrë të argumentuar, miratimin e një shtese organike për aq sa nevojitet, në përmbushje të detyrimit përkatës ligjor, që rrjedh edhe nga zbatimi i ligjit 152 / 2013 “për nëpunësin civil”, të ndryshuar, neni 7, pika 2, shkronja gj.

Menjëherë pas këtij miratimi, Ministria e Financave konform procedurave përkatëse ligjore, duhet të transferojë fondin përkatës të parashikuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblime të kësaj natyre, në fond pagash për llogari të DPT-Tiranë, duke shtuar pjesën kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që do të paguhet nga punëdhënësi (shteti) dhe rritjen totale respektive të pagës bruto krahasuar me më parë.

Ky transferim është tepër i rëndësishëm, pasi ai bën të mundur zëvendësimin e shpenzimeve buxhetore inproduktive me ato produktive, pasi këto të fundit në çdo rast do të krijojnë të ardhura shtesë nga punësimi për llogari të buxhetit të shtetit, ndërkohë që ndryshesa (rritja / ulja) e shpenzimeve faktike në kuadrin e këtij buxheti, do të jetë e barabartë me pjesën e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që do të paguaj punëdhënësi (shteti) në zbatim të legjislacionit përkatës, plus rritjen totale respektive të pagës bruto, krahasuar me më parë për të gjithë ish nëpunësit e rikthyer faktikisht në punë, minus pjesën e dëmshpërblimit financiar të ndërprerë për ata ish nëpunës, të cilët sikurse themi më poshtë lirohen apo largohen nga shërbimi civil. Përllogaritet se vlera e çdo dëmshpërblimi financiar të ndërprerë, është përafërsisht e mjaftueshme për të mbuluar koston shtesë buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të katër ish nëpunësve zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë. Kjo do të thotë se vlera e dëmshpërblimit, që i korrespondon 20% të numrit total të ish nëpunësve tatimorë të kësaj kategorie, të cilëve për shkaqet e përmendura më poshtë ju ndërpritet dëmshpërblimi financiar, është e mjaftueshme për të përballuar koston shtesë buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të të gjithë pjesës tjetër të barabartë me 80% të numrit total të tyre, ndërkohë që nëse shifra e mësipërme e daljes nga skema e dëmshpërblimit financiar është mbi 20%, atëhere gjenerohet përfitim shtesë buxhetor në formën e kursimit të shpenzimeve përkatëse të këtij buxheti.

Nëse për këtë kategori ish nëpunësish, kryhen procedurat përkatëse ligjore të rikthimit në punë dhe për këtë bëhet njoftimi zyrtar i secilit prej tyre, atëhere ndërpritet menjëherë dëmshpërblimi financiar i sipërpërmendur, pasi në këtë moment madje edhe kur ekzistojnë arsye të justifikuara ligjore për mosparaqitje në punë, efektet e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nulifikohen (zerohen), ndërsa të gjithë ata që paraqesin aktin e dorëheqjes me shkrim, apo për arsye të ndryshme të pajustifikuara ligjore nuk e respektojnë këtë vendimmarrje, lirohen apo largohen respektivisht nga shërbimi civil dhe numri i tyre i zbritet atij të strukturës së shtuar organike të personelit, duke e fiksuar atë përkohësisht në përputhje me rregullat përkatëse ligjore.

Në përfundim të këtij procesi, do të jetë tepër e sigurt, se numri i ish nëpunësve të kësaj kategorie që do të vazhdojnë të paguhen, do të jetë më i vogël nga ai i mëparshëm, madje me një ndryshim thelbësor tepër të madh, pasi këta të fundit nuk do të paguhen më në mënyrë inproduktive e parazitare, por nëpërmjet punës e cila padyshim dhe për çdo rast, do të gjenerojë nëpërmjet produktivitetit përkatës, përfitim shtesë me interes publik. Në lidhje me këtë, ka shumë të ngjarë që pjesa më e madhe e atyre, që kanë emigruar jashtë vendit (në Europë, SHBA, apo kontinente të tjera), apo që kryejnë punë të tjera ose merren me biznes, nuk do të preferojë të rikthehet në vendin e mëparshëm të punës, ndërkohë që padyshim ju intereson vazhdimi sa më gjatë në kohë i përfitimit parazitar të dëmshpërblimit ekonomik, që rrjedh nga mos kryerja e procedurave përkatëse ligjore të rikthimit në punën e mëparshme, konform vendimeve gjyqësore përkatëse të formës së prerë.

