Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Të rinjtë e Jalës dhe “përçmimi” nga kryebashkiaku i Tiranës

Të rinjtë e Jalës dhe “përçmimi” nga

Pa të rinjtë nuk mund të kuptohet e ardhmja. Nuk arrihen ritmet e progresi i nevojshëm për ta çuar shoqërinë përpara. Kush ka rininë me vete e ka të garantuar fitoren. Atje ku është rinia, është zhvillimi, dija e kultura. Të rinjtë shqiptarë në tërë historinë e shtetit modern kanë qenë forca më progresive, lokomotiva e ndryshimeve dhe përparimit tonë kombëtar. Pa të rinjtë nuk do kishim rilindje kombëtare. Pa rininë, LANÇI do ishte anemik. Kanë qenë të rinjtë që mbushën radhët e batalioneve dhe çetave partizane. Ishin ata që i dhanë luftës dinamikën e moshës dhe arritën të gdhendin emrin në kurorën e lavdisë me gjakun që derdhën, trimëritë që treguan në çdo betejë. Ishin ata që shpërndanë traktet përmes plumbave dhe çuan idealet e lirisë në çdo cep të Shqipërisë. Roli i rinisë, është i njohur në tërë etapat historike të vendit tonë. Të rinjtë janë shquar në aksionet për ndryshimin e realitetit shqiptar. Në ndërtimin e hekurudhave dhe rrugëve anë e mbanë Shqipërisë. Pa të rinjtë nuk do kishim muzikën, këngët, vallet. Do mungonte poezia dhe letërsia. Pa rininë nuk do kishte lulëzim të atdheut tonë. Viti 1990 nuk mund të përfytyrohej pa lëvizjen e fuqishme të të rinjve universitarë e atyre që punojnë në frontet e ndryshme nga bujqësia tek industria. Pa rininë nuk do kishim zhvillim të teknologjisë dhe shkencës. Është pulsi i jetës tonë. E ardhmja. Adrenalina shpërthyese. Garancia për të ecur në rrugën europiane, forcë e madhe ndryshimi që garanton arritje dhe ecje të vrullshme drejt integrimit. Atje ku janë të rinjtë është pulsi i jetës dhe zhvillimi i shpejtë. Pa të nuk ka drejtësi dhe të ardhme. Është drita dhe dielli që ndriçon rrugën tonë, i jep jetë shoqërisë dhe nxit ecjen përpara drejtë mirëqenies. Roli i të rinjve është bazik dhe vendi ynë ka rini dinamike dhe me kërkesa për t`u arsimuar e punuar, ashtu siç ka mjaft të rinj që lënë atdheun në kërkim të një jetë më të mirë. Dhe kjo është plaga më e rëndë që përjeton vendi ynë. Po rinia nuk është mall dhe plaçkë e askujt. Nuk është pronë e një force politike edhe pse përpiqen ta trajtojnë rininë si shtylla kurrizore e partisë që drejtojnë ca kryetarë. Të rinj, të moderuar ka në të gjitha forcat politike. Edhe partitë minore kanë forumet e të rinjve që janë tharmi i lëvizjes dhe gjallërisë politike të këtyre forcave. Është paradoksale që LSI dhe kryetarja, Monika Kryemadhi, vetëshpallet shpëtimtarja e rinisë, prijësja e saj. E konsideron LSI-në shtëpia ku gjen veten rinia. Garante për të ardhmen e jetën e të rinjve. Shkurt, Kryemadhi bën udhërrëfyesen e ardhmërisë, se është ajo kujdestarja, nëna e madhe e të rinjve, u garanton shkollim, karrierë, poste e punësim. U siguron dinjitet. Realisht, kjo është shfaqja me subjektive e kryesueses së LSI, jo realiteti dhe e vërteta. Është fakt që LSI ka në radhët e veta të rinj. Po nuk është vetëm LSI. U ka krijuar akses të përfaqësohen edhe pse nga bankat e shkollës pa mbushur nëntëmbëdhjetë vite një ulëse në Kuvendin e Shqipërisë. I promovon të rinjtë si energji që i japin jetë Parlamentit. Duke thënë këtë, dashuria për rininë nuk zbehet kurrë. Me të rinjtë askush nuk ka asgjë. Ata janë fëmijët tanë dhe u takon e ardhmja. Fjala është për mënyrën si i përdor Kryemadhi në interes të qëllimeve të saj pushtetare. Si katalizator nxitës e zbutjeje, ndriçim të fytyrës së partisë që kryeson. Të rinjtë nuk kanë të kaluar të inkriminuar dhe janë të pangjashëm me promovuesit e përfituesit real. Janë të pastër, të paimplikuar në skandale apo mitmarrje. Po kjo nuk do të thotë se e tillë është edhe forca politike që pretendon monopolin se i ka të gjithë në radhët e saj. Ky retushim është i pamjaftueshëm. Makijazhi është llangosje që të shëmton e nuk të zbukuron. LSI, si parti pragmatiste i ka joshur disa të rinj me poste e vende pune edhe pse pa asnjë përvojë menaxheriale, duke u krijuar idenë, se ata mund të kryejnë detyra të mëdha dhe nuk ka nevojë për kualifikim apo arsimim. Mjafton vetëm mosha. Energjia rinore. Ky trajtim i ka nxitur të bëhen agresiv dhe sulmues për t`u dukur qëndrestarë. U ka dhënë në duar fjalorin fyes e denigrues. I ka programuar të thonë