BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Të përgënjeshtrosh nuk do të thotë se je pa faj

Të përgënjeshtrosh nuk do të thotë se je pa faj

PD hapi fushatën e saj për zgjedhjet e 25 prillit dhe ajo që ra më shumë në sy tek gjithë opinioni ishte mungesa e Sali Berishës. Nuk mund të besohet thjesht për arsye shëndetësore. Si kandidat fitues i listës së PD për këto zgjedhje, ai duhet jo vetëm të ishte i pranishëm, por edhe duhet të fliste. Diçka ka ndodhur, se Sali Berisha nuk di ta mbyllë gojën kollaj. Sali Berisha ka 30 vjet që flet, akuzon, shan, përgënjeshtron, pa njohur kufij moralë. Para ca ditësh në një emision televiziv, Berisha pasi deklaroi se si ish-president e ish-kryeministër, kishte bërë mrekullira në këtë vend, ai akuzoi socialistët dhe kryeministrin Rama se çdo gjë të keqe sipas tij në këtë vend, e paskan bërë ata kur morën pushtetin pas rënies së PD. Kështu, ai foli se “gjatë qeverisjes së tij kishte patur rritje ekonomike”, se ai “kishte patur ëndërr ta demokratizonte këtë vend” dhe ishte i kënaqur që kishte realizuar ëndrrat e tij. “Unë e futa vendin në NATO, deklaroi Berisha. Unë realizova liberalizimin e vizave dhe u krijova shqiptarëve kushte për të lëvizur lirisht nëpër botë. Unë dhe qeveria ime bëmë një luftë të madhe kundër korrupsionit dhe e mbajtëm atë në nivelet më të ulta. Unë arrita të kryej arrestimin e bosëve të mëdhenj të drogës e nuk lejova inkriminimin e politikës”. Kështu vazhdonte të numëronte Berisha me vetëmburrje sukseset e qeverisë së tij. Koncepti diktatorial i Berishës shfaqet, jo vetëm në faktin se nuk pranon asnjë gabim e faj për qeverisjen kur ishte në krye të PD, por edhe në përdorimin e dendur të përemrit vetor “unë”, sikur ai të kishte qenë Zeusi, si dhe të përemrit pronor “ime”, sikur qeveria të ishte pronë e tij. Askush, as një kryeministër e president, apo dhe çdo shtetar tjetër qoftë, nuk është individ i rënë nga qielli, por produkt i rrethanave, i kohës që jeton dhe asnjëherë nuk mund të dalë kundër tyre, ashtu si dhe qeveritë nuk janë të kryeministrave, por struktura që dalin nga votat e popullit me rotacion. Se si ka qeverisur Sali Berisha për sa kohë ka qenë në pushtet, e di shumë mirë populli dhe nuk ka nevojë t’ia tregojë askush tjetër dhe aq më keq Berisha. Nuk duhen mohuar dhe ca arritje gjatë qeverisjes së PD, pa rënë në nihilizëm, por duhet pranuar se mjaft arritje ishin për inerci të vetë probabilitetit progresiv të sistemit që nisëm, si dhe të mbështetjes së madhe që ka dhënë vazhdimisht bota për demokracinë shqiptare. Por në këtë shkrim nuk donim të bënim bilancin e punëve të Berishës gjatë qeverisjes së tij, po të tregonim se Berisha është politikani më gojë shthurur e fjalë lig, saqë shpesh herë kthehet në një sadist që kënaqet vetëm kur ndodhin të këqija, kur ka gjak dhe vdekje. Berisha vazhdon të lëshojë akuza kundër kundërshtarëve të tij politikë pa patur asnjë fakt dhe me dashje “e bën qimen tra”. Ajo që na bëri përshtypje edhe në atë emision, ishte fakti se pasi lëshoi një sërë akuzash kundër kryeministrit Rama dhe duke i quajtur akuzat e tij fakte e prova, kërkoi me këmbëngulje krekosëse se sipas tij ato ishin të vërteta, pasi kryeministri aktual nuk “i kishte përgënjeshtruar ato”. Ai këmbëngulte në kërkesën për përgënjeshtrim, pasi ai theksoi se “parimi i tij ishte e vërteta”. Sipas Berishës po nuk përgënjeshtrove akuzën, je fajtor. Por Berisha duhet ta ketë të qartë, se jo çdo akuzë e llafe rrugësh, meriton vëmendjen e një politikani të