BREAKING NEWS

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit Kombëtar prodhoi një gënjeshtër të madhe

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit
x

Opinion / Editorial

Të përbashkëtat dhe të veçantat midis Rudinës dhe Skënderbeut!

Të përbashkëtat dhe të veçantat midis Rudinës

Skënderbeu braktisi betejën për të cilën kishte shkuar dhe bashkë me treqind trima, erdhi në Shqipëri për të bashkuar trimat shqiptarë në luftë kundër pushtuesit. Rudina, erdhi nga Amerika, edhe kjo për të sjellë eksperiencën e saj nga një vend i madh i lirisë dhe demokracisë, ku kishte shkuar për të mësuar. Skënderbeu, e ndiente si një nevojë urgjente për të ardhur në Shqipëri, mes trimave dhe patriotëve. Rudinën, përkundrazi, e thirrën, por jo të sillte eksperiencën dhe të jepte kontributin e saj, por me emrin e babait të saj, të bënin një rrugë e dy punë. E para duke e bërë atë përfaqësuese të popullit, të përfitonin për vete, por njëkohësisht edhe të bënin njëfarë autokritike, për atë që ata i bënë Azemit të ndjerë, duke e përjashtuar nga Partia dhe këtë fat të babait të saj e pësoi edhe ajo vetë. Midis Rudinës dhe Skënderbeut, ka dallime. Ndërsa Skënderbeu, mes trimave luftëtarë të atdheut të tij, gjeti atë për të cilën kishte ardhur, lirinë, përkundrazi, Rudina, gjeti Salinë! Them Saliun sepse Saliu është ideatori i kësaj lirie dhe demokracie që kemi sot sepse ai nuk ka dashur dhe nuk do liri dhe demokraci si në vendet perëndimore, atje ku mësoi Rudina. Ky ishte edhe gabimi i saj, megjithatë, si e vockël që është, edhe i falet, sepse nuk i njohu as bindjet e babait të saj, dhe as “kakamët” që ai la pas, që e kanë bërë “lëmsh” këtë liri e demokraci, e cila filloi me britmat “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe mbas tridhjetë vitesh Shqipëria, i është larguar aq larg Europës saqë tani nuk po gjen dot rrugën se ku të shkojë për t’iu afruar. Pra Lulusalinjtë, nuk e thirrën Rudinën për të marrë mend prej saj, sepse, sa për mënd, ata të gjithë janë mendjellinj dhe ato i kanë me “tonelata”, por se sa i vlejnë, kjo duket edhe atje që askush nuk i është afruar për të “blerë”, por të gjithë i janë larguar. Ata, as si merret pushteti nuk dinë dhe as si rrëzohet kundërshtari nuk dinë. Të përbashkët pra, Rudina dhe Skënderbeu, kanë atë që erdhën për qëllime të mira, por ndërsa Skënderbeu tha përpara princërve shqiptarë: “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta mes jush. Sapo më shkeli këmba në truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m’u derdhët me vrap të gjithë, më dualët përpara kush e kush më parë, sikur të kishit dëgjuar që u ngritën nga varret etërit, vëllezërit, bijtë tuaj, sikur të kishin zbritur këtu gjithë perënditë”. Të paktën kështu thuhet nga kronikanët e kohës megjithëse studiuesit, thonë që Marin Barleti këtë nuk e ka shkruar. E rëndësishme është që Skënderbeu, atë që tha, e bëri realitet. Gjatë 22 betejave, të zhvilluara kundër një ushtrie më të armatosur e shumë herë më të madhe në numër, shënoi vetëm fitore dhe asnjë humbje. Kurse Rudinën, askush nuk e priti e aq më tepër që erdhi edhe pa shpatë! Edhe Rudina, nga ana e saj “braktisi” vendin më të madh të lirisë e të demokracisë dhe siç shprehet edhe vetë: “Erdha për të sjellë lirinë dhe demokracinë e munguar”. Ndryshe nga Skënderbeu, ajo jo vetëm erdhi pa shpatë, por edhe pa asnjë trim me vete në një