BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Të “pazotët” për “elitë politike” kemi ndërtuar tragjikisht “overclass-ën” amorale!

Të “pazotët” për “elitë politike”

Po bëjnë garë "demokracie" të brendshme" PD dhe PS. Mbasi pamë një shfaqe të zgjedhjeve në partinë e Berishës të drejtuar tani pothuaj nga Basha, do të shikojmë dhe shpikjet e Ramës "online" dhe me vlerësime të "çelësit dixhital". Të gjitha këto forma nuk bëjnë asgjë, por mbulojnë përmbajtjen e dy partive që demokracinë e brendshme, statutet dhe fjalën (mendimin) e lirë, meritokracinë e kanë bërë "shuk" duke krijuar fantazma vertikale politike, që pjesën poshtë të tyren e kanë virtuale nga e cila pastaj krijojnë "kupolat" politike të tipit "overclass". Kanë tre dekada që sundimin politik dhe ideologjik të një partie (PPSH) e kanë kthyer funksionale në demokracinë e devijuar si plutokraci apo më mirë të them - kleptokraci. Tashmë janë plotësisht të ndarë si nga shtresa e mesme dhe nga shoqëria, e cila vetëm pëson nga të tilla klika që nuk janë kurrën e kurrës një elitokraci normale. Ku e kam fjalën? Po ne kemi pasur vetëm një elitokraci, ose shtresë elitare në fillim të shekullit 20-të. Pak a shumë në fillim të Rilindjes kombëtare dhe përfundim të saj me krijimin e shtetit shqiptar. Mbas tij (1920) ne kemi klika dhe kleptokraci ose një plutokraci sunduese të pamëshirshme. Nuk kanë munguar njerëz të elitokracisë që e kanë pësuar si mos më keq nga kjo gjendje e pështirë sunduese klasash dhe shtresash në Shqipëri. Elita është një shtresë e zgjedhur - nga frëngjishtja "élite" si derivacion i "élire" ose zgjedhësh. Janë një grup personash, shpesh në pakicë që kanë autoritet, fuqi, influencë sociale dhe politike. Elitizmi është teori politike bazuar mbi principin sipas të cilit pushteti politik është në duart të një pakice që qeveris gjithë shoqërinë. Por absolutisht nuk mund të thuash se është kundra (apriori) interesave të saj. Shpesh janë për kombin dhe interesave të prosperitetit të tij. Nuk ndodh normalisht të tradhtojnë dhe kur ndodh do të thotë se kolaboracionizmi i tyre është sunduar me forcë nga pushtuesi. Por në përgjithësi ndërtojnë shtet dhe mbrojnë kombin. Ne si shoqëri nuk ishim të zot mbas viteve ‘90-të të krijojmë një elitë të tillë, të bëjmë të mundur ndërrimin e saj dhe përtëritjen e saj. Nuk e kemi shkolluar, as siguruar të jetë e pavarur dhe kompetitive. Për fatin tonë të keq nga plutokracia "Berisha" tashmë në modernitetin post 2013-ës sidomos mbas krijimit të pushtetit mbi PS-në të Rilindjes, kemi kaluar në "Overclass" në mënyrë tragjike. "Overclass" është term relativisht i ri sigurisht keqësues si shprehje, që tregon një grup të fuqishëm në një hierarki sociale. Të tillë grupe marrin mbi vete privilegje vertikale, të pakontrolluara, të cilat shfrytëzojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa fund, pa ndalim të të gjithë shoqërisë. "Overclass-sa" (term i krijuar mbas viteve 1990-të) pothuaj anulon institucionet e demokracisë dhe kontrollit, vlen dhe shantazhon gjithshka në media dhe prish ekuilibrat socialë deri sa i bën dhe varrin demokracisë në përgjithësi. Më e "bukura" është se e tillë "mbi klasë" ka poshtë saj një aleate. Tani kemi një fenomen krejtësisht të ri në historinë e republikës: dy sektorë të izoluar rrënjësisht të popullsisë, nënklasa dhe super-klasa. Të dy janë antagonistë ndaj shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Njëra me teprimin për shkak të ambicies dhe vetëvlerësimi i pakufishëm. Kurse nënklasa, për shkak të paaftësisë shoqërore dhe injorancës funksionale në demokracinë e devijuar. Ekziston një simetri e frikshme midis të dyve në shumë rezultate, përballje me realitetin dhe krijimin e plotë të amoralitetit politik. Po, të dy palët si ato lart dhe shërbëtorët poshtë e duan politikën pa fijen, pa gramin e moralit. Janë kundra moralit në politikë dhe kudo.

Nuk ishim të "zotët" të ndërtonim "elitokraci" e cila të kishte sëpaku momentin e ndërtimit të shtetit, të moralit në të dhe më vonë, të një elite që të mos përdhunonte dhe korruptonte plotësisht në qelizë demokracinë. Ky është faji jonë shoqëror. Kjo "mbi klasë" sëbashku me "nën klasën" e përdorur të saj ose "lumpen proletariatin ballkanik të stërkorruptuar dhe folklorik" kanë dhe suksesin e mundshëm, sepse kur i mbarohen fuqitë "Overclass-ës" ngjiten lumpenët nga poshtë dhe riciklimi vazhdon i sigurtë. Sot një diçka të tillë po bëjnë në Shqipëri. Sëbashku me idetë e plutokracisë më të pashpirt në kontinentin europian dhe oligarkinë politike më të padenjë moralisht, përgatiten të riciklohen me anën e drejtësisë së re dhe pse kjo e fundit, duket si në dorë të ndërkombëtarëve. Kanë siguruar miliardat, shërbimin edhe ndaj dikujt jashtë, por dhe ndaj folklorikëve fise gangsterësh brenda. Kanë projektet, shoqatat, bankat, tre parti të mëdha dhe një shtresë të mesme apo shoqëri normale që ka dy rrugë dhe vepron vetëm me dy mënyra: ose ikën nga sytë këmbët jashtë ose nënshtrohet e frikësuar dhe e rrahur çdo ditë nga të tillë amoralë politikë dhe shtresë tashmë vertikalisht e pasur të cilës ato poshtë dhe "middle class" i duken miza. Nuk iu duhet shumë mund. Mjafton një fushatë elektorale për t’i rreshtuar në krahët idiotë politikë dhe përfundimisht kjo shoqëri iu zgjat jetën në ditën e votimit. Gjithçka kanë fituar dhe askush nuk mund t’i ndalë dot në një kohë të afërt. As e ashtuquajtura - drejtësia e re e ndërkombëtarëve. Të tillë maniakë pushteti dhe përfitimi, ndalohen vetëm kur një brez tjetër, kohë tjetër dhe sidomos mentalitet tjetër shoqëror, do të lindë në këtë vend. Deri në atë kohë, tipat e tillë do të vazhdojnë sundimin, grabitjen, përdhunimin e demokracisë dhe shoqërisë shqiptare. Nuk ka ndryshuar shumë që nga lashtësia. Plutarku thotë: “Një ç'ekuilibër mes të pasurve dhe të varfërve është sëmundja më e vjetër dhe më fatale e të gjitha republikave”. E ne këtë sëmundje e kemi më të ashprën, më evidenten dhe më kriminalen, mes të gjitha qeverive, jo vetëm në Ballkan.