Opinion / Editorial

Te politika shqiptare premtimet e mëdha kanë rezultuar gënjeshtra të mëdha

Te politika shqiptare premtimet e mëdha kanë rezultuar gënjeshtra

Deri më sot historikisht politika 100-vjeçare në Shqipëri, por edhe ajo e këtyre viteve të shtetit në Kosovë ajo, pra, politika kudo shqiptare ka premtuar shumë, por këto premtime janë bërë vetëm për të gënjyer e për të mashtruar sa për të marrë pushtetin dhe qeverisjen, si për pozitat ashtu edhe për opozitat politike ka rezultuar deri më sot e njëjta filozofi politike mashtrimesh e gënjeshtrash fantastike. Nuk është rasti këtu për të bërë ballafaqimin dhe argumentimin dhe as numërimin e vërtetimin e mashtrimeve dhe të gënjeshtrave të pafund dhe të mëdha si ato komuniste, demokratike, politike, ekonomike, diplomatike, të integrimit, zhvillimit etj. etj., por mjaftojnë faktet sepse prej mashtrimeve, gënjeshtrave dhe hipokrizive djallëzore të politikës dhe të politikanëve shqiptarë, Shqipëria mbeti gjithmonë që prej 100 vitesh si shteti më i prapambetur në Europë dhe në Ballkan në rrugën e civilizimit, zhvillimit, progresit, mirëqenies e të shtet-ndërtimit modern e ligjor. Dhe po kështu edhe Kosova, shteti shqiptar i ri, dhe që të dy këto shtete shqiptare “falë” politikës dhe politikanëve haramzade e zullumqarë të tyre, dhe si mashtrues, hipokritë dhe gënjeshtarë, Shqipëria e Kosova janë shtetet më problematike në Europë për krimin e organizuar, prapambetjen demokratike, ekonomike dhe shtet-ndërtuese, si dhe me korrupsionin, moszhvillimin ekonomik, me varfërinë, me papunësinë dhe me eksodin. Politika shqiptare gjithmonë ka premtuar shumë, por kur premtohet për të gënjyer e për të mashtruar kjo përbën pabesinë, hipokrizinë dhe sidomos tradhtinë më të madhe kombëtare. Kjo sepse mashtrimet dhe gënjeshtrat janë vetë tradhtia publike, por edhe ajo kombëtare. Tradhtari dhe tradhtarët gënjejnë me fjalë dhe me retorikën patriotike për të maskuar e fshehur tradhtinë e tyre, të klikës dhe të pushtetit të tyre, për të maskuar tradhtinë publike, korrupsionin dhe hajdutërinë e tyre. Gënjeshtrat dhe mashtrimet janë veset më të ulta të njeriut dhe sidomos të atyre të cilët premtojnë shumë gënjeshtra e mashtrime për të marrë e rrëmbyer pushtetin me të cilin pastaj spekulojnë, grabisin e vjedhin. Pra fillimisht mashtrojnë e gënjejnë sa për të marrë pushtetin, e me pushtetin pastaj tradhtojnë, pasurohen, grabisin e vjedhin.. Kjo me pak fjalë është e vërteta politike e regjimeve politike të Tiranës, por edhe e atyre në Kosovë. Le të shërbejë ky shkrim i shkurtër i imi edhe si thirrje dhe për kujtesë, apo edhe si një këshillë e që të ketë parasysh Albini dhe Vjosa, po qe se ata do ta pranojnë këtë si këshillë; këtë që t’i kushtojë kujdes koalicioni qeverisës në Kosovë, ai i sotmi, LVV-LDK, sepse: është lehtë të premtosh, por është vështirë t’i mbash e t’i realizosh premtimet; pasi: pushteti, korrupsioni dhe paraja janë mashtrues më të mëdhenj se sa premtimet kur je në opozitë e jashtë pushtetit. Duhet vigjilencë e pandërprerë sepse pushteti, korrupsioni, privilegjet e paraja e largojnë politikën dhe pushtetin nga problemet dhe nga demokracia, dhe prandaj politika është në kundërshti me realitetin, me të vërtetat dhe me demokracinë. Por është ligji demokratik ai që e ruan demokracinë, dhe është demokracia e votës së lirë që e ndëshkon politikën e korruptuar, dështake, mashtruese e gënjeshtare. Kujdes se koha provon dhe vërteton mes premtimeve dhe  dështimeve të tyre.