kohë që Skënderbeu, erdhi me treqind kalorës. Vazhdojmë më tej, megjithëse kanë kaluar pesëqind e shtatëdhjetë e shtatë vite qysh atëherë dhe krahasuar me kohën kur erdhi Heroi Kombëtar, kemi bërë hapa prapa. Rudina, nuk e gjeti atë mjedis tek grupi i saj i demokratëve që e thirrën nga larg. Kanë edhe një dallim tjetër. Skënderbeu, ishte i biri i Gjon Kastriotit udhëheqësit të qyteteve të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës, i cili kishte një influencë tek luftëtarët shqiptarë që përveç trimërisë që i karakterizonte, kërkonin edhe një udhëheqës që t’i drejtonte dhe t’i komandonte. Fill mbas mbërritjes së tij, më 2 Mars të vitit 1444, bëri Kuvendin e Lezhës, që në radhë të parë duhej të bashkoheshin tërë princat me njëri-tjetrin, tërë luftëtarët e tyre, sepse vetëm kështu mund të arrinin fitoren mbi pushtuesit. Juve Rudina, duhet ta keni ndjekur edhe e patë besoj edhe presidentin që mbas pesëqind e shtatëdhjetë e gjashtë vitesh mbas Kuvendit të Lezhës edhe ai thirri Kuvendin e tij për t’i “ bashkuar” shqiptarët për të shtypur një “grusht shteti” që atij i kishin bërë për t’i vjedhur Kushtetutën. Kur ata të shumtë që kishin mbushur sheshin, kur dëgjuan fjalimin e tij, e sidomos kur panë që ai u hodh dhe gati sa nuk fluturoi kur imitoi shqiponjën, ju futën me “grushta” “grushtit të shtetit” duke i thënë “ku të ha e ku të djeg” derisa e shpartalluan. Frymëzimin, presidenti e mori nga ai Kuvend i 2 Marsit 1444 prandaj edhe korri sukses si Skënderbeu. Situata, nuk priste dhe megjithëse u zhvillua në një kohë epidemie me një virus të “pabesë’ nëpër këmbë, fitorja u arrit aq sa edhe vetë virusi, u “habit” dhe u bë edhe ai pjesë e “grushtit” për të shtypur “grushtin e shtetit”. Po ku dallon dhe ku “çalon” Rudina me Skënderbeun? Më vjen keq moj Rudinë, por dëshira juaj e madhe u kthye në një zhgënjim të madh që juve do t’ju mbetet peng për tërë jetën. Juve, ju thirrën nga larg si bija e “Heroit të Demokracisë”, por jo se jeni “Heroinë e Demokracisë”, por që të fitonte pak lavdi Basha. Nuk ju falet ajo që juve, erdhët në mes të humbësve me një kryetar që në katër “beteja” që ka zhvilluar ka humbur pesë prej tyre, sepse është i paaftë, është dembel dhe gjumash. Udhëheqësi juaj kishte njohur vetëm humbje dhe asnjë “betejë” të fituar. Ai ishte shquar vetëm si gjumash! Është akuzuar për vjedhje, për paaftësi, për allishverishe, e shumë e shumë të tjera dhe kudo, në çdo funksion që shërbeu, u dallua vetëm për bëma dhe për asgjë të mirë. Do të thoni juve: “Po pse nuk është dënuar”? Po kush është dënuar këtu dhe të ketë mbetur vetëm ai. Pra “udhëheqësi” juaj, ishte i kundërt me atë të Gjon Kastriotit, babait të Skënderbeut. Ai, nuk ka asnjë alternativë, por merret me ç’ti dali përpara. Sillet vërdallë dhe ka mësuar vetëm tre fjalë, dy akuza dhe premtime sipas rastit. Ngrihen studentët në protestë për të drejtat e tyre, ai do të futë hundët dhe u thotë: “Kur të bëhem unë kryeministër, të parën gjë që do të bëj, do të ndryshoj këtë ligj për arsimin”. Shkon andej nga hallexhinjtë e Astirit që protestojnë për të drejtat e tyre, merr edhe Klevisin me vete dhe u thotë: “Kur të bëhem unë Kryeministër, do t’ju bëj shtëpi të reja”! Të njëjtën gjë, bën edhe kur shkon tek fermerët duke akuzuar vetëm Ramën si e keqja e demokracisë, hajdut, i lidhur me krimin dhe u jep vetëm oligarkëve! Siç është zakoni këtu, të gjithë