Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Të rinjtë kanë arsye…

Postuar: 18/11/2018 - 07:33

Sipas një sondazhi të Gallup, 79% e të rinjve shqiptarë të moshës 15-29 vjeç duan të largohen përgjithmonë nga Shqipëria. Vendi ynë renditet i pari në botë përsa i përket këtij fenomeni. Pjesa dërrmuese e të rinjve duan ta ndërtojnë të ardhmen jashtë vendit duke parë Shqipërinë si një vend ku e ardhmja nuk është e sigurtë. Por çfarë e bën një vend të sigurtë e që premton të ardhme? Sa larg dhe afër vendeve evropiane jemi, tek të cilat shohim shpresë dhe shndërrohen jo vetëm për të rinjtë, por për të gjithë ne në vende të sigurta? Kush janë shkaqet kryesore që e bëjnë njeriun të bëjë gati valixhet e t’ia mbathi nga vendi i vet një orë e më parë? Sa të sigurtë ndihemi në punë, sa të garantuar e kemi shëndetin, sa të sigurtë e kemi atë çka konsumojmë çdo ditë në tryezat tona dhe sa të sigurtë ndihemi në atë çka zotërojmë, pronat? Thuhet se e mira nuk ka fund, por kush është e mira që shqiptarët nuk arrijnë ta shohin në vendin e tyre duke e kërkuar diku tjetër? Ajo që i bën qytetarët mosbesues është ajo që shihet dhe ajo që shitet. E vërteta dhe gënjeshtra me të cilat përballen çdo ditë sëbashku duke prodhuar një jetë konfliktuale të përditshme dhe që premton pak të ardhme.

Nëse i referohemi sigurisë në punë nuk është e tepërt të thuhet se nuk jemi aspak të sigurtë, përveç pagave që janë të vogla krahasuar me vendet e tjera të rajonit e më gjerë më e rëndësishme është në atë çka të pret nesër, e ardhmja. Nga ana tjetër, vështirësia për t’u punësuar është e madhe përsa kohë korrupsioni dhe nepotizmi janë ende si ferra nëpër këmbë dhe bëjnë “ligjin” e nuk premtojnë drejtësi. E nga ana tjetër kjo gjendje shërben për të kuptuar se atje ku mungon drejtësia asnjëherë nuk do të zësh vendin që të takon dhe do të jesh i nëpërkëmbur. Ndërkohë që, luhet me shprehjen “ka punë, por nuk ka profesionistë”. Natyrshëm lind pyetja kush i pengon punëkërkuesit të trajnohen dhe të integrohen në këto vende të lira pune?

Kur bëhet fjala për shëndetin askush nuk toleron, pasi nga shëndeti varet shumëçka tjetër. Po sa të sigurta i kemi spitalet. Në kohë që ndreqim ambientet, mjekët dhe infermierët po i drejtohen Gjermanisë, mungesa e specialistëve shndërrohet në problem serioz jo vetëm në fshat dhe zona të largëta, por edhe në qytet. Ilaçet mungojnë dhe pacientëve ju duhet t’i blejnë vetë, megjithëse janë të kushtueshme dhe të papërballueshme për xhepin e tyre. Ju kujtohet mësuesja nga Rrësheni që ju drejtua kryeministrit të vendit për mungesën e ilaçit kundër kancerit në spitalin e Onkologjikut? Nëse shihet si shpëtim i vetëm kryeministri, asgjë nuk është e sigurt. Por nuk është rasti i vetëm. Nga ana tjetër, problemi me ilaçet e skaduara rri gjithmonë si hije dhe frika është gjithmonë prezente.

Ajo çka konsumojmë çdo ditë po shihet gjithmonë e më tepër me dyshim. Mallra të skaduara që vijnë nga jashtë e përpiqen të futen në treg duke shkatërruar shëndetin e konsumatorit. Pak ditë më parë emisioni investigativ “Stop” në televizionin Klan trajtoi problemin e makaronave të skaduara, që ishin futur në vend nga Greqia e që po hidheshin në treg, Roskovec, për t’u shitur. Çdo ditë po dëgjojmë gjëra të çuditshme për ato çka konsumojmë. Djathë që nuk prodhohet nga qumështi, vera që nuk prodhohet nga rrushi dhe domate që piqen sa hap e mbyll sytë? E çfarë sigurie mund të ketë këtu. Çdokujt nga ne mund t’i ketë ndodhur që të ketë marrë nga marketi një mall që skadon po atë ditë, apo që e kanë në rregull datën e kadencës, por realisht produkti është i skaduar dhe të vërtetën e tregon tek shija e tij. Pa përmendur kushtet në të cilat ruhen produktet që në disa raste lënë për të dëshiruar. Për shumë vite konsumatorit i është shitur “sapuni për djathë”, ndërkohë që është i pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen. Por nuk mbaron gjithçka këtu përsa i përket probleme të qytetarëve.

Problemi me pronat është kthyer në një makth për qytetarët. Ndërto e shkatërro, ku kaosi i ndërtimeve dhe pronat janë kthyer në “molën” e qytetarëve. Konkretisht, ndërtimi i ‘Unazës së Re’ këto ditë ka ngritur në protestë qytetarët në zonën e Astirit në Tiranë, ku priten të prishen 317 objekte, 163 prej të cilave që janë në proces legalizimi do të skualifikohen. I kujt është faji i atyre që i lejuan, apo i atyre që i ndërtuan, duke hedhur poshtë kontributin e viteve të tëra pune të qytetarëve të përfshirë. Tashmë problemi me pronat është kthyer në një ngërç pa zgjidhje reale përsa kohë korrupsioni është i fortë ekzistent, ku vetëm disa muaj më parë KLSH ka kallëzuar 12 zyrtarë të lartë të Hipotekës së Elbasanit, të cilët janë akuzuar për disa shkelje. Por nuk është ky shembulli, mund të gjesh me dhjetëra... Nga ana tjetër, indiferenca nëpër zyra dhe sorollatja e qytetarëve për vite me radhë e kthyer në ‘modë’ vështirë se do t’i vijë fundi. Kurse qytetarët për vite e ushqyen korrupsionin që u shndërrua në një gjarpër që tashmë po i ha kokën. Ndërkohë që, ankohen çdo ditë për atë çka po ju ndodh, harrojnë të pyesin veten- Pse erdhëm deri këtu? Dhe gjejnë si rrugë të vetme zgjidhjeje, kryeministrin.

Në të tilla kushte, ku siguria lëkundet në çdo aspekt të jetës duke mos dhënë shpresë për të ardhmen nuk është aspak e çuditshme që të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit. Por jo vetëm të rinjtë, por çdo qytetar që i jepet mundësia që në momentin e parë. Jo se jashtë vendit është “fushë me lule”, por të paktën nuk të marrin dinjitetin nëpër këmbë dhe merr atë që të takon duke jetuar jetën dhe lirinë tënde në paqe pa u stresuar për atë që të pret nesër. 

Nga Majlinda BUSHJA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 16

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.