Aktualisht janë rreth 380 ish nëpunës të sistemit tatimor të larguar nga puna pas vitit 2000, për të cilët ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, por që ende figurojnë të pakthyer në punën e mëparshme. Ky fakt, përbën një dëm të madh ekonomik të përvitshëm që i bëhet buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, pasi secili prej tyre ka përfituar dhe përfiton çdo vit, në vartësi me pagën përkatëse që ka patur, një shumë prej 9-10 milionë lekësh të vjetra, pa dhënë asnjë lloj kontributi në punë. Duke qenë kështu, kuptohet fare qartë që shumicës së tyre apo ndoshta të gjithëve, nuk i intereson rikthimi në punën e mëparshme, madje mund ta konsiderojnë si një nga fatkeqësitë më të madha, nëse një gjë e tillë u ndodh, pasi ata mund të bëjnë punë të tjera (qoftë edhe në sektorin publik) dhe paguhen për to, të merren me biznese, e tjera, apo të emigrojnë jashtë vendit për vite të tëra dhe deri sa të arrijnë moshën e pensionit ose të jenë gjallë (gjë e cila nuk përbën aspak çudi), të paguhen duke shtuar çdo vit në llogarinë bankare të çdonjërit prej tyre, shumën prej rreth 10 milion lekësh. Përvoja e deritanishme ka treguar se kjo pagesë, mund të vazhdojë pandërprerje deri në më shumë se 60 vjet rresht, duke kapur shifrën e mbi 600 milion lekëve.

Në këtë situatë, rikthimi i tyre në punë sa më shpejtë që të jetë e mundur (qoftë edhe me shtesë organike), jo vetëm që e ndërpret efektin përkatës negativ në buxhetin e shtetit, por përkundrazi mundëson lëvizjen e tij drejt kahut pozitiv, pasi kontributi (produktiviteti) i punës së tyre në sistemin tatimor, i cili ende karakterizohet nga një nivel i lartë evazioni fiskal, do të shoqërohet me siguri në kushtet e mirëmenaxhimit të këtij sistemi, me një rritje të ardhurash për buxhetin e shtetit disa herë më shumë se rrogat përkatëse të tyre, të cilat vazhdojnë t’i marrin sistematikisht në periudha periodike vjetore, në mënyrë inproduktive e parazitare, madje dhe pa zbritur më parë kontributin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sikurse ndodh me të punësuarit.

Pra zbatimi i kësaj skeme ekonomiko-ligjore në çdo lloj rasti dhe rrethane, do të rezultojë me efekte financiare pozitive për buxhetin e shtetit dhe do të ulë nga ana tjetër, treguesin në % që zë kostua reale vjetore e mbajtjes së personelit të administratës tatimore qendrore, (të cilës i shtohet edhe dëmshpërblimi vjetor i sipërcituar), ndaj totalit të të ardhurave vjetore që vilen prej kësaj administrate, ndërkohë që vonesat subjektive të pajustifikuara nga ana ligjore, lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë (për sa i takon rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, të ish nëpunësve përkatës të larguar më parë nga puna), apo akoma më keq mosekzekutimi fare i tyre, do të vazhdojnë të ndëshkojnë financiarisht këtë buxhet dhe taksapaguesit shqiptarë. Mundësia e rikthimit në punë, për raste të tjera të ngjashme, qoftë edhe me shtesë organike deri në masën ku të ardhurat e produktit marxhinal të punës barazojnë çmimin e saj (pagën), sikurse përcakton shkenca e ekonomisë, duhet të shikohet me përparësi edhe në institucione të tjera ku vepron ligji përkatës “për nëpunësin civil”, duke përfshirë edhe njësitë e qeverisjes vendore.

Në këndvështrimin ligjor, ekonomik, financiar dhe social, çdo shtesë organike e miratuar konform procedurave përkatëse ligjore, që do të mundësonte rikthimin në punën e mëparshme të ish nëpunësve të kategorisë së lartpërmendur, do të ishte e justifikuar deri në masën që treguesi ekonomik “të ardhura të produktit marxhinal të punës”, të jetë jo më i vogël se pjesa e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguan punëdhënësi (në rastin tonë shteti), në zbatim të legjislacionit përkatës, plus rritja respektive e pagës bruto krahasuar me më parë, pasi pjesa tjetër e shpenzimeve që lidhet me pagën, mbulohet financiarisht nga fondi përkatës i parashikuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblime dhe i transferuar më parë në fond pagash, sikurse themi më sipër.