atë që do partia. Promovimi i të rinjve nuk mund të bëhet vetëm se i mbledh një herë në vit në mjediset e bukura të Jalës. U krijon mundësi argëtimi, muzikë, këngë, shëtitje me varka, jetë nate, shplodhje, relaks. Duke i joshur me tema, si të bëhen deputetë, liderë, menaxherë apo milionerë. Jala, është mjedis i këndshëm, perla e bregut të detit Jon. Vendi më i lakmuar për të kaluar pushimet verore. Të rinjtë e LSI-së e kanë shijuar këtë mjedis dhe kanë bërë shumë mirë. Organizimet në këtë perlë të jugut i shërbejnë relaksimit, njohjes së bukurive turistike të vendit tonë, që dallojnë krahasuar me gjithë brigjet e Mesdheut. Si të tilla ia vlen të njihen e të eksplorohen së pari nga të rinjtë. Po nëse njohja e natyrës i shërben edukimit të të rinjve, trajtimi tyre si monopol i LSI-së, si mjet për t’u dukur të freskët, retushim të rrudhave, buzëkuq apo manikyr, kjo nuk i bën dobi partisë dhe vetë rinisë. Promovimi i rinisë në rrugëtimin e zhvillimin e shoqërisë dhe të ardhmes së vendit tonë, është mision historik, përdorimi për t`u mburrur e dukur, për të bërë shou mediatik e politik, është i palejueshëm për gjithë forcat politike. Rinia nuk është pronë e askujt. Është pasuria më e madhe e Shqipërisë për të cilën duhet të kontribuojnë nga njëshi i shtetit deri tek administratori i fundit. Po si e trajton rininë dhe të rinjtë Monika Kryemadhi në emër të promovimit dhe përfshirjes së tyre në jetën e vendit? A është e sinqertë kur u drejtohet të rinjve dhe deklaron se: LSI është partia e rinisë. Forca numër një, që motivon dhe nxit për të qenë udhëheqësit e së ardhmes, drejtuesit e shtetit dhe përfaqësues të popullit? A është e sinqertë, zonja Kryemadhi kur iu thotë të rinjve se ne u duam, u kemi xhan e shpirt, mendojmë për ju e mbetemi pa gjumë ndërsa ata, mazhoranca, PS, kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u përbuzin dhe u cënojnë dinjitetin? Në cilat fakte bazohet Kryemadhi në këtë akuzë të rëndë? Cili socialist, me dhe pa pushtet, ka shfaqur deri sot një rast të vetëm përbuzje ndaj të rinjve? Në cilin sektor nuk ka në drejtim të rinj? A po, Veliaj duhet kritikuar se e ka mbushur me të rinj bashkinë. Kjo po, është e vërtetë. Po, kryebashkiaku i Tiranës e ka mbushur bashkinë vetëm me të rinj dhe mosha mesatare është më e ulta ndër tërë institucionet e tjera. Ju, zonja Kryemadhi, goditeni Erionin me se të doni. Kritikojeni dhe përçmojeni, po mos abuzon për trajtimin përbuzës të rinisë. Ju mund të bëni politikë më dinjitoze nëse kërkoni të bëheni e besueshme. Jo duke shpifur. Jo të akuzoni një të ri me pushtet nisur nga hiçi se përbuz vërsnikët e tij në një kohë kur i promovon. Ju, zonja Monika, flisni me slogane standarde dhe akuzoni me të gjitha mënyrat kundërshtarët politikë. Mesa duket nuk e kapërceni dot debatin Meta-Veliaj për atë dreq shtatë përqindëshin! Dhe këtë e bëni me të gjithë ata që janë në pushtet. Po me kryebashkiakun e Tiranës jeni në një front të egër beteje dhe nuk lini rast pa e fyer e denigruar së fundi. Edhe ai si ju, ka udhëhequr të rinjtë në beteja të rëndësishme, Mjaftin e njohur për agresivitet kundër padrejtësive, është përplasur e goditur, akuzuar e anatemuar, përballur e gjakosur, ka drejtuar rininë socialiste, atje ku e latë ju, ka dhënë shembuj se është mik i rinisë. Nuk mund ta bëni armik të të rinjve, duke e akuzuar se i përbuz ata. Mos gjykoni se me të rinjtë e Jalës, jeni duke moderuar politikën. Po edhe nëse po, mos i përdorni ata si kopaçe për të goditur kundërshtarët politikë. Mos mendoni se batalionet e Jalës, skalionet, detashmentet që i ke përdorur në revolucionin një vjeçar në Tiranë apo cepave të Shqipërisë, u garanton atyre të ardhme të ndritur. Të rinjtë, zonja Kryemadhi, janë të Shqipërisë jo të LSI-së. Janë ADN-ja e atdheut tonë. Janë kurora e lavdisë dhe jo pronë e juaja. Çdo trajtim i devijuar i të rinjve dhe përdorimi i tyre si mjet sulmi ndaj kundërshtarëve dhe Erion Veliajt, është shpërdorim i vet të rinjve, idealeve të tyre, energjive, vizioneve, dëshirave për të ardhmen. Është shkatërrim i të ardhmes së tyre. Më modeste, zonja Kryemadhi. Se kështu veproni edhe me gratë e Shqipërisë, i trajtoni si të kishit edhe ato pronë të partisë. Kujdes se edhe juve po u ikën rinia dhe nuk zbrisni as ngjiteni në moshë me shifra e numra bosh!