akuzojnë, të gjithë janë bërë edhe gjykatës, edhe prokurorë edhe kryeministra dhe askush nuk pranon që “elifimatrakllëku” është ulur këmbëkryq. Këtë, Rudina, ju duhet ta dini, sepse asnjë intelektual i ditur, asnjë intelektual me mend nuk ka qëndruar në këto parti që po përçajnë këtë popull dhe e kanë bërë fije fije. Asnjë intelektual i ndershëm nuk militon në këto parti, përveç interesaxhinjve, të paaftëve dhe të paditurve që dallohen vetëm nga kostumet, nga telefonat dhe makinat “spic”. Nuk krahasohet gjendja e sotme me kohën e diktaturës, kur në fuqi ishin ligji i luftës së klasave dhe ai i agjitacion propagandës. Të përçarë sa sot, shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë që njëri-tjetrin e shohin më me egërsi se pushtuesin, sikur t’i kenë “ngrënë bukën” njëri-tjetrit, shumë më keq se atëherë kur partia i ndante në komunistë dhe tradhtarë të partisë. Ç’punë ka “udhëheqësi” i partisë suaj të shkojë tek ndërtesa e teatrit, përveçse për të futur përcarje midis aktorëve dhe artistëve? Basha, nuk ka shkuar ndonjëherë në teatër, por ja do puna të fitojë ndonjë votë duke fjetur pranë ndërtesës së teatrit. Nuk merret vesh si e pranojnë Bashën apo Monikën këta artistë, përveçse të marrin “forcë” nga partia. Në këtë kuptim, vrasja e babait tuaj, është quajtur “Vrasja e shekullit”. Dakord, por ‘Gjyqi i shekullit” kur do të zhvillohet që të dali në shesh e vërteta? Ka 22 vjet që ky gjyq nuk po zhvillohet dhe as ka ndërmend që të zhvillohet. Këtu, duhet të ngulmoni juve moj vajzë e shkolluar, të gjeni të vërtetën sepse besoj që u bindët që megjithëse erdhët për t’i vënë “vetulla” nxorët edhe “sytë”! “E kam thënë që më 14 Janar, thoni juve Rudina, se do të vazhdoj betejën për ndryshimin e sistemit, se besoj se në këtë vend nuk ka liri e demokraci”! Megjithëse me vonesë, por ama u bindët që në këtë vend nuk ka as liri dhe as demokraci. Erdhët si demokrate, por përfunduat si “tradhtare”! Ata nuk tremben hiç as kur juve thoni: “Mua më thonë Rudina Azem Hajdari”, sepse atje ka deputetë nga atë të Listës së Bashës me shumicë, që ishin nga “prapa listës” jo se janë të fuqishëm, por kërkojnë ta “ngrysin” sepse qarr e kanë atë pagë nga lista e “Lipe Shtogut”! Janë ata pa është Rama! Rama, gjithmonë do të fitojë, jo se është më i mençur nga ata të partisë tuaj, por sepse ai luan në fushën e lojës, me një kundërshtar që nuk ka as mbrojtës, as mesfushorë as portier, por vetëm nja dy sulmues si Nard Ndoka e një tjetër që fle edhe kur ecën. “Tradhtar”, ata që juve nuk pranuat të bëheshit pjesë e të dorëzonit mandatin, quajnë të gjithë ata që nuk i vijnë pas “huqit” sepse duan të bëjnë siç thonë ata dhe jo si e kërkon liria e demokracia, mungesa e të cilave, bën që demokracia të kthehet në diktaturë. Atje në Amerikë ku ishit juve Rudina, duhet ta keni mësuar atë ç’ka thoshte ish-presidenti Regan: “Një komunist është ai që ka lexuar Marksin dhe Leninin. Një antikomunist, është ai që ka kuptuar Marksin dhe Leninin”! Atëherë shtrohet pyetja: Ata që as nuk kanë lexuar. as nuk kanë kuptuar as nuk kanë dëgjuar për Marksin dhe Leninin, në ç’kategori hyjnë?

Skënderbeu, Rudina, e çoi deri në fund misionin e tij si luftëtar i lirisë dhe do të mbetet në shekuj “Hero i Popullit”. Juve Rudina, nuk mundët të çoni deri në fund misionin për të cilin erdhët. Megjithatë, mos u mërzitni sepse përpara, keni më shumë “ditë se kuleçë”!