vërtetë e serioz. “Të godasësh çdo qen që leh ndaj teje gjatë rrugës për ku je nisur- thotë proverbi- nuk ke për të arritur kurrë atje ku je nisur”. Dhe nga ana tjetër të përgënjeshtrosh një akuzë nuk do të thotë se je pa faj. Gjatë një qeverisjeje të efektshme janë të pranueshme vështirësitë e rritjes, gabimet njerëzore për të cilat natyrisht do të ketë edhe kritika edhe vërejtje. Por tjetër gjë janë akuzat, shpifjet, të cilat sot opozita jonë i lëshon badihava, shumicën e të cilave as vetë nuk u beson. E kaluara e Berishës në pushtet bie shumë erë, ndaj është më mirë që ai të mos e hapë më atë. Ndoshta ai bën shumë zhurmë për të mbuluar vrasjen e ndërgjegjes, nëse ka. Por siç thoshte Oscar Wilde: “Askush nuk është aq i pasur, sa të blejë të kaluarën e vet”. Akuzat në adresë të Berishës janë të shumta, me sfond politik, por edhe personal e familjar dhe me fakte, por deri tani ai nuk ka bërë përgënjeshtrimin e asnjërës, ose është munduar t’i përgjigjet akuzës me kundërakuzë. Dhe dy përgënjeshtrimet që u përpoq të bënte Berisha, qenë “deklarata nga maja e thënës”. Për tragjedinë e Gërdecit, Berisha u justifikua se “nuk e dinte nga binte”, madje “nuk njihte as baxhanakun e tij” që punonte dhe dha jetën aty, në atë 15 mars të zi. Kurse për vrasjet e katër demonstruesve në 21 janar, pasi nuk bindi askënd me përgënjeshtrimin se “katër manifestuesit u vranë nga afër me çadra pistoletë dhe thika me helm”, kaloi në kërcënim të hapur se “mbrojti institucionet dhe se mund të ishin vrarë edhe më shumë”. Por me këtë deklarim që bëri Berisha nuk ka arritur ta heqë kurrë përgjegjësinë e rëndë morale dhe penale nga vetja. Se ka lloj-lloj akuzash dhe sipas peshës së tyre, mund të jenë edhe përgënjeshtrimet. Pastaj të përgënjeshtrosh, nuk do të thotë se je pa faj, se je i larë nga akuza që të bëhet. Rrallë e askush janë ata që pranojnë me ndërgjegje gabimin ose akuzën, publikisht e moralisht. Në shumicën e rasteve të akuzuarit, jo vetëm që justifikohen, por edhe hakmerren egër ndaj akuzuesit. Akuzat ndaj Berishës janë fakte të dokumentuara, ndaj shumica prej tyre janë depozituar në gjykatë, siç është edhe ajo për vrasjen e Azem Hajdarit. Pyesim: Pse Berisha nuk paraqitet në gjykatë dhe të përballet me të vërtetën? Është bërë e qartë tanimë se faktori Berisha është sot një nga arsyet që po i zgjat jetën qeverisë Rama, e cila edhe pse me gabime, ka mbetur alternativa më e mirë. Disa herë Berisha ka shkelur mbi interesat e kombit e të popullit. “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd - thotë Sharl de Gol. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin”. Kurse Berisha, gjatë qeverisjes së tij i ka tradhtuar të dy edhe elektoratin, se e la popullin në varfëri, por edhe kombin, sepse në mjaft raste i ka shitur interesat e tij për privilegjet e tij politike e familjare. Është koha që Berisha të mos deklarohet fare se kush ka qenë, e më e mira të heshtë fare. Sa kohë që Berisha ka qenë në pushtet ka lënë pas vetëm shkatërrim, zi e mjerim. Të jesh në krye të popullit, nuk do të thotë të ulërasësh në mitingje e të tregosh me rrahje gjoksi se bën mrekullira. Madhështia është gjithmonë e heshtur. Duhet të tregosh me fakte se di të drejtosh, të jesh edhe udhëheqës edhe shërbëtor i popullit. Dhe të jesh i tillë do të thotë se je burrë shteti. Kurse Berisha që vetëm akuzon, nuk ka qenë as burrë, pa lë më burrë shteti. Jo çdo burrë ka vlera të vërteta, se “Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin”, deklaronte Platoni.