Së treti: Është e domosdoshme dhe emergjente që në kuadrin e rregullimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të legjislacionit në fushën e shërbimit civil e të tjera, të përcaktohet qartë se nëse përgjatë periudhës kur ish punonjësi civil apo jo civil, është trajtuar apo trajtohet me dëmshpërblim financiar nga fondet e buxhetit të shtetit për shkak të ekzekutimit të vendimit përkatës gjyqësor të formës së prerë në favor të tij dhe nga ana tjetër brenda kësaj periudhe, verifikohet se ai ka qenë apo është i punësuar në sektorin publik dhe për pasojë i paguar prej fondeve publike buxhetore, atëhere këto shuma pagesash duhet t’i zbriten atij prej dëmshpërblimit të pritshëm, ose të kërkohet rikthimi i tyre në buxhetin e shtetit, përmes vendimit ekzekutiv të nxjerrë prej institucionit përkatës, konform zbatimit të procedurave të nevojshme ligjore.

Gjykoj se duke vepruar në këtë mënyrë, bëhet e mundur që të merren një sërë përfitimesh në drejtime dhe aspekte të ndryshme, të cilat padyshim do të jenë në interes të mbarë publikut dhe vlerësohen pozitivisht prej tij.

Në aspektin ligjor, ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, merr një rëndësi edhe më të madhe në kushtet e sotme të implementimit të reformës në drejtësi dhe çeljes së mundshme (në vitin e ardhshëm 2019), të negociatave për antarësim të vendit tonë në bashkimin europian. Në aspektin ekonomik, sikurse e shpjeguam më sipër, bëhet e mundur të shmangen ose të paktën minimizohen, pagesat e majme, sistematike, inproduktive e parazitare, që kapin çdo vit në total shifra prej disa milionë euro për këtë kategori ish punonjësish të sipërpërmendur, të cilët mund t`i përfitojnë ato në vazhdimësi deri në më shumë se 60 vjet, nëse nuk kryhen procedurat përkatëse ligjore të rikthimit në punën e mëparshme. Në aspektin social, rikthimi sa më shpejt të jetë e mundur në vendet e mëparshme të punës, konform vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, të ish punonjësve të larguar më parë nga puna, minimizon kostot sociale që lidhen me zhvlerësimin e kapitalit njerëzor dhe intelektual, të shkaktuar nga humbja e aftësive profesionale dhe shprehive të punës, si rrjedhojë e qëndrimit papunë, apo punësimit jashtë profesionit. Në aspektin e luftës antikorrupsion, ekzekutimi sa më i shpejtë i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për pjesën që i takon rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, të ish punonjësve që e kanë fituar këtë drejtë me këto vendime, do të shmangë në të ardhmen, aferat korruptive që mund të jenë praktikuar në të kaluarën në sistemin gjyqësor, lidhur me dhënien e së drejtës së pamerituar (tek disa prej ish punonjësve të larguar nga puna), kundrejt shpërblimeve korruptive të dhëna, pasi çdo vendim i kësaj natyre ju ka siguruar dhe siguron atyre, çdo vit në vazhdimësi mesatarisht rreth 10 milion lekë të vjetra. Në aspektin moral, shoqëror e politik, duke vepruar si më sipër, kontribuohet pozitivisht në drejtim të dhënies fund, jo vetëm të pagesave të majme parazitare që shpesh zgjaten pa limit kohor në dëm të interesit publik, por edhe të spekullimeve hipokrite të një pjese të ish punonjësve të kësaj kategorie, që ndërsa hiqen çuditërisht “të persekutuar”, (megjithëse trajtohen me rroga të larta papunuar), tundin jo rrallë herë flamujt e opozitarizmit, në pritje dhe me ëndrrën për t`u katapultuar në të ardhmen, në poste drejtorësh në mënyrë të pamerituar.

Nga Zija LIKA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/08/2018 - 07:19

Fshati Resulaj i Komunës së Selenicës në Vlorë, prej njëzet e tetë vitesh të demokracisë borgjeze ka qëndruar në hije.

Postuar: 18/08/2018 - 07:16

PD-ja kërkon ligj për dekomunistizimin.

Postuar: 18/08/2018 - 07:14

 Sot ne shqiptarët, ende nuk kemi mundur të realizojmë asnjë prej ëndrrave tona që i nisëm m

Postuar: 18/08/2018 - 07:11

 Të na rrisin pagën as nuk i shkon mendja ndonjërit prej agallarëve që vetë ne shqiptarët e

Postuar: 17/08/2018 - 07:09

 Duket se në këtë vit të “Gjergj Kastriotit” debati për vend-origjinën e fisit l

Postuar: 17/08/2018 - 07:07

Ishte “mërzitur” shumë dhe ish-Presidenti i Shqipërisë, se në 2030-ën “do mbesi

Postuar: 17/08/2018 - 07:05

 Një grupim biznesi kërkoi dje ndërhyrjen urgjente të bankës sonë qendrore, pasi